Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Asimetria e theksuar në vënien e drejtësisë për krimet e luftës së Kosovës

Njëzet vjet pas luftës, populli në Kosovë po ballafaqohet me një ndjenjë të jashtëzakonshme të mungesës së përmbushjes së drejtësisë për krimet e kryera gjatë luftës. Përveç kësaj duket se ka përpjekje gjithnjë e më dinamike për të transformuar narrativën për luftën e Kosovës dhe atë që ndodhi. Në këtë kuptim, nga dëshmia e shkëlqyer me shkrim e ish-Presidentes së Republikës, të nderuarës Atifete Jahjaga para Komitetit të Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit Amerikan, vihet në pah se “përpjekjet për t’i ndryshuar narrativat e luftës, për të turbulluar kufirin midis agresorit dhe viktimave, zvogëlojnë vuajtjet e ndodhura” dhe nuk tregojnë një “interes të mirëfilltë për një të ardhme të përbashkët në paqe.”  Kuptimi moral është thelbësor për narrativat, dhe në këtë drejtim ruajtja e së vërtetës është gjithashtu një proces shërimi dhe një mundësues i pajtimit.

Në këtë kontekst të përgjithshëm, është e rëndësishme të shqyrtohen rezultatet e përpjekjeve ndërkombëtare dhe lokale për të vendosur drejtësi për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë. Numrat janë të rëndësishëm kur agjendat politike bëjnë përpjekje kërkojnë ta shtrembërojnë të vërtetën.

Sipas Qendrës për të Drejtën Humanitare, gjatë Luftës në Kosovë, 13,535 persona u vranë ose u zhdukën. Ky numër përfshin 10,812 shqiptarë, 2,197 serbë dhe 526 anëtarë të bashkësive të tjera etnike (romë, ashkali, egjiptianë, boshnjakë, etj.). Mekanizimi kryesor ndërkombëtar për të vënë drejtësinë për krimet e kryera gjatë luftës së Kosovës, ishte Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë (ICTY), e cila u krijua me Rezolutën 827 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, në 1993, dhe zyrtarisht pushoi së ekzistuari në 31 Dhjetor 2017. Krahas kësaj edhe gjykatat vendore në Kosovë dhe Serbi kanë luajtur një rol të rëndësishëm. Në Kosovë, kjo është karakterizuar me dy periudha të ndryshme të udhëheqjes së procesit për hetimin dhe dënimin e krimeve të luftës, fillimisht nga UNMIK dhe pastaj EULEX.

ICTY paditi gjithsej tetë persona nga Serbia për krime lufte në Kosovë, përfshirë Sllobodan Millosheviqin, i cili vdiq në Hagë dhe gjyqi i tij nuk arriti të përfundohej. Prandaj, në realitet shtatë zyrtarë të lartë serbë dolën para gjyqit në Hagë dhe këta ishin: Milan Milutinovic, ish-Presidenti i Serbisë; Nikola Sainovic, ish-nënkryeministër i Jugosllavisë; Dragoljub Ojdanic, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Jugosllave; Nebojsha Pavkovic, Komandant i Ushtrisë së Tretë të Ushtrisë Jugosllave; Vladimir Lazarevic, komandant i Korpusit të Prishtinës të Ushtrisë Jugosllave; Sreten Lukic, shef i Policisë Serbe në Kosovë 1998–99 / Zëvendës Ministër i Punëve të Brendshme të Serbisë 2001-2004; dhe Vlastimir Djordjevic, shefi i Sigurimit Publik / Ministria e Punëve të Brendshme.

Përveç Milutinovic i cili nuk u gjet fajtor, ICTY dënoi gjashtë individët e tjerë me gjithsej 127 vjet burg për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Kosovë. Kjo kohë u reduktua në 107 vjet përmes procesit të apelimit. Sidoqoftë, sot, dhjetë vjet pasi ICTY dha vendimet e para në këto raste, në vitin 2009, vetëm tre nga gjashtë kriminelët e luftës të dënuar mbeten në burgje; Pavkovic, i cili është në burg në Finlandë, si dhe Lukic dhe Djordjevic. Ojdanic, i cili pranoi krimet e tij kundër popullatës shqiptare u liria para kohe në vitin 2013, ndërsa Sainovic në vitin 2015. Lazarevic, i cili gjithashtu u la i lirë në vitin 2015, ndërsa në vitin 2017 u emërua ligjërues në Akademinë Ushtarake Serbe. Bashkimi Evropian reagoi ndaj kësaj lëvizje të qeverisë Serbe, mirëpo nuk kishte ndonjë efekt domethënës. Vendimi përkatës u mor personalisht nga Ministri i Mbrojtjes Vulin, i cili deklaroi në atë kohë se me këtë veprim janë duke korrigjuar padrejtësitë e së kaluarës dhe po nderojnë komandantët më të shquar nga luftërat e shkuara.

Kur bëhet fjalë për gjykatat lokale, bazuar në të dhënat e disponueshme aktualisht në Hartën e Përditësuar të BIRN të Vendimeve të Ballkanit për Krimet e Luftës, në Serbi, 15 individë janë paditur dhe 11 janë dënuar për krime të kryera gjatë luftës në Kosovë. Këto dënime u shqiptuan për vrasjen e gjithsej 67 civilëve shqiptarë. Sipas të njëjtit burim, gjykatat lokale në Kosovë kanë paditur gjithsej pesë serbë dhe kanë dënuar dy prej tyre për sulm dhe për largimin me forcë të shqiptarëve etnikë nga shtëpitë e tyre.

Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë (ICTY) paditi gjashtë shqiptarë të Kosovës për krime të kryera gjatë luftës dhe dënoi dy prej tyre, ish-anëtarët e UÇK-së Lahi Brahimaj dhe Haradin Bala. Bazuar në një raport statistikor nga Fondi për të Drejtën Humanitare-Kosovë në lidhje me rastet e krimeve të luftës në Kosovë nga viti 1999 deri në vitin 2018, ka pasur gjithsej 111 të paditur, nga të cilët 61 shqiptarë, 44 serbë, pesë malazezë dhe një nga komuniteti RAE. Midis viteve 2009 dhe 2018, prokurorët e EULEX-it ngritën 22 raste për krime lufte, të cilat përfshinin 11 serbë dhe 39 shqiptarë. Gjykatat lokale në Kosovë (kryesisht UNMIK dhe EULEX) dënuan gjithsej 34 shqiptarë dhe katër serbë për krime lufte.

Të dhënat në dispozicion duket se sugjerojnë se në total 21 serbë dhe 38 shqiptarë janë dënuar për krime lufte të kryera në Kosovë. Kjo përfshin vendimet nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë (ICTY), si dhe gjykatat në Kosovë (kryesisht UNMIK dhe EULEX) dhe Serbi.  Kur merret parasysh se Gjykata Speciale tani ka filluar një proces të ri dhe të rëndësishëm të drejtësisë, atëherë numri i shqiptarëve që do të mund të dënohen për krime lufte do të rritet më tej.

Ajo që këto të dhëna duket se sugjerojnë ose nxjerrin në pah është asimetria e theksuar në administrimin dhe vendosjen e drejtësisë për 10,812 shqiptarët e vrarë ose të zhdukur gjatë luftës.  Me fjalë të tjera, në Kosovë nuk është vetëm një perceptim që mekanizmat ndërkombëtarë të drejtësisë nuk arritën të sjellin drejtësi për krimet e tmerrshme që janë kryer, në mënyrë sistematike nga aparati shtetëror përgjatë viteve të ’90-ta. Sentimeti publik për mosangazhimin e mirëfilltë të drejtësisë ndërkombëtare duket se mbështeten edhe nga të dhënat aktuale. Në Kosovë kishte dy mekanizma ndërkombëtarë (UNMIK dhe EULEX) brenda vendit që kishin kompetenca autonome por edhe mbanin presion të lartë për gjyqësorin për të ndjekur penalisht dhe ndëshkuar krimet e luftës. Krahas kësaj, tani është edhe një gjykatë e specializuar dhe autonome jashtë territorit të Kosovës që po vazhdon ndjekjen dhe gjykimin e krimeve të luftës në Kosovë.

Ka të paktën 74 raste të vrasjeve masive në Kosovë, të regjistruara nga organizata të pavarura, dhe shumica absolute e tyre mbeten të pazgjidhura, për sa i përket drejtësisë dhe përgjegjësisë për autorët e krimeve.  Edhe pse udhëheqësi kryesor politik në Serbi dhe Ministri i Jashtëm Daçiq, kërcënuan serbët që zbulojnë vendet e varreve masive të shqiptarëve, nuk duket se ka gatishmëri për të bërë më shumë presion mbi Serbinë për të trajtuar në mënyrë serioze rastet e krimeve të luftës. Me fjalë të tjera, asimetria në sasi për numrin e individëve të dënuar për krime lufte të kryera në Kosovë, me sa duket është një “pasojë e domosdoshme që vendi duhet ta kalojë,” sepse bashkësia ndërkombëtare beson se ka përfunduar detyrimet e saj ndaj shqiptarëve të Kosovës, për sa i përket drejtësisë në vitin 1999. Me këtë veprim mbase dëshirojnë të shfajësojnë veten për faktin se janë perceptuar të njëanshëm në vendimin për bombardimin e Jugosllavisë dhe Serbisë.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.