Kosova 2025: Balancim mes axhendës së shtetndërtimit dhe dialogut
Një mobilizim i përgjithshëm politik dhe institucional do të nxiste një marrëveshje përfundimtare e cila mundëson mbylljen e konfliktit me Serbinë dhe rikthimin e energjive kah reformat e brendshme, për të avancuar në rrugën drejt integrimit në Bashkimin Evropian.
Në kohën kur gjithnjë e më shumë po flitet për një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe të detyrueshme mes Kosovës dhe Serbisë – formati, parimet dhe afatet kohore nuk janë caktuar ende. Pozicionet e ngurta të partive në pushtet dhe opozitës kanë bërë që të mos ketë një Platformë të përbashkët në dialog. Kjo po ndodh, ani pse draftdokumentet e propozuara përputhen në shumë pika. Të gjitha, me pak dallime, thërrasin për respektim të sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës, domosdoshmërinë që Serbia ta njohë Kosovën si dhe Kuvendi të jetë autoriteti final që i jep vulën marrëveshjes përfundimtare.
Një mobilizim i përgjithshëm politik dhe institucional do të nxiste një marrëveshje përfundimtare e cila mundëson mbylljen e konfliktit me Serbinë dhe rikthimin e energjive kah reformat e brendshme, për të avancuar në rrugën drejt integrimit në Bashkim Evropian. Viti 2025 është kufiri i vendosur për vendet Ballkanit Perëndimor, për anëtarësim në BE.
Rrugëtimi shpresues i Kosovës drejt anëtarësimit në BE dhe dialogu me Serbinë kanë qenë objekt diskutimi në Shkollën për Integrime Evropiane – Moduli për Siguri dhe Politikë të Jashtme, organizuar nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) dhe Fondacioni për Shoqëri të Hapur (KFOS), më 16-19 nëntor në Durrës.
Ngathtësi në zbatimin e Axhendës për Reforma Evropiane
Kosova mbetet i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor që nuk ka liberalizim të vizave dhe nuk ka aplikuar për statusin e vendit kandidat. Një aspekt i rëndësishëm i diskutuar në këtë modul, lidhet me faktin se axhenda e shtetndërtimit të Kosovës është dominuar plotësisht nga dialogu i Brukselit. Raportet flasin për ngathtësi në zbatimin e Axhendës për Reforma Evropiane (ERA). Kosova ka zbatuar vetëm 9 nga 22 prioritetet e dakorduara me BE-në. Kjo e dhënë evidentohet edhe në Raportin Përfundimtar të qeverisë mbi zbatimin e ERA-s, referuar periudhës 2016-2018, e cili është finalizuar këtë muaj. Kësisoj, institucionet e Kosovës nuk kanë mundur t’i zbatojnë as gjysmën e 22 detyrave të shtëpisë, për të cilat ishte zotuar para Bashkimit Evropian se do t’i kryente deri në fund të vitit 2017. Punë e pakryer ka mbetur miratimi i legjislacionit që kërkon pezullimin dhe/ose largimin e detyrueshëm të zyrtarëve publikë të akuzuar dhe dënuar për korrupsion. Disa prej detyrave që ende nuk janë kryer, qeveria synon t’i adresojë nëpërmjet një procedure urgjente në Kuvend, me qëllimin që Kosova të përfshinte në axhendën e Këshillit të BE-s edhe liberalizimin e vizave.
Por shumë prej vendeve të BE-s, përfshirë shtetet në të cilat Kosova ka llogaritur mbështetje, kanë qëndrim hezitues. Si arsyetim është përmendur mungesa e rezultateve në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe rreziku nga rritja e numrit të azilkërkuesve. Prandaj, është thelbësore që Kosova të gjejë mënyra për dinamizim të përmbushjes së reformave dhe fuqizimi të shtetit. Nga brenda, fokusi duhet të jetë në zhvillim ekonomik, reforma në arsim e shëndetësi, por paralelisht me këtë angazhim në fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar.
Bllokada
Kosova dhe Serbia vazhdojnë të mbesin të bllokuara në kontestin politik dhe “satus quoja” po shoqërohet me tensione të kohë pas kohshme në terren.
Gjërat përshkallëzuan pas dështimit të Kosovës që të anëtarësohet në INTERPOL, si pasojë e fushatës agresive të Serbisë. Fqinji verior, jo vetëm që arriti ta kufizojë përkrahjen ndërkombëtare në anëtarësimin e Kosovës, por gjithashtu zhvilloi një fushatë nënçmuese kundër shtetit të Kosovës duke e paraqitur në një frymë tejet negative. Njëjtë kishte ndodhur edhe për procesin e Kosovës për t’u anëtarësuar në UNESCO, që në fund rezultoi me dështim.
Si kundërpërgjigje, qeveria ngriti taksën në 100 për qind për produktet me origjinë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina. Ky vendim nxiti reagimin e Brukselit, duke kërkuar ulje të tensioneve dhe përkushtim në arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare, si parakusht për integrim në BE.
Në korrik të vitit 2017, Përfaqësuesja e Lartë për Politikë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Federica Mogherini pas një takimi jozyrtar me Presidentët, Thaçi-Vuçiq, njoftoi fillimin e ‘fazës finale’ në dialog.
BE-ja e bëri këtë kapërcim, edhe pse shumë prej marrëveshjeve ekzistuese të arritura në dialogun teknik e më vonë politik, nuk kanë gjetur zbatim. Në mungesë të një mekanizmi nëpërmjet të cilit do të bëhej monitorimi i marrëveshjes, palëve u është lënë mundësia që t’i interpretojnë ato sipas interesave të tyre. Në raport me Kosovën, BE-ja u mjaftua me krijimin e një forme të konsensusit rreth perspektivës Evropiane nëpërmjet nënshkrimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA).Prej atëherë deri tash, gjithë procesi i dialogut është përcjellë me paqartësi dhe mungesë uniteti në Kosovë. Rrjedhimisht, zgjidhja nuk duket në horizont.
Skenarët
Përkundër kërkesave për fleksibilitet, palët në dialog e kanë bërë të qartë se nuk mund të ketë fitues nëse dikush del humbës nga marrëveshja finale. Skenarët kryesorë të diskutuar në modulin për Politikë të Jashtme kanë qenë: 1) Dështimi i marrëveshjes; 2) Modeli i dy Gjermanive; 3) Brukseli 2; dhe 4) Opsioni i shkëmbimit.
Dështimi i arritjes së një marrëveshjeje që do të nënkuptonte vazhdim të “status quos”, ka shumë gjasë të ndodhë. Referuar deklaratave zyrtare, një opsion të tillë nuk e preferon asnjëra palë e as faktori ndërkombëtar. Kjo pasi, do të vazhdohej të shpenzoheshin energji të shumta edhe për shumë vite, me procese e përpjekje që kanë dëshmuar se nuk sjellin normalizim të plotë, e as nuk gëzojnë besimin e publikut. Por, siç është paralajmëruar në Kosovë dhe Serbi, kompromisi që kërkohet për t’i dhënë fund konfliktit është “i dhimbshëm”.
Me pak përparim e shumë ngecje, formati aktual i dialogut të Brukselit ka arritur limitet e tij. “Qasja neutrale” e BE-s karshi statusit të Kosovës, e bën të pamundur arritjen e marrëveshjeve tjera pa u marrë me thelbin e problemit, e që është statusi i Kosovës.
Neutraliteti i BE-s është bërë pengesë edhe në rrugën e Kosovës drejt integrimit në BE dhe Strategjia e fundit e zgjerimit është provë shtesë. Megjithatë Komisioni Evropian e ka bërë të qartë se pa ‘një marrëveshje gjithëpërfshirëse, ligjërisht të detyrueshme”, as Kosova e as Serbia, nuk do të jenë në gjendje t’i bashkohen BE-s. Megjithatë Strategjia, i ofron Serbisë një kornizë të qartë kohore dhe indikatorët e nevojshëm për anëtarësimin deri në vitin 2025.
Është vështirë të pritet një proces ndryshe nëse shkohet në skenarin e dytë. Kalimi në një “Bruksel 2”, pa zbatimin e marrëveshjeve ekzistuese dhe pa vendosjen e një mekanizmi të duhur të monitorimit, vështirë se do të sillte një rezultat tjetër.
Kjo do të nënkuptonte shkuarje përtej marrëveshjes aktuale të Brukselit. Kështu ka ndodhur në procesin e formimit të dy Gjermanive. Gjashtë traktate janë bërë për të ardhur deri tek ai finali. Por, dilema është nëse ka energji dhe vullnet të shkohet përmes një procesi kaq të gjatë?! Po ashtu ekziston rreziku që, një “Bruksel 2”, disa vende të BE-s bashkë me Serbinë ta trajtojnë si marrëveshje finale.
Aplikimi i Modelit të dy Gjermanive është një opsion tjetër i diskutuar në kuadër të Shkollës. Ky model përmendet që prej negociatave për statusin final të Kosovës, në vitin 2007, i propozuar nga ish-ndërmjetësi evropian, Wolfgang Ischinger.
Modeli i dy Gjermanive ishte krijuar në kohën e ndarjes së botës në blloqe. Ato s’e njohën njëra-tjetrën, ishin anëtare të OKB–s dhe nuk e bllokonin njëra-tjetrën. Marrëveshja u referohej dy Gjermanive si shtete. Sipas tij këtij modeli, edhe pse Serbia nuk do ta njihte zyrtarisht Kosovën, kjo do t’i hapte rrugë anëtarësimit në Kombet e Bashkuara dhe do të respektonte sovranitetin e saj.
Kjo ide u rikthye para disa javësh në Prishtinë nga deputeti i CDU-s, Peter Beyer, njëherësh i ngarkuar me punë për Kosovë, Serbi dhe Mal të Zi, në Komisionin për Punë të Jashtme në Bundestag. Por ai ka mohuar të jetë ky opsioni zyrtar të cilin e shtyn Gjermania. Në takim me presidentin Thaçi, politikani gjerman ka thënë ta ketë ngritur vetëm në formë sugjerimi, nëse palët vlerësojnë se ky është modeli që i kontribuon paqes.
Por ekziston rreziku që ky model të prodhojë autonomi për veriun me rrezikun e ndarjes. Po ashtu e diskutueshme është nëse mjafton anëtarësimi në OKB- pa njohje eksplicite, pa heqje të rezolutës 1244, në kohën kur konteksti ndërkombëtar po ndryshon.
Theksi tek kufijtë
Gjermania është ndër kundërshtarët më të zëshëm brenda BE-s, sa i përket idesë së shkëmbimit të territoreve. Por, si tërësi BE-ja nuk ka qëndrim të unifikuar rreth opsionit i cili përmendet më së shumti. Serbia kërkon marrëveshje të cilën nuk ia kundërshton Rusia, prandaj në diskursin e politikanëve të Beogradit prej vitesh proklamohet ideja për ndarjen e Kosovës. Megjithëse nuk është prezantuar si qëndrim zyrtar, Serbia kërkon që brenda sovranitetit të vet të përfshijë katër komunat e veriut, të banuara me popullatë shumicë serbë – Mitrovicën e Veriut, Leposaviqin, Zubin-Potokun dhe Zveçanin. Por a duhet të japë Kosova një pjesë të veriut, përkatësisht të japë territor në këmbim të njohjes nga Serbia. “JO” është përgjigja e shumicës së akterëve politikë në Kosovë, përfshirë partitë në pushtet. Për këtë arsye, filloi kriza e liderëve. Kryeministri Haradinaj dhe presidenti Thaçi në disa raste polemizuan në distancë. Sipas Haradinajt, prapa idesë së “korrigjimit” të cilën e proklamon Thaçi, po maskohet ndarja e Kosovës. Me versione të ndryshme për dialogun, liderët institucionalë janë prezantuar edhe në takime jashtë vendit. Në disa raste, Thaçi ka thënë se Kosova nuk duhet të mbetet peng i “dhuratës” së Rankoviqit. Me këtë dhuratë, kreu i shtetit nënkupton lokalitete në veri, përfshirë “një pjesë të Leposaviqit, Leshakun dhe një pjesë të Zubin-Potokut”. Presidenti është i vetmi që ka institucionalizuar kërkesën e përfaqësuesve të Luginës së Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit për bashkëngjitje me Kosovën. Shqiptarët e Luginës, vazhdimisht kanë kërkuar reciprocitet me serbët në veriun e Kosovës. Por në shtatë vjetët e dialogut, që kryesisht është udhëhequr nga Thaçi, kërkesat e tyre nuk janë shqyrtuar asnjëherë.
Në mungesë të një Platforme të përbashkët, theksi i dialogut po vihet tek kufijtë. Institucioni ligjvënës ka demonstruar krizë vendimmarrjeje dhe asnjëri kamp politik nuk ka mundur të sigurojë votat e mjaftueshme për t’i shtyrë përpara iniciativat parlamentare rreth dialogut me Serbinë, ku do të viheshin kufizime për këdo që përfaqëson shtetin në këtë proces.
Synimi i arritjes së paqes nëpërmjet hapjes së kufijve, përderisa Kosova ndodhet ende në konflikt me Serbinë, është konsideruar i rrezikshëm. Kufijtë mund të jenë pjesë përmbyllëse e paqes dhe historia e shumë vendeve ka dëshmuar se një marrëveshje për kufij mund vetëm ta përmbyllë paqen.
Diskutimi për kufijtë ka prodhuar paqartësi edhe sa i përket të ardhmes së Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe. Ekipi Menaxhues, i mandatuar për draftimin e statutit ka përfunduar punën në terren, por ende nuk është prezantuar asnjë dokument, megjithëse ishte thënë që kjo të bëhet më 4 gusht. Në kundërshtim me përcaktimin e Prishtinës zyrtare, serbët kërkojnë që kompetencat e Asociacionit/Bashkësisë të mbeten ashtu siç janë përcaktuar në Marrëveshjen e Parimeve për Asociacionin, duke anashkaluar vendimin e gjykatës kushtetuese, e cila ka gjetur shkelje në të shtatë kapitujt e asaj marrëveshjeje. Serbët synojnë të kenë mbikëqyrje të plotë në fushën e zhvillimit ekonomik, arsimor e hapësinor. Pretendime për t’i futur nën autoritetin e Asociacionit/Bashkësisë ka edhe ndaj dy resurseve kryesore të Kosovës – Liqenin e Gazivodës dhe Trepçës. Në pritje të diskutimeve për marrëveshjen finale, çështja e Asociacionit/Bashkësisë ka ngecur me mundësinë që të përfshihet në pako me marrëveshjen përfundimtare.
—-
Ky shkrim është publikuar në kuadër të projektit “Mundësitë e Kosovës për pjesëmarrje në misionet paqeruajtëse të BE-së” si pjesë e Shkollës për Integrime Evropiane – Moduli për Siguri dhe Politikë të Jashtme, me mbështetje të Fondacionit Kosovar për Shoqëri të Hapur (KFOS).