“Duhet të mësoheni me faktin se jeni vetëm dhe pa mbështetjen e BE-së”.
Ky ishte mesazhi të cilin e përçoi javën e kaluar në Forumin e Donatorëve të Ballkanit të mbajtur në Beograd, analistja e njohur e politikës së jashtme dhe e çështjeve europiane nga instituti Carnegie Endowment, Judiy Dempsey, në një fjalim të kthjellët dhe alarmues (për të cilin shkroi më gjerësisht në bllogun e saj).
Se Ballkani si rajon ka rënë në fund të listës së prioriteteve në Bruksel dhe në kryeqytetet e vendeve të BE-së, kjo dihej prej kohësh. Forumet kryesore të vendimmarrjes janë kthyer në zjarrfikës krizash të mëdha si ajo e imigrantëve, kriza e eurozonës, rritja e ekstremeve, dalja e Britanisë së Madhe – kriza këto që po e vënë në pikëpyetje vetë të ardhmen e BE-së së cilës Ballkani ia ka mësyrë. Zgjerimi i BE-së është tema për të cilën askush më nuk flet seriozisht në nivelin e lartë politik.
Si duket një rajon “i lënë vetëm” dhe pa rolin aktiv të BE-së? Duke mos qenë “spirancë” vlerash dhe frymëzim për reforma institucionale, BE-ja u lëshon rrugë liderëve të Ballkanit për të vazhduar pa pengesë praktikën e autoritarizmit dhe u lë hapësirë popullistëve për të na kthyer drejt konflikteve të vjetra etnike. Duke mos ofruar perspektivë të anëtarësimit, zbehen edhe investimet e huaja dhe perspektiva ekonomike.
E gjithë kjo e bën Ballkanin terren të pëlleshëm për rritjen e ndikimit destruktiv dhe hegjemonik të Rusisë. Kjo është edhe arsyeja kryesore përse në sbunker sot po e nisim bllogun tematik Kremlin Shah, ku rregullisht do t’i ndjekim zhvillimet në Ballkan dhe në botë nga prizmi i ndikimit të politikës së jashtme ruse.
Rusia, siç raportonte së fundmi edhe Washington Post, e sheh Ballkanin si një rajon të rëndësishëm dhe strategjik, dhe ka plan afatgjatë për të ndikuar në agjendat politike të çdo shteti. Këtë e bën pikë së pari duke ndikuar (përmes shërbimeve të saja) në diskursin e mediave, me synimin për ta kthyer opinionin kundër perëndimit dhe për të parandaluar zgjerimin e BE-së dhe NATO-s në sferat e veta të interesit.
Strategjia afatgjate e Carit të Rusisë në Ballkan është ana tjetër e medaljes së strategjisë së tij ndaj vendeve perëndimore, ku përmes thellimit të përçarjeve brenda dhe mes shteteve të BE-së dhe NATO-s synon paralizimin e vendimmarrjes në këto dy institucione, për t’i bërë ato joefektive në raport me agresivitetin e Rusisë. Siç edhe pati sukses tani së voni, në krijimin e përçarjeve mes SHBA dhe vendeve kyçe europiane rreth vazhdimit ose jo të sanksioneve ndaj Rusisë.
Në këtë kontekst më të gjerë, të shpjeguar më gjerësisht edhe në një shkrim të mëparshëm në sbunker, Ballkani është thjesht njëra ndër hapësirat e brishta në tabelën e shahut ku Rusia gjatë viteve të ardhshme mund të provokojë dhe të nxisë konflikte kundër interesave të botës demokratike, të ngjashme me atë që desh shpërtheu vitin që shkoi në Maqedoni, apo me referendumin provokues të Republika Srpska në Bosnje (të mbështetur nga Rusia).
Në Ukrainë mbizotëron një gjendje e paqes së brishtë, me luftime sporadike në pjesët lindore të vendit dhe me Krimenë tashmë plotësisht të integruar në Rusi. Në Siri duket të jetë në prag të dështimit negociatat mes SHBA-ve dhe Rusisë për një marrëveshje të paqes. Nuk është larg mendsh se edhe Ballkani, me gjithë ndasitë dhe plagët e veta të pashëruara, mund të bëhet pjesë e kësaj çorbe të trazuar.
A ka hapësirë për shpresë në Ballkan, dhe a mund të mësohemi të jetojmë pa BE-në (qoftë përkohësisht, qoftë edhe përjetësisht) duke i pasur parasysh superfuqitë rajonale që historikisht kanë abuzuar me përçarjet dhe konfliktet tona etnike, për hesap të agjendave të tyre hegjemonike? A ka shpesë për shqiptarët marrë parasysh elitat tona të paafta dhe të korruptuara politike?
Të vetmen fije shprese e mbajnë gjallë amerikanët të cilët ashtu kështu gjithmonë kanë qenë boshti i sigurisë dhe stabilitetit për Ballkanit. Politika e BE-së këtu ashtu kështu rrallë ishte efektive në krijimin e një stabiliteti të qëndrueshëm dhe zhvillimi, sidomos në Kosovë.
Këtë e pohoi në konferencën e donatorëve edhe Judy Dempsey kur tha troç se “rezultatet e BE-së në Kosovë dhe Bosnje janë katastrofale dhe të turpshme. Shyqyr zotit që aty janë amerikanët!”
Por fatkeqësisht, edhe mburoja amerikanë ndaj ndikimit rus nuk është e sigurt, sepse me 8 nëntor mund të na vijë Trampokalipsi. Ekuivalenti i një Shah Mat për Carin e Rusisë.