Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Bazat gjinore për politikanet tona

Të ftuara në debatin televiziv “Gratë në Politikë”, përfaqësueset e gati të gjitha partive politike në garë për zgjedhje të përgjithshme nuk e shfrytëzuan hapësirën e ofruar për të diskutuar rreth politikave gjinore, mirëqenies së grave dhe planeve konkrete politike, por për të ngritur në qiell liderët partiakë, për të promovuar partitë dhe hapësirën që gëzojnë brenda tyre, dhe duke e dëshmuar injorancën e tyre rreth çështjeve bazike gjinore. Kjo e fundit është shtytja kryesore e këtij shkrimi. Politikane të tilla që kanë vetëbesimin dhe marrin guximin të flasin për barazi dhe drejtësi gjinore, është esenciale të lexojnë, të informohen për cështjet bazike gjinore në mënyrë që së paku të mos fyejnë përpjekjet e vështira që sjellin ndryshim, u shpëtojnë jetën grave, dhe e ngritin cilësinë e jetës për të gjithë.

Amësia nuk është projekt kombëtar

“Pa nana nuk ka zhvillim sepse nana e lind fëmijun, e rrit fëmijun, do të thotë nuk mund të zhvillohemi as si komb.” – tha Arbërore Riza nga Alternativa derisa e çmonte propozimin për një vit pushim lehonie për nënat (asgjë për baballarët), të kandidatit për kryeministër nga koalicioni LDK-AKR-Alternativa, Avdullah Hoti. Por Riza dhe koleget e saj duhet ta kuptojnë që madhështimi i amësisë dhe kufizimi i grave në figurë amënore i ka kontribuar dhe vazhdon t’i kontribuoj shtypjes së grave. Fuqia dhe pushteti i grave nuk qëndron tek mundësia për riprodhim dhe rritjen e fëmijëve. Pikërisht kjo edhe është arsyeja kyçe pse duhet të mësoheni ta dalloni konceptin biologjik “femra” nga ai shoqëror “gratë”. Gratë, pra në shumës. Ne jemi të ndryshme, kemi pikëpamje të ndryshme, jo të gjitha synojnë amësinë dhe martesën, dhe jo të gjitha duan të identifikohen me role tradicionale gjinore.

Edhe pse gratë i bëjnë të gjitha, ato nuk ia kanë borxh kombit e as shtetit riprodhimin dhe as përkujdesjen e pakushtëzuar të familjeve. Prandaj, në vend të flisni për “fuqinë e nënës” në të njëjtën fjali me “zhvillimin e kombit”, interesohuni për shëndetin seksual dhe riprodhues të grave. Merreni mundin që ndonjëherë të vizitoni QKUK-në dhe spitalet rajonale për të parë se si trajtohen gratë, si keqtrajtohen nga mjekët/et dhe infermieret, si lindin në korridor, dhe vdesin si pasojë e neglizhencës mjekësore. Pra, politikat konkrete për përmirësimin e trajtimit dhe shërbimeve në QKUK, ndëshkimin e mjekëve për papërgjegjësi totale, dhe thjeshtë biseda me gratë për të kuptuar më shumë sfidat e tyre. Kjo nënkupton angazhim dhe përpjekje për barazi, dhe jo fjalë boshe se gratë zhvillojnë kombin.

Lartësimi i liderëve partiakë nënkupton nënshtrim

“Unë po e përcjellë mesazhin që lideri i partisë sime Kadri Veseli është duke e bartur derë më derë dhe vend më vend, që është momenti i fundit që gruaja të shihet si 50% e popullsisë, si faktor vendimmarrës në çdo proces. …” – tha deputetja e PDK-së Xhevahire Izmaku në debatin në fjalë. E ne e dimë se kush është Kadri Veseli. Kryetari i partisë më të korruptuar në vend, dhe kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës që lejon nxjerrjen zvarrë nga Kuvendi të një deputeteje të cilën e shan neveritshëm në seancën e cila po transmetohej drejtpërdrejtë në të gjitha familjet kosovare. Është tipike në Kosovë që një politikane të jetë së pari militante e partisë së saj dhe rrallë herë feministe që u kundërvihet edhe anëtarëve të partisë apo grupit të saj, dhe jo vetëm kundërshtarëve politikë.

Ngjashëm është nxjerrë zvarrë edhe kryetarja e degës së LDK-së në Gjermani, Donika Gërvalla-Schwarz nga mbledhja e LDK-së në Prishtinë, të cilës si kundërshtare e liderit Isa Mustafa, iu mohua edhe hyrja në sallë. Përveç Vjosa Osmani që doli ta mbronte, asnjë grua tjetër e partisë nuk e bëri të njëjtën. “Hienë që kultivon kurvëri politikë!” e ka përshkruar ish-Avokati i popullit ministren e drejtësisë Dhurata Hoxhën. Shpresoj të ketë pasur, por nuk kam dëgjuar politikane apo aktiviste të LVV të kenë kundërshtuar haptas kolegun e tyre për shprehjen mizogjene. Dhe as ndonjë përgjigje për reagimet e shumta ndaj simbolikës qesharake patriarkale për të “dy duart e shtetit” nga kandidati për kryeministër Albin Kurti.

Një qëndrim i tillë nënshtrues ndaj burrave udhëheqës, ky admirim dhe respekt i pakushtëzuar për figurën mashkullore, apo thjeshtë mbrojtja e tyre për hir të partisë, është ndër qëndrimet më anti-feministe.

Gratë e privilegjuara nuk janë heroinat tona

Përfaqësimi i barabartë (apo i përafërt) jo domosdo nënkupton barazi dhe drejtësi. Politikanet në debat lavdëronin vazhdimisht Mimoza Kusarin dhe Dhurata Hoxhën si shembull të grave të forta. Por as njëra dhe as tjera jo domosdo duhet konsideruar model inspirimi për tejkalimin e pengesave patriarkale në jetën publike dhe politike në Kosovë. Mimoza Kusari ka qenë një grua e re me mundësi studimi, punësimi dhe avancimi në karrierë e politikë. Nuk ia mohoj shkathtësitë, mundin dhe zellin, por këto mundësi dhe privilegje nuk i kanë shumë gra të tjera në Kosovë. E njëjta vlen edhe për Dhurata Hoxhën e cila pavarësisht përgatitjes profesionale që mund ta ketë, e gëzon privilegjin e të qenit pjesë e PDK-së, tanimë sa vjet në pushtet, qoftë vetëm apo në koalicione.

Ju duhet ta pranoni se jeni grup i privilegjuar i grave, dhe porosinë arrogante “Nëse unë mundem, të gjitha mundeni.”, duhet ta largoni nga fjalori juaj politik njëherë e përgjithmonë.

E kuptoj etjen ende të pashterrshme për të dëshmuar që “edhe vajzat e gratë munden”, por suksesi i një gruaje (shpesh të privilegjuar) nuk e përmirëson gjendjen e tjetrës. Nuk është detyrë e juaja të promovoni suksesin e Rita Orës, Dua Lipës, Majlinda Kelmendit e Uta Ibrahimit duke e barazuar suksesin e tyre me konceptin e barazisë. Detyrë e juaja është të njiheni me gratë më pak të privilegjuara, të përjashtuara nga jeta publike dhe shoqërore, atyre që u shkelen të drejtat bazike, nuk mbrohen nga sistemi i drejtësisë sikurse Diana Kastrati dhe Zejnepe Bytyqi, dhe ofendohen nga debatet e juaja në televizione. “Neve nuk na shkelen të drejtat aq sa thuhet në media. Shpesh ndoshta organizatat joqeveritare për të fitu ndonjë fond fillojnë dhe projektojnë ndonjë projekt që është shumë i ndijshëm për aspektin ndërkombëtar, … ka raste individuale por gjendje nuk është alarmante. …” – tha Izmaku përderisa të tjerat pohonin me kokë në shenjë afirmimi.

Pushteti juaj politik

Pushteti juaj politik nuk qëndron në faktin se jeni gra me poste politike. Pushteti juaj qëndron tek hapësira që gëzoni për të propozuar ligje, hartuar politika nga të cilat përfitojnë vajzat e gratë njëjtë sikurse djemtë e burrat. Pushteti juaj qëndron tek mundësia për të ndikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë për përmirësimin e jetës së grave, për t’i mbrojtur nga dhuna, për t’i trajtuar denjësisht si qytetare të këtij vendi, dhe për t’i përfaqësuar nevojat dhe sfidat e tyre në Kuvend. Dhe këtë nuk e keni bërë. Mospërkrahja dhe mospërfaqësimi i viktimave të torturës dhe dhunës seksuale gjatë luftës është shembulli më konkret për të cilin do të duhej të skuqeni.

Jo që ky tekst nuk vlen për kolegët tuaj burra, por ata janë klasë e privilegjuar e kësaj shoqërie, qofshin në ekzekutiv apo legjislativ. Vështirë të marrin mundin të lëvizin nga ky kënd i rehatshëm në mënyrë që klasa e diskriminuar të pushoj së qeni e tillë. Dhe mos harroni që edhe ju jeni pjesë e këtij grupi të të diskriminuarave, të nënshtruarave kur është fjala për pushtet të barabartë gjinor dhe autonomi. Sytë e kolegëve dhe liderëve tuaj janë në gjinjtë tuaj përderisa ju flisni dhe në prapanicat tuaja sapo t’ua ktheni shpinën. Si të bijtë e kësaj kulture patriarkale, ata s’ju shohin të barabarta në politikë dhe as në vendimmarrje. Për ta, roli juaj parësor mbetet në kuzhinë dhe në shtëpi duke e dhënë kontributin që edhe ju vet po e madhështoni, rritjen dhe ushqimin e kombit.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.