Mbas disa vjetëve lexime të shpengueme prej merakut me kuptue meseletë tona identitare, gjuhësore, historike apo të ndonjë lloji tjetër, e gjeta edhe unë veten me i shkrue dy fjalë për punë të standardit me ftesën e Bardh Bakisë, të cilit i falem nderës qysh në krye të herës për konsideratën.
Asht ba dhjetëvjetshi i tretë qysh se u shpreh lirshëm nevoja me e këqyrë edhe njëherë planifikimin gjuhësor tonin, si e quen akademiku Bahri Beci. Me dashtë me ia marrë hua disa fjalë nga një intervistë “[Unë] nuk e ndaj gjuhësinë më vete, përkundrazi e shoh si pjesën më organike të kulturës shqiptare. […]”, sintezë e mendimit që dijetari jonë e ka shtjellue ndër disa vepra se si standardi i dalun nga ujdia e Kongresit të Drejtshkrimit mbajtun më 1972 qe praktikisht pjesë organike e planifikimit kulturor të epokës, frymës dhe politikës bijë të këtyne dyjave. Planifikimi gjuhësor si shumë planifikime të tjera të modelit sovjetik, prodhoi një standardizim të centralizuem, gati total(itar), por nuk ka arsye pse me u pritë që me iu kundërvu po me planifikim gjuhësor si ç’asht mëtue deri tash.
Nëse gjuhën shtetnore, apo në rastin që neve si komb na ra për hise, ndërshtetnore a mbarëkombëtare e përcaktoi një tubim, edhe pse ky tubim u mbajt në kushtet e një shteti që ishte praktikisht një Kore e Veriut para se të kishte harta një të tillë, nuk e pengon – atë që Fishta apo Pipa kanë thanë e shkrue – “poetin me e ba gjuhën”. Me poetin mendoj se të dy mëtojnë poetin në etimologji, ngaqë poiesis (ποίησις) në rranjë domethanë “me ba, me krijue”, e lexoj pra se i referohen bâsit buzukian apo krijuesit.
Kapërcyelli dhe tranzicioni jonë mundësitë për me krijue i tregoi në disa mënyra, për kollajllëk po e thjeshtoj në dy: nga paracaktimet e elitës kulturore të para viteve ‘90 tek ne të Shqipnisë, për një talent si Ervin Hatibi si “vazhdimësi dhe e ardhme e letërsisë shqipe”, kur nuk ua kande ma elitës me i kultivue si figura po e tregojnë që munden me u shpikë shkrimtarë të rinj. Operacione kulturore që vetëm koha ka me e nxjerrë ashiqare se sa të bereqetshme munden me qenë. Krijimeve dhe krijuesve në gegnisht u kanë kushtue një rezervat si ata që në Shtetet e Bashkueme u kushtohen indianëve, ku promovohen prej njeni-tjetrit dhe vëmendja mediatike vazhdon me e trajtue si diçka ekzotike, tuj i ba kështu në fakt i ushtrohet njëfarë ekzorcizmi.
Se pse nuk duket se ngjit gegnishtja tek ne të Shqipnisë mjaftueshëm sa me prodhue debat përtej ekzotizimit apo alternativës, arsyet më duket se janë e shumta tri: 1) distanca; 2) pezmi i keqorientuem [misled resentment] dhe një që po e quejmë 3) faktori macaroni.
1.
Distanca kohore me çdo prodhim letrar me përmbajtje domethanëse dhe aftësi mbrujtëse, si dhe të mbështetun nga botimet me tirazhe disamijë kopjesh nga entet botuese shtetnore, nga vitet ‘80 riciklimet kryesore ishin ribotimet e veprave të plota të Ndre Mjedës, Migjenit dhe Haki Stërmillit – të paktën këto njeh i nënshkruemi. Autorët e tjerë që shkruenin dhe botoheshin në normën e para 1972 ose si libra të plotë, ose nëpër të përkohshmet lokale, të tillë si Kapllan Resuli, Filip Ndocaj, Shefqet Kelmendi apo Frederik Rreshpja ose u përndoqën, u burgosën bashkë me harresën represive ndaj veprës së tyne, ose u konformuen. Distanca e vetvetishme, ta quejmë gjeopolitike, me një poet që veprën e shkroi kryesisht në gurbet si Camaj dhe mbase vlen e njëjta lloj distance edhe me veprat e Anton Pashkut a Teki Dervishit. Vakumin e kësaj distance e mbushi planifikimi i cili kishte nga mbrapa të vetmin faktor, totalitar dhe automatikisht dominant, që diktoi ritmin e përmbajtjes dhe dora-dorës, atë gjuhësor.
2.
Pezmi i keqorientuem i disa prej dalëzotësve të kauzës ka kontaminue dhe mjegullue debatin me tymçe në vend të argumenteve, me pohime të papërgjegjshme dhe jorrallë populiste. Me një kërkim të thjeshtë online gjejmë që disa tymçeve u asht përgjigjë Xhaxhai i Peizazheve këtu e para 12 vjetëve. Dobinë që nxania e dialektit ka n’edukim e arsimim tekstet didaktike italiane e kanë vu në dukje qysh para një shekulli, së paku. Por as për këtë nuk ka pse me pritë me u kujtue shteti: tash së voni dy arsimtare që njoh, Kamila Fjerza dhe Neriman Velija, organizuen në Bibliotekën e Universitetit të Shkodrës lexime të autorëve (që kanë shkrue në) gegë për nxanësit e tyne. Nijete e nisma të këtilla, krejtësisht personale, nuk kanë pse mos me u rrokë prej kolegëve të tyne nëse e bashkëndiejnë.
3.
Mpleksja e disa prej aktorëve të debatit mbi gjuhën me restaurime figurash politike (Mustafa Kruja) dhe për avokatura të helmëta (si debati i parvjetshëm për Koliqin e Camajn) i figurave që ndërlidhen me Italinë në veçanti, tue ravijëzue istikame e barrikada tjera dhe me vigjilencë tashma antirevolucionare ruejnë mos t’ua cënojnë kush aureolën e konstruktueme e të perceptueme, me trajtime hagjiografike me gëlqere [whitewashing]. Ashtu si standardi qe produkt i politikës gjuhësore të kohës, rrjedh natyrshëm tek ne ku politika asht e ama e shumë bijave që edhe narrativa alternative, subversive apo në kërkim të një “status quo ante bellum” të ishte n’mos motër, kunatë me qasje alternative edhe të disiplinave tjera. Gërshetim ndërdisiplinor e gati konjuktural, meqë si alternativë politike nuk ka takàt. Peni që e ndërlidh këtë gërshet asht njëfarë e prekune italiane (un tocco d’Italia, mbas urimin “t’preksha për t’mirë”) që quejta ma sipër me humor faktori macaroni, që dashtë pa dashtë e pengojnë dhe/apo e damtojnë diçka që asht thjesht gjuhësore, si gegnishtja a rishikimi i standardit, me axhenda tjera dhe operacione memorieje.
U mbajtën konferenca gjuhësore disa ditë në dhjetorin e vitit 2010 në Durrës po për rishikimin e elementëve të standardit, përfundimet e të cilave mundemi me i pa po në sajë të PTF. Po t’i rikthehemi veprës së akademikut Bahri Beci, që në mënyrën ma divulgative e gjejmë në vëllime të botueme si në Prishtinë (te Dukagjini kryesisht) ashtu edhe në Tiranë (ISKK, Princi, SHBLSH e re) kuptohet se sfidat ishin përafërsisht po ato si me ndryshime politike të fillimviteve ‘90 në Shqipni, ashtu edhe në 2010, pra në 20 vjet largësi ende diskutoheshin të njëjtat gjana, proceset e avashta të karakterizueme nga klima politike e një demokracie të brishtë.
Ata që kanë pasë rastin me ndjekë skeçet e Paulin Selimit në teatër të Shkodrës, punët e Arian Çuliqit (një pjesë e mirë e të cilave gjenden ne youtube dhe mundet me u shijue shkodranshja e folun, ndërsa te Çuliqi ajo mendësore kryesisht), me pa filmat vizatimorë të dubluem nga Gent Pjetri dhe Saimir Kodra ende sot i riciklojnë në bisedë e sipër batuta të këtyne dublimeve për âmën e një gjuhe ndryshe, në veçanti theksin e të folmes popullore të Tiranës. Gjatë periudhës së izolimit nga kovidi, skeçet e Agon Myftarit ishin jo vetëm dëfryese, por edhe informuese mbi mikrokozmoset e Kosovës. Një medium i ri, që vlen me u përmendë si interlokutor me rininë, asht edhe zhanri i novelave grafike, si përkthimi që Gaz Bërlajolli i ka ba tash së mbrami novelave grafike të Gani Jakupit. Mendoj dhe uroj se Kosova ka tashma qetësinë, resurset, dhe padyshim tabanin shumëfish ma të padamtuem, mos me ndejtë në shpresë të zhvillimeve në Shqipni.
Ka ba vaki me ndigjue në radio reklama nga mediumet kosovare dhe m’ka ba përshtypje përdorimi pa teklif i fjalës “marakli”, pjesë e një regjistri fjalësh që tek ne hem i kaloi koha për arsye të zhvillimeve politike, shoqnore e ekonomike, hem u tkurr nga purifikimi gjuhësor i planifikimit gjuhësor të naltpërmendun, kritere me të cilat prodhoi një distancim të radhës jo vetëm me letërsinë siç ka vu në dukje Emil Lafe, por edhe distancë ndërbreznore të komunikimit të votrës të nipit me gjyshin. Në Kosovë ftohja me këtë përmasë të leksikut asht zhvillim ma i ngadalshëm pikërisht për shkak të tabanit dhe urtisë të vetvetishme me e perceptue ashtu si Faik Konica pat sanksionue para një shekulli me shprehjen «Ato që i honepsi gjuha dhe hyjtin gjer në kasolle të malësorit, ato fjalë u-nacionalizuan.»
Neokolonializmi i gjuhës me anë të purizmit e damtoi përjetimin e shqipes në diakroninë e saj, futi në rezervat një regjistër, shprehí, fjalë që ishin praktikisht tabani jonë mbarëkombëtar. Tabani garanton vetvetiu edhe kontekstin ma të gjanë siç e kishte shpreh merakun e vet Imer Topanica (thellësia e përmasës ndërqytetërimore të kaligrafisë meriton tjetër vëmendje), kurse purizmi me anë të artificave apo leksikut të hipostazuem ka prodhue dyzime, përçudnime dhe alienime ndaj tabanit të përcaktuem e të sanksionuem nga koha. Diçka që intuitivisht e ka vu re edhe përkthyesi Robert Shvarc, që në përkthimet e tij fjalët e tabanit i përdor lirshëm, si i lemë në Sarajevë dhe “nip” Elbasani me sa duket i ka pa si pjesë organike të gjuhës meqë “kanë hyjtur në kasolle të malësorit”. Kadareja nga ana tjetër ngulmon me inercinë e purizmit tek rishkrimet e veprave të tij, varfnuese kisha thanë, por për ftillime ma elegante dhe me tagër i referohem këtij shkrimi të Ardian Vehbiut.
Përveç nismave private si të dy arsimtareve shkodrane, krijuesve si Fjolla Spanca, patjetër që do të ishte ndihmesë e madhe nëse struktura mbarëkombëtare bashkëndajnë merakun me i nxitë në tjetër shkallë, por edhe nëse nuk kujtohen si Bogdani disa gjana “me i ndreqë në dhé të Shkodrës” nuk ka dert, mjafton mos me djegë Shkupin.