Foto nga Markus Spiske.
Problemi i dhunës në familje asht prodhim patriarkati dhe nuk mundet me u luftue me moralizma. A ju kujtohen këto: “nuk ban me ia mëshue, se ajo asht çikë”, “mos kaj, se ti je djalë, djali s’bon me kajtë!”. Dhe tani: “Banu burrë, e mos mësho.”
Dhuna ndodh, po thotë fushata e OSBE-së. Po, dhuna ndodh, por dhuna nuk pikë prej qiellit, dhuna prodhohet prej njerëzve. Asht e ranësishme me e ditë çka po dojna me thanë kur themi “dhuna ndodh” e përfundi e shkrujna “familja asht gjaja ma e çmueme. Mbroje!” ose “Banu burrë, mos mësho”.
Nëse nji djalë kish me ia mëshue nji vajze në shkollë, gjykimi i parë që kish me e marrë asht ai i përqeshjes që i ka mëshue nji vajze. Jo që ka zgjedhë dhunën si mjet me zgjidhë konflikt, apo si vegël me dominue, por sepse viktima nuk asht e denjët për forcën e tij burrnore. Kur djemtë dojnë me e ngacmue njani tjetrin në ushtrimet e tyne të përditshme të forcës së bërrylave, ma të dobëtin e grupit e përbuzin me “po rrehesh si çikë”.
Me i mësue djemtë që me i mëshue nji grueje nuk asht në rregull, sepse tani s’je taman burrë, asht e barabartë sikur me i mësue atyne që rolet gjinore janë të padiskutueshme. Ato role gjinore ku gruja asht gru, e dobët, e ligësht, e pa aftë me i gra kerrit si burrat dhe përgjegjjëse për krejt budallakitë në trafik (qysh pat konkludue nji herë pak a shum, nji alamet gazetar i joni) ndërsa burri, e po, burri vjen me thojza, dhe pa thojza. Ja pra u kthyem te tema e thojzave prap.
Te qito thojza asht themeli i dhunës në familje, që nënkupton dhunës me bazë gjinore. Te nocioni që ekziston burri, dhe burri i vërtetë.
Në këtë fushatë, maqoizmi vjen në shprehje përmes pikërisht këtij definimi të burrit dhe burrit të vërtetë. Pra burrit me thojza dhe burrit pa thojza.
Maqoizëm
Problemi nuk asht që kur thue “banu burrë mos mësho” je tue e dërgue nji porosi të implikume dhe të gabueme që: grueja nuk mëshon ashtu kështu; që me qenë burrë asht diçka e veçantë.
Porosia damtuese që po përçohet këtu asht që të qenit burrë asht dhunti; jo rastësi biologjike, që të qenit burrë asht përparësi ndaj gjinisë tjetër dhe drejtësia qëndron mos me e përdorë këtë përparësi, sepse gjinia tjetër nuk asht e barabartë me ty; që nji grue, tue mos qenë burrë, nuk asht e denjtë për forcën tande, sepse nëse ti i mëshon, atëherë ti nuk je burrë, e që i bjen me e përkthye, e unë nuk po di qysh kish me i ra ndryshe pos: ti je tani gru, dmth. diçka ma pak a ma keq se burrë, e jo që dhuna asht e ndalume me ligj, sepse grueja asht e barabartë me ty para ligjit.
“Banu burrë, mos mësho” asht përpjekje idotike me i marrë me të mirë burrat. Asht moral odash, moral i atij vendi ku burrat tue i rrotullue musteqet e tyne të gjata nëpër gishta, iu kanë drejtue djemve të ri: fol, mos u tut; ku burrat, burrat pra pa thojza, kanë marrë vendime ndëshkuese ndaj burrave të tjerë e në pikën e parë të saksionimit shoqnor e kanë vnue “zhburrnimin”. “Ai s’asht burrë.”
Porosia tjetër që po jipet këtu e implikume asht: burrat nuk i mëshojnë grave. Pra nëse ti bahesh burrë, ti nuk mëshon, sepse burrat nuk mëshojnë.
Rrenë koftë. Burrat i mshojnë grave, sa të mujnë. I kanë mshue gjithë. Bile bile i kanë mshue veç pse ato ishin gra, e bile bile i kanë mshue veç pse ata ishin burra. “A je burrë a çka, mshelja gojën kuçkës.” Kuptohet, me grusht.
Po nejse, kadale, OSBE-ja s’asht tue folë për burra. Ata po thojnë “burrat e vërtetë” nuk i mshojnë grave, që asht krejt tjetër sen. Që asht po aq shqetësuese. Sepse, dhuna në familje asht në shumicën e madhe e bazueme në gjini. Pra, dhuna në familje asht në shumicën e rastit ma së pari problem gjinor. Natyrisht që ka raste kur nji grue e rreh burrin, dhe pa dashtë me e injorue viktimën burrë në raste të tilla, asht shum e ranësishme me pasë parasysh që rastet e tilla, janë shum ma të rralla. Ndërsa e kundërta asht fenomen. Dmth ndodh qaq shpesh saqë s’mundesh me folë veç për raste ma. Dhe fakti që ka ma shum gra viktima të dhunës në familje se sa që ka burra, nuk asht rastësi. Sepse, dhuna në familje tue qenë ma së pari disbalanc gjinor në shoqni patriarkale për sa i përket të drejtave e obligimeve, asht dhunë gjinore dhe asht e rranjësume pikërisht në moralin e “banu burrë i vërtetë”.
Aaaaaa! Prit pak. Po kuptoj, ju e keni kuptue që me i hi grues dajak në nji shoqni patriarkate konsiderohet burrni. E tash po doni me përdor pikërisht këtë patriarkalizëm për me ndrru mentalitetin. Ueee çfare ide gjeniale! NUK FUNKSIONON, veçanërisht me të rritunit. Nuk munesh me i thanë nji burri, nëse nuk i mëshon grues je burrë, kur djemtë tanë i edukojmë që „me kajtë nuk ban, se djemtë nuk kajnë“. Dhe këtë edukim djemtë tanë e marrin në shpi, njejtë si në shkollë. Loçkat.
Prandaj me e luftue dhunën në familje, që mundet me u përkthye si dhunën ndaj grave, me “banu burrë, mos mësho” asht sikur me dashtë me zgjidh nji problem me vetë problemin.
Gratë nuk janë në vetvete gjinia ma e dobët. Ato nuk janë ma të dobëta se burrat. Diskriminimi që e përjetojnë në shoqninë ku jetojnë si grup i ban ato ma të dobëta, por ato nuk janë ma të dobëta si individë. Edukimi që marrin i ban ato ma të dobëta, sepse trajtohen si ma inferiore dhe hala pa pasë shansë me reagu vetë, kcen nji burrë me i mbrojtë, me pshtue fëtyrën e fisit. Shpesh i njëjti që kcen me ia kallxue vendin, kur nihet i kërcnuem prej saj e e kupton që edhe ajo po mujka e po dika diçka.
Qysh mundet me konë ma e dobët se burri nji grue kur të ka mbajtë ty nandë mujë në bark, të ka lind me dhimbje të hatashme tue u shkye në mish të gjallë? A po menon që s’mundet me nji shkelmë mes kamëve me të paralizue në sekond saqë ti as mos me marrë vesh preh kahit të ka ardhë a? Mundet, por na e kena mësue dhe po vazhdojna me e mësue që fati i saj asht në duer të burrit; asht në duer të burrit me vendosë ai çka nënkupton për të tash me qenë burrë; na e kena mësue mos me u rreh; mos me folë shum; me majtë krytë poshtë; … na po i thojna grues që “burri i vertetë nuk mëshon” e kur burri i saj ia mëshon na po e gjykojna ate që ajo e ka zgjedhë burrin e gabuem; e na po i thojna asaj lajmroje dhunën, sepse na përket të gjithëve. Por, “familja asht gjaja ma e çmueshme që ke”.
Banu njeri, jo “banu burrë”
Ajo çka na duhet me i mësue fëmijët në përgjithësi, asht respekti; që konfliktet nuk zgjidhen me dhunë; që ekziston truni që duhet me u përdorë ne vend të grushtave; që ata janë të barabartë pavarësisht a kanë pec a “asishne”, e na s’duhet me i mësue djemt tanë që ata duhet me u ba burra, e që ka burra me thojza e burra pa thojza, e tue u thanë kështu me i bind që me qenë burrë asht diçka e veçantë, asht forcë në vete.
Me i mësue fëmijët që dhuna nuk asht mjeti i duhun për me komunikue me dike asht nji çashtje, por me i mësue djemtë që me i mëshue nji çikës asht gabim, se asht marre, veç çka e përforcon pozitën diskriminuese të grues/vajzës në shoqni tue krijue ndasi gjinore në kontekstin e vlerës dhe fuqisë në shoqni. E kur i thojna burrave “banu burrë mos mësho” asht njejtë sikur me u thanë djemëve “asht marre me u rreh me çika”. Na jena tue ia mësue kështu burrit, e djalit, privilegjin e dominimit gjinor në shoqni. Mësimi kryesor duhet me qenë “banu njeri”.
Barazia
Gratë nuk janë prej Venusi e burrat nuk janë prej Marsit. Nëse dojna me qenë nji shoqni ku gratë e burrat janë të barabartë, duhet me u lirue prej koncepteve të odave; të burrave të vërtetë. Nuk ekzistojnë burrat e vërtetë.
Na duhet me i eduku fëmijët tanë që dhuna nuk asht zgjidhje, dhe mundësisht tue u ba shembull. Na duhet me i mësue djemtë tanë që asht në rregull me kajtë; që nuk asht diçka e veçantë me pasë pec në vend të vaginës; që çikat mujnë me konë ma të forta se ai; që nuk asht nënçmim për pecin e tij nëse nji çikë asht ma e fortë se ai dhe e barabartë me të në shoqni.
Na duhet me i mësue çikat tona, që djemtë nuk janë ma të fortë se ato; që ato mujnë me fitue medalje ari; që ato mujnë me u ba nana; e mujnë mos me u ba nana; që ato mujnë me qenë të bukura e të mençuna; që nuk asht marre me e thirrë policinë kur nji hajvan ta mëshon; që nuk ia merr fëtyrën kurrkujt nëse ke të dashtun e tani s’ke të dashtun; që s’ka nevojë ajo me e majtë mi vete barën e mbrojtjes së nerës të babës e të vëllaut e krejt katunit; që ajo asht njeri; që ajo nuk ka me u gjykue në gjatësinë e fundit të saj se a e ka meritue a jo dajakun.
Kriminalizimi i dhunës në familje
Na duhet me iu thanë burrave tanë, që burgu s’asht për burra, por burgu asht për kriminel, e nji burrë që ushtron dhunë mbi familjen asht kriminel. Dhuna në familje asht krim.
Na nuk duhet me iu thanë njerëzve që familja asht e çmueshme; na duhet me i mësue fëmijët tanë që familja asht çka asht, ti nuk ke faj nëse nuk asht e mirë me ty; që ti nuk ke faj nëse nji familje nuk mundet me funksionu; që famije asht edhe veç ti e nana; që familje asht edhe veç ti e baba; që familje asht aty ku ty të dojnë. Na duhet me ia mësue fëmijëve tanë nji gjuhë të re të komunikimit ndërgjinor, ku gjinija nuk ka ranësi. Me i mësue me u ba njerëz e me besu që janë të barabartë, tue u dhanë shembull që kur të drejtat e tyne cenohen prej dikujt, dhunuesit ndëshkohen pavarësisht gjinisë.
Por na s’mujna me ua mësue fëmijëve tanë krejt këto, me këtë sistem të arsimit “zhgllë” që kemi; me këtë sistem të drejtësisë të korruptuem e të budallakavt e me politikanë në krye të detyrave që odën e kanë pus votash e nuk hezitojnë as në kuvend me urdhnu naj grue aty këtu me ua hangër. Kështu që uroj që OSBE-ja në misionin e saj në Kosovë, asht tue e marrë punën e saj në fusha tjera ma seriozisht, se sa që e ka marrë luftën kundër dhunës në familje, së paku me këtë fushatë, në të cilën për me iu kursye prej njo tre katër faqe shtesë, as nuk po filloj me i diskutue gabimet në këshillat psikologjike që jipen p.sh. në fotografinë tjetër ku thuhet “Nuk mundesh me e ndreçë nji lidhje të thyme”. Po thom veç qikaq: nashta munesh!