Politika e Gjermanisë dhe e Evropës ndaj Republikës Popullore Kineze qëndrojnë para vendimeve të rëndësishme. Për më tepër edhe fokusi i politikës botërore po zhvendoset gjithnjë e më shumë nga hapësira euro-atlantike në zonën e Paqësorit. Në të njëjtën kohë, po shtrohet pyetja e domosdoshme, se si po qëndron mbrojtja e vlerave perëndimore dhe e interesave evropiane në një botë gjithnjë e më të ndërlidhur, të udhëhequr nga një qeveri amerikane gjithnjë e më e paqëndrueshme dhe më e paparashikueshme. Dhe si duhet të reagojnë Gjermania dhe Evropa ndaj rivalitetit strategjik midis Uashingtonit dhe Pekinit? Këtu, nuk ka të bëjë vetëm me ndikimin gjeopolitik ose gjeoekonomik në botë, por mbi të gjitha me mbijetesën e mënyrës perëndimore të të konceptuarit të shoqërisë, të theksuar nga uniteti funksional i demokracisë dhe sundimit të ligjit.
Presidenca gjermane e BE-së në gjysmën e dytë të vitit 2020, paralelisht me fushatën zgjedhore presidenciale të SHBA, i hapi mundësinë e madhe Gjermanisë nën kancelaren Angela Merkel për të formësuar vendosmërisht politikën evropiane ndaj Kinës – bazuar në parimet e saj të politikës së jashtme, të cilat pasqyrojnë përgjegjësinë historike dhe morale të Gjermanisë, ashtu edhe reflektimet dhe udhëzimet e orientuara drejt së ardhmes të republikës së Berlinit.
“Kurrë më vetëm”, “kurrë më luftë” dhe “kurrë më Auschwitz” – së bashku këto tri fjali janë bërë tre gurët, themelet e kulturës strategjike gjermane që nga viti 2000, pasi këto shtylla ishin përfshirë në parimet gjermane gjatë luftës së Kosovës 1998/99 – dhe debateve mbi politikën e sigurisë, të kristalizuara nën ministrin e Jashtëm gjerman të asaj kohe Joschka Fischer (nga partia e Gjelbër). Më 1 maj, 2020, Fischer shkruante: “Kjo ‘Kurrë më!’ u stampua në nën-ndërgjegjen gjermane dhe ka përcaktuar deri në ditët e sotme mënyrën e trajtimit të gjithçkaje ushtarake në këtë vend, me gjithçka, çka merr erë me politikën e jashtme, gjithashtu edhe me distancën e largët të pretendimit gjerman për dominim të politikës globale e të qëllimeve strategjike.” Në fakt, për vendin e tij në zemër të Evropës dhe në funksion të angazhimit të dobësuar amerikan, vlen edhe kjo si vijim i atyre trijave: “Asnjëherë pa Evropën! Kurrë më jashtë Perëndimit!”
Por çfarë do të thotë saktësisht ky pozicionim i Gjermanisë (në BE) në funksion të sfidës ë paraqitur nga fuqia globale e Kinës?
Politika “kurrë më” ndaj Kinës. A është e mundur?
Mediet ka kohë që nxisin frikën dhe përhapin pasiguri duke zgjedhur terma agresivë kur përshkruajnë ngjarje apo situata ndërkombëtare. “Lufta tregtare”, “Lufta e Re e Ftohtë”, “lufta kibernetike” – dhe për çudi të gjitha këto “luftëra” tani janë bërë pjesë normale të raportimit politik. Mund të supozohet, dhe sigurisht askush nuk e dëshiron një gjë të tillë, që në të vërtetë mund të ndodhin konflikte të armatosura ndërmjet demokracive të orientuara nga perëndimi dhe Kinës.
“Kurrë më” jo vetëm që duhet të bëhet një parullë, por duhet të mbetet një parim themelor – një moto e vazhdueshme dhe në të njëjtën kohë një vijë e kuqe në veprimin politik. Pas vitit 1945 parimi “kurrë më” ishte pluralist dhe shumëpalësh. Dhe veçanërisht në 1989-1991, kur konflikti global Lindje-Perëndim u shpërbë, fokusi ishte në parimet dhe vlerat “universale” të lirisë, demokracisë dhe të drejtave (njerëzore). Kështu që, pas masakrës në Tiananmen në qershor 1989, G7 vendosi sanksione ndaj Kinës.
Sot, tridhjetë vjet pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, Perëndimi (dhe Rusia) nuk flasin me një zë, ndërsa tensionet ndërkombëtare janë rritur në mënyrë drastike, sidomos në lidhje me Kinën, e cila po ndjek qartë rrugën e saj. Kornizat normative dhe bazat ligjore ndërkombëtare të marrëdhënieve ndërkombëtare duket se e kanë humbur peshën dhe besueshmërinë e tyre politike.
Andaj, si duhet të reagohet tani në Evropë – dhe në Berlin – ndaj internimit sistematik të pakicës Ujgure në provincën perëndimore kineze të Xinjiang, ndaj çrregullimit të autonomisë së Hong Kongut, ndaj politikës ekspansioniste të Kinës në zonat e diskutueshme të Detit të Kinës Jugore, ndaj konfliktit vdekjeprurës të kufirit kinezo-indian dhe ndaj luftës tregtare të përshkallëzuar midis Uashingtonit dhe Pekinit. A është akoma realist parimi pacifist i Gjermanisë i politikës “kurrë më” në zhvillimet aktuale ndërkombëtare? Nëse po, si mund t’i japë Berlinit shtytje kësaj politike?
Presidenca gjermane e Këshillit të BE-së dhe Kina në Evropë
Më 8 korrik, Angela Merkel paraqiti prioritetet e presidencës gjermane të BE-së në Parlamentin Evropian në Bruksel. Gjatë fjalës së saj, kancelarja e bëri të qartë, ne nuk do të angazhohemi vetëm “në marrëdhëniet tona strategjike me Kinën, të cilat karakterizohen nga lidhje të ngushta tregtare, por edhe në qëndrimet tona shumë të ndryshme sociopolitike, larg mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit”.
Andaj, një nga fokuset kryesore ndaj Pekinit mbetet – edhe pse tani marrëdhëniet transatlantike kanë arritur nivelin më të ulët që nga Lufta e Dytë Botërore – se BE-ja duhet të ndjekë një qëndrim të unifikuar gjeostrategjik ndaj Kinës. Nga ana tjetër, Berlini, duhet të flasë hapur për Evropën në mënyrë që të mos humbasë rolin e tij të udhëheqjes politike në BE. Vetëm në këtë mënyrë pozicioni gjerman mund të përkthehet në një politikë të suksesshme të BE-së ndaj Kinës. Me anë të së cilës duhet të kihen parasysh realitetet se, Pekini nuk është vetëm një partner ekonomik i BE-së, por edhe një konkurrent politik, një “rival strategjik”, siç e ka thënë edhe Merkel, “me ide të ndryshme sociopolitike”.
Ajo e cila si rezultat i krizës së koronavirusit është më në fokus, tashmë është një proces i vazhdueshëm 30-vjeçar: ngritja e Kinës si fuqi (botërore) është e pandalshme, ku ky shtet një partiak kapitalist-autoritar paraqet një sfidë të qartë ndaj sistemit demokratik dhe të vlerave perëndimore. Gjatë këtij rivaliteti ndërmjet këtyre sistemeve, Kina nuk po troket më në dyert evropiane. Përkundrazi, ajo tashmë ka filluar të ndikojë në kontinent nga brenda – dhe jo vetëm ekonomikisht (mjafton të kujtojmë Portin e Pireut, qendra e ardhshme e Kinës për shpërndarjen e kontejnerëve në Evropë) ose përmes debatit të rrjetit të telekomunikacionit 5G të Huawei. Në emër të “miqësisë prej çeliku” midis Pekinit dhe Beogradit, janë sjellë për herë të parë dronët kinezë në Evropë (dronët e armatosur dhe raketat anti-ajrore FK-3) dhe kinezët janë njohur zyrtarisht si pakicë në Serbi.
Për një politikë unike evropiane ndaj Kinës, në vend të strategjive nacionale
Gjermania dhe presidenca e saj e BE-së (korrik-dhjetor 2020) po përballen me detyra të vështira. Nga njëra anë, Berlini duhet të çojë përpara besimin në projektin evropian, nga ana tjetër, BE-ja duhet të angazhohet për një linjë uniforme ndaj Pekinit. “Ne duhet të dimë, tha Merkel (duke ia bërë me dije Uashingtonit), për të luftuar vetë për të ardhmen tonë, si evropianë, për fatin tonë.” Por lufta për të ardhmen po zhvillohet çdo ditë – me mjete diplomatike në mbrojtje të të drejtave të njeriut, demokracisë, shtetin e së drejtës dhe në zgjidhje paqësore të konflikteve. Berlini dhe Brukseli duhet të flasin me zë të lartë për këtë dhe të përdorin ndikimin e tyre të përbashkët.
Ndërsa, bota është në garë të paepur, fatkeqësisht edhe mjaft nacionaliste, për një vaksinë të përshtatshme kundër COVID-19, komuniteti ndërkombëtar duhet të shikojë prapa se çfarë duhet bërë së bashku për të parandaluar konfliktet dhe luftërat në të ardhmen – pa marrë parasysh se ku. Nuk është e nevojshme të shpiket asnjë vaksinë për të parandaluar përsëritjen e mizorive çnjerëzore nga regjimet shtypëse, sepse receta është shpikur tashmë. Çdo qëndrim tjetër përveç politikës “kurrë më” do të ishte një largim nga mësimet e nxjerra të së kaluarës. Dhe, që Gjermania dhe BE-ja të qëndrojnë me vendosmëri për sistemin global të të drejtave të njeriut, duke e ditur se besimi i thjeshtë në një diplomaci të qetë nuk është më i mjaftueshëm, nuk guxon më t’i lihet në mëdyshje udhëheqjes së Partisë Komuniste të Kinës. Këtë mësim nga e kaluara duhet ta mësojë edhe Uashingtoni, pavarësisht se kush do ta ulet nesër në Shtëpinë e Bardhë. Mbi të gjitha, kohezioni transatlantik nuk duhet t’i nënshtrohet epshit të politikanëve të saj; sepse thyerja e kësaj ure aksiomatike Euro-Atlantike post-1945, përmes izolacionizmit të SHBA-së, mund të nënkuptojë një kthim në të kaluarën, në konkurrencën me të vjetrën dhe fatale të shteteve nacionale.
Samiti i posaçëm me Presidentin e Kinës Xi Jinping i planifikuar të mbahet në mes të nëntorit nuk duhet të përdoret vetëm për një paraqitje të bashkërenduar nga qeveritë evropiane për hir të BE-së. Përkundrazi, Evropa duhet të flasë gjithashtu njëzëri për të bërë presion për respektimin e lirive themelore dhe të drejtave të njeriut, ndoshta duke kërcënuar seriozisht edhe me vendosje të sanksioneve. Me fjalë të tjera, retorika politike duhet të mbështetet me masa të forta dhe të vendosura politike. Nëse BE dëshiron të luajë rolin e gardianit të vërtetë të të drejtave globale të njeriut dhe vlerave demokratike, ajo nuk duhet ta lejojë veten të bëjë pazar në kurriz të këtyre vlerave.
Politika e deritanishme evropiane ndaj Kinës ishte gjithçka tjetër përveçse evropiane. Ajo u karakterizua nga interesat kombëtare – e shfrytëzuar dhe demonstruar me zgjuarsi nga diplomacia kineze e maskave, e aplikuar sipas parimit “përçaj dhe sundo.” Për të siguruar një përgjigje evropiane, qeveritë evropiane duhet të marrin përgjegjësi së bashku dhe të përcaktojnë pozicionet dhe qëllimet e përbashkëta.
Skeptri tani është në duart e Berlinit, një mundësi që Gjermania ta profilizojë veten në politikën e jashtme dhe të demonstrojë vullnetin për të udhëhequr; një mundësi që nuk duhet humbur.