Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Cinema Tornatore

Foto nga Kilyan Sockalingum, Unsplash.

Filmi sot është një nga veprat artistike, me të cilin njerëzimi ecën paralel. Jo më kot thuhet se po aq sa jeta është film, po aq edhe filmi është jetë. Duke u nisur nga kjo marrëdhënie, në këtë ekskurs  paraqesim artin filmik nën prizmin e filmografisë së regjisorit italian, Giuseppe Tornatore. Në fakt, nuk është pa qëllim kjo temë dhe pikërisht ky regjisor.

Kamera e dashuruar në Sicilinë

Tornatore është regjisor italian, i lindur në Bagheria të Sicilisë, Itali. Ai me filmat e tij pa dyshim që është një nga ikonat e kinemasë bashkëkohore, jo vetëm të kinemasë italiane dhe europiane, por edhe të asaj botërore. Si një regjisor me predispozita postmoderne, por edhe si një inovator në kinema, Tornatore paraqet një art filmik mjaft të veçantë, si për kah skenari, skenografia, montazhi dhe, sidomos, regjia. Mirëpo, ajo çfarë ne do të paraqesim këtu është më shumë dimensioni filozofik në filmat e tij. Në filmografinë e tij ka shumë filozofi. Aty mund të gjesh estetikë, metakinema, psikologji, psikanalizë, dilema morale etj. Gjithashtu, është me rëndësi të ceket që në fillim se Tornatore thuajse shumicën e tematikave filmike i ka të vendosura në vendlindjen e tij, Sicili. Kjo me gjasë mund të jetë një “pamundësi” e shkëputjes nga fëmijëria e tij. Nëpërmjet filmave të tij, ai mundohet të paraqesë dashurinë që njerëzit e kanë me vendlindjen edhe kur ajo është burim i mjerimit. Dashuria, vuajtja, mllefi, gëzimi në filmat e Tornatore-s marrin edhe më shumë kuptim nën tingujt e muzikës nga ikona e muzikës filmike, Ennio Morricone.

Nëse do ta vërejmë me më vëmendje filmin Nuovo Cinema Paradiso (me këtë film mori edhe çmimin Oskar), e kuptojmë se Toto (protagonisti i filmit) është vetë Tornatore. Kinemaja, fshati, njerëzit e varfër, rrugët, ndërtesat, në përgjithësi këto janë elemente të cilat kanë ndikuar në artin e tij. Po ashtu, Tornatore beson që Sicilia në shumë aspekte është vendi ideal i të bërit film. Shkrimtari italian, Leonardo Sciascia, një adhurues i filmave të Tornatores, shprehet kështu për Sicilinë: “Sicilia është një vend me të cilin kamera menjëherë bie në dashuri”. Prandaj, kjo dashuri nuk është e lidhur vetë mes kamerës dhe Sicilisë, por kjo dashuri është e theksuar edhe te Tornatore në aspektin artistik. Te filmat e tij Nuovo Cinema Paradiso (1988) dhe Malena (2000), menjëherë do ta vërejmë një Tornatore që ka shumë finesë në vendosjen e kësaj dashurie në film.

Gjithashtu një dimenson tjetër që theksohet thuajse nëpër shumicën e filmave të tij, është edhe skenografia teatrale, që sigurisht se i rri me shumë elegancë konstruksionit arkitektonik sicilian, e të cilën regjisori në mënyrë maestrale e zhvendosë në ekran. Nuovo Cinema Paradiso, Malena, Una pura formalita (ky i fundit është edhe filmi i preferuar i vetë regjisorit), janë filmat të cilët e kanë të përbrendësuar dimensionin dhe ndjesinë e skenografisë teatrale. Prandaj mund të konkludojmë në këtë aspekt se Tornatore është një regjisor që teatrin e ka bërë thuajse pjesë inherente në filmin e tij. Mirëpo, ajo çka e bën edhe më të veçantë dhe sigurisht një regjisor të madh, nuk janë vetëm këto efekte që i ndërmendëm më sipër.

E veçanta nëpër filmat e tij, përveç mënyrës dhe metodës së realizimit, është edhe mprehtësia dhe thellësia e temave të cilat i trajton ai. Prekja e fenomeneve të ndryshme shoqërore, zbërthimi apo trajtimi i postulateve morale në një prizëm tërsisht filozofik që e shpërfaq në filmografinë e tij, janë fundamenti i artit që ai na e prezanton me aq finesë. Tornatore është regjisori që nuk gjykon nëpër filmat e tij, madje ai shprehet kështu në një intervisë: “Unë i bëj filmat, nuk marr mundimin të gjykoj mbi ta”. Nëpërmjet provokimit perfid, ai tenton të ngre dilema, të vendosë shumësi të perspektivave për fenomene të caktuara dhe të hapë mundësi për rezonim mbi këto fenomene. Te filmat e tij kemi të shpërfaqur dimensionin moral, si një konvencion shoqëror mjaft rigjid. P. sh., tek filmi Malena është i paraqitur në mënyrë lucide ambiguiteti në mes të këtij konvencioni moral, si format i kanonizuar shoqëror dhe çlirimit të zorshëm prej tij. Këtë moral të mbuluar me vellon e së mirës, Tornatore e nxjerr në sipërfaqe dhe e tregon realitetin se ky moral i kanonizuar nga shoqëria është në fak një fshehje e impulseve dhe kënaqësive të ndrydhura seksuale. Në këtë pikë ai në film është njëlloj sikur në veprat letrare të Nabokovit. Një aspekt tjetër është edhe krijimi i metakinemasë në film. Në filmin Nuovo Cinema Paradiso, ai krijon metakinema. Për këtë ai shprehet kështu: “Kur i kam realizuar këta filma, nuk e kam menduar kurrë se do të bëja metakinema. Kur realizova Nuova Cinema Paradiso unë e kisha të qartë se ky element do të ishte i pranishëm, dhe në të tjerët erdhi natyrshëm. Kur studentët e mi më pyesin se pse patjetër duhet që një skenë të jetë ambientuar në një sallë kinemaje, u them që unë e njoh aq shumë jetën e sallës kinematografike sa do të vazhdoja pa fund. Por edhe në filmat e mi që nuk janë ambientuar në Sicili, e gjen një sallë kinemaje, sepse ai është vendi më i rëndësishëm i jetës sime. Personazhet e mia qëndrojnë sikurse dhe një çast në këtë sallë”.

Me këtë Tornatore insiston të na rrëfejë fuqinë që ka kinemaja në kulturë. Gjithashtu karakteristikë tjetër te ky film është edhe momenti kur duhet të priten shiritat filmikë pikërisht te sekuencat erotike, dhe krejt kjo në emër të moralit. Në emër të asaj se shoqëria nuk duhet të infektohet me skena të tilla të pamoralshme. Me këto prerje të këtyre sekuencave filmike, Tornatore përpiqet të na i servojë në formë artistike këto momente, duke na i paraqitur si prerje të sekuencave të zhvillimit tonë normal. Këto të “vërteta” morale që shoqëria i mbron dhe i konservon me aq fanatizëm, ai i vë para “gjyqit” të artit. Në këtë pikë, Tornatore puçet me Nietzsche-n, sepse ky i fundit mendon se “të vërtetat nuk i rezistojnë fuqisë së artit”.

Imoraliteti i moralit

Gjithashtu edhe me filmin Malena, Tornatore e dekonstrukton në thelb këtë rend moral i cili është i konstruktuar nga shoqëria, dhe që në të vërtetë, është një konstruksion i rrejshëm, një mbrojtës i kinse një shoqërie kulturalisht të shëndoshë. Mirëpo, që në rastin e parë, personazhet në film bien pre e impulseve të ndrydhura seksuale që krijojnë lloj-lloj fantazirash në kokat e tyre. Mjafton vetëm një ecejake e thjeshtë dhe në dukje e pafajshme e Malenës (Monica Bellucci), nëpër rrugët e fshatit dhe njerëzit të zhvishen nga petku moral ku kishin futur kokën. Këtu Tornatore e nxjerrë në pah të pavetëdijshmen që njerëzit e kishin mbuluar me moral. Ky është edhe momenti kur ne biem ‘pre’ e impulseve tona. Pra, vendosja me aq shumë finesë e këtyre skenave erotike janë tregusi më i qartë se çfarë nuk duam të jemi. Sipas Tornatores ne ikim nga vetëvetja duke i ndrydhur impulset tona, që n’fakt edhe Nietzsche mendon se ato janë vetë natyra jonë. Ikim nga natyra jonë e vërtetë vetëm dhe vetëm që t’i mbesim besnik grupit. Tornatore insiston që ta paraqes këtë ikje që ne bëjmë dhe njëkohësisht mundohet të na tregoj se ne duhet të dalim mbi sipërfaqe, ta ndalim këtë ankth dhe të tregohemi çfarë jemi dhe mos t’na vijë keq për këtë. T’i bindemi vetvetës ose thënë më drejtëpërdrejt, t’bëhemi ajo çfarë jemi dhe jo ajo që do të dëshironim të ishim, këtë dëshiron të na kumtojë regjisori.

(Ç)njerëzor tepër (ç)njerëzor

Në filmin Baaria, Tornatore me një mënyrë të realizimit tipik postmodern, e shpërfaq kritikën e tij ndaj ideologjive të ndryshme, duke i vënë personazhet në një lojë thuajse absurde. Në këtë film regjisori dëshiron të na japë një pasqyrë vizuele në lidhje me atë se çfarë zvetnimesh karakteriale krijojnë ideologjitë e caktuara te njerëzit. Ai në këtë film mundohet ta rikthejë në kujtesë kohën e shkuar, e cila ishte mjaft e brishtë. Ndikimet e thella që fashizmi, komunizmi dhe ideologjitë e ndryshme kanë edhe te shtresat më të varfra të shoqërisë. Çrregullimet që krijojnë këto ideologji në kohezionin social dhe indiferencën që krijojnë tek individi. Këtë ndjesi shumë mirë e përshkruan edhe shkrimtari austriak Stefan Zweig, i cili mendonte se ideologjitë e shpërfaqin anën çnjerëzore dhe e shkatërrojnë njeriun në thelb nëpërmjet proklamimeve më të larta humane. Edhe Tornatore te Baaria vizuelizon këtë shkatërrim karakterial që ideologjitë ushtrojnë në personalitetin njerëzor. Ai po ashtu këtë film e vendos në skena të atilla që nuk kanë një koherencë njëra me tjetrën, cilësi tipike postmoderne e të bërit art.

Frika nga vetja

Siç dihet, filmat e Tornatores nuk kanë ndonjë lidhje mes vete. Ai çdo herë sjellë diçka ndryshe. Po ashtu krejtësisht ndryshe është edhe filmi i tij Una pura formalita. Edhe ky është një film tipik tornatorian, ku filmi ka një skenar mjaft të ngjeshur (dihet mirëfilli që shumica e filmave që realizohen sot kanë fare pak dialog apo tekst) dhe është i zhvilluar thuajse vetëm në një skenë. Ajo çka këtë film e bënë të veçantë, përveç skenografisë tipike teatrale, është gjithashtu edhe tema e cila zhvillohet përgjat gjithë këtij filmi. I vendosur në një zyre hetuesie, dialogu mjaft i ngjeshur në mes të Inspektorit, të cilin e luan Roman Polanski dhe shkrimtarit Onoff (në këtë rast si i dyshuar), i luajtur nga Gerard Depardieu, është tërsisht me predispozita kafkiane. I gjendur në një fshat të humbur të Francës, personazhi Onoff është duke ikur (nga kush nuk dihet) në një natë me shi dhe furtunë dhe përnjëherë ndeshet në një patrullë policore, që edhe kjo del nga hiçi. Me ta ndalur policia, Onoff-it i kërkojnë dokumentet e identifikimit, të cilat i kanë humbur (delikuenti nuk ka identitet, sepse identiteti i tij është delikuenca) dhe për këtë e marrin për “një formalitet të thjeshtë” në komisariat. Dhe ajo çka është karakteristike këtu, është se Tornatore tërë këtë dialog – marrje në pyetje, e zhvendosë në “një formalitet të thjeshtë”, dhe mjaft të thellë filozofik. Onoff i gjendur para Inspektorit si i dyshuar (para pushtetit secili është i dyshuar potencial), pavarësisht se ai nuk e dinte çfarë krimi kishte bërë, është thuajse në pozitë të njëjtë me Jozef K-në, te Procesi i Kafkës. Problemet e shfaqura me kujtesën, ku Onoff-it nuk i kujtohet asgjë nga ditët e shkuara, madje nuk i kujtohen as librat e tij të cilat i kishte shkruar vetë (Onoff ishte shkrimtar i njohur) dhe prej të cilëve i citonte pasazhe të tëra Inspektori, krijon një situate paradoksale dhe pushteti. Paradoksale, sepse si ka mundësi që një shkrimtar të mos i kujtohet asgjë nga librat e tij dhe për më tepër si ka mundësi që mos t’i kujtohet për një natë më herët se çfarë kishte ndodhur. Pushteti, sepse edhe përkundër që ne nuk mund të jemi në gjendje t’i sjellim ndërmend veprimet tona, pushteti është çdokund dhe di gjithçka. Në tërë këtë ngjarje, Tornatore insiston të na intrigojë, sepse ai tenton të na vendosë në situata të atilla ku ne shpesh kemi nevojë, ose mund ta rigjejmë vetën nëpërmjet tjetrit. Domethënë, për realizimin tonë na duhet dikush që në shikim të parë na duket që është ndryshe nga ne. Me këtë film Tornatore i vendos limitet dhe hapësirat psikologjiike momentale manovruese që njeriu mund t’i ketë në veprimtarinë e tij. Ai përmes personazhit Onoff insiston që të na orientojë në drejtim të vetvetes. Sepse, siç shprehet Nietzsche: “Çdo njeri është shumë larg vetvetes”. Dhe për këtë në njëfarë mënyrë tjetri nuk duhet parë si dikush që na rrezikon, por në këtë rast ‘tjetri’ është ‘unë’, jo në kuptim figurativ, por përmbajtësor. Vetja që e njohim vetëm në raport me vetveten. Siç shprehet, Nietzsche: “debati më i vështirë i njeriut është debati me vetveten”. Dhe këtë sikur na e rekomandon Tornatore – të ulemi dhe të debatojmë me atë që dëshirojmë që çdo herë ta kemi sa më larg, por që realisht jeton brenda nesh.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.