Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Çka (nuk) është mini-shengeni dhe përse Kosova duhet të refuzojë të bëhet pjesë e iniciativës së Novi-Sadit

Ideja e Novi Sadit a.k.a mini-shengeni

Deri më sot nuk ka ekzistuar asnjë dokument zyrtar i cili ka përmendur mini-shengenin. Ky term madje nuk gjendet në asnjë raport të rëndësishëm të BE-së. Hera e parë kur u vendos në një dokument zyrtar është në dokumentin e zotimeve në Shtëpinë e Bardhë me 4 shtator.

Ishte pak e habitshme se si në një vend kaq të rëndësishëm sikurse Shtëpia e Bardhë u hodh në një letër ‘të rëndësishme’ një ide ende e pa formuar sikurse mini-shengeni, të cilës BE i ka dhënë zero rëndësi.

Gjithsesi, këtu nuk do të flas për takimin e 4 shtatorit.

Siç dihet, ideja për një zonë doganore të përbashkët për Ballkanin Perendimor me bazë katër liritë e BE-së kishte filluar të qarkulloj që nga viti 2016 por Kosova ka refuzuar vazhdimisht diskutimin rreth saj për arsye sa ekonomike po aq edhe politike.

Në dukje e harruar, ideja u ringjall kur vitin e kaluar Franca refuzoi hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.  Në dëshpërim e sipër, Rama dhe Zaev vrapuan shpejtë tek Vuçiç në Novi Sad i cili i priti me duart e hapura. Vrapimi tek Vuçiç për të ringjallur unionin doganor ishte më shumë në shenjë hakmarrjeje ndaj BE-së dhe shenjë dorëzimi ndaj reformave se sa veprim i mirë menduar.

Në këtë takim u ri afirmua ideja e kopjuar për katër liritë: Lirinë e lëvizjes së kapitalit, mallrave, shërbimeve dhe njerëzve.  Këtu përherë të parë u përmend edhe emri I kësaj iniciative nga Vucic si “Një mini-Shengen që do të mundësojë udhëtimet pa pasaportë, vetëm me kartë identiteti.”

Ideja e mini-shengenit, të cilën Serbia e vuri kusht edhe në Washington, është platforma që Serbisë i mundëson zgjerim të tregut me qasje në një port të thellë në adriatik pa bërë reformat demokratike, pa sakrifikuar bashkëpunimin ushtarak me Rusinë, pa rrezikuar marrëdhëniet tregtare me Kinën dhe pa i penguar negociatat për anëtarësim në BE. Për më tepër, mini-shengeni i lejon Serbisë treg dhe lëvizje pa pasaporta duke anashkaluar kështu edhe njohjen e Kosovës.

Mini-shengeni si term nuk ka të bëjë asgjë me lirinë e lëvizjes së mallrave, kapitalit dhe shërbimeve, por vetëm me lirinë e lëvizjes së njerëzve. Në këtë drejtim emërtimi mini-shengen është çorientues sepse fsheh qëllimin e gjerë të iniciativës që përfshinë 3 liritë tjera por edhe qëllimet e Serbisë që u përmenden më lartë.

Në fakt është gabim të thuhet se iniciativa e Novi-Sadit është iniciativë për mini-shengen pasi ajo nuk përfshinë vetëm lirinë e lëvizjes por, siç u qartësua edhe në takimin e Ohrit të vitit të kaluar, ajo përfshinë katër liritë themelore të BE-së. Kësisoj, emërtimi më i saktë do të ishte Iniciativa e Novi-Sadit për mini-BE-në.

Është mirë që zonën e shengenit në BE të mos e ngatërrojmë me lirinë e lëvizjes në kuadër të lirive themelore e BE-së (e garantuar me TEU neni 3 paragrafi 2; TFEU 45), pasi liria e lëvizjes në BE rregullon të drejtën jo vetëm për të kaluar kufirin mes shteteve me ID kartë por të drejtën për të punuar e për të jetuar e punësuar pa diskriminim kudo brenda BE-së; të drejtën për të hapur biznes e për të ofruar shërbime pa pengesa administrative e pa diskriminim etj. Për të garantuar këto të drejta duhet të krijohen institucione të përbashkëta rregullatore të cilat garantojnë zbatimin e këtyre të drejtave dhe detyrimeve brenda zonës së lirë.

Prandaj pyetja që duhet të shtrohet është jo a do të bëhet Kosova pjesë e mini-shengenit por a do të bëhet Kosova pjesë e “Iniciativës së Novi-Sadit për mini-BE-në”.

Në mungesë të dokumenteve zyrtare të cilat do të jepnin më shumë detaje për idenë e Novi-Sadit, unë do të jap argumente kundër idesë si të tillë, ashtu siç ajo u proklamua në Novi Sad, pastaj në Ohër dhe së fundmi në Uashington.

Por para se të kaloj tek argumentet kundër mini-shengenit është mirë që disa pyetje të parashtrohen qysh në fillim. Si për shembull: Si do të rregullohet vendimmarrja brenda zonës së re doganore? Si do të rregullohen marrëveshjet ekonomike me palët e treta që kanë shtetet? Në BE e kemi Gjykatën Evropiane të Drejtësisë për shkelje të drejtave dhe detyrimeve që burojnë nga traktatet, rregulloret, direktivat e vendimet. Kush do të jetë arbitri nëse jetësohet iniciativa e Novi-Sadit? Në rast të hyrjes në iniciativën e Novi-Sadit kufijtë doganor të Kosovës do të zhvendoseshin në kufijte e shteteve përreth. A do të krijohet agjenci e përbashkët për patrullim të kufijve të jashtëm sikurse FRONTEX, apo agjenci të përbashkëta të sigurimeve në trafik? Si do të luftohet krimi e kontrabanda në një treg të gjerë e me kufi të hapur? Si do të duket dizajni i një unioni doganor mes shteteve të Ballkanit Perëndimor ku Serbia dhe Bosnja e Hercegovina nuk njohin Kosovën si shtet dhe palë të barabartë?

Çka është reciprociteti?

Reciprociteti është parim udhëheqës mes shteteve në marrëdhëniet ndërkombëtare. Reciprociteti buron nga e drejta sovrane e shtetit për të vetëqeverisur me territorin e tij. Këto të drejta sovrane mund të delegohen në fusha të caktuara me vullnetin e shtetit siç është delegimi me rastin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, ndonjë organizatë tjetër ndërqeveritare apo federatë. E drejta për të vepruar në mënyrë reciproke ndaj një veprimi, vendimi, sjellje apo provokimi (etj) nga një shtet tjetër ruhet në çdo marrëveshje sa herë që ato marrëveshje shkelen në mënyrë të një anshme, direkt apo indirekt nga pala tjetër. Natyrisht, përjashtim bëjnë rastet kur shtetet në vend të aplikimit të reciprocitetit vendosin që ato t’i zgjidhin përmes një autoriteti më të lartë të përbashkët, siç është rasti me sistemin e drejtësisë në BE.

Në çfarëdo marrëveshje të re qe futet Republika e Kosovës do të ketë të drejta dhe detyrime, e kështu do të ndodhte edhe me iniciativën e Novi Sadit, nëse ajo do bëhej realitet. Nga një marrëveshje e mundshme do të krijoheshin të drejta dhe detyrime për të gjitha palët. Shkelja e këtyre të drejtave ndaj njërës palë krijon hapësirën për reciprocitet nga pala tjetër.

Merreni CEFTEN për shembull. Në nenin e parë të saj thuhet se do të eliminohen barrierat tregtare dhe do të lehtësohet lëvizja e lirë e mallrave, por ne e dimë tashmë që Serbia nuk e ka respektuar këtë marrëveshje. E dimë edhe që Kosova nuk kishte aplikuar kurrë parimin e reciprocitetit deri në Mars të këtij viti.

Në çfarëdo marrëveshje të re, derisa Serbia nuk e njeh Kosovën si shtet, përsëri do të vendos pengesa dhe diskriminime ndaj të cilave Kosova do të duhej të vepronte me masa reciproke.

Parimi i reciprocitetit nuk është mjet i cili prodhon tregti të lirë apo që eliminon barrierat jo-tarifore e tarifore apo që bënë mrekulli tjera. Parimi i reciprocitetit është e drejtë e shtetit për t’iu përgjigjur një shteti apo entiteti të caktuar me veprimin e njëjtë dhe në masë proporcionale me qëllim të detyrimit të palës tjetër të respektimit të marrëveshjes, arritjes së barazisë dhe respektimit të dinjitetit e integritetit shtetëror. Në këtë drejtim reciprociteti nuk është mjet dhe e drejtë që konsumohet por ai është mjet i përhershëm në dispozicion të shtetit.

Duke konsideruar se sqarimet për termet mini-shengen dhe reciprocitet janë të kënaqshme, tani mund të përgjigjemi në pyetjen nëse Kosova duhet të jetë pjesë apo jo e iniciativës së Novi Sadit a.k.a “mini-shengenit”.

Në parim, ka shumë argumente se përse hyrja në marrëveshje të tregtisë së lirë është përfituese për të gjitha palët. Për këtë shembull kemi BE-në. Në BE, shtetet nuk janë të barabarta as për nga popullsia as për nga të ardhurat e prodhimtaria dhe as për nga mirëqenia sociale. Ndarja Veri-Jug është arsyeja kryesore se përse BE-ja ka programet sikurse “Structural and the Cohesion Fund” të cilat janë politika për shpërndarjen e të ardhurave në mënyrë që të zvogëlohet pabarazia në zhvillim mes veriut të pasur dhe jugut më të varfër të BE-së. Qëndron argumenti se të qenurit pjesë e një zone të përbashkët ekonomike krijon përparësi për shtetet me fuqi më të mëdha e me strukturë më të fortë ekonomike, por nëse ka një sistem të bazuar në rregulla të mirëfillta dhe vërtetë integrues sikurse është BE, atëherë përfitimet afatgjata janë evidente për të gjithë anëtarët. Në BE shtetet e vogla sikurse Malta me gjysmë milioni banorë apo Qipro me 1.1 milion banorë gëzojnë të ardhura të larta për kokë banori krahasuar me shtetet me të pasura e me popullësi më të madhe.

Prandaj edhe nuk do të merrem këtu me teoritë e tregut të lirë dhe argumentet të cilat nuk janë të vendosura në një kontekst real siç është rasti i iniciativës së Novi Sadit sepse në rrafshin teorik është e vërtetë se përfitimet afatgjata të zonës së përbashkët doganore tejkalojnë humbjet afatshkurtra, por është konteksti politik ai i cili ka rëndësi këtu sepse edhe argumentet ekonomike edhe politike derivojnë nga konteksti real politik.

Në kontekstin real politik janë dy faktorë (të paktën) që determinojnë suksesin apo dështimin e mini-shengenit i cili në teori mund të duket ide e mirë. Faktori i parë janë çështjet e hapura me Serbinë, siç janë dëmet e luftës, borxhet dhe adresimi i krimeve të luftës, suksesionet e deri tek njohja e ekzistencës tonë si shtet nga Serbia dhe Bosnja si anëtare në ardhje të mini-shengenit. Faktori i dytë është integrimi. I gjithë Ballkani Perëndimor është në proces zyrtar të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, proces i cili ofron përfitime më të mëdha se sa ato që mëtohen të arrihen me iniciativën e Novi Sadit.

Këta dy faktorë nuk mund të injorohen. Nisur nga e vërteta se Serbia nuk njeh ekzistencën e Kosovës si shtet dhe nga përvoja e sjelljes së saj deri më tani, Serbia nuk do të pranojë asnjë marrëveshje në të cilën detyrohet të trajtoj Kosovën si palë të barabartë. “Mini-shengeni” i Vuçiçit nuk e duron reciprocitetin e Kosovës sepse nuk e duron Kosovën si palë të barabartë sepse nuk e njeh Kosovën shtet. Duke e ditur këtë fakt apriori ne nuk mund të mbyllim sytë dhe të bëhemi kinse kjo nuk është e vërtetë.

Njëjtë siç nuk mund të pranojmë që integrimin në BE ta zëvendësojmë me një realitet tjetër fiktiv. Ne jemi shtet evropian dhe i plotësojmë të gjitha kriteret për të qenë pjesë e Bashkimit Evropian. Njohja nga 5 vendet anëtare është çështje sa e BE-së po aq edhe e Kosovës. Nëse Kosova do të vepronte dhe sillej si shtet sovran dhe nuk do të pranonte të shtronte çështjen e sovranitetit dhe tërësisë së saj territoriale në tavolinën e bisedimeve me BE në këmbim të njohjes nga Serbia e të 5 njohjeve nga BE, ne do të ishim shumë herë në pozicion më të mirë se që jemi sot. Pesë shtetet anëtare të BE-së nuk do të mund të mbajnë peng përherë 22 shtete tjera dhe as të imponojnë një realitet politik mbi to përherë.

Por ne kemi ndjekur politikë të gabuar shtetërore. Në vend të pritjes së dorëzimit të 5 shteteve anëtare të BE-së karshi realitetit të krijuar, ne jemi dorëzuar para Serbisë pas shpalljes së pavarësisë prej saj.

Tani e kuptoj se ka nga ata që thonë se pritja nuk është zgjidhje, por në rastin tonë është. Ne kemi marrë të gjitha njohjet e rëndësishme të botës demokratike dhe presioni demokratik do të ishte ndaj një Serbie jo-demokratike. Kosova mund të normalizojë marrëdhëniet me Serbinë vetëm kur ajo të pranojë të kaluarën dhe të shikoj nga e ardhmja demokratike. Sa më shumë presion që të ketë Serbia në këtë drejtim aq më i shpejtë do të jetë ndryshimi i saj. Pra presioni duhet të jetë tek Serbia e jo tek ne. Por ne nuk kemi zgjedhur këtë rrugë. Ne kemi zgjedhur rrugën e bashkëpunimit dhe rehabilitimit të Serbisë dhe i kemi hequr presionin që ajo të demokratizohet dhe tashmë ajo po rrëshqet drejt autokracisë çdo ditë e më tepër.

Ajo që ne na pengon dhe na ka penguar në rrugën drejt integrimit në BE është krimi i dukshëm dhe korrupsioni i tejdukshëm; mungesa e zhvillimit ekonomik dhe mungesa e mirëqenies për njerëzit në mënyrë që të mos të krijojmë ekzode në vendet e BE-së. Për këtë faji qëndron tek ne.

Në këtë drejtim Iniciativa e Novi Sadit nuk mundet të përmbushë boshllëkun që ne kemi krijuar nga mungesa e sundimit të ligjit, nga korrupsioni i lartë e dështimet në ekonomi, arsim e shëndetësi.

Iniciativa e Novi Sadit është e dëmshme edhe në aspektin ekonomik. Ndoshta këtë më së miri mund ta ilustrojmë nëse bëjmë një analogji me ligat e futbollit duke marrë ligën A dhe ligën B në futboll. Në ligën A në futboll luajnë klubet më cilësore e më të përgatitura ku edhe përfitimet financiare janë shumë të mëdha.
Në ligën B ka më pak përfitime spese ka më pak kualitet të lojës sepse ka më pak konkurrencë sepse edhe kualiteti i lojtarëve është më i dobët, kësisoj edhe përfitimet në ligën B në futboll janë më të ulëta.

Një krahasim i tillë mund të bëhet edhe mes iniciativës së Novi Sadit dhe tregut unik të BE-së. Iniciativa e Novi Sadit është tendencë për të krijuar Ligën B për shtete më të dobëta të cilat nuk po arrijnë të hyjnë në Ligën A, e që është tregu unik i BE-së.

Mirëpo krijimi i një lige B në këtë rast është i dëmshëm sepse çorienton reformat të cilat ne i kemi ndërmarrë deri tani, ulë standardet e cilësisë, ulë ambiciet për reforma të mëtejshme dhe për më keq heq incentivat për ndryshime demokratike të cilat në rrugën e integrimit në BE janë të gjitha të ndërlidhura. Për të vazhduar analogjinë, për klubet e futbollit në Ligën B incentiva për lojë më të mirë është për të kaluar në Ligën A ku ka përfitime të mëdha financiare. Por nëse Ligën A (tregun unik të BE-së) e zëvendësojmë me një ligë B (inicitivën e Novi Sadit), atëherë hiqen incentivat për reforma.

Prandaj iniciativës së Novi Sadit duhet thënë jo sepse Serbia nuk e njeh Kosovën; sepse nuk duam ta zëvendësojmë BE-në me një mini-BE dhe sepse nuk duam të zëvendësojmë demokracinë me autokraci.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.