Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Demokracia fillon nga listat e hapura

Zhvillimet politike rreth dialogut me Serbinë në masë të madhe e kanë larguar vëmendjen e gjithë spektrit politikë nga zhvillimet e brendshme, veçmas në zhvillimin ekonomik dhe promovimin e transparencës dhe llogaridhënies, përmes krijimit të një sistemi më përfaqësues brenda institucioneve të vendit.

Transparenca dhe llogaridhënia janë faktor kryesor për krijimin e një shoqërie të shëndoshë, gjykuese dhe vendimmarrëse. E kjo e tëra krijohet përmes menaxhimit të një sistemi zgjedhor transparent dhe që i përshtatet ambientit në të cilin veprojmë.

Kosova që nga viti 1999  është lavdëruar si një nga shtetet e rralla të dala nga lufta e që ishte në gjendje të organizoj dhe menaxhoj një proces të pranueshëm zgjedhor, e në të gjitha këto procese padyshim që nuk ka munguar as mbështetja ndërkombëtare.

Megjithatë, janë hasur disa boshllëqe që i kanë qit hije të zezë procesit zgjedhor, por që shoqëria kosovare gjithmonë ka insistuar në iniciativën për të reformuar procesin dhe për ta përshtatur atë me normativat me të mira ndërkombëtare të organizimit të zgjedhjeve, por edhe përkundër këtyre iniciativave, vendi nuk po gjen konsensus të mirëfilltë për të vazhduar punën e filluar 7 vjet më parë në procesin e reformës zgjedhore.

Deklarativisht, të gjithë akterët politik janë në favor të një reforme të thellë zgjedhore, por praktikisht as partitë në pozitë e as ato në opozitë nuk kanë ndonjë interesim për ta përmbyllur këtë proces. Reforma zgjedhore, si proces ka nisur menjëherë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, ku zgjedhjen e Behxhet Pacollit si president të vendit e konsideronte si jo kushtetuese.

Komisioni i krijuar nga Kuvendi i Kosovës në atë kohë kishte arritur që të mbledh rreth vetës disa ide dhe propozime se si të trajtohet procesi zgjedhore.

Ndër propozimet ishin ndarja në disa zona zgjedhore, ndryshimi i nivelit të pragut zgjedhor, rishqyrtimi i votës preferenciale brenda një liste zgjedhore si dhe propozimi që po thuajse më së shumti ka nxitur debat pro dhe kundër është natyra e listave zgjedhore, të hapura apo të mbyllura. Por e terë puna e komisionit të atëhershëm ka mbetur në nivel të propozimeve dhe që nga atëherë nuk ka pasur ndonjë lëvizje konkrete nga subjektet politike për këtë çështje.

Listat e hapura vs listat e mbyllura

Për reformën zgjedhore si proces, partitë nuk kanë arritur të pajtohen, jo për shkak të dallimeve, por për shkak të kalkulimeve politike. Nga ana tjetër, shoqëria civile ndër vite ka kontribuar me analiza të sistemit zgjedhor, nga të cilat dolën propozime të ndryshme, që në thelb kanë qëllimin e njëjte, një sistem zgjedhor më përfaqësues si në aspektin regjional ashtu edhe në aspektin e llogaridhënies.

Një sistem zgjedhor funksional kërkon analizë të detajuar për të lehtësuar vendimmarrjen dhe për të ndihmuar përcaktimin e shoqërisë në favor ose  jo të listave të hapura.

Kushtetuta e Republikës së Kosovës në nenin 64 të saj e saksionin këtë çështje dhe kërkon që votimi në Kosovë të behet përmes listave të hapuar, andaj para përcaktimit pro ose kundër listave të hapura apo të mbyllura, duhet të merret parasysh ky element por edhe të bëhet një analizë e epërsive dhe të metave të secilit model, normalisht duke marr parasysh edhe specifikat e vendit.

Për hapjen e listave në Kosovë është diskutuar menjëherë pas zgjedhjeve të para nacionale, ndërkohë që me lista të hapura për herë të parë është votuar në zgjedhjet e vitit 2007. Gjatë debatit të fundit për reformën zgjedhore, që ka filluar qysh nga viti 2012, praktika e votimit me lista të hapura është vënë në pikëpyetja nga disa subjekte politike.

Shoqëria për shumë arsye duhet të insistoj që sistemi i votimit me lista të hapura të mbetet si alternativë e vetme për votim. Një prej arsyeve se pse ky sistem është me demokratik dhe me përfaqësues është se i siguron votuesve mundësinë që brenda listës së një subjekti politik të votohet kandidati i tij i preferuar. Me këtë, qytetarët drejtpërdrejt ndikojnë në zgjedhjen e kandidatëve në listat e ofruara nga partitë politike.

Përparësi tjetër e këtij sistemi zgjedhore është se zvogëlon fuqinë e partisë që mund të jetë e centralizuar tërësisht brenda një grupi të vogël të personave që janë afër figurave kyçe brenda subjektit.

Lista e mbyllura nuk u mundësojnë kandidatëve që krahas fushatës për partinë të bëjnë fushatë edhe individuale; nuk promovojnë profilet e kandidatëve dhe parimet e tyre dhe në të njëjtën kohë nuk i bënë ata të afërt me qytetarin.

Ky sistem i fsheh anëtarët e listave prapa partive politike dhe nuk i nxjerr kandidatët në garë të drejtpërdrejtë me rivalët e tyre. Në këtë mënyrë, në zgjedhje votuesit votojnë jo për kandidatë të veçantë, por për subjektet politike të cilave ata i përkasin.

E metë e sistemit të votimit me lista të mbyllura është se kandidatët që janë pjesë e listave zgjedhore, e që janë të renditur rreth fundit të listës, nuk kanë gjasa që të jenë pjesë e listës se zgjedhur, kjo për faktin se mandatet e fituara nga subjekti i jepen kandidatëve duke respektuar renditjen e tyre në listën e brendshme zgjedhore të subjektit. Kjo i bënë ata të jenë pjesë e listës vetëm sa për të plotësuar kërkesën e partisë dhe si rezultat motivi i tyre për tu angazhuar për vete por edhe për partinë është i barabartë me zero.

Listat e mbyllura mundësojnë që fondet partiake për fushatë shpërndahen në mënyrë selektive, gjë e cila i konvenon vetëm kreut të listës. Një praktikë e tillë, duhet të ndryshoj në atë mënyrë që fondet për kandidatët të ndahen në mënyrë proporcionale dhe të barabartë në mes të kandidateve femra dhe meshkuj brenda subjektit politikë.

Ndarja e fondeve në mënyrë proporcionale nga subjekti politikë për kandidatët, do të largonte mundësinë e financimit nga fonde të cilave nuk u dihet prejardhja, ose që kanë si burim të të ardhurave të hyrat nga veprime kriminale.

Efekti i votës preferenciale, çka duhet të përmirësohet?

Çështjet problematike që mund ta degradojnë sistemin e listave të hapura janë favorizimi i kandidatëve me fuqi të madhe financiare dhe efekti i votës preferenciale. Kandidatët me fuqi financiar përmes mënyrave të ndryshme, qoftë edhe duke blerë votën mund të jetë ndikues në përcaktimin e vullnetit të trupës elektorale, ndërsa tek efekti i votës preferenciale ku aktualisht vota preferenciale është për një listë kandidatësh prej pesë emrash, procesi zgjedhor ka dëshmuar se votuesit në jo pak raste nuk i kanë rrumbullakësuar te të pestit, ndaj kjo u ka dhënë mundësinë komisionarëve të partive politike që të manipulojnë me ato fletëvotime, duke e cenuar votën e lirë dhe deformuar procesin zgjedhor.

E para duhet të rregullohet përmes aprovimit të Ligjit për Financimin e Partive Politike, me cka do të përcaktoheshin kuotat dhe mënyrat e financimit dhe e dyta përmes plotësim ndryshimit të ligjit zgjedhor

Pavarësisht ndryshimeve që pritet të bëhen në Ligjin zgjedhore, sistemi i votimit me listat e hapura duhet të mbetet, por duhet të modifikohet, duke e bërë atë edhe me të thjeshtë për votuesin, duke i mundësuar atij që të votoj vetëm për një kandidat brenda listës zgjedhore.

Ky proces, do të evitonte mundësinë e përcaktimit të vullnetit të zgjedhësve nga komisionarët e partive politike, do thjeshtonte procesin e numërimit si dhe do të eliminonte në masë shumë të madhe ndikimin e strukturave partiake për përcaktimin ose imponimin e vullnetit të tyre ndaj votuesve.

—-

Ky shkrim mbështetet nga D4D, si pjesë e projektit ‘Avancimi i proceseve demokratike’ financuar nga Departamenti Federal i Punëve të Jashtme të Zvicrës.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.