Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Demokracia në pozicion mbrojtës (pjesa I)

Chinese President Xi Jinping and Russian President Vladimir Putin in Shanghai, May 2014 Lan Hongguang / Xinhua / Eyevine / Redux

Përmbysja e trendit autoritar.

Pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, dukej sikur demokracia kishte ngadhënjyer. Megjithatë, ai optimizëm i palëkundur ishte i pavend. Në retrospektivë, është e qartë se ishte naive të mendohej se demokracia do të shpërndahet në të gjithë cepat e botës. Kthesa autoritare e viteve të fundit pasqyron të metat dhe dështimet e sistemeve demokratike.

Shumica e analizave për gjendjen e brishtë të demokracisë bashkëkohore fillojnë me një përshkrim të ngjajshëm. Nuk janë krejtësisht të pasakta, por ato lënë jashtë një pjesë të rëndësishme të tablosë. Historia e dy dhjetëvjeçarëve të fundit nuk është thjesht histori e dobësisë demokratike; ajo është gjithashtu histori e fuqisë autoritare.

Që prej viteve 1990, regjimet autokratike kanë përparuar në aspekt të performancës ekonomike dhe forcës ushtarake. Diktatorët kanë mësuar si të përdorin veglat digjitale për të shtypur lëvizjet opozitare në mënyra të sofistikuara. I kanë mposhtur fushatat demokratike që dikur dukeshin premtuese, kanë shtënë në dorë vendet që dukeshin se po bëheshin më demokratike, dhe kanë rritur tej mase ndikimin e tyre ndërkombëtar. Çfarë ka parë bota është më pak zmbrapsje demokratike se ringritje autoritare. Autokratët janë përqendruar kaherë në mbijetesë, ndërsa tash janë në sulm. Dhjetëvjeçarët e ardhshëm do të nxjerrin në pah një garë të gjatë e të stërzgjatur mes demokracisë dhe diktaturës.

Rezultati i kësaj gare nuk është i paracaktuar. Që të triumfojnë, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj demokratikë duhet të kuptojnë rëndësinë e këtij momenti historik dhe të punojnë së bashku për të mbrojtur demokracinë globale në mënyra më kreative dhe të guximshme se sa që kanë bërë në të kaluarën. Gjithashtu, do të duhen të zgjidhin dilemën e krijuar nga tensioni mes dy qëllimeve thelbësore: frenimin e përkeqësimit përbrenda radhëve të tyre, në njërën anë, si dhe ruajtjen e një fronti të përbashkët kundrejt regjimeve autoritare si ato në Kinë dhe Rusi, në anën tjetër. Thënë troç, do të jetë e vështirë të kundërshtohen qeveritë antidemokratike në vendet ku përkrahja e të cilave është kyçe për të ballafaquar autoritarët ulëritës, e gjithnjë e më kategorikë. Të zgjidhurit e kësaj dileme kërkon qasje të mençur që ruan mundësinë e bashkëpunimit me vendet që kanë praktika të diskutueshme demokratike, por që ndërkohë mbajnë partneritete të ngushta me aleatët e vërtetë demokratikë. Kjo do të thotë gjithashtu braktisje e “promovimit të demokracisë” për hir të “mbrojtjes së demokracisë” – duke u përpjekur që të sigurojë, në vend se të zgjerojë, botën demokratike.

Autoritarët marshojnë

Mandati i Donald Trump-it në Shtëpinë e Bardhë hodhi në dyshim atë se cilën anë do të mbanin Shtetet e Bashkuara në konfliktin mes demokracisë dhe diktaturës. Madje para vitit 2016, Uashingtoni mbështeti rregullisht qeveritë autokratike atëherë kur prospektet e gjetjes së aleatëve demokratikë në një vend me rëndësi strategjike dukeshin të zymta. Megjithatë, katër vitet e fundit shënuan herën e parë që një president amerikan dukej se vlerësonte haptas diktaturat më shumë se sa demokracitë dhe i cili u dha zemër forcave autokratike përbrenda aleatëve demokratikë.

Trump e vuri në pikëpyetje dëshirueshmërinë e NATO-s. Ai refuzoi përsëri e përsëri të dënonte përpjekjet autokratike për të ndërhyrë në zgjedhjet demokratike, vrasjen e disidentëve në tokë të huaj, apo ofrimin e shpërblimeve për kokat e ushtarëve amerikanë. Ai shprehu adhurim për diktatorë si Vladimir Putin i Rusisë, Abdel Fattah el-Sisi i Egjiptit, dhe Kim Jong Un i Koresë së Veriut, edhe pse këta dhe vendet e tyre kanë fare pak gjëra të përbashkëta në aspektin ideologjik apo të rëndësisë gjeopolitike.

Në kohën e Trump-it, Shtetet e Bashkuara gjithashtu promovuan forcat ekstremiste brenda vendeve të tjera demokratike. Në një intervistë me median e ekstremit të djathtë Breitbart, ish ambasadori amerikan në Gjermani Richard Grenell la të kuptohet se ishte orvatur të “fuqizonte” lëvizjet populliste rreth e qark Europës. Ndërkohë, ambasadori amerikan në Holandë, Pete Hoekstra, mbajti takime private në ambasadën amerikane me anëtarë të një partie politike ekstremiste holandeze dhe donatorët e saj. Në shtëpi, vetë Trumpi mirëpriti në Shtëpinë e Bardhë një varg popullistësh autoritarë, përfshi kryeministrin hungarez Viktor Orban dhe kryeministrin Indian Narendra Modi.

Thënë në mënyrë diplomatike, gjatë mandatit të Trump-it, ShBA-të pushuan së qeni e ashtuquajtura lidere e botës së lirë. Thënë troç fare, pjesë të mëdha të administratës së Trump-it, në të vërtetë dezertuan te kampi autokrat.

Në sipërfaqe, udhëheqësit e moderuar të demokracive të fuqishme në Evropë dhe gjetkë kanë shumë pak të përbashkëta me Trump-in. Pak dashuri u tret mes tij dhe presidentit francez Emmanuel Macron, apo kancelares gjermane Angela Merkel. Por, përkundër përkrahjes së supozuar të këtyre liderëve evropianë për vlerat demokratike dhe fjalimet e tyre elegante në mbështetje të të drejtave të njeriut, veprimet e tyre faktike kanë ndihmuar dhe mbështetur vazhdimisht forcat e autokracisë nëpër botë.

Kur Merkel kishte telashe me dyndjen e madhe të refugjatëve nga Lindja e Mesme dhe Afrikës nënsahariane më 2016, ajo udhëhoqi arritjen e një marrëveshjeje mes BE-së dhe presidentit turk Recep Tayyip Erdogan, e cila ndërpreu një prej rrugëve kryesore të imigrantëve që ia kishin mësyer Evropës. Përkundër faktit që Erdogan-i orvatej të përqendronte pushtetin në duart e tij dhe ishte i zënë me burgosjen e më shumë se 100 gazetarëve, marrëveshja fitimprurëse e ndihmoi të forconte pozitën e tij politike. Gjermania bashkë me disa shtete evropianë nxituan me ndërtimin e gazsjellësit rus Nord Stream 2, i cili do të sigurojë furnizimet e tyre me energji, ndërkaq duke i lënë disa demokraci të Evropës qendrore dhe lindore jashtëzakonisht të cënueshme ndaj presionit nga Kremlini.

Sidoqoftë, shërbimi më i rëndësishëm që Merkel dhe liderët tjerë evropianë i ofruan kampit autoritar ishte dështimi i tyre për të ballafaquar prapakthimin demokratik në vendet fqinje si Hungaria dhe Polonia. Gjatë dhjetëvjeçarit të fundit, qeveritë në Budapest dhe Varshavë kanë gërryer me shpejtësi sundimin e ligjit, kanë dobësuar ndarjen e pushteteve, kanë dëmtuar shtypin e lirë, dhe kanë organizuar zgjedhje të padrejta. Organizata për vlerësimin e statusit të qeverisjes demokratike nëpër botë Freedom House, e ka degraduar Hungarinë në “pjesërisht të lirë” – që shënon anëtarin i parë i BE-së me këtë lloj vlerësimi.

Megjithëkëtë, Brukseli ende nuk ka vendosur sanksione serioze as ndaj Hungarisë, as ndaj Polonisë, ku të dy vendet vazhdojnë të pranojnë miliarda euro nga BE-ja. Meqenëse blloku ka dështuar të ushtrojë kontroll të vërtetë mbi shpërndarjen e parave, në të vertetë i ka ofruar popullistëve antidemokratikë që drejtojnë qeveritë e dy vendeve fonde për të shpërblyer aleatët e tyre politikë dhe për të ndëshkuar kundërshtarët.

E pamjaftueshme, tepër vonë?

Tash, kësaj periudhë të turpshme të mosveprimit përballë kryengritjes autoritare me shpresë po i vie fundi. Fitorja e Joe Biden-it në zgjedhjet presidenciale të vitit të shkuar vendosi përsëri në pushtet politikanë të përkushtuar ndaj vlerave demokratike. Sulmet ndaj demokracisë të disa anëtarëve të BE-së janë bërë aq revoltuese, sa që disa politikanë të vendosur, si kryeministri holandez Mark Rutte dhe dy deputetë të Parlamentit Evropian Sophie in t’Veld dhe Sergey Lagodinsky, kanë detyruar blokun që të fillojë të ballafaqohet me qeveritë autoritare në mesin e tyre. Nëse liderët demokratikë nuk e kuptojnë shtrirjen dhe kërcënimin serioz të ringjalljes autoritare, përgjigjja e tyre ka gjasë të jetë e pamjaftueshme, tepër vonë.

Përpjekjet e BE-së për të frenuar autokracinë brenda bllokut janë rast dëshpërues studimi për atë se si përpjekjet pa entuziazëm janë të prirura të dështojnë. Më 2020, pas vitesh e vitesh mosveprim, BE-ja më në fund provoi të vënte kushte më të forta për fondet që shpërndan përgjatë bllokut. Një propozim i Komisionit Evropian përfytyroi një sistem që do të ngrinte pagesat për shtetet anëtare, në rast të dhunimit të sundimit të ligjit në vendet e tyre. Dy shënjestrat, Hungaria dhe Polonia, iu përgjigjen sulmit duke kërcënuar me veto të buxhetit të BE-së që përfshinte financimin e masave jetike ndaj COVID-19. Siç pritej, liderët evropianë lëshuan pe shpejt. Në një kompromis i bërë sa për të shpëtuar fytyrën, por që kryesisht tregoi se si autokratët përbrenda BE-sa janë në fakt imunë ndaj reperkusioneve negative për sulmet e tyre mbi demokracinë, për sa kohë që mbulojnë politikisht njëri tjetrin, komisioni hoqi dorë nga elementet kryesore të masave.

Si pasojë e marrëveshjes, Komisioni Evropian ende nuk mund të ndalojë fondet kur shtetet anëtare ndërmarrin hapa për të dobësuar sundimin e ligjit. Për të sanskionuar shtetet e tilla, Brukseli duhet të tregojë se si po keqpërdoren fondet e BE-së. Në një lëshim tjetër, komisioni premtoi se nuk do të merrte masa rreth sundimit të ligjit kundër shteteve anëtare, derisa ata që kundërshtojë atë çfarë ka mbetur nga rregullat e reja, të kenë rastin të qesin në pyetje kushtetutshmërinë e tyre para Gjykatës Evropiane të Drejtësisë. Kjo në të vërtetë garanton që Orbani dhe autokratët tjerë do të fitojnë më shumë zgjedhje të padrejta, duke mbetur në pushtet në vitet që vijnë. Në fund të fundit, përpjekja e dështuar për të disiplinuar Hungarinë dhe Poloninë thjesht ilustron pandëshkueshmërinë e liderëve autokratë përbrenda BE-së.

Përgjatë Atlantikut, është shumë herët të thuhet se sa e efektshme do të jetë administrata amerikane në fuqizimin e demokracisë. Deklaratat fillestare të Biden-it dhe anëtarëve të ekipit të politikës së jashtme, lënë të kuptojnë se e marrin seriozisht kërcënimin autokrat dhe se janë të etur për të rikthyer rolin e Shteteve të Bashkuara si “lidere të botës së lirë.” Para një viti, Biden shkroi për Foreign Affairs se “ngadhënjimi i demokracisë dhe liberalizmit mbi fashizmin dhe autokracinë krijoi botën e lirë, por kjo garë nuk përcakton vetëm të kaluarën tonë. Do ta përcaktojë gjithashtu edhe të ardhmen tonë.” Kjo qasje shënon kthesë të madhe në krahasim me katër vitet e fundit. Nën udhëheqjen e Biden-it, mbijetesa afatshkurtër e NATO-s, për fat të mirë, nuk do të vihet në dyshim, ndërsa vendet që varen nga Shtetet e Bashkuara për sigurinë e tyre do të marrin frymë më lehtë.

Gjatë viteve të ardhshme, Shtetet e Bashkuara me gjasë do të bashkëpunojnë më për së afërmi me aleatët demokratikë se sa me shtetet autokrate dhe demokracitë në prapakthim. Ndryshe nga Trump-i, Biden do të ketë gjithsesi marrëdhënie më të mira me liderët demokratikë si Merkel dhe presidenti jugkorean Moon Jae-in se sa me autokratët si Erdogan apo Sisi. Biden-i nuk pritet të ftojë në Shtëpinë e Bardhë popullistët antidemokratë si Orban apo Modi, siç bëri Trump në disa raste. Ndërkaq, nën udhëheqjen e Anthony Blinken, Departamenti i Shtetit do të jetë i zëshëm kundër sulmeve mbi të drejtat e njeriut dhe institucionet e lira nëpër botë. Popullistët dhe autokratët do të duhet të paguajnë një çmim për sulmet mbi vlerat thelbësore demokratike.

Biden-i dhe ekipi i tij ka dhënë poashtu shenja rreth qëllimeve të tyre për të organizuar një samit të demokracive të profilit të lartë. Ndonëse administrata e re nuk ka treguar detaje rreth kohës dhe përmbajtjes së samitit, qëllimi i propozimit është I qartë: të rigjallërojë vendet demokratike në luftën e tyre kundër kërcënimeve autokrate. Në u bëftë si duhet, samiti mund të dërgojë porosi dhe sinjale të rëndësishme rreth përkushtimit të Shteteve të Bashkuara ndaj vlerave demokratike.

Të gjitha këto ndryshime përfaqësojnë një përmirësim të dukshëm krahasuar me administratën e Trump-it. Megjithatë, edhe po u zbatuan plotësisht, vështirë se do të mjaftojnë për të frenuar ringjalljen autoritare. Problemi është se dy prej qëllimeve kryesore të këtyre përpjekjeve – frenimi i ndikimit të autokracive të fuqishme dhe ndalja e prapakthimit në demokracitë kyçe – janë shpesh në konflikt me njëra tjetren. Çdo përpjekje për të frenuar ringjalljen autoritare duhet që njëkohësisht të ndalojë demokracitë e përgatitura për luftë, si India dhe Polonia që t’i bashkohen radhëve të diktaturave botërore dhe të parandalojë vendet si Kina dhe Rusia, që të ndryshojnë rendin ndërkombëtar. Nëse Uashingtoni dëshiron të frenojë Rusinë, atëherë duhet të mbajë marrëdhënie të ngushta me Poloninë, dhe nëse dëshiron të frenojë Kinën, duhet të mbajë afër Indinë.

Kjo dilemë do t’ia vështirësojë agjendën prodemokratike administratës së Biden-it. Për shembull, kur Shtetet e Bashkuara të organizojë samitin e propozuar të demokracive, mund të mos i ftojë vendet që janë në prapakthim të shpejtë dhe që kanë rëndësi krahasimisht të vogël gjeostrategjike, siç është Hungaria. Por, do të jetë e vështirë të mos ftohen demokracitë në prapakthim si India apo Polonia, të cilat për shkak të madhësisë dhe pozitës gjeografike, janë aleatë të rëndësishëm në përpjekjet për të frenuar kundërshtarët më të fuqishëm autoritarë të Shteteve të Bashkuara.

Demokracitë nuk do të jenë kurrë në gjendje të shmangin tërësisht këtë predikament. Megjithatë, ato mund të jenë të hapura ndaj natyrës së problemit dhe t’i përkushtohen publikisht një strategjie të qëndrueshme. Kjo do të thotë që shtetet kryesore demokratike të bëjnë dallimin e qartë mes dy niveleve të marrëdhënieve të tyre me vendet tjera: nivelin e ulët për vendet me të cilat ndajnë interese gjeostrategjike në frenimin e diktaturave të fuqishme, edhe nëse vetë ato janë autokraci ose demokraci në prapakthim, dhe nivelin e lartë të vendeve, me të cilat ndajnë si vlerat demokratike ashtu edhe intereset gjeostrategjike.

Kjo strategji do të përfaqësonte vazhdimësinë e politikës së jashtme në të kuptuarit e nevojës për të ruajtur aleancat strategjike me vendet që janë më pak se plotësisht demokratike. Megjithatë, kjo do të përfaqësonte gjithashtu ikje të dukshme nga ajo politikë, duke përkushtuar Shtetet e Bashkuara dhe demokracitë e tjera të fuqishme në ruajtjen e statusit të partnerit të plotë për demokracitë liberale dhe degradimin e marrëdhënieve të tyre me partnerë të tjerë të kahershëm në rast se bëjnë prapakthime të dukshme.

Krijimi i kësaj strukture dynivelëshe do të ofronte shtysë modeste, por të vërtetë, për qeveritë e vendeve të interesuara për të mbajtur marrëdhënie me demokracitë e qendrueshme, që t’i japin fund sulmeve të tyre ndaj sundimit të ligjit. Gjithashtu, kjo do t’i ofronte aktivistëve dhe lëvizjeve prodemokratike në ato vende dëshmi për përfitimet ndërkombëtare që vijnë nga rezistenca ndaj autokratëve. Veçanërisht në shtetet me ndarje të thella, ku forcat prodemokratike ende kanë shpresë se mund të rrëzojnë qeveritë përmes zgjedhjeve, ky ndryshim politikash mund të bëjë dallimin e duhur mes humbjes dhe mbajtjes së pushtetit nga ata që aspirojnë të bëhen autokratë.

Në samitin e propozuar të demokracive, Biden-i duhet të vendosë kriteret për atë se çfarë përbën shkelje të standardeve minimale demokratike dhe çfarë kosto do të mbivendosë Uashingtoni mbi vendet që nuk i respektojnë ato. Ai duhet gjithashtu të ftojë vendet tjera që të miratojnë versionet e tyre të kësaj Doktrine të Biden-it. Sa më shumë të ndjekin këtë qasje demokracitë e zhvilluara, aq më të fuqishme do të jenë efektet e saj.

***

 

Ky artikull mbështetet nga “Sbunker” përmes projektit të financuar nga Ambasada Amerikane. Mendimet e shprehura këtu janë të autorit dhe jo medoemos pasqyrojnë qëndrimet e Departamentit të Shtetit.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.