Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Dezinformimi në Ballkanin Perëndimor

Rajoni i Ballkanit Perëndimor është shumë i cenueshëm ndaj dezinformimit nga jashtë, i cili është shtuar në vitet e fundit. Pse ngjan kjo? Çfarë duhet të bëhet për ta ndalur?

Demonizimi i Shteteve të Bashkuara dhe NATO-s; paraqitja e BE-së si e dobët dhe e ndarë; reklamimi i fuqisë ushtarake të Rusisë dhe superioritetit të vaksinave, dhe pretendimi se prodhuesit perëndimorë të vaksinave janë të korruptuar; zmadhimi i perceptimit të kërcënimeve, miteve dhe tensioneve etnike – këto janë disa nga temat më të shpeshta të dezinformimit që promovohen nga Kremlini në mediat në gjuhën serbe në Ballkanin Perëndimor. Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi dhe Serbia janë më të prekurat nga operacionet informative ruse që përpiqen të dëmtojnë Bashkimin Europian dhe NATO-n në rajon.

Në një kuptim më të gjerë, dezinformimi është fenomen i përhapur në Ballkanin Perëndimor i shkaktuar nga faktorët e brendshëm. Pa përjashtim, të gjitha kombet në rajon janë të prekura. Kur është çështja te dezinformimi nga jashtë, Serbia konsiderohet epiqendër. Studimi i fundit rreth dezinformimit nga Parlementi Europian e quajti “trampolinë për operancionet e dezinformimit rus në Ballkanin Perëndimor”.

Rrjedhja e informacionit mes vendeve në rajon nuk njeh kufi. Lidhjet e ngushta shoqërore, historike dhe kulturore mes Serbisë, entitetit të serbëve të Bosnjës në Republika Srpska dhe Mal të Zi, nënkuptojnë se gati të gjitha narrativat mediale, përfshi dezinformimin, rrjedhin përgjatë kufive në baza ditore.

Përmbajtja mediale në serbisht e sponsorizuar nga Kremlini prodhohet, ribotohet, dhe shpërndahet gjërësisht përgjatë rajonit. Ajo konsumohet nga miliona njerëz në shoqëri të brishta dhe me ndarje të brendshme, në një rajon që ka mbajtur tradicionalisht qendrim pozitiv ndaj Rusisë dhe ku perceptimet ende ndikohen nga konfliktet etnike të viteve 1990 dhe fushatës ajrore të NATO-s në Kosovë në mars 1999. Ndryshe nga krahu lindor i BE-së dhe shtetet anëtare të NATO-s, rajonit i mungojnë përvojat historike negative me Moskën, me të cilën kanë të përbashkët fenë ortodokse.

Përtej paraqitjeve idealiste të udhëheqësisë së Rusisë dhe armatimeve të saj, dezinformatat e tilla demonizojnë NATO-n dhe Shtetet e Bashkuara, ndezin tensionet etnike dhe paraqesin Bashkimin Europian si organizatë jofunksionale, raciste, dhe anti-serbe. Kjo zmadhon perceptimet e kërcënimit ndaj popullatës ortodokse si dhe kulturën e kujtesës që e paraqet Rusinë dhe Bashkimin Sovjetik si mbrojtëse të fuqishme përgjatë historisë.

Shpërfaqja e këtyre narrativave në Bosnje dhe Hercegovinë, Mal të Zi dhe Serbi rastëson me aneksimin ilegal të Krimesë më 2014. Shërbimi i lajmeve Sputnik u nis në gjuhën serbe në shkurt 2015, i cili u pasua nga Russia Beyond. Janë shfaqur dhjetëra portale me dhe pa impressum (d.m.th. deklaratë ligjore të pronësisë dhe autorësisë), që gjenerojnë dhe shpërndajnë mesazhe të ngjashme.

Me kohë, media të ndryshme përfshi media të njohura në vendet e prekura, filluan të përdorin në masë të madhe përmbajtje me dezinformata të huaja. Kjo u bë e mundur për shkak të ambientit medial të karakterizuar nga tabloidizimi, logjika ‘clickbait’, standardet e dobëta etike, mungesa e gazetarisë hulumtuese dhe analizës së lajmeve, dhe ndikimet  politike.

Hulumtimi i vitit 2018 dhe 2019 i Qendrës për Hulumtim, Transparencë dhe Llogaridhënie me bazë në Beograd jep të kuptojë se nga të gjithë aktorët ndërkombëtarë në fushën e informacionit në serbisht, Rusia paraqitet me përmbajtjen më pozitive, dhe më së paku negative.

Në praktikë, kjo do të thotë se konsumuesi i rëndomtë i mediave mëson më shumë për avantazhet e pretenduara të tankeve Armata, gazsjellësit Nord Stream 2, për Ukrainën si shtet i dështuar që nuk i thirri mendjes duke u distancuar nga Rusia, ose për raketat hipersonike ose për luftarakët Su-57, se sa për përfitimet nga anëtarësimi i mundshëm në BE për popullatën e Ballkanit.

Ndotja kronike e ambientit informativ me këtë përmbajtje, ndikon në perceptimet e publikut. Ndonëse sondazhet rajonale sugjerojnë se shumica e popullatës në Bosnje, Mal të Zi dhe Serbi janë ende në favor të integrimit në BE, ky sentiment nuk duhet të merret si i mirëqenë. Përkrahja për Bashkimin Europian po bie në Serbi, ku shumica ka opinion të mirë për Rusinë dhe Kinën, dhe qendrimet ndaj NATO-s po bëhen edhe më negative.

Maqedonia ka qenë shembull i propagandës së bashkërenduar, aktiviteteve diplomatike dhe të inteligjencës, për gati dhjetë vite para anëtarësimit të saj në NATO më 2020. Aktivitetet e informacionit tash përqendrohen në paraqitjen e vendit si viktimë të shteteve fqinje, Bullgarisë dhe Greqisë, dhe në akuzimin e qeverisë së tanishme pro perëndimore në Shkup se po dorëzohet para kërkesave të Sofjes sa i përket çështjes së identitetit.

Pandemia rrit propagandën

Kriza e shkaktuar nga Covid-19 po i përforcon narrativat propagandistike të superioritetit dhe demonizimit të Perëndimit. Temat që lidhen më shkencën dhe mbrojtjen përdoren për atë qëllim, të kombinuara me ndihma pandemike ushtarake të quajtur nga disa ekspertë si “diplomaci ventilatorësh”.

Në mesin e nëntorit, disa ditë para se qeveria serbe njoftoi për blerjen e 1.8 milionë vaksinave të Pfizer-it, prodhuesi amerikan i vaksinave u portretizua nga Sputnik Serbia pa kurrfarë fakti si i korruptuar dhe “i mangët”, ndërkaq vaksina ruse u portretizua si superiore dhe si zgjedhje më e mirë për Serbinë. Versione të ndryshme të storieve për superioritetin e vaksinës ruse u shpërndanë nga mediat në Serbi dhe Mal të Zi.

Gjatë valës së parë të pandemisë, aktivitetet e dezinformimit u përpoqën të shfrytëzonin Serbinë dhe Republika Srpspkën për të ilustruar ndihmën e efektshme ruse, për dallim prej paaftësisë së supozuar të NATO-s për të ndihmuar shtetin e saj anëtar Malin e Zi në kohë krize.

Në prill 2020, me pompozitet të madh medial, 11 aeroplanë rusë me 87 mjekë ushtarakë, specialistë bërthamorë biokimikë dhe pajisje, ateruan në Serbi për dezinfektuar rrugët, spitalet dhe barakët anekënd vendit. Edhe pse Serbia posedon kapacitete ushtarake për të tilla qëllime, këto u lanë nën hije nga miqtë. Imazhi i sajuar medial i ndihmës “kritike” të huaj, pati ndikim të rëndësishëm në dialogun publik. Një aktivitet i ngjashëm u zhvillua edhe në Republika Srpska.

Në anën tjetër, dezinformimi vazhdoi të paraqiste Malin e Zi si vend të braktisur nga Aleatët në mes të krizës, ndërkohë që detyrohej të shpenzonte para për anëtarësinë në NATO, në vend se të përmirësonte sistemin shëndetësor.

Në të njejtën kohë, u shfaqën teori të çmendura konspirative të përqafuara nga gjeneralë rusë: se pandemia nuk ishte e vërtetë dhe se ishte pjesë e një operacioni special nga qendrat sekrete të pushtetit, dhe se në fakt Covid-19 ishte prodhuar nga CIA.

Stërvitjet ushtrake Exercise Defender-Europe 20 të udhëhequra nga SHBA-ja shërbyen gjithashtu si motor për teori të tjera konspirative, si pjesë e narrativit dezinformues të Covid-19, duke demonizuar edhe Shtetet e Bashkura edhe NATO-n. Paralelisht, u prodhua përmbajtje për të mbitheksuar forcën e Rusisë dhe superioritetin e saj ushtarak ndaj Perëndimit – temë e cila rezonon mirë në Serbi – ku p.sh. rolin kryesor luante raketa hipersonike Zircon, e cila u prezentua si armë superiore që kishte shkaktuar panikë në Perëndim.

Eksploatimi i aktiviteteve dypalëshe

Rusia ka eksploatuar gjithashtu propagandën e aktiveteve të mundshme dypalëshe me vëllezërit e saj sllavë, si duke i dërguar porosi Perëndimit ashtu edhe duke bërë për vete zemrat dhe mendjet e popullatës lokale.

Për shembull, aktivitetet ushtarake dypalëshe të Rusisë me Serbinë – vend i cili përpiqet të mbajë neutralitetin ushtarak dhe të bashkëpunojë edhe me anëtarët e NATO-s edhe me Rusinë – u përdorën për të prodhuar narrativa rreth rolit mbrojtës të Rusisë ndaj Serbisë.

Rusia zgjeroi marrëveshjen dypalëshe për dhurimin e gjashtë MiG-29 për të mbushur zbrazëtirën e resurseve të Serbisë në monitorimin ajror, duke ofruar pajisje të cilat Beogradi nuk i kërkoi. Kështu, 30 tanke T-72 dhe 30 tanke BRDM-2 u përfshinë në marrëveshje. Tanket e para u dërguan në nëntor 2020, duke çuar porosinë se “nuk ka nevojë për më të mirë, duke pasur parasysh dobësitë e ushtrive të vendeve fqinje.”

Në stërvitjet dypalëshe kundër terrorizmit “Srem 2014”, të mbajtura në rrafshinat veriperëndimore të Serbisë, Rusia zgjeroi skenarin fillestar duke shtuar hedhjet me parashutë të automjevete të blinduara ushtarake. Marrë parasysh afërsinë me Kroacinë, Hungarinë dhe Rumaninë, kjo dërgoi mesazhin e zotësisë për të vepruar në thellësi të territorit të NATO-s.

Në mënyrë të ngjashme, gjatë stërvitjeve të “Mburojës Sllave” më 2019, sistemi S-400 u pozicionua përkohësisht në Serbi. Një fushatë e masmedias plot me flamuj të spikatur dhe të dukshëm rusë, ushqeu spekulimin se Rusia mund ta ketë lënë sistemin raketor në vendin nikoqir.

Stërvitjet kundërterroriste “Vëllazëria Sllave” të planifikuara për këtë vit me Bellorusinë dhe Serbinë në Brest, do të kishin paraqitur një mundësi të re për Rusinë që të zmadhojë këto narrativa. Megjithatë, Beogradi anuloi pjesëmarrjen në stërvitje, e cila – në një skenar të ndryshuar – simulonte konfliktin me forcat e NATO-s përgjatë kufirit me Poloninë.

Lartësimi i të kaluarës

Aktivitetet në hapësirën e informimit përqendrohen gjithashtu në kulturën e kujtesës, duke zmadhuar narrativat rreth viktimizimit historik dhe duke lartësuar rolin e Bashkimit Sovjetik.

Më 2017, Sputnik Serbia nisi ndërtimin e një monumenti të viktimave të sulmeve ajrore të NATO-s më 1999. Në maj 2019, marshi i “Regjimentit të Pavdekshëm” të Rusisë (ata të cilët morën pjesë në ‘Luftën e Madhe Patriotike’) u festua në Beograd. I ndikuar nga Moska, përkujtimi përmbante ikonografi dhe narrativ që devijonte nga tradita e nderimit të veteranëve jugosllavë të Luftës së Dytë Botërore. Është interesant që veteranët e luftës së vitit 1999, që nuk kishin marrë pjesë ndonjëherë më pare, ishin pjesë e kësaj ngjarjeje.

E ardhmja e pasigurt

Fatkeqësisht, vendet e Ballkanit Perëndimor si Bosnja, Mali i Zi dhe Serbia, me shumë gjasë në të ardhmen do të vazhdojnë të jenë tokë pjellore për dezinformimin nga jashtë, për shkak të faktorëve të jashtëm dhe të brendshëm.

Politika e jashtme e Serbisë bazohet në “katër shtyllat” e vendosjes së marrëdhënieve të ekuilibruara me Bashkimin Europian, Shtetet e Bashkuara, Rusinë dhe Kinën. Edhe pse anëtarësimi në BE mbetet qëllim strategjik, vëmendje e veçantë i kushtohet marrëdhënieve me Moskën dhe Pekinin, të cilat nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, ndryshe prej shumicës së anëtarëve të BE-së dhe NATO-s. Kjo krijon një ambient të përshtatshëm për aktivitet të aktorëve të huaj në hapësirën mediale.

Në të njejtën kohë, Republika Srpska ndjek poltikën e Beogradit të neutralitetit ushtarak, por nuk aspiron t’i bashkohet NATO-s dhe kërkon të ndërtojë marrëdhënie me Rusinë.

Pozicionimi politik dhe çështja e pazgjidhur e statusit të Kosovës vazhdojnë të ngadalësojnë integrimin e Serbisë në BE dhe përspektivat e anëtarësimit në NATO për Bosnjen. Kjo ia mundëson Moskës të vazhdojë të paraqitet si mbrojtëse e interesave serbe. Përmes promovimit të vazhdueshëm të narrativave të përzgjedhura, Kremlini do të vazhdojë të konsolidojë ndikimin e saj në rajon.

Për më tepër, siç dëshmohet në një raport të Parlamentit Europian, ka gjasë që do të duhen vite, e mbase dekada, për të zgjidhur problemet ekzistuese në hapësirën mediale të Bosnjes, Malit të Zi dhe Serbisë, dhe vendeve të tjera të rajonit. Këto përfshijnë zbatimin e dobët të ligjeve ekzistuese, klientelizmin, politizimin, korrupsionin, fushatat e njollosjes, krimet e urrejtjes dhe shpifjet, çështjet e privatizimin dhe pronësisë së mediave (raporti Clingendael “Refuzimi i lirisë së medias dhe raportimi i njëanshëm mbi aktorët e huaj në Serbi”, korrik 2020).

Çështja ndërlikohet edhe më tej nga vetë natyra e mediave online në rajon. Kjo ilustrohet mirë në rastin e Serbisë, ku ka më shumë se 2000 media të regjistruara. Kjo çon te mangësitë si vlera e pamjaftueshme e tregut medial; mungesa e stafit në redaksitë e lajmeve që janë të prirura të reciklojnë materiale nga mediat tjera, në vend se të ofrojnë raportim origjinal; gazetari e cilësisë së dobët dhe mungesë ekspertize për të hetuar dezinformimin, posaçërisht në lidhje me temat e specializuara.

Marrë parasysh këtë ambient sfidues, realiteti paralel i përcaktuar nga narrativat propagandistike, do të vazhdojë t’i japë formë hapësirës informative. Do të ketë edhe më shumë storie për shtetin e plotfuqishëm me lidership dhe mbrojtje të pashoq, që prodhon mrekulli mjekësore dhe armë të fuqishme.

Nuk ka shkop magjik

Siç tregon shembulli i Serbisë, nuk ka shkop magjik për të zbutur efektet e dezinformimit në Ballkanin Perëndimor. Aplikimi i zgjidhjeve bazuar në praktika të pjesëve tjera të Europës nuk mjafton – nevojitet një qasje më e gjërë dhe më inovative, me përkrahje dhe koordinim ndërkombëtar.

Rajonit i mungon infrastruktura e nevojshme për të luftuar dezinformimin. Kjo është pasojë e institucioneve të dobëta dhe qendrimeve pozitive të shumicës ndaj Rusisë, aktivitetet informative të së cilës nuk shihen si kërcënim.

Prandaj, nismat shtetërore për të ngritur vetëdijen e qytetarëve përmes edukimit (sikurse në Finlandë për shembull) janë vetëm në fazat fillestare në rajon dhe merren përgjithësisht me lexueshmërinë dhe reformën e mediave, e jo posaçërisht me dezinformimin.

Në nëntor 2020, nën patronatin e Minstrisë së Kulturës së Serbisë dhe Bashkimit Europian, u mbajt punëtoria e parë për lexueshmërinë e mediave në një shkollë fillore të Beogradit. Një seri televizive për edukimin e fëmijëve u lançua në telvizionin publik.

Në Bosnje dhe Hercegovinë, Mal të Zi dhe Serbi, organizatat ndërkombëtare dhe sektori civil janë aktivë në projektet e trajnimeve për lexueshmërinë e mediave dhe luftimit të dezinformimit, por aktivitetet janë të fragmentuara dhe pa qasje të koordinuar (“Dezinformimi në sferën online” – raport i Shoqatës së Qytetarëve “Pse Jo”).

Në janar 2020, pas shumë viteve vonesë, me ndihmën e Bashkimit Europian, OSBE-së, Norvegjisë dhe Konrad Adenauer Stiftung, qeveria e Serbisë miratoi strategjinë e re për media për periudhën deri më 2025. Kjo ka për qëllim të ndihmojë në zgjidhjen e disa prej problemeve të kahershme në sferën mediale, ndonëse ka mendime të ndryshme për prospektetet e zbatimit të saj.

Disa portale për verifikimin e fakteve tashmë janë lançuar në rajon. Edhepse element i rëndësishëm në luftën kundër dezinformimit, verifikimi i fakteve është reaktiv për nga natyra dhe ka audiencë të kufizuar. Për më tepër, kundërpretendimet shfaqen ditë ose javë më vonë dhe nuk mund të mbajnë ritimin e përmbajtjes propagandistike të prodhuar në masë.

Një qasje radikale do të ishte trajnimi i gazetarëve për të hetuar dezinformimin dhe zhvilluar ekspertizë në fusha të specializuara, për të prodhuar përmbajtje cilësore të bazuar në fakte. Sido që të jetë, shumica e mediave nuk kanë nevojë për ekspertizë të tillë, marrë parasysh se ky ambient nuk shpërblen përpjekjet e tilla. Redaksitë punojnë me mungesë stafi dhe paga të vogla, dhe janë të detyruara të përqendrohen në sasi, në vend se në cilësi të përmbajtjes. Për pasojë, gazetarët shpesh ndryshojnë redaksi, e lënë profesionin, ose kalojnë në sekstorin më profitabil të komunikimit korporativ. Kjo i bën efektet e dëshiruara të trajnimeve kryesisht të pakuptimta.

Për të ndryshuar këtë, kërkohen platforma mediale që u mundësojnë gazetarëve lokalë të punojnë në kapacitet të plotë, të përdorin ekspertizën dhe të prodhojnë paraprakisht përmbajtje të bazuar në fakte, para se të ndodhë dezinformimi. Platformat e tilla mund të ndërtohen përmes koalicioneve lokale, rajonale ose më të gjëra, të raportimit të bazuar në fakte, të mbështetur në dije, ekspertizë, aplikim të standardeve të larta, burime të verifikueshme dhe trajnime në vendin e punës.

Përpjekjet e koordinuara proaktive janë thelbësore dhe të aplikueshme përtej rajonit të Ballkanit, për të adresuar brishtësinë universale të shoqërive demokratike ndaj mesazheve të thjeshta të dezinformimit, populizmit dhe ekstremizmit.

***

Artikulli origjinal në NATO Review, më 21 dhjetor 2020

***

 

Ky artikull mbështetet nga “Sbunker” përmes projektit të financuar nga Ambasada Amerikane. Mendimet e shprehura këtu janë të autorit dhe jo medoemos pasqyrojnë qëndrimet e Departamentit të Shtetit.

Lexoni Gjithashtu

Disinfo

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.