Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Dhjetëvjeçari i durimit: Si u bë Kina fuqi në Ballkanin Perëndimor (pjesa I)

Qasja e formalizuar, gati shpërfillëse e Kinës karshi Ballkanit Perëndimor fsheh një shkathtësi befasuese dhe qëllim strategjik. Në dhjetëvjeçarin e fundit, vendi është bërë lojtari i tretë më i spikatur në këtë pjesë të fqinjësisë së Bashkimit Europian. Gjithnjë e më shumë dëshmi janë shfaqur se Pekini po e zgjeron dhe e ngulit praninë nëpër Ballkanin Perëndimor në lloj-lloj sektorësh, teksa angazhohet gjithnjë e më shumë aktorë lokalë. Procesi duket se po përshpejtohet në kohën kur Perëndimi po tregon konsensus rreth sfidave që paraqiten nga ndërhyrjet e Pekinit në rajon.

Ky kujdes i ri për Kinën bie ndesh disi me imazhin publik të vendit si burim i mundësive të jashtëzakonshme ekonomike në epokën e ndryshimeve gjeopolitike. Natyrisht, shumica e analizave të aktiviteteve të Kinës në Ballkanin Perëndimor përqendrohen në bashkëpunimin ekonomik dhe investimet në rajon në dhjetëvjeçarin e fundit. Megjithatë, nismat më të gjera politike, sociale dhe kulturore të Pekinit meritojnë vëmendje më të madhe – të cilën vetëm tash kanë filluar ta marrin. Kina po futet në nje skenë të re angazhimi me Ballkanin Perëndimor, duke zbatuar politika të ndërveprimit të shtuar në një varg, me pjesë të ndryshme të shoqërisë politikash.

Kjo analizë përshkruan qasjen ekspansive të Kinës ndaj Ballkanit Perëndimor, e cila përqendrohet në zhvillimin e një sërë marrëdhëniesh me individë dhe institucione (shumë prej tyre duke filluar me një numër relativisht të vogël). Këto marrëdhënie – të cilat përfshijnë gjithçka, që nga infrastruktura dhe energjia te kultura, mediat, dhe politikat partiake – kanë për qëllim të promovojnë narrativat dhe interesat kineze. Për këtë qëllim, Pekini ka eksploatuar ambivalencën gjeopolitike të shumë qendrave Perëndimore, duke shtënë në dorë mundësitë për të investuar në sektorë strategjikisht të rëndësishëm, që lindin nga boshllëqet e vazhdueshme zhvillimore mes Ballkanit Perëndimor dhe BE-së, si dhe mungesa e bashkërendimit të qendrueshëm politik dhe ekonomik e rajonit me bllokun.

Në fund, analiza tregon sesi liderët kinezë kanë shfrytëzuar afërsinë politike me elitat në shtetet e kapura. Pekini po krijon shtysa për bashkëpunim përbrenda këtyre grupeve dhe më tej, ku shumë qytetarë të vendeve të Ballkanit Perëndimor po zgjedhin mendësinë transaksionale, përderisa ëndrrat e tyre për integrim europian veniten. Ky proces po çon grardualisht në ngritjen e një ekosistemi ekonomik dhe politik, në të cilin Kina dhe vendet e Ballkanit Perëndimor kanë të përbashkët interesa të rëndësishme.

Fushat kryesore të bashkëpunimit

Kina ka punuar gjatë për të ndërtuar koalicione të përshtatshme me qeveritë në pushtet dhe partitë e mëdha në Ballkanin Perëndimor, shpesh duke nënshkruar marrëveshje të drejtpërdrejta me ta, të cilat i nënshtrohen fare pak mbikëqyrjes parlamentare. Bashkëpunimi i tillë qeveritar dhe partiak ndodh në nivelet dypalëshe dhe shumëpalëshe, të shumtën e rasteve përmes kornizave të 17+1 – format bashkëpunimi i udhëhequr nga Kina që përfshin një sërë vendesh të Europës Qendrore dhe Lindore – sikurse Dialogu i Partive Politike China-CEEC dhe Forumi i Liderëve të Rinj China-CEEC. Kina merr pjesë gjithashtu në Dialogun e Partive Politike të Botës, si pjesë e përpjekjeve të Partisë Komuniste të Kinës që të plotësojë bashkëpunimin ndërshtetëror me atë që bazohet në afërsinë ideologjike.

Megjithatë, shembja e regjimeve të personalitetit në Ballkanin Perëndimor sikurse ai në Mal të Zi, e ka detyruar Kinën që të diversifikojë me shpejtësi lidhjet partiake. Ky proces i diversifikimit duket qartë gjithashtu në shtetet si Bosnja e Hercegovina – ku ndihmohet nga struktura kushtetuese e vendit, e cila siguron barazi mes tri njësive kushtetuese. Në mënyrë të ngjashme, Pekini e ka bërë bashkëpunimin partiak komponent të marrëdhënies me kryeministrin e Maqedonisë, Zoran Zaev.

Zgjerimi i këtyre lidhjeve është pjesë e një trendi afatgjatë të Kinës. Për shembull, bashkëpunimi partiak mes Partisë Demokrate të Socialistëve të Malit të Zi dhe Partisë Komuniste të Kinës daton që më 2010. Serbia dhe Kina shtuan dimensionin e bashkëpunimit partiak në partneritetin strategjik, që e nënshkruan më 2009. Ndërveprimet e tilla janë në rritje, madje edhe në Kosovë: përkundër mosnjohjes së pavarësisë se vendit, të dy palët kanë mbajtur mërrëdhënie joformale në Prishtinë dhe në Kombet e Bashkuara. Për këtë arsye, Kosova duket se në mënyrë të nënkuptueshme nuk ka pranuar ta njohë pavarësinë e Tajvanit, me gjasë në përpjekje për të fituar kapital diplomatik me Kinën. Ndërsa shefi i zyrës përfaqësuese të Kinës në Prishtinë ka konsoliduar gradualisht profilin e tij publik. Kina ka provuar të rrisë praninë e saj në Kosovë duke ofertuar  – ndonëse pa sukses – që të ndërtojë termocentralin e qymyrit dhe t’i shesë pajisje Huawei Telekomit të Kosovës.

Në dhjetëvjeçarin e fundit ka pasur gjithashtu rritje të bashkëpunimit administrativ e institucional të Kinës me vendet e Ballkanit Perëndimor. Tradicionalisht, përderisa BE-ja ka qenë e vendosur të bëjë harmonizimin ligjor dhe institucional me këto vende në relacion me procesin e hyrjes në BE, Kina është përqendruar në bashkëpunim praktik me ministri, agjenci shtetërore, dhe firma të përshira në infrastrukturë, energji dhe financa. Angazhimi i tillë kinez përfshin shkëmbime vizitash shtetërore, nënshkrime memorandumesh mirëkuptimi, udhëtime studimore, dhe nisma të firmave kineze në rajon. Poashtu, përfshin kërkimin e mundësive për projekte të përbashkëta dhe krijimin e marrëdhënieve personale dhe institucionale, në vend se sinkronizimin e politikave, e praktikave, apo e qasjeve. Megjithatë, Kina tash po e zgjeron bashkëpunimin e saj formal dhe joformal me komunat përgjatë rajonit, duke u bazuar në 17+1 dhe punën e ambasadave lokale kineze.

Fuqia kulturore

Pekini ka një qasje gjithnjë e më ekspansive dhe të strukturuar ndaj përdorimit të kulturës si vegël diplomatike në Ballkanin Perëndimor. Ndonëse gjithmonë ka pasur rol në diplomacinë kineze deri në një masë, kultura çdoherë ka qenë në rend të dytë pas fuqisë ekonomike – por Pekini po punon për ta ndryshuar këtë. Për pasojë, kultura kineze po merr rëndësi publike nëpër rajon. Kjo është e dukshme, për shembull, në festimet e vitit të ri kinez, të cilat janë mbajtur tradicionalisht në premisat e ambasadave, e jo në mbledhje ekskluzive për elitat lokale. Më 2019, ambasada kineze në Tiranë organizoi festë në sheshin kryesor të qytetit, ku kremtimet dhe ekspozitat zgjatën për dy javë. Ambasadori kinez shfrytëzoi këtë rast për të deklaruar se Kina do të financonte ndërtimin e një stacioni të ri autobusësh në qytet.

Njëkohësisht, Pekini po diversifikon diplomacinë kulturore gjithashtu. Këtë po e bën duke plotësuar institucionet  tradicionale të gjuhës si Institutet e Konfucit  – operacionet e të cilëve kanë zgjuar kritika në shumë vende – me institucione të tjera. Kjo nismë përqendrohet në themelimin e qendrave kulturore kineze, të cilat kanë llojllojshmëri më të gjërë aktivitetesh dhe fokusohen në ndërveprimin dhe bashkëpunimin kulturor – kryesisht të fokusuar në arte, pëfshirë letërsinë, fotografinë, garat e eseve, leximet, koncertet, ekspozitat, e madje edhe kurset e gatimit. Qendra më e madhe nga to është afër mbarimit dhe planifikohet të jetë plotësisht funksionale dhe të hapet këtë vit në Beograd. Ajo po ndërtohet në vendin simbolik të rëndësishëm të ambasadës kineze që u bombardua nga NATO më 1999, ku u vranë tre gazetarë kinezë. Kina planifikon që në vitet në vazhdim të krijojë institucione të ngjashme në Tiranë, pas themelimit të të tjerave në kryqetetet e Europës juglindore, si në Sofje, Athinë dhe Bukuresht.

Për kuriozitet, kultura gjithashtu luan rol gjithnjë e më të madh në turizmin kinez në Ballkanin Perëndimor. Për shembull, filmi i vitit 1972 ‘Valteri mbron Sarajevën’ [Walter Defends Sarajevo] është shumë i njohur tek publiku më i vjetër në Kinë, ngaqë ishte një prej të paktëve që u shfaq gjatë Revolucionit Kulturor. Tash për tash, filmi është pikë e madhe referimi diplomatike në marrëdhëniet dypalëshe dhe magnet për turistët kinezë, të cilët vijnë me mijëra çdo vit (para pandemisë).

Kjo i ka ndihmuar rritjes së dukshme të turizmit kinez në Ballkanin Perëndimor në vitet e fundit, turizëm që është i përhapur në të gjithë rajonin. Turizmi shpejt po bëhet fushë kryesore e ndërveprimit në marrëdhëniet dypalëshe të Kinës me vendet e rajonit, përderisa ekonomitë lokale kërkojnë të përfitojnë nga tepricat e rritjes së shpejtë të klasës së mesme kineze. Procesi është lehtësuar nga heqja e vizave për qytetarët kinezë.

Kina po i kushton më shumë vëmendje kulturës në përmbajtjen mediale që gjeneron dhe promovon në rajon, sikurse shtojcat e ndryshme që boton në gazetat e vendeve si Serbia, Bullgaria dhe Kroacia. Një trend i ngjashëm është i dukshëm në praninë mediale dhe aktivitetet online të Radios Ndërkombëtare të Kinës, e cila mbulon artin, stilin, dhe kuzhinën.

Pekini promovon kulturën kineze brenda 17+1, shpesh përmes një qendre në Shkup. Ndërsa Kina dhe vendet e Ballkanit Perëndimor ende kanë relativisht pak shkëmbime kulturore dhe ngjarje të përbashkëta, aktivitetet e 17+1 në të këtë zonë janë zgjeruar – kryesisht për shkak të punës së një sërë institucionesh kineze, duke e bërë të njëanshme këtë formë të bashkëpunimit.

Kontrolli i narrativit të mediave

Në vitet e fundit është parë një rritje e dukshme në praninë mediale të Kinës nëpër Ballkanin Perëndimor. Vendi paraqitet në numër më të madh lajmesh dhe programesh tjera në rajon. Për shembull, mes vitit 2016 dhe 2019, numri i lajmeve të botuara në Shqipëri që kanë të bëjnë me Nismën Rrip dhe Rrugë (BRI) u rrit nga 42 në 194. Këto storie kryesisht përmbajnë informata faktike, me ton neutral, dhe të orientuara kah çështjet ekonomike, por përgjithësisht pa vlerësim kritik të aktiviteteve të Kinës. Për më tepër, ato paraqesin Kinën si fuqi ekonomike miqësore, të hapur për bashkëpunim dhe të zonjën për të ofruar mundësi financiare dhe të tjera. Është me rëndësi të thuhet se qeveritë në rajon duken se veprojnë si aleatë të Pekinit në këtë politikë informacioni, shpesh duke zmadhuar porositë e tilla, se duke kërkuar joformalisht që të kontrollojnë përmbajtjen e transmetuar.

Marrëveshjet e ndryshme të cilat i nënshkruan qeveria kineze me homologët e saj në Ballkanin Perëndimor rrallëherë kanë mbulesë negative në mediat rajonale. Dhe këto media shpesh duket se shmangin referencat për informacionet rreth kushteve të diskutueshme që lidhen me projektet kineze. Nevoja e ngutshme për zhvillim ekonomik në vendet me liri të kufizuar të medias i lejon qeveritë në rajon ta kontrollojnë rrjedhën e përmbajtjes rreth Kinës dhe marrrëdhënieve dypalëshe me vendin.

Ndërkohë, Pekini gradualisht po rrit përfshirjen e tij të drejtpërdrejtë në prodhimin e përmbajtjes përmes marrëveshjeve të ndryshme të bashkëpunimit me agjencitë shtetërore të lajmeve dhe mediave tjera. Autoritetet kineze furnizojnë informacion dhe përmbajtje të një numri në rritje publikimesh dhe sajtesh mediale, shpesh si shtojca ose seksione lajmesh. Bashkëpunimi shtetëror kinez me gazetarët lokalë tashmë është mekanizëm i mirëvendosur i ndërveprimit, i tillë që përqendrohet posaçërisht në korrespondentët dhe autorët pro kinezë. Pas vizitave studimore në Kinë, gazetarët e tillë pranojnë rregullisht thirrje nga autoritetet kineze për të shkruar storie pozitive rreth përvojave të tyre. Disa prej tyre shkruajnë për ambasadat lokale kineze dhe marrin pjesë në projekte të ndryshme të paguara nga Pekini.

Ambasadorët kinezë gjithashtu po e rrisin gradualisht angazhimin e tyre me gazetarët në rajon. Në disa vende të Europës juglindore si Kroacia, janë bërë përpjekje të mëdha që të blihen drejtpërdrejt grupe të mëdha mediale dhe një numër radiostacionesh. Pekini po zhvillon formate mediale në të cilat mund të bashkëpunojë me partnerët lokalë për të prodhuar dhe vendosur përmbajtje, gjithnjë e më shumë në stil, kulturë dhe kuzhinë. Një shembull i kësaj është Rrjeti i Lajmeve Rrip dhe Rrugë, pjesë e BRI-së.

Në pajtim me zhvillimet në pjesët e tjera të botës, diplomatët kinezë dhe mediat po e rrisin shpejt praninë e tyre në rrjetet sociale në Ballkanin perëndimor, ku ambasadorët po krijojnë llogari në Facebook dhe Twitter për të shpërndarë mesazhe zyrtare. Në vendet si Maqedonia Veriore, diplomatë të caktuar kinezë kanë ndërmarrë hapin edhe më ambicioz duke krijuar uebfaqet dhe llogaritë personale për të promovuar përmbajtje që është shumë kritike ndaj Perëndimit. Ndonëse kjo nuk është aq e fortë sa diplomacia kineze “luftëtar si ujku” që ka irrituar shumë qeveri perëndimore gjatë pandemisë, prapëseprapë është metodë e fortë e pozicionimit publik.

Pekini ende nuk është në gjendje të shpërndajë në mënyrë të vazhdueshme dhe koherente narrativët e saj në Ballkanin Perëndimor. Por nuk ka dyshim se është duke marrë pozicione në peizazhin medial që i ndihmon t’i paraqesë veprat e tij me sy të mirë.

Marrëdhëniet akademike dhe ndërpersonale

Lidhjet akademike dhe ndërpersonale mes Kinës dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor po shtohen gjithashtu. Kjo tipizohet nga shtrirja dhe intensiteti gjithnjë e më i madh i ndërveprimit mes akademive kombëtare të shkencave, të cilat vazhdojnë trashëgiminë e bashkëpunimit nga dhjetëvjeçarët e kaluar. Për shembull, Akademia serbe e Shkencave dhe Arteve së fundmi nënshkroi një marrëveshje të gjërë me homologen e saj kineze. Platformat si Institutet e Konfucit dhe departamentet e Sinologjisë në universitetet shtetërore gradualisht po plotësojnë aktivitetet e tyre – nganjëherë përmes praktikave mjaft innovative. Për shembull, Instituti i Konfucit dhe Universiteti i Banja Llukës në Bosnje po zgjerohet në hulumtim dhe mësim (përfshi lëndë universitare) të lëndëve që kanë lidhje me Kinën. Udhëheqësit e institutit vizitojnë rregullisht shkollat e mesme për të nxitur mes studentëve interesin në Sinologji.

Akademikët kinezë po marrin detyra afatgjate në Bosnje dhe po kërkojnë të nisin projekte hulumtimi atje. Më gjerësisht, universitetet private në Europën juglindore kanë filluar të zhvillojnë marrëdhënie të mirëfillta institucionale me homologët e tyre kinezë. Një shembull është Universiteti i Donja Gorica në Mal të Zi, i cili është nikoqir i një sërë ligjëruesish nga Kina, ofron lëndë të magjistraturës që kanë të bëjnë me Kinën, dhe madje ofron edhe versionin kinezisht në uebfaqen e tij. Themeluesit e universitetit thuhet se janë të afërt me presidentin Milo Djukanovic, i cili njihet gjerësisht për qasjen e tij miqësore ndaj Kinës.

Një tip i ngjashëm bashkëpunimi është duke u brumosur në Kroaci, ku Shkolla e Biznesit në Zagreb po nis projekte të ndryshme bashkëpunimi me Kinën. Dhe autoritetet kineze po ftojnë një numër të qytetarëve të vendeve të Ballkanit Perëndimor që kanë studiuar në Kinë, që të zhvillojnë lidhjet e tyre me akademinë kineze pas përfundimit të studimeve. Disa prej këtyre studentëve kanë mbajtur pozitat e mësimdhënies në Kinë, ndërkaq të tjerët kanë marrë pjesë si konsulentë në projekte të ndryshme – më së shumti në çështjet si historia dhe politika rajonale, dhe zhvillimi i projekteve. Disa prej tyre kanë zhvilluar programe dhe hulumtime të reja në universitetet në rajon.

Në vitet e fundit, universitetet dhe qendrat hulumtuese kineze kanë zhvilluar me shpejtësi ekspertizën e tyre mbi vendet e Europës juglindore dhe qendrore. Sot janë gjithsej 23 departamente universitare dhe struktura të tjera në Kinë, ndërkohë që në dhjetëvjeçarin e fundit, vendi ka themeluar 30 qendra të tjera që fokusohen në shtetet e posaçme në rajon. Instituti China-CEE i mbështetur nga Pekini dhe me bazë në Budapest, po bëhet qendër gjithnjë e më e rëndësishme për kërkim dhe analizë. Instituti ndihmon integrimin e ekspertëve pro kinezë në komunitetet akademike, kërkimore dhe analitike.

Ambiciet infrastrukturore

Menjëherë pas krizës financiare të vitit 2008, Kina arriti një shkallë të ndikimit mbi infrastrukturën detare të Europës juglindore duke shtënë në dorë portin grek të Pireut. Disksursi publik rreth korridorit tokësor që kalon nga porti drejt Europës qendrore dhe perëndimore e ka lënë në hije aktivitetin e Pekinit në Ballkan. Prapëseprapë, përpjekjet kineze për të shtënë në dorë portet e rajonit dhe për të krijuar zona industriale ngjitur me to, datojnë që në fund të viteve 2000. Për shembull, në Shqipëri kjo nismë fillimisht u përqendrua në portin e Durrësit. Që atëherë, Kina është përqendruar në Vlorë – përkundër ballafaqimit me pengesa të ndryshme politike, shumica prej tyre të krijuara nga hyrja e Shqipërisë në NATO.

Pekini ka vazhduar përpjekjet për të përforcuar pozicionin përgjatë bregut Adriatik, si në fushën dypalëshe ashtu edhe në 17+1. Në këtë drejtim, konzorciumi kinez ofertoi më 2020 për ndërtimin e terminalit të ri në portin kroat të Rijekës. Para disa vitesh, firma kineze Luxury Real Estate Company bleu askione në portin kroat të Zarës. Momentalisht, Kina po ndërton linjat hekurudhore që kalojnë përmes Kroacisë, vendeve tjera në Adriatik, dhe shteteve të Europës qendrore. Kjo nismë ka gjasë të përshpejtohet, përderisa marrëdhëniet mes Zagrebit dhe Pekinit përmirësohen në vitet e ardhshme.

Këto projekte lidhen gjithashtu me investimet tjera infrastrukturore të Kinës në Ballkanin Perëndimor, sikurse ato në hekurudha e rrugë në Maqedoninë e Veriut, dhe në zonat industriale në rajon. Disa firma kineze tashmë kanë blerë tokë afër rrjeteve hekurudhore në pritje të investimeve të ardhshme. Për shembull, ish qeveria e VMRO-DPMNE në Maqedoninë e Veriut kishte plan të themelonte zona të veçanta në det të hapur me përfshirjen kineze – por këto plane nuk patën fryt. Poashtu, Kina ka apetit për qytetin malazez të Barit, në pritje të ndërtimit të autostradës Bar-Boljare.

Nëse qeveritë e Ballkanit Perëndimor nuk janë në gjendje të paguajnë huatë kineze për projekte të tilla, ato mund të obligohen kontraktualisht që t’i transferojnë Pekinit pronësinë e porteve e aseteve të ndyshme tokësore.  Kjo do t’i jepte Kinës fuqi të konsiderueshme në rajon. Për shembull, Kina mund të vazhdojë bashkëpunimin me Malin e Zi në portin e Barit duke shfrytëzuar vështirësitë e mëdha financiare të pronarëve të portit, gjë e cila mund ta çojë në dorëzim.

Firmat kineze kanë menduar madje që të ofertojnë për projektet infrastrukturore në Kosovë, përkundër shansit shumë të vogël që këto oferta të kenë sukses. Projektet e autostradave të Pekinit në Bosnje dhe Hercegovinë, dhe interesi i kahershëm në ndërtimin e hekurudhave, janë tregues të tjerë të ambicieve infrastrukturore kineze në rajon. Për gati një dhjetëvjeçar, Kina është munduar të fitojë terren përgjatë bregut Adriatik (përkundër faktit që këto përpjekje janë bërë pa u vërejtur). Anëtarësia në NATO e disa vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe lidhjet e tyre të forta me Shtetet e Bashkuara i ndërlikojnë këto ambicie, por Kina ka treguar përqendrim mbresëlënës në qëllimin e saj dhe nuk e ka mendjen të ndalet.

***

Image

 

Ky artikull mbështetet nga “Sbunker” përmes projektit të financuar nga Ambasada Amerikane. Mendimet e shprehura këtu janë të autorit dhe jo medoemos pasqyrojnë qëndrimet e Departamentit të Shtetit.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.