Nji përmledhje e shkurtë; analizë e thjeshtë e sipërfaqësore po deshët, e shkrimit së datës 31 Gusht 2015 të të ashtuquajtunit “shtetndërtuesit të Kosovës së re, me mision të ri e gjithçka të re” në “Independent”.
Ish kryeministri juej, që e kemi në kujtesë si dashnor të dhunshëm që edhe kur s’asht ma, nuk të hjeket qafe, i drejtohet krejt botës me nji dilemë shumë të fortë: a me thanë UÇK a me thanë forcë guerile? Zgjidhja? Kuptohet, mediokre. Herë i thotë ashtu, e herë kështu, pse jo? Ndoshta ka mendue se ma shumë se titullin nuk e lexon kurrkush, përderisa i ka shkruejt ato reshta dhe me këtë logjikë natyrisht nuk ka harrue qysh në titull me i vendosë dy fjali për me u sigurue që bile ato me mrri aty ku janë nisë: “Unë ndihmova me e rrëzue Sllobodan Millosheviçin. Tashti kemi shpresë për drejtësi për qytetarët tanë” fjali këto, me të cilat sikur me me qenë të vërteta absolute, legjitimon veten si shkak e pasojë e “lumtunisë” kosovare, ani pse mundohet me “ndihmova” me u tregue modest, taman si nji intelektual që i shihet puna e s’ka nevojë me folë.
Ish kryeministri juej (dikur drejtor politik i UÇK –ës ose forcës guerile, sot zv. kryeministër dhe ministër i jashtëm i Kosovës në pritje të kryetarllëkut) vazhdon me shkrue në emën të popullit, qysh duket i fascionuem me idetë që i sillen në kokë ose me anticipimin e llajkave pas botimit në “independent”, ashtu diçka si mbret i vetëshpallun në nji monarki që qëndron jo për arsye të mungesës të kundërshtimit, por se asht vështirë për njerëzit që ecin në tokë të bukës me i penetrue muret e nji kulle të ndërtume aq nalt mbi tokë. Ai, para se me i’a nisë me folë për të kaluemen e largët, shkrimin e fillon me të kaluemen e afërt, tue i’a dedikue vetës meritat e lavded e punës së tij të shkëlqyeshme, me i bind deputetët me votue gjykatën speciale, të cilën e quen me rezervë diplomatike “instrument ligjor të pazakonshëm” si shansë për me vue drejtësisë në vend, “përmes proceseve gjyqësore të besueshme që janë të pavaruna dhe të menaxhueme ndërkombëtarisht”. Mirë që ai i bindi deputetët në radhët e partisë së tij, shtrohet pytja kush e bindi ate? Dhe ma shumë se kush, qysh? Për aq sa i’a vlen, më duhet me thanë shyqyr që ndodhi gjithë kjo bindje, ndoshta edhe i’a shohim hajrin.
Ish kryeminsitri i juej (dikur drejtor politik i UÇK –ës ose forcës guerile, sot zv. kryeministër dhe ministër i jashtëm i Kosovës në pritje për krytarllëk) flet për duert e përgjakuna të Millosheviçit, për të cilin “rezistenca guerile e Kosovës u ba nji kërcnim mortor” thotë ai, dhe shton: “duert e tij ishin t’lame në gjak pas vdekjes së dhjetëra mijë njerëzve në Bosnje dhe Kroaci, përfshirë edhe në Srebrenicë” (ndoshta ai nuk e di që Srebrenica asht në Bosnje, prandja e përfshinë Srebrenicën tue e veçue prej Bosnjes.). Ai vazhdon pastaj dhe thotë: “ne besojmë që edhe në Kosovë, Serbia ka ba gjenocid”. Nuk thotë NE E DIJMË, por thotë “BESOJMË”, tue dashtë kështu me aludue që e vërteta asht koncept relativ, e varet prej shkruesit të historisë, varet kush na pyet e varet kujt i drejtohemi. P.sh. nëse jemi tu mbajtë fjalime parazgjedhore në Drenicë, eeeeh, atëherë natyrisht që do të themi që Serbia ka ba gjenocid në Kosovë, pikë. Por, nëse shkruejmë nji artikull për “independent” atëherë do të themi “besojmë”, sepse tingllon ma butë, për mos me thanë tingllon ma diplomatike, për mos me thanë nuk tingllon hiç. S’ka fort lidhje fundi i fundit, ajo çka ka randësi asht që ish kryeministri i juej (dikur drejtor politik i UÇK –ës ose forcës guerile, sot zv. kryeministër dhe ministër i jashtëm i Kosovës në pritje të kryetarllëkut) nuk harron me i shitë përralla botës, qysh i ka shitë popullit të tij që sa vite dhe i’u thotë: “kryengritja jonë ishte nji rast i vërtetë i mposhtjes së Goliatit nga Davidi.” Na me demek ishim Davidi. Jo çfarëdo përralle kjo e Davidit: nji trohë njeri që rrëzoj nji bishë me nji guri. Vetëm se në rastin tonë, në vend të nji Davidi, shumë Davida gjuejtën gurë për me mposhtë bishën, disa bile gjuejtën edhe jetën. Po, po prej perspektivës të sotme e ndoshta pikërisht prej perspektivës të ish kryeministrit të juej, ata nuk e dhanë jetën si dhuratë për lirinë por e gjuejtën, sikur Davidi gurët. Po, po jetën. Por, në përrallën e Davidit, Davidi nuk e jep jetën. Ai shpëton.
Diku tue i’u avytë fundit, ish kryeminsitri juej (dikur drejtor politik i forcës guerile, pardon UÇK-ës, pardon forcës guerile, sot zv. kryeministër dhe ministër i jashtëm i Kosovës në pritje të kryetarllëkut) në shkrimin e tij për “independent” thellohet në reflektime shumëvjeçare dhe konkludon, që “pas luftës nuk shkoi gjthçka sikur që shpresuem. Ne fillimisht arritëm me demilitarizue Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, por disa individë asht e mundshme që kanë qenë të angazhume në veprime kriminale ndaj popullatës minoritare. Shumë serb janë atakue pas luftës, për arsye të hakmarrjes ose për arsye të përfitimit financiar. Këto krime individuale të kryeme prej pak kosovarëve ishin të tmerrshme dhe ne i dënojmë. Por anmiqët tanë kanë pretendue (fjala në anglisht asht e shkrume në të kaluemen “pretended”, që mundet me u nënkuptue që ma nuk po pretendojnë) që këto veprime të izolueme ishin moralisht të njejta me gjenocidin masiv të qeverisë serbe mbi popullin tonë. Kjo asht mizore”. Kaq shumë i fyem, ndaj pretendimeve (në kohën e kalueme) të “anmiqve” tanë, ish kryeminsitri i juej (dikur djetor politik i UÇK-ës ose forcës guerile, sot zv. kryeministër dhe ministër i jashtëm i Kosovës në pritje të kryetarllëkut) vazhdon shkrimin, tani me ton ma të vrazhdë kuptohet: “Unë denoj këto veprime të bame prej kosovarëve, dhe tashti ne kemi gjykatën speciale për me ba ndamjen e veprimeve të ish pjesëtarëve të UÇK-ës nga ato të atyne individëve.”
“Asnji kosovar”, thotë ish kryeminsitri (dikur drejtor politik i UÇK-ës ose forcave guerile të Kosovës, sot zv. kryeministër dhe ministër i jashtëm i Kosovës në pritje për kryetarllëk), “përfshirë edhe mue, nuk ka me qëndrue pasiv e me lejue që gjykata speciale me i barazue veprimet e Sllobodan Millosheviçit, të të ashtuquejtmit “kasapi i Ballkanit”, me veprimet e individëve të dëshpruem ose kriminel, të bame gjatë ose pas luftës”. Ish kryeminsitri i juej (dikur drejtor politik i UÇK-ës ose forcës guerile, sot zv. kryeministër dhe ministër i jashtëm i Kosovës në pritje për kryetarllëk) e thotë vetë pak ma nalt që me gjykatën speciale qëllimi asht për me prue drejtësi në vend e me i’a rikthye UÇK-ës respektin që i takon tu e pastrue prej emnave që po i’a randojnë dheun atyne që ranë për nji mend për liri. Sidoqoftë që gjykata speciale po themelohet për arsye se qeveritë tona njana mas tjetrës dështuen me i dënue krimet e luftës, e të pas luftës, të atyne individëve pra “të dëshpruem, apo kriminel”, këtë autori i shkrimit, njikohësisht autor kryesor i qeverisjes së Kosovës tash sa vite, harron me e përmend.
Kah fundi çdo fjalë bahet ma e dhimbshme se tjetra. Në nji gjuhë të dobët e fjali të brishta, aty “racionalizohet” sakrifica e popullit kosovar, tue e sqarue që UÇK- ja ose forca guerile, pardon “lëvizja çlirimtare…” (kjo s’na qenka as dilemë, por trilemë)”… nuk ishte lëvizje e nji individi por e të gjithë qytetarëve të Kosovës.” Përderisa, krimet e Millosheviçit ishin luftë kundër shqipëtarëve të Kosovës, kryengritja e Kosovës kundër këtij regjimi ishte e të gjithë qytetarëve të Kosovës thuhet në artikullin e ish kryeminsitrit Kosovar (dikur drejtor politik i UÇK-ës ose forcës guerile ose lëvizjes çlirimtare, ec e bjerri në fije). Dikujt që nuk di ma mirë, mund t‘i krijohet përshtypja, që serbët kanë luftue krahë për krahë me shqipëtarët kundër regjimit të Millosheviçit.
Natyrisht shkrimi përmbyllet me nji premtim kolosal, në fakt me nji besëdhanje qysh di veç politikani me e dhanë: në emën të tij e të nji populli të tanë, ai thotë se” Kosova me krejt vështërsitë që i ka përpara, në fund ka me qenë nji tregim i suksesit”. Por, para se me u përmbyllë shkrimi, përmendet mungesa e arsyes për me pasë frikë ku thuhet që “na s’kemi çka me fshehë” e që përkushtimi jonë nuk ka me mungue “me bashkëpunue plotësisht me hetues, prokuror, gjykatës të ndryshëm në proceset gjyqësore që gjinden para nesh”. Krejt kjo natyrisht shitet si gatishmëri e nxanësit të mirë që asht në gjendje me marrë rrugën ma të vështirë drejt qëllimit për me mrri sigurtë te “integrimi në institucionet dhe vlerat e civilizimit perëndimor.” por në fakt i ngjan ma shumë rrëfimit të atij nxanësit që bahet dele para mësuesit, tue e dijtë që masi nuk ka mësue, i nxanun në faj, bile nashta “pshton” se asht i urtë.
Dhe ja, kështu foli për “independent” diplomati i misionit të ri, ish kryeminstri i juej (për pak kesh tue thanë Zarathustra): ky pra, personazhi i palodhshëm i tregimit të vërtetë të nji suksesi kosovar, që ndër të tjerash ma shumë se këdo tjetër po mundohet me e bindë veten, se edhe ai në radhë të parë asht thjeshtë nji qytetarë i Kosovës. Por ne e dijmë, që ai në radhë të parë asht ish kryeministri, dikur drejtor politik i UÇK-ës ose forcës guerile, sot zv. kryeministër dhe ministër i jashtëm i Kosovës në pritje të kryetarllëkut: Ai pra asht e zeza e tregimit të suksesit kosovar.
_______________________
Ky shkrim është ribotuar nga redaksia pas një tërheqje për shkaqe teknike.