Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Diplomacia e Kinës po kufizon ambiciet e veta

Problemet e vetëshkaktuara të Pekinit e bëjnë atë sfidues shumë më pak kërcënues se sa duket.

Politikbërësit amerikanë e konsiderojnë ringritjen e Kinës si testin më të madh të paraqitur deri më tash nga një komb shtet rival për sigurinë dhe prosperitetin e Shteteve të Bashkuara. Udhëzuesi i Brendshëm Strategjik i Sigurisë Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë konkludon se Pekini “është i vetmi garues potencialisht i aftë që të kombinojë pushtetin ekonomik, diplomatik, ushtarak dhe teknologjik, për të nisur një sfidë të vazhdueshme ndaj një sistemi ndërkombëtar të qëndrueshëm e të hapur.”

Të gjitha prej këtyre katër dimensioneve të pushtetit janë rritur në vitin e kaluar. Kina është më qendore për ekonominë globale, se sa që ishte në fillim të pandemisë së koronavirusit në fund të vitit 2019, ndërkaq Fondi Monetar Ndërkombëtar parashikon se Kina do të rritet për 8.4 për qind këtë vit dhe 5.6 për qind më 2022, krahasuar me 6.4 për qind dhe 3.5 për qind respektivisht për Shtetet e Bashkuara. Duke thelluar ndikimin e saj përbrenda institucioneve të pasluftës, siç janë Kombet e Bashkuara dhe duke ndërmarrë përpjekje jashtësistemike, siç është Nisma Rrip dhe Rrugë (BRI), ajo po i jep formë gjithnjë e më shumë edhe arkitekturës, edhe normave të qeverisjes globale.

Fërkimet ushtarake po intensifikohen në Paqësorin aziatik dhe zyrtarët amerikanë po përqendrohen gjithnjë e më shumë në korrigjimin e cënueshmërive të SHBA-së në hapësirat e Detit të Kinës Jugore dhe Ngushticës së Tajvanit. Më në fund, përderisa Kina po punon që të arrijë vetëmjaftueshmëri më të madhe teknologjike, duke e mbështetur vizionin e saj me miliarda dollarë të kapitalit shtetëror, Shtetet e Bashkuara po merren me implikimet e një ekosistemi të dyzuar, për të mos thënë të fragmentuar, të teknologjisë.

Megjithatë, rritja e hendekut mes peshës ekonomike të Pekinit dhe vetësigurisë diplomatike do të kufizojë ndikimin e tij potencial. Është e mundshme të paramendohet një skenar ku Kina posedon eknominë dukshëm më të madhe në botë dhe ku prapëseprapë e gjen veten edhe më të tjetërsuar prej demokracive të përparuara industriale, të cilat kolektivisht ende do të kenë epërsi të fuqisë ekonomike dhe aftësisë ushtarake.

Kina kishte një dritare premtuese në të cilën do të konsolidonte përparësitë strategjike afatmesme – e mbase edhe afatgjata – gjatë administratës së ish presidentit amerikan Donald Trump. Përtej nënvizimit të pikëpamjeve të Shteteve të Bashkuara jashtë vendit, politika e jashtme e administratës “Së pari Amerika”, shpesh i la aleatët dhe partnerët e SHBA-së në kryqëzim. Pekini pati një mundësi veçanërisht të volitshme për të përforcuar lidhjet me fuqitë e mëdha brenda dhe jashtë fqinjësisë së saj vitin e kaluar, kur pandemia, recesioni dhe protestat kundër padrejtësive racore po zienin njëkohësisht në Shtetet e Bashkuara.

Sigurisht se Kina bëri përparime në zgjerimin e ndikimit të saj gjatë viteve të Trumpit. Ajo themeloi Partneritetin Gjithëpërfshirës Ekonomik Rajonal, një pakt tregtar që do të thellojë tregtinë ndëraziatike, si dhe finalizoi Marrëveshjen Gjithëpërfshirëse për Investime (CAI) me Bashkimin Evropian. Ajo gjithashtu vazhdoi të shtonte vende të tjera si partnere të BRI-së dhe rriti zonën e ndikimit teknologjik përgjatë botës në zhvillim; një studim i kohës së fundit gjeti se Huawei ka nënshkruar 70 marrëveshje me qeveritë ose ndërmarrjet shtetërore në 41 vende gjatë 15 viteve të fundit, kryesisht në Afrikën nënsahariane, Azi dhe Amerikë Latine.

Këto përparime rastisen me shfaqjen e një toni diplomatik nacionalist më të vëndosur të Kinës, që shpesh quhet “diplomaci e Ujqërve Luftëtarë” sipas filmave të stilit të Rambos me të njejtin emër, të cilët paraqesin luftëtarë kinezë që mbrojnë nderin e vendit të tyre. Veçanërisht pas kritikës fillestare ndërkombëtare rreth përgjigjes së Pekinit ndaj shpërthimit të COVID-19, shumë diplomatë kinezë filluan të kundërshtonin fuqishëm kritikën e veprimeve kineze duke theksuar dobësitë e vendeve të tjera dhe duke reklamuar arritjet e Pekinit. Diplomatët kinezë jashtë vendit kanë përvetësuar gjithnjë e më shumë këtë qasje, përfshirë në ndërveprime me gazetarë dhe në media sociale.

Stili diplomatik i kryetitujve i administratës së Trump-it shpesh i dha mbulesë qasjes së ashpër të Kinës. Për dallim, qasja e matur dhe jodramatike e administratës së presidentit amerikan Joe Biden për të riparuar aleancat dhe partneritetet amerikane ka rikthyer vëmendjen diplomatike kah sjellja e Pekinit. Nuk është vetëm qëndrimi i Shteteve të Bashkuara karshi Kinës që po ashpërsohet. Bashkimi Evropian po ndërmerr gjithashtu qasje më skeptike, pas votimit të fundit që të suspendojë rishikimin e CAI-së derisa Pekini të heqë sanksionet ndaj deputetëve dhe think-tankeve evropiane.

Tensionet me KanadanëAustralinë dhe Mbretërinë e Bashkuar janë ngritur. Marrëdhëniet me Indinë janë përkeqësuar dukshëm pas përplasjeve të përgjakshme kufitare që filluan majin e kaluar. Japonia dhe Koreja Jugore po investojnë përsëri në përforcimin e aleancave me Shtetet e Bashkuara dhe po ndërmarrin hapa të ndruajtur për të përmirësuar marrëdhëniet e tyre dypalëshe. Në fund, pozicioni ndërkombëtar i Tajvanit është rritur ndërsa kujdesi ndaj Kinës është shtuar.

Me shumë prej marrëdhënieve kyçe dypalëshe të Kinës që po ballafaqohen me sfida, koalicionet demokratike janë duke u mobilizuar më aktivisht. Dialogu Katërpalësh i Sigurisë tash ka më shumë momentum se sa kurrë më parë që prej themelimit. NATO është bërë më e vendosur në kritikën ndaj Pekinit. Në fund të marsit, Sekretari i Përgjithsëhm Jens Stoltenberg e quajti “fuqi që nuk ndan vlerat tona”. Ministrat e jashtëm të G-7 nxorën një deklaratë në fillim të majit ku shprehen shqetësim për shtypjen e Kinës në Xinjiang dhe Tibet, erozionin e demokracisë së Hong Kongut, dhe praktikat eknomike shtrënguese. Në një hap të pashoq në mars, Kanadaja, Bashkimi Evropian, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara paralajmëruan sanksione të koordinuara si përgjigje ndaj burgosjes në masë të ujgurëve myslimanë nga Kina.

Kina është kundërpërgjigjur ashpër, duke u paraqitur si objekt i një fushate të përmbajtjes. Porosi të tilla bëjnë punë për publikun në vend, por siç shpjegon shkencëtarja politike Jessica Chen Ëeiss, ato nuk kanë shumë efekt jashtë vendit. Përderisa udhëheqësia kineze shfrytëzon sentimentin nacionalist, ajo njëkohësisht kufizon lirinë e manovrave të saj në politikën e jashtme.

Ato rikalibrime që mund t’i mundësojnë Pekinit të stabilizojë lidhjet me fuqitë e tjera të mëdha, mbi të gjitha, mund të interpretohen si lëshime ndaj presionit të jashtëm që presidenti kinez Xi Jinping është betuar se një Kinë më e zonja dhe me më vetëbesim nuk do të ketë nevojë të bëjë. Kjo dilemë dallon dukshëm prej fleksibilitetit të cilin e kishte udhëheqësia e Kinës në vitet 1980, kur qe në gjendje të heq dorë prej shumë pretendimeve territoriale të së kaluarës për të zgjidhur mosmarrëveshjet e kahershme kufitare me Rusinë dhe vendet e tjera.

Narrativët e Partisë Komuniste të Kinës ushqejnë nacionalizmin kinez. Në janar, Xi deklaroi se “koha dhe gjendja janë në favorin tonë.” Sekretari i përgjithshëm i fuqishëm i organit që mbikëqyr sigurinë e brendshme të Kinës Chen Yixin, dha një deklaratë të ngjashme po atë muaj: “Ngritja e Kinës ëshë ndryshore madhore [e botës sot] … ndërkaq ngritja e Lindjes dhe rënia e Perëndimit është bërë trend [global], dhe ndryshimet në tablonë ndërkombëtare janë në favorin tonë.”

Udhëheqësia kineze po shtyn përpara dy propozime: së pari, Pekini po lëviz në mënyrë të paepur për të rimarrë pozicionin e saj qendror e legjitim brenda çështjeve botërore, duke ndrequr një çekuilibër të padrejtë strategjik. Përpjekjet për të ndryshuar atë trajektore do të jenë të kota dhe të dëmshme. Së dyti, një Uashington i dobësuar po kërkon me ankth që të ruajë epërsinë e tamshme duke penguar ringritjen e Kinës.

Jo të gjithë analistët kinezë janë aq kryeneçë kur është fjala te prospektet e Pekinit, siç konkludoi njëri prej nesh (Ryan Hass) pas më shumë se 50 orëve dialogë në Zoom me bashkëbisedues kinezë dhe pas përfundimit të një analizë tërësore të fjalimeve të fundit të zyrtarëve kinezë dhe komenteve të shkollarëve kinezë. Për shembull, sipas profesorit të Universitetit Renmin dhe këshilltarit të qeverisë Shi Yinhong, “tërheqja e ‘fuqisë së butë” të Kinës në botë, resurset dhe përvojat që ka Kina janë mjaft të kufizuara dhe pengesat vendore dhe ndërkombëtare me të cilat do të përballet Kina, përfshi ndërlikimet e krijuara nga pandemia e koronavirusit, janë të konsiderueshme.”

Ka shumë arsye që vëzhguesit kinezë të vënë në pyetje supozimin se Kina do të jetë në gjendje të mbajë deri në kohë të pacaktuar momentumin e tashëm. Zotimet e politikës së jashtme të Pekinit ndaj mospërfshirjes kufizojnë aftësinë e tij për të formuar aleanca dhe marrëdhënie të mirëbesimit që mund t’i përdorë për t’iu përgjigjur presionit të Shteteve të Bashkuara dhe miqve të saj. Prodhimtaria e Kinës mbetet e ulët krahasuar me vendet e zhvilluara dhe ajo duhet të merret me çështje serioze demografike si dhe pengesa të rëndësishme në arritjen e vetëmjaftueshmërisë në fusha të caktuara si gjysëmpërçuesit.

Pekini ende është rrugës për ta kaluar Uashingtonin për sa i përket madhësisë së përgjithshme ekonomike – duke i shtuar peshë të konsiderueshme kërcënimeve të saj, të nënkuptuara ose jo, ndaj vendeve që e kundërshtojnë, veçanërisht në vendet në zhvillim. Sidoqoftë, pesha totale ekonomike nuk prodhon menjëherë pozicion të përpjestueshëm diplomatik.

Ndonëse Shtetet e Bashkuara tejkaluan Mbretërinë e Bashkuara në madhësinë e përgjithshme ekonomike në fund të shekullit XIX, ajo nuk u shfaq si fuqi e shquar botërore deri në fund të Luftës së Dytë Botërore. Ndërkaq, madhësia e kombinuar e ekonomive demokratike do të jetë më e madhe se bruto produkti vendor i Kinës edhe për disa dhjetëvjeçarë, madje edhe në skenarët më optimist të rritjes së Pekinit.

Ekzistojnë të paktën dy implikime të qarta politike. Së pari, diplomacia vetëkufizuese e Kinës i jep Shteteve të Bashkuara hapësirë për të ndjekur një politikë të jashtme të përmbajtur, por jo të qeverisur nga ringritja e Pekinit. Uashingtoni as nuk duhet të lejojë që përgjigjja e saj ndaj sjelljes së Kinës të pengojë ndjekjen e prioriteteve tjera të rëndësishme të politikës së jashtme, as të shprehë mbresën se vendimet e Kinës do të përcaktojnë atë se si do të rimëkëmbet në shtëpi dhe si do të ripozicionohet jashtë vendit.

Së dyti, edhe përderisa shfrytëzon gabimet diplomatike të Kinës për të rimëkëmbur marrëdhëniet e saj me aleatët dhe partnerët, Shtetet e Bashkuara duhet të kujdesen që mos ta shohin Kinën prej një pikëpamjeje të ngushtë përbrenda kornizës së “garës së fuqive të mëdha.” Uashingtoni duhet të angazhohet parësisht me miqtë e saj jo përreth një vendi që synojnë ta kundërshtojnë, por përreth rezultateve që mëtojnë të arrijnë – pikë së pari një rend pas pandemisë që mund të menaxhojë në mënyrë më të efektshme si krizat afatshkurtëra, sikurse COVID-19, ashtu edhe sfidat afatgjata, sikurse ndryshimi klimatik.

Në fund të fundit, ka dhe do të vazhdojë të ketë mospërputhje të rëndësishme mes perceptimeve të kërcënimeve të demokracive të përparuara industriale dhe prioriteteve të politikave kundrejt Kinës. Edhe pse shqetësimet e përbashkëta mund të nixisin koalicionet, ndërmarrjet affirmative mund t’i mbështesin ato më seriozisht.

Mund të ngrihet kundërshtimi se Shtetet e Bashkuara përkufizuan politikën e tyre të jashtme gjatë Luftës së Ftohtë në terma kundërshtues, duke e paraqitur veten si antitezë të Bashkimit Sovjetik. Megjithatë, ç’është më e rëndësishmja, Uashingtoni sfidoi Moskën nën shenjën e një përpjekjeje më të gjërë e më largpamëse: duke ndërtuar një rend për të penguar katastrofat që pikë së pari e kanë bërë të nevojshëm një rend të tillë.

Nëse pas triumfalizmit që e përcolli rënien e Bashkimit Sovjetik, SHBA-ja u ngut që të mos merrnin parasysh potencialin garues të Kinës, tash ajo mund të jetë para rrezikut të mbitheksimit të atij potenciali. Pekini nuk është as buzë shthurjes as rrugës së hegjemonisë; ai është garues i qendrueshem, por megjithatë i kufizuar.

Përpjekjet e SHBA-së duhet të vazhdojnë edhe prej mirëkuptimit të esëllt se gara strategjike me Kinën do të vazhdojë për një kohë të gjatë, edhe prej vlerësimit gjakftohtë të pikave të forta dhe të dobëta garuese të Pekinit. Shtetet e Bashkuara kanë llogari t’i qasen asaj gare me një vetëbesim të qetë.

Sa më shumë të përqendrohet në përparimin e një shoqërie të hapur dhe të barabartë, duke rimëkëmbur institucionet e saj demokratike dhe ruajtjes së nismës së saj në skenën botërore duke gjallëruar përpjekjet për të adresuar sfidat transkombëtare, aq më mirë do të jetë në gjendje të demonstrojë forcën e sistemit të saj. Përfundimisht, prestigji rrjedh prej performancës. Përmirësimi i performancës së Shteteve të Bashkuara brenda dhe jashtë vendit duhet të jetë fokusi gjithëpërfshirës i politikës së SHBA-së.

***

Artikulli origjinal në Foreign Policy, më 9 qershor 2021.

***

Image

 

Ky artikull mbështetet nga “Sbunker” përmes projektit të financuar nga Ambasada Amerikane. Mendimet e shprehura këtu janë të autorit dhe jo medoemos pasqyrojnë qëndrimet e Departamentit të Shtetit.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.