Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Dy realitete: komuniteti rom në BE dhe komuniteti rom në Ballkanin Perëndimor në sytë e Komisionit Europian

Foto nga Vonecia Carswell, Unsplash.

Së fundmi, Komisioni Europian (KE) prezentoi komunikatat për dy politika të rëndësishme që janë me rëndësi për vendet e Ballkanit Perëndimor: Paketa e Zgjerimit 2020 dhe Korniza strategjike për barazi, përfshirje dhe pjesëmarrje e romëve të BE-së.

Korniza e re strategjike për barazi, përfshirje dhe pjesëmarrje e romëve të BE-së i bën thirrje vendeve anëtare të njohin ndikimin e antigjipsizmit (racizmit ndaj romëve) si shakun kryesor të diskriminimit dhe përjashtimit të romëve, si dhe rritjen e përpjekjeve për ta luftuar atë. KE-ja propozon një qasje dypjesëshe në luftimin e antigjipsizmit: në njërën anë, qasjen më vete ndaj çështjes, dhe në anën tjetër, qasjen ndër-sektorale në sektorët prioritarë të edukimit, punësimit, strehimit dhe shëndetësisë. KE-ja poashtu bën të ditur se Korniza e Romëve e BE-së do të vlejë edhe për vendet që janë në proces të anëtarësimit.

Komisioni pranon se “në jetët e tyre të përditshme, shumë prej 10-12 milionë romëve të kontinentit vazhdojnë të përballen me diskriminim, antigjipsizëm dhe përjashtim socio-ekonomik” dhe deklaron se “luftimi i diskriminimit dhe antigjipsizmit duhet të jenë qëllime kryesore dhe prioritete ndërsektorale në secilën sferë të politikave, duke plotësuar qasjen përfshirëse”.

Këto janë zhvillime të rëndësishme, por kur vjen puna te gjendja në vendet e Ballkanit Perëndimor, nevojiten përpjekje më të mëdha për të arritur këtë mirëkuptim.

Përderisa romët në Bashkimin Europian ballafaqohen me antigjipsizëm të gjithanshëm dhe rrjedhimisht me diskriminim e përjashtim social, raportet e progresit të Komisionit Europian për vendet e Ballkanit Perëndimor rrallëherë i referohen antigjipsizmit ose diskriminimit ndaj romëve, përkundër se në disa raste i referohen statusit të romëve. Këto raporte të progresit duket të kënë mbetur në traditën e atyre paraardhëse, duke neglizhuar ndikimin e antigjipsizmit dhe diskriminimit në gjendjen aktuale në të cilën ndodhen vetë romët.

Ndonëse manifestimet e antigjipsizmit mund të dallojnë nga vendi në vend, ai ekziston çdoku në Europë, përfshi vendet e Ballkanit Perëndimor. Gjuha e urrejtjes dhe krimet e urrejtjes janë ndër manifestimet më të dukshme. Të tjera kanë të bëjnë me diskriminimin në tregun e punës, në shkolla dhe strehim, dhe në qendrimet përgjithësisht negative ndaj romëve të shpalosura në rezultatet e Barometrit të Ballkanit. Madje edhe zbatimi i vogël i politikave të përfshirjes së romëve në dy dekadat e fundit mund të konsiderohet manifestim i antigjipsizmit.

Marrë parasysh faktin se gjendja e romëve në Ballkanin Perëndimor zor se është përmirësuar në 20 vitet e fundit, përkundër investimeve të konsiderueshme financiare nga Bashkimi Europian, ka ardhur koha që të fillojë një proces serioz i vlerësimit të saktë të gjendjes, duke njohur ekzistencën e ndikimit të antigjipsizmit dhe duke promovuar luftën kundër saj.

Të vazhduarit e nënvleftësimit të gjendjes, dhe posaçërisht dështimit të qeverive në zbatimin e politikave, nuk do të sjellë ndryshimin e dëshiruar. Kjo veçse do të riprodhojë ndikimin e antigjipsizmit dhe përjashtimit të shumicës së romëve. Vetëm raportet për Shqipërinë dhe Bosnjen përmendin ekzistencën e antigjipsizmit, ku përmendet nga njëherë në secilin raport.

Raporti për Shqipërinë thotë se “antigjipsizmi dhe gjuha e urrejtjes mbesin çështje që duhet të adresohen sistematikisht në Shqipëri përbrenda shoqërisë së gjërë, institucioneve që merren me barazinë dhe strukturave dhe sistemeve qeveritare”. Raporti për Bosnjen thotë se “paragjykimet dhe antigjipsizmi ende pengojnë integrimin shoqëror të romëve.”

Ka një mirëkuptim të përbashkët se diskriminimi i romëve si pasojë e antigjipsizmit është i përhapur anëmbanë Europës. Diskriminimi kundër romëve në sistemin arsimor, në tregun e punës apo në qasjen në shërbime shëndetësore njihet si pengesa kryesore në përfshirjen e romëve.

Me përjashtim të raportit për Serbinë, raportet e progresit pranojnë faktin se diskriminimi i romëve ekziston në përgjithësi, por mohojnë diskriminimin në punësim dhe arsim (Shqipëri, Mal i Zi), në arsim (Bosnje), apo në punësim (Maqedoni e Veriut). Ekzistenca e diskriminimit pranohet në mënyrë jo të drejtpërdrejtë, dhe asnjë prej raporteve nuk i bën thirrje qeverive që të luftojnë diskriminimin ndaj romëve.

Ndërkohë, raporti për Serbinë bën thirrje që vendi të rrisë masat “për të mbrojtur të drejtat e personave që ballafaqohen me diskriminim” dhe “të ndjekë aktivitisht hetimin dhe dënimin e krimeve të urrejtjes”. Megjithatë, raporti nuk përmend romët si viktima të “personave që ballafaqohen me diskriminim”, as nuk përmend që ata janë shpesh caqe të krimeve të urrejtjes.

Në anën tjetër, “Plani ekonomik dhe i investimeve për Ballkanin Perëndimor,” pjesë e Paketës së Zgjerimit 2020, adreson romët në veçanti dhe i referohet Kornizës së re të Romëve të BE-së. Komunikata thekson se “integrimi i romëve në shoqëri duke mbështetur pjesëmarrjen e tyre të plotë në arsim dhe tregun e punës është me rëndësi të posaçme dhe do të jetë prioritet kyç për procesin e integrimit të BE-së.”

Në Kornizën e re të Romëve të BE-së , KE-ja e pranon si problem shkallën e lartë të NEET (pa punë, pa arsim ose trajnim) mes romëve në BE: ka vendosur si qëllim zvogëlimin përgjysmë të hendekut në shkallën NEET. Aktualisht, shkalla NEET mes romëve në BE është 62%, ndryshe prej 10,1% mes popullatës së përgjithshme. Sipas hulumtimit të UNDP-së, shkalla NEET mes romëve në Ballkanin Perëndimor është mes 73% (Serbi) dhe 86% (Bosnje); shkalla mes grave rome është edhe më e lartë, 81% (Maqedoni e Veriut) dhe 93% (Mal i Zi). Megjithatë, raportet e Komisionit Europian gati sa fare i kushtojnë rëndësi kësaj çështjeje.

Shumica e romëve janë të ngujuar në vetë-punësim të pasigurt, pa sigurim shoqëror dhe të ardhura të vogla e të paqendrueshme. Pandemia COVID-19 ka shpërfaqur rreziqet e kësaj situate, ku shumë romë kënë mbetur pa të ardhura, të varur nga paratë në dorë apo ndihmat nga autoritetet, donatorët ndërkombëtarë apo organizatat e shoqërisë civile. Normat e larta të NEET tregojnë se shumica e brezit të ardhshëm të romëve do të mbesin gjithashtu në këto vende të pasigurta pune nëse politikanët nuk veprojnë së shpejti.

Numri i kufizuar i romëve të punësuar në sektorin publik dhe privat nuk mund t’i atribuohet vetëm mungesës së kualifikimeve, siç lënë të kuptojnë disa raporte. Antigjipsizmi dhe diskriminimi, dhe refuzimi i autoriteteve që të përmbushin obligimet e tyre ligjore dhe politike për të punësuar romët në sektorin publik dhe ndërmarrjet publike, janë faktorë po aq të rëndësishëm. Njoftimi i fundit i autoriteteve serbe se do të rrisin numrin e të punësuarëve romë në shërbimet publike paraqet hapin e parë në drejtimin e duhur.

Për shkak të emigrimit dhe rënies demografike, tashmë ka mungesë pune në rajon, dhe kjo do të rritet në të ardhmen. Prandaj ka ardhur koha që të rriten përpjekjet për të përfshirë romët në fuqinë punëtore në vend se të kufizohen në vetëpunësim të paqëndrueshëm dhe të pasigurt.

Përmendja e romëve në “Planin ekonomik dhe të investimeve për Ballkanin Perëndimor” tregon nevojën për një tjetër ndryshim në politikëbërjen e përgjithshme. Gjendja dhe pozita e romëve duhet të merret parasysh në të gjitha fushat relevante të politikëbërjes, si në zhvillimin ekonomik, migrimin, politikat sociale, zhvillimet demografike, apo luftimin e pasojave të COVID-19. Sido që të jetë, vetëm koha do të tregojë nëse këto deklarata do të zbatohen në praktikë.

***

Artikulli origjinal në: The Balkans in Europe Policy Advisory Group

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.