Foto nga Freepik.
Nuk është gjë e lehtë, e aq më pak e këndshme, të shkruash kujtime kur në to ka shumë dhimbje. Por, po ashtu është shumë e vështirë t’mos kujtosh e rrëfesh sidomos për tmerret e përjetuara. Andaj njeriu shpeshherë kur ka trandje në jetën e tij, tundohet edhe në mes të asaj se a ta rrëfejmë apo jo jetën e jetuar; dhe kjo dilemë është e pashmangshme, por që sjell edhe mjaft kokëçarje, sepse po qe se vendosim të rrëfejmë atëherë mëdyshim në sigurinë dhe sinqeritetin tonë, por nëse nuk rrëfejmë për diçka që na ka ndodhë, e kemi perjetuar, e kemi ndjerë, na ka transformuar komplet jetesën dhe mënyrën e të menduarit, po ashtu, atëherë edhe kjo disi na vë në njëfarë pozicioni fajësues. Mirëpo, pavarësisht një dileme dhe tundimi të tillë shkrimtari Stefan Zweig, i cili në një libër plot kujtime e ngjarje rrëfen kohën e tij, jetesën e tërë asaj periudhe që përveç llahtarisë mbart brenda vetes edhe një dashuri të magjishme për jetën. Është për t’u theksuar, sepse nuk di a mund të konsiderohet fat apo fatëkeqësi, se nëpërmes jetës së Zweig-ut do të kalojnë dy luftrat botërore. Tmerret e njerëzimit do të bëhen pjesë e realitetit të jetës së tij. Tmerri dhe dashuria do të vijnë bashkë si një kumt i një jete që nuk ka kthim; “…Përmes jetës sime janë turrur tërë kuajt e murrëtyer të apokalipsit: revulucion dhe zi buke, zhvlerësim paraje dhe terror epidemi dhe emigracion; kam parë të rriten dhe të përhapen mu para syve të mi ideologjitë e mëdha masive, fashizmi në Itali, nacionalsocializmi në Gjermani, bolshevizmi në Rusi dhe, mbi të gjitha, atë kolerën e kolerave nacionalizmin që ka helmuar lulen e kulturës sonë europiane.” Të jetosh në një kohë të tillë nuk është edhe aq për t’u dëshiruar. Mirëpo, pavarësisht këtyre Zweig-u është i bindur se një ditë shpirti i Europës do të triumfojë. Madje ai thotë se: “…pavarësisht nga poshtërimet e vuajtjet që kemi hequr unë vetë dhe shokët e mi të panumërt të fatit: nuk mund ta mohoj plotësisht besimin e kohës së rinisë se, sido që të vijë puna, njerëzimi do të ecë përpara.” Pra, me këtë Zweig-u shpall bindjen e tij se pavarësisht tërë asaj zallamahie që po ndodhte Europa do të dinte dhe do të mundet që t’i kthehet frymës së saj, shpirtit të saj… njerëzores.
“Bota e djeshme – Kujtime të një europiani” është libri i cili paraqet mjerimin, vuajtjen, ëndërrat, vdekjen, shpresën, frikën, mallkimin, përbuzjen, vajin, mallëngjimin, tmerrin dhe dashurinë. Tek “Bota e djeshme” është e djeshmja e një bote që ishte futur në shinat që rrugëtonin drejt apokalipsit. Ishte pikërisht ‘bota e djeshme’ e cila kishte bërë arritjet më të mëdha shkencore, ekonomike, e mbi të gjitha kulturore dhe ishte po kjo botë që po provonte katastrofën më çnjerëzore të ndodhur ndonjëherë. Aq shumë kulturë kishte dje dhe aq shumë mizori po ashtu. Lirisht mund të themi se nuk ka epokë që ka nxjerrë kaq shumë shkenctarë e shkrimtarë, ekonomistë e humanistë, sportistë e biznesmenë, artistë dhe zanatlinjë etj., sesa shekulli i kaluar; por gjithashtu, nuk ka shekull që ka nxjerrë në ‘lëndinën e lotëve’ mizoritë më të mëdha njerëzore sesa shekulli XX. Prandaj, shekulli XX është paradoks në vetvete, sepse në të jetojnë modelet që nuk mund të bashkëjetojnë. Zweig-u na paraqet një Europë të Cervantes-it, të Shakespeare-it etj., e cila në fundamentin e vet kishte të brumosur humanizmin. Një Europë ku me tërë fuqinë e saj shtyn përpara dhe që nuk tregon asnjëherë shenja lodhjeje edhe atëherë kur këtë fuqi, këtë shpresë tentojnë t’ia rrëmbejnë nga grushti njerëz si Hitleri e Musolini.
Tek “Bota e djeshme”, Zweig-u na e paraqet në mënyrë të kristaltë përfshirjen e njerëzve mbas ideologjive të ndryshme. Aq keq e perjetonë transformimin që mund t’i ndodhë njeriut pothuajse në çast, saqë është vështirë e besueshme për një mendje normale. Në këtë libër vërejmë sesi njerëzit vullnetarisht u dorëzohen atyre që ‘garantojnë’ parajsën. Zvetnimi që njeriut i ndodh në këto raste është aq masiv sa fillon dhe beson edhe në gjëra që vetëm një i marrë mund t’i besojë. Në libër Zweig-u, si një protagonist që ishte, kujton edhe momentet e fillimit të Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore. Ai pohon se aq terciare ishin momentet që e ndezën fitilin e tyre saqë ishte e pabesueshme të besohej se ajo ndezje do ta përpinte në flakë të gjithë botën. Mirëpo, ai rrëfen sesi momenti që konsiderohej si një shkëndijë që do të pasojë një katrahurë me përmasa botërore, nuk ishte asgjë veçse një simptomë e një trumbetimi të kahershëm dhe të vazhhdueshëm të paraqitjes së tjetrit si armik. Gjithashtu, tek “Bota e djeshme” vërejmë dehumanizimin që i bëhet njeriut nga ideologjitë e caktuara. Aq të rrezikshme dhe johumane janë radikalizmat e tillë ideologjikë ku akti i vrasjes pastaj është vetëm një ‘formailtet i thjeshtë’. Kështu që, Zweig-u i bie shumë pikërisht një forme të tillë të komunikimit. Ai është i pakompromistë me çdo formë të organizimit që insiton që njeriun ta fusë në ‘akuariumin’ e ideve masive. Me këtë qasje Zweig-u dëshiron që të na japë një pasqyrë të qartë në lidhje me atë se çfarë zvetnimesh karakteriale dhe probleme të llojllojshme shkaktojnë ideologjitë tek njerëzit. Ai rrëfen për çrregullimet që krijojnë këto ideologji në kohezionin social, humbjen e identitetit që ato prodhojnë, si dhe indiferencën që mbjellin tek individi. Pra, nëpërmjet kujtimit për ‘botën e djeshme’ Zweig-u shpjegon jetën e njerëzve, të cilët përfshihen nga idetë dhe ideologji të ndryshme, duke besuar se ata janë të zgjedhurit për zgjidhjen e problemeve dhe çlirimin e shoqërisë, por që në një moment të caktuar ato ideologji do të bëhen vetë burgu i tyre.
Element tjetër i rëndësishëm në kujtimet e Stefan Zweig-ut, është edhe paraqitja e shkrimtarëve dhe e intelektualve në përgjithësi karshi këtyre katastrofave. Ai tregon sesi kishte nga ata që qysh në krye të herës ishin rreshtuar mbas këtyre forcave që pretendonin ta ‘rrëmbenin’ Europën. Madje në një rast Zweig-u kujton sesi në fillet e para të Luftës së Dytë Botërore ishte e pamundur të takoje njeri për të ndërruar ca fjalë. Mirëpo, ai me një elan të paparë, me një gëzim dhe dashamirësi shumë njerëzore flet për madhështinë e shumë intelektualëve të kohës, e që disa prej tyre kishte mundur edhe t’i takonte. Zweig-u mendonte se këta intelektualë ishin ndërgjegjja dhe shpirti i Europës. Kjo gjë vërehet kur flet për takimin me dramaturgun dhe humanistin e madh francez Romain Rolland. Zweig-u shprehet kështu: “E dija shumë mirë se ai mik që po qëndronte në këmbë para meje ishte njeriu më i rëndësishëm i atyre çasteve të historisë botërore, e dija se me mua po fliste vetëdija morale e Europës.” Pra, me këtë Zweig-u na e shpërfaq edhe dimensionin e njeriut të urtë europian që në kulmin e së keqës gjen kurajon për të reflektuar arsyeshëm për ditë më të mira. Ai mahnitet sesi njerëz të tillë edhe për një çast nuk e humbën shpresën edhe kur të shpresosh në rrethana të tilla gjykohej si marrëzi. Po ashtu me shumë krenari Zweig-u na flet edhe për takimin e tij me Rainer Maria Rilke-n, Sigmund Freud-in, Paul Valéry e shumë intelektualë të asaj kohe.
Lirisht mund të konkludojmë se elekuenca e Zweig-ut në përshkrimin e ngjarjeve, sinqeriteti i paraqitur si dhe korrektësia dhe thellësia në të rrëfyerit e kujtimeve dhe përjetimeve të një periudhe sa e dhimbshme po aq edhe sensitive e bën atë një njeri që njerëzores nuk i iku as edhe për një çast. Si një shkrimtar austriak që ishte, ai e perceptonte dhe e ndjente Europën si një shtëpi të tij dhe nga kjo ndjenjë nuk hoqi dorë edhe atëherë kur e keqja pothuajse e kishte kapërdirë atë. Prandaj libri “Bota e djeshme – Kujtimet të një europiani” nuk është vetëm një rrëfim për një kohë që ka ikur, por është edhe një klithje për një kohë që do të pasojë. Sepse e keqja si dikur, si sot dhe si në të ardhmen nuk do të dallojë në esencë. Prandaj, rrëfimet dhe përjetimet e Zweig-ut dhe tërë atij brezi të asaj ‘botë të djeshme’ duhen përjetuar si pjesë e jona, si pjesë e njeriut europian, pavarësisht kohës kur i lexojmë ato.