Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Fadil Hoxha në peshore

Pas miratimit të Rezolutës në Konferencën e Bujanit, të mbajtur më 31 dhjetor 1943 – 2 janar 1944, në të cilën, mes tjerash, thuhej se Kosova dëshiron të bashkohet me Shqipërinë, pati indikacione nga partizanët jugosllavë se kjo pikë e kësaj rezolute nuk do të realizohet. Këtë e vërteton letra që Milovan Đilas, dora e djathtë e Josip Broz Titos, ua dërgon në mars të vitit 1944 miratuesve të kësaj rezolute, në të cilën thuhet “ngritja e çështjes së ndryshimit të kufijve i ndihmon gjermanët që t’i nxisin popujt kundër njëri tjetrit”. Po në mars 1944, Josip Broz Tito shkruan se Vojvodina dhe zona të tjera të ngjashme “do të fitojnë autonomi të gjerë kurse çështja se cilës njësi federale do t’i bashkohen këto zona, do të varet nga vetë popujt, përmes përfaqësuesve të tyre, kur ajo të vendoset me vendim përfundimtar pas luftës”.

Njësoj, në shkurt të vitit 1945, Eduard Kardel, njëri prej këshilltarëve më të afërt të Titos, në Komitetin Qendror të Partisë Komuniste të Jugosllavisë thotë se “zgjidhja më e mirë do të ishte që Kosova të bashkohej me Shqipërinë, por për shkak se as faktorët e jashtëm as të brendshëm nuk e favorizojnë këtë, ajo duhet të mbetet krahinë kompakte në kuadër të Serbisë’. Po në shkurt 1945, kur Kosova vendoset nën ‘administrim ushtarak’ të komanduar nga Savo Drljević, Fadil Hoxha pranon te bëhet zëvendës-komandant i tij. Për më keq, ai pranon që në kuadër të këtij administrimi ushtarak të marrë pjesë edhe në aksionet luftarake kundër Shaban Polluzhës dhe bashkëluftëtarëve të tij, të cilët po i kundërshtonin krimet e regjimit jugosllav kundër civilëve të pafajshëm shqiptarë. Kjo është njëra prej njollave të mëdha në biografinë e Fadil Hoxhës.

Që nga viti 1912 e këndej, sa herë që territori i Kosovës binte nën sundimin e ndonjë perandorie, Serbisë i konvenonin, e madje i nxiste kryengritjet e shqiptarëve të Kosovës kundër këtyre perandorive, në mënyrë që më pas ta okuponte më lehtë Kosovën. Kështu ndodhi me kryengritjen shqiptare të vitit 1912 kundër Perandorisë Osmane, të cilën Serbia e mbështeti, duke i dhënë pagesa dhe armë Isa Boletinit, e kur trupat e Perandorisë Osmane u larguan, e pushtoi Kosovën duke kryer krime të llahtarshme kundër civilëve shqiptarë. Por, Isa Boletini u rezistoi forcave serbo-malazeze e pas disa viteve edhe u vra prej tyre. Ngjashëm ndodhi edhe në vitet 1915-1918 kur Kosova u gjet nën sundimin e Austro-Hungarisë. Serbia mbështeti Azem Bejtën që të luftonte kundër kësaj perandorie, e kur trupat e saj u larguan prej Kosovës, Serbia pushtoi duke kryer krime të tmerrshme kundër civilëve shqiptarë. Mirëpo, Azem Bejta u rezistoi forcave serbe, e pas disa viteve edhe u vra prej tyre. Situata qe e ngjashme edhe më 1941-1944, kur Kosova ishte nën sundimin e Italisë/Gjermanisë. Serbia e mbështeti Fadil Hoxhën që të luftonte kundër nazi-fashistëve, e kur trupat e këtyre u larguan prej Kosovës, Serbia e pushtoi Kosovën duke kryer krime të tmerrshme kundër civilëve shqiptarë. Por, Fadil Hoxha nuk u rezistoi forcave serbe dhe për rrjedhojë nuk u vra sikur Isa Boletini e Azem Bejta.

Në prill të vitit 1945, kur dy bashkëluftëtarë të Fadil Hoxhës, Dušan Mugoša e Mehmet Hoxha, morën pjesë në Kuvendin Antifashist Nacionalçlirimtar të Serbisë dhe deklaruan se Kosova dëshironte të bëhej pjesë e Serbisë, Fadil Hoxha nuk e tha asnjë fjalë. Për më keq, kur 142 përfaqësues të Partisë Komuniste në Kosovë, prej të cilëve një e treta shqiptarë, shumë sosh pjesëmarrës të Konferencës së Bujanit, miratuan në korrik 1945 në Prizren një rezolutë për aneksimin e Kosovës në Serbinë federale, jo që nuk pati asnjë diskutim, por rezoluta madje u miratua me aklamacion. Fadil Hoxha ishte ndër pjesëmarrësit në këtë Kuvend.

Në vitet 1945-46, salla e fizkulturës në gjimnazin ‘Sami Frashëri’ në Prishtinë ishte shndërruar në gjykatore. Këtu bashkëluftëtarët e Fadil Hoxhës, Ali Shukria në cilësinë e prokurorit dhe Xhavit Nimani në cilësinë e gjykatësit, i dënonin patriotët shqiptarë nga taborri kundërshtar. Në fund të lagjes së Çeklikut, asokohe lagje periferike në drejtim të Tauk Bahçes e të Gërmisë, në vendin që sot njihet si ‘Strelishta’, partizanët kishin hapur një gropë, në të cilën kishin hedhur veprimtarët e pushkatuar të lëvizjes nacionale të shqiptarëve që kishin kundërshtuar regjimin jugosllav. Ku ishte Fadil Hoxha kur ndodhnin këto? Cili ishte reagimi i tij? Në ditarin e luftës për periudhën 1941-1943, të titulluar “Kur pranvera vonohet”, ai e pranon vetë të ketë dhënë urdhra për vrasjen e kundërshtarëve politikë. Po ashtu, ku ishte Fadil Hoxha kur ndodhi Masakra e Tivarit, kur u mbajtën proceset e montuara gjyqësore kundër shqiptarëve të pafajshëm, siç ishte Gjykimi i Prizrenit më 1956? Për fat të keq, shumë fish më shumë u vranë civilë të pafajshëm shqiptarë në katër vitet e para të ‘çlirimit’ 1945-1949 sesa gjatë ‘okupimit’ 1941-1944.

Gjatë hetimeve në burgun e parë në vitet 1958-1959, Adem Demaçi ua pranon hetuesve se shokëve ua kishte shpallë haptazi nevojën për likuidimin e udhëheqësve kryesorë të Kosovës, që nga Dušan Mugoša e Fadil Hoxha, e se u kish sugjeruar që pas atentatit t’u vihej edhe nga një fletërrufe mbi kufoma, në të cilat t’u shqiptohej akuza: «Ku ke qenë derisa shqiptarët po i shpërngulnin për në Turqi? Ku ke qenë gjatë kohës së aksionit shtetëror për grumbullimin e armëve?». Dy dekada mbas daljes prej burgut të tretë, Demaçi e mohonte këtë pretendim. Sidoqoftë, arsyeja pse po e sjell këtë detaj këtu është se gjatë kohës sa Fadil Hoxha ndodhej në pushtet, Demaçi ndodhej sa në një burg, sa në tjetrin. Ndërsa Demaçi i mbështeste demonstratat e shqiptarëve të Kosovës më 1968 dhe më 1981 për Kosovën Republikë, Fadil Hoxha i dënonte ato me cilësimet më të ashpra, si nacionaliste, separatiste, secesioniste, irredentiste e shoviniste.

Megjithatë, gjatë luftës në Kosovë më 1998-1999, Fadil Hoxha është ndër të paktat personalitete politike të shqiptarëve në Kosovë që viziton Adem Demaçin në Zyrën e Përfaqësuesit të Përgjithshëm Politik të UÇK-së në Prishtinë dhe e mbështet publikisht. Pas luftës, Demaçi thotë se Fadil Hoxha në kushte e në rrethana jashtëzakonisht të vështira, është munduar të nxjerrë maksimumin për shqiptarët dhe se për dallim prej të tjerëve, ishte mjeshtër sepse “publikisht fliste kundër meje, kurse në mbledhjet interne në Serbi e në Jugosllavi, këmbëngulte për të drejta për shqiptarët”.

Nuk mundet dhe nuk duhet të mohohet kontributi i Fadil Hoxhës dhe i përfaqësuesve të rrymës lojale të shqiptarëve të Kosovës për të drejtat e shqiptarëve në Kosovë. Ta zëmë, fill pas Luftës së Dytë Botërore, gjatë takimit të parë dhe të fundit me Enver Hoxhën, Fadil Hoxha ia del të sigurojë për Kosovën 200 mësues nga Shqipëria si dhe tekste shkollore në gjuhën shqipe. Mbi të gjitha, nuk duhet dhe nuk mund të mohohet kontributi i Fadil Hoxhës dhe i përfaqësuesve të rrymës lojale të shqiptarëve të Kosovës për avancimin e pozitës së shqiptarëve të Kosovës gjatë viteve ’70. Por, ky avancim është rezultat edhe i disa faktorëve të tjerë: i veprimtarisë së rrymës ilegale, që organizoi demonstratat e vitit 1968, pastaj i ndërhyrjes së BRSS-së në Çekosllovaki, që ndikoi në ndreqjen e marrëdhënieve mes Jugosllavisë dhe Shqipërisë prej frikës së të dyja vendeve prej një ndërhyrjeje të ngjashme, ndreqje kjo që ndikoi edhe në përmirësimin e pozitës së Kosovës. Kosova edhe do të mund ta arrinte statusin e një republike jugosllave, sikur udhëheqësia e saj gjatë viteve ‘70 të ishte më këmbëngulëse.

Ka edhe faktorë të tjerë të cilët ndikuan që personaliteti i Fadil Hoxhës të mos portretohet krejt negativisht si i shumë politikanëve shqiptarë të Kosovës që ishin bashkëkohës të tij. Një prej tyre është kur pas demonstratave të vitit 1981, fushata propaganduese e Serbisë kundër Kosovës qe përqendruar kryesisht kundër Fadil Hoxhës. Ajo kulmoi në vitin 1986 me aferën që në shtypin e atëhershëm serb u cilësua si “Fadilgate”, e sipas të cilës, Fadil Hoxha për stopimin e përdhunimeve propozonte që, meqë gratë shqiptare nuk mundeshin, të vinin gra nacionalitetesh të tjera të Jugosllavisë nëpër kafenetë e Kosovës, në mënyrë që përdhunuesit të mund t’i shfrynin epshet me to. Hoxha më pas u kërkoi falje grave joshqiptare dhe dha dorëheqje nga posti qeveritar, por edhe u padit për nxitje të urrejtjes kombëtare, fetare e racore, për përçarje dhe intolerancë. Faktor tjetër që mund të ketë ndikuar në ‘rehabilitimin’ e figurës së Fadil Hoxhës, është fakti se pas luftës, kur drejtuesit e UÇK-së themeluan Partinë Demokratike të Kosovës (PDK), e shpallën Fadil Hoxhën anëtar nderi, kurse me rastin e vdekjes së tij, ia organizuan varrimin me nderime ushtarake nga Trupat Mbrojtëse të Kosovës (TMK).

Për fat të keq, ne nuk kemi biografi për asnjë personalitet politik të Kosovës nga shekulli i kaluar. Prandaj, jeta dhe vepra e Fadil Hoxhës duhen studiuar duke u bazuar në arkiva dhe në shtypin e kohës në vend, në rajon e më gjerë, e jo vetëm në rrëfimet e bashkëveprimtarëve dhe të kundërshtarëve të tij apo edhe më keq: vetëm në memoaret e Fadil Hoxhës. Përfundimisht duhet ta ndërpresim praktikën e hartimit të hagiografive për personalitetet tona politike dhe të nisim t’i hulumtojmë e t’i studiojmë profesionalisht këto personalitete me dritëhijet e tyre. Për Fadil Hoxhën duhet të hartohet biografi profesionale, e madje edhe shtëpia e tij në Prishtinë – meqë aty, përveç orendive, i ruhet edhe biblioteka – do të ishte mirë të shndërrohej në muze, ku do të pasqyroheshin të gjitha (mos)veprimet e tij politike.

*Gjeni këtu artikullin në Gjuhën Angleze. https://sbunker.net/teh/91322/assessing-fadil-hoxhas-legacy/

Author

  • Shkëlzen Gashi

    Shkëlzen Gashi ka studiu Shkencat Politike në Universitetin e Prishtinës, kurse magjistraturën për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut në programin e përbashkët studimor të Universiteteve të Bolonjës dhe të Sarajevës. Është autor i shumë botimeve (librave dhe artikujve). Në vitin 2010 ka botuar biografinë e paautorizuar të Adem Demaçit, i cili ka kaluar 28 vjet nëpër burgjet jugosllave. Kohët e fundit, ka botu shumë artikuj brenda e jashtë vendit rreth historisë së Kosovës në tekstet mësimore të historisë në Kosovë dhe në vendet përreth Kosovës – Shqipëri, Sërbi, Mal të Zi dhe Maqedoni. Po ashtu, tani është duke shkruar biografinë e Ibrahim Rugovës, udhëheqësit të shqiptarëve të Kosovës 1989-2006.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.