Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Filozofi John Gray: Perëndimi nuk po vdes – idetë e tij rrojnë në Kinë (II)

Ndikimi formativ i ideve perëndimore mbi udhëheqësinë kineze ilustrohet nga referencat e historianit të lashtë grek Thukididi, që kanë qenë të zakonshme mes zëdhënësve zyrtarë. Ato do t’i siguronin mysafirët perëndimorë se Kina nuk e kishte mendjen të binte në ‘kurthin e Thukididit’ – prirja e shteteve në ngritje që të kërkojnë t’i largojnë fuqitë e konsoliduara nga pozicioni i tyre dominant, duke nisur luftë. Qëkur Kina kaloi në ‘diplomacinë e ujkut-luftëtar’, një formë më e vendosur dhe agresive e qeverisjes, disa kanë vënë në dyshim domethënien e kurthitë të Tukididit në mendimin kinez. Megjithatë, Xi Jinpingu e përmendi në një fjalim të cilin e dha para disa vitesh në Pekin. Që nga ajo kohë, ai duket se ka fituar më shumë vetëbesim.

Studimi i veprave klasike perëndimore promovohet aktivisht në universitetet kineze. Tekstet shpesh mësohen në latinisht apo greqisht (praktikë që nuk kërkohet më në Princeton, ku disa e konsiderojnë raciste). Inteligjencia meritokratike kineze shquhet gjithashtu për zotërim të mendimit politik perëndimor, që ua kalon plot universiteteve perëndimore. Janë studiuar për së afërmi veprat e Alexis de Tocquevilleit, Edmund Burkeit dhe Thomas Hobbesit, si dhe të mendimtarëve të shekullit 20, si Michel Foucault. Juristi gjerman Carl Schmitt (1888-1985) është pranuar si mësuesi më i rëndësishëm për zhvillimin politik të Kinës.

Shmitt u bë i njohur në akademinë gjermane me shqyrtimin e ndikimit të ideve teologjike në jurisprudencën perëndimore. Gjatë viteve 1920 ai u dha formë disa ideve mbi të cilat do të mund të formulohej dhe justifikohej Akti Autorizues i marsit 1933, që themeloi formalisht regjimin nacist. Ligji krijohej përmes vendimeve politike sovrane dhe sovran ishte kushdo që vendoste se kur ekzistonte një ‘gjendje e përjashtimit’ [Ausnahmezustand] ose krizë e regjimit. Në veprën Koncepti i Politikës, të botuar më 1932, ai argumentonte e politika nuk ishte dialog mes anëtarëve të një bashkësie të përbashkët me interesa dhe vlera të ndryshme, por betejë mes armiqsh – me fjalë të tjera, njëfarë gjendjeje lufte.

Pas aderimit në Partinë Naciste disa javë pas ardhjes në pushtet, Schmitt u shqua me përkrahjen e nismës për djegien e librave të autorëve hebrenj. Megjithëkëtë, duket se për patronët e tij nacistë nuk kishte qenë mjaftueshëm antisemit dhe më 1936 ai akuzua për oportunizëm dhe dha dorëheqje nga partia. Në fund të luftës ai u arrestua nga forcat aleate dhe kaloi një vit në internim. Ai kurrë nuk hoqi dorë nga teoritë e tij, duke i shtjelluar ato për disa dekada me radhë.

Teoria e së drejtës e Schmittit nuk është tërësisht origjinale, e as doemos antiliberale. Një pikëpamje e ngjashme mund të gjendet në veprat e Hobbesit. Dallimi është në pikëpamjet e tyre për politikën dhe shtetin. Përderisa Hobbesi besonte se qëllimi i shtetit ishte mbrojtja e individëve prej dhunës dhe pasigurisë – pozicion krejtësisht liberal – Schmitti i jepte sovranit detyrën e promovimit të homogjenitetit të popullit.

Është ky aspekt i mendimit të Schmittit që duket të jetë më tërheqësi për udhëheqësinë kineze. Nëse shteti dhe populli janë një dhe e vetmja gjë, pakicat mund të shtypen, ose të shfarosen, në emër të sigurisë publike. Asimilimi i dhunshëm i tibetianëve, kazakëve, ujgurëve dhe pakicave të tjera në një kulturë të njëtrajtshme kineze Han nuk është shtypje, por mjet i domosdoshëm për mbrojtjen e shtetit nga forcat që do ta shkatërronin.

Idetë e juristit gjerman janë shumë të përshtatshme për ta legjitimuar shtypjen e vazhdueshme të Xisë. Gjatë një fjalimi në Hong-Kong më 2020, profesori i juridikut Chen Duanhong u bazua në mendimin e Schmittit për ta përkrahur Ligjin e sigurisë kombëtare, duke deklaruar që ushtrimi i autoritetit sovran të Kinës për t’i asgjësuar liritë liberale në ish-koloninë britanike nuk ishte asgjë më shumë sesa një shtet që siguron të ardhmen e tij.

Schmitt ofron një shabllon për nacionalizmin integral të Xisë. Ndërtimi i komb-shteteve homogjene nuk filloi me nacional-socializmin. Ai e kishte zanafillën në Francën revolucionare. Në fillim të viteve 1790, jakobinët shfrytëzuan idnë e kombit për ta shtypur kryengritjen popullore në rajonin e Vandesë në Francën Perëndimore, në një fushatë të shtypjes që mund të ketë marrë rreth 100 mijë jetë. Ndërtimi i komb-shtetit francez vazhdoi gjatë shekullit 19 përmes institucioneve të rekrutimit ushtarak dhe shkollimit kombëtar, duke zhdukur diversitetin e gjuhëve dhe kulturave që ekzistonin në kohën e ancien régime.

Spastrimi etnik u bë qendror për kombndërtimin pas Luftës së Parë Botërore. Shembja e perandorive austro-hungareze, osmane dhe romanovëve mundësoi shfaqjen e komb-shteteve që kërkonin të drejtën për vetëvendosje – zhvillim i mbështetur nga presidenti amerikan Woodrow Wilson në Traktatin e Versajës më 1919. Qëllimi i tij qe rindërtimi i Evropës si bashkësi e komb-shteteve civile. Megjithatë, në shumicën prej këtyre shteteve kishte pakica të brendshme dhe në vitet në vazhdim ndodhën shpërngulje të mëdha popullatash. Shumë prej tyre u dëbuan ose u larguan – për shembull, gati 1.5 milion grekë nga Turqia dhe rreth 400 mijë turq nga Greqia.

Procesi vazhdoi gjatë Luftës së Dytë Botërore me nacistët që vranë miliona njerëz në territorët e pushtuara në Evropën Lindore dhe Bashkim Sovjetik dhe përpjekjen për shfarosje totale të popullit hebre. Stalini deportoi ata popuj që nuk besonte se do të ishin besnikë ndaj shtetit sovjetik (si çeçenët dhe tatarët e Krimesë) nga atdheu i tyre në Azinë Qendrore, ku shumë prej tyre u shuan udhës ose menjëherë pas arritjes.

Komb-shteti është shpikje perëndimore. Nacionalizmi u shfaq në Kinë në fund të dinastisë Qing (1644 – 1912) si përgjigje ndaj nënshtrimit poshtërues të vendit nga fuqitë perëndimore. Duke u orvatur t’i japë ‘tipare kineze’ projektit të tij, Xi Jinping ka cituar Han Feizin, një aristokrat i shekullit III në mbretërinë Han dhe proponent i shkollës legaliste të filozofisë, ku ligji përdoret për ta formuar një shtet të fuqishëm të centralizuar.

Ashtu si në Gjermaninë e mes dy luftërave, mendimi i Schmittit lehtëson procesin e kthesës drejt totalitarizmit. Sot e kësaj dite, dallimi mes shteteve autoritare dhe totalitare shpërfillet si mbetje e Luftës së Ftohtë. Megjithatë, ai vë në pah dallimin kyç mes regjimeve joliberale. Shtetet autoritare janë diktatoriale në metodat e tyre, por të kufizuara në qëllimet e tyre, kurse shtetet totalitare përpiqen ta transformojnë shoqërinë dhe të ndërhyjnë në çdo fushë të jetës njerëzore. Prusia e Bizmarkut dhe Rusia cariste hyjnë në grupin e parë, ndërsa Gjermania nacional-socialiste dhe shtetet sovjetikw përgjatë pjesës më të madhe të historisë së tij hyjnë në të dytin. Kina e Xisë ka lëvizuar drejt kategorisë totalitare. Përmes 95 milionë anëtarëve të Partisë Komuniste të Kinës, e cila festoi 100-vjetorin më 1 korrik të këtij viti, shteti synon të jetë i gjithëpranishëm në çdo cep të shoqërisë.

Kina paraqitet si “shtet-qytetërim’ bazuar në idetë e Konfuçit mbi harmoninë sociale. Megjithëkëtë, Xi i bën homazhe Mao Zedongut, i cili gjatë periudhës prej vitit 1949 e deri në mes të viteve 1970 shkretoi qytetërimin kinez në ndjekje të një utopie të shëmtuar lindore. Lëvizja drejt një regjimi më të kufizuar autoritar që dukej se kishte nisur në kohën e Deng Xiaopingut, i cili udhëhoqi Republikën Popullore të Kinës prej 1978 deri 1989, është kthyer mbrapsht dhe totalitarizmi është rigjallëruar. Kina është vend ku po ndodh eksperimenti në kombndërtimin e dhunshëm, me paralele më të afërta historike në Evropën e mes dy luftërave.

Rusia e Putinit dhe Kina e Xisë shpesh konsiderohen si tipe të ngjashme të regjimit. Kjo e ka një bazë, meqë të dyja janë mjete të projekteve perëndimore. Lenini mbante gjithmonë qëndrimin që marrja e kontrollit nga bolshevikët vazhdoi traditën jakobine në iluminizmin evropian. Një formë terrori pedagogjik ishte veçori e shtetit sovjetik prej kohës së themelimit të tij më 1917. Madje, edhe pas ndarjes sino-sovjetike në vitet 1960, Mao vazhdoi ta imitonte modelin e perëndimizuar sovjetik.

Megjithatë, dallimet mes Rusisë dhe Kinës sot janë të thella. Rusia e Putinit është regjim autoritar, ku shteti, megjithëse i dhunshëm, është i dobët. Kurrize të tij janë ish-shërbimet sovjetike të inteligjencës; por sektorë të tyre janë të gjysëmprivatizuar, me disa që bashkëpunojnë fshehtas me krimin e organizuar. Ushtri private amorfe operojnë në fqinjësinë e afërt të Rusisë dhe zona të tjera të konflikteve globale. Autoriteti i Putinit duket i pasfiduar në Kremlin, por ai e ushtron atë me pëlqimin e heshtur të oligarkëve të cilët nga ana e tyre varen prej patronazhit të tij.

Ka shenja të kalbjes së regjimit. Faza e hershme e putinizmit në të cilën popullata është kontrolluar përmes teknikave mediale ‘post-moderne’ dhe meanxhimt të apatisë i ka hapur rrugë asaj që mbështetet më shumë në kërcënimin e forcës. Sidoqoftë, kontrolli i popullatës nga shteti është më pak gjithëpërfshirës sesa ndonjëherë nën sistemin sovjetik derisa filloi rrëshqitjen në anarki me reformat liberalizuese të Gorbachevit në mesin e viteve 1980.

Më 2017, Kremlini refuzoi të festonte 100-vjetorin e Revolucionit Rus, ku Putini është raportuar të ketë thënë: ‘Ç’ka për të festuar?” Nuk është fare i pabazë qendrimi i disa rusëve të afërt me regjimin se Putini si produkt tipik i sistemit sovjetik është në thelb lider antikomunist. Megjithëkëtë, institucionet dhe metodat kryesore me të cilat ai qeveris janë trashëgimi sovjetike. Për shembull, forcat e parregullta ruse që pushtuan Ukrainën, të quajtur ‘gjelbëroshat e vegjël’, po ndiqnin praktikën bolshevike të maskirovka (mashtrimit). Luftbërja kibernetike e tij zbaton strategji të ngjashme.

Fantazia e revolucionit botëror është braktisur qëmoti, së bashku me qëllimin e transformimit të shoqërisë, por shteti përes të cilit qeveris Putini mbetet leninist në strukturën e tij.

Besimi se sfidat ndaj Perëndimit vijnë nga jashtë Perëndimit është burim rehatie për disa liberalë. Roli i një brezi të mëhershëm të mendimtarëve liberalë e socialistë në minimizimin e krimeve kolosale njerëzore gjatë komunizmit në Rusi dhe Kinë nuk mund të harrohet. Bashkëfajësia e Perëndimit në krimet e sotme mund të shmanget.

Përpjekja për t’i shfarosur ujgurët si popull është shembulli më i prekshëm i shtypjes në Kinë. Ngujimi në kampe të përqendrimit, shkatërrimi i xhamive dhe varrezave, deportimi për të punuar në fabrika (disa prej tyre siç është raportuar janë në zinxhirin e furnizimit të brendeve evropiane) dhe përdhunimi i grave, aborti i padëshiruar dhe sterilizimi, janë krime kundër njerëzimit. Ndërkaq, çdo fushatë kundër tyre ballafaqohet shpejt me pushtetin ekonomik të Kinës, e cila ka potencialin ta qesë nga binarët tregun global që ka ndërtuar Perëndimi dhe ndaj të cilit është i varur.

Përkundër faktit se halli i ujgurëve përmendet në takime ndërkombëtare, për ta ka shumë pak përkrahje të vërtetë. Në shumicën e vendeve me shumicë myslimane, ku shumë prej tyre i kanë borxh Kinës, thirrjet e ujgurëve për ndihmë kanë hasur në vesh të shurdhër. Një botë në të cilën hiperliberalizmi bashkëjeton miqësisht me rikthimin e skllavërisë mund të jetë faza e ardhshme e evolucionit social. Ujgurët janë në anën e gabuar të historisë.

Shtypja e pakicave në Kinë është domethënëse sepse minon narrativin ngushëllues liberal: bota moderne bazohet në inovacionin shkencor e teknologjik që kërkon një shoqëri të hapur. Diktatura nuk është vetëm e keqe, por joefikase dhe joproduktive. Vetëm shoqëritë liberale kanë të ardhme afatgjate.

Kina e ka zhdukur këtë legjendë. Gjatë periudhës pas Maos, një regjim diktatorial udhëhoqi procesin më të madh dhe më të shpejtë në histori të krijimit të pasurisë.  Si pasojë e kthesës nga qeveria autoritare në qeveri totalitare nën Xinë, inovacioni mund të ngadalësohet. Tashmë ka shenja se kjo po ngjan. Megjithatë, forcat kundërvepruese në Perëndim mund t’i japin prapëseprapë përparësi Kinës.

Në Kaliforni po shqyrtohen propozimet për ta shkurajuar mësimin e disa pjesëve të matematikës në shkolla të mesme. Në Ontario të Kandasë është propozuar kurrikulë ‘e barabartë’ e matematikës për shkak të ‘konsideratës që matematika mund të jetë subjektive”. Dekonstruktimi i arsimit në këtë mënyrë, në një kohë të rivalitetit të thellë gjeopolitik në shkencë dhe teknologji, nuk duket si një strategji fituese.

Është e paqartë se a janë të afta elitat perëndimore që të arsyetojnë strategjikisht në këtë moment. Shumë prej politikave të tyre kryesore janë me natyrë performative. Skemat për të arritur zero emetime të karbonit janë jashtëzakonisht të kushtueshme dhe nuk do ta parandalojnë përshpejtimin e ngrohjes globale. Shumat marramendëse do të shpenzoheshin më arsyeshëm duke u përshtatur me ndryshimin e shpejtë klimatik që tashmë po ndodh. Mirëpo, kjo do të kërkonte arsyetim realist, të cilin opinionbërësit perëndimorë e refuzojnë si defetist dhe jomoral.

Botëkuptimi që ka kapluar sektorë të inteligjencisë perëndimore përgjatë periudhës moderne dhe ka mbizotëruar botën e pasluftës së Ftohtë po shpërbëhet. Storiet që tregojnë se si njerëzimi po evoloun drejt vlerave liberale janë parodi të monoteizmit në të cilin logjika mitike në histori zëvendëson providencën shpëtimtare. Rrëzo këtë mit dhe bëhet e qartë se mënyra liberale e jetesës ka qenë aksident historik. Me kohë, regjimet e krijuara nga Xi dhe Putin do të shemben. Por, nëse lëvizja e gjatë e historisë na udhëzon për ndonjë gjë, ateherë na tregon se ato regjime do të pasohen nga anaria dhe despotizmat e rinj. Përderisa liberalizmi perëndimor mund të jetë kryesisht i vdekur, idetë joliberale perëndimore po e formësojnë të ardhmen. Perëndimi nuk po vdes, por është i gjallë në tiranitë që tash e kanosin. Të paafta për ta kuptuar këtë realitet paradoksal, elitat tona mbesin me gisht në gojë, teksa bota që e kanë marrë për të qenë venitet në errësirë.

***

Artikulli origjinal në New Statesman, më 28 korrik 2021.

***

Ky artikull mbështetet nga “Sbunker” përmes projektit të financuar nga Ambasada Amerikane. Mendimet e shprehura këtu janë të autorit dhe jo medoemos pasqyrojnë qëndrimet e Departamentit të Shtetit.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.