Pra, shpallja e pavarësisë në njëfarë forme na e riktheu entuziazmin që dikur e kishim. Shpejt filluam ta kuptojmë se tani lirinë që kishim duhet bashkëngjitur përgjegjësia. Filluam të shpresojmë se tani me bërjen shtet do të jemi më vigjilentë dhe do të punojmë ndershëm, por kishim harruar vetëm një fakt, se prej kohësh ndershmëria nuk po banonte më në shoqërinë tonë. Thuajse, e gjithë shoqëria ishim zhytur në pandershmëri aq keq dhe aq thellë, sa që shumë shpejt edhe shtetin e sapokrijuar me aq shumë mund, e identifikuam me këtë të keqe. Prandaj, sot Republika e Kosovës, asocion me një shtet të korruptuar. Sot në shoqërinë tonë nuk ka asnjë autoritet të cilit i besojmë. E gjithë kjo gjendje e etabluar në vend, entuziazmin dhe shpresën që kishim kur u bëmë shtet, e ktheu në zhgënjim. Dhe sot jemi një shoqëri në depresion. Kemi frikë nga ajo që vetë kemi krijuar.
Gradualisht u shpërfaqen egot dhe dëshirat e politikanëve dhe u bënë më të fuqishme se atdheu për të cilin dikur ishin në gjendje të vrisnin, e të vdisnin. Nga kjo gjendje që u krijua nga këta politikanë, të ndihmuar edhe nga ne (shoqëria), sot kush hapur, e kush si ndër dhëmbë e mohojmë atë që për të dikur ishim vrarë, masakruar, burgosur, dhunuar e deportuar, pra, shtetin. Mosgatishmërinë, për t’u marrë me përgjegjësitë (me detyrat që na takojnë) që kërkon shteti, jemi të gatshëm që ta zhbëjmë. Andaj, nuk është e çuditshme kur ne sot shtetin tonë e konsiderojmë si një kontratë të mundimshme sezonale që duhet të marrë fund sa më parë. Një ndjesi e tillë e ka rritë mosbesimin dhe ka hapur shtigje tjera për lindjen e kauzave të lloj-llojshme. Kjo gjendje, ku korrupsioni është mbizotrues ka pamundësuar krijimin e autoritetit legjitim. Hendeqet e krijuara nga ky delegjitimim, krijon pasiguri, që kjo pastaj sjell nevojën e krijimit të autoriteteve të ndryshëm jashtinstitucional që legjitimohen si autoritetet e fundme morale legjitime. Pra, prania kaq e madhe e korrupsionit është duke e pamundësuar kohezionin social, por që po krijon fragmentarizime të ndryshme shoqërore në dëm të shtetit dhe në instancë të fundit edhe në dëm të vetë lirisë sonë. Dikush i është rikthyer hyjnores, e dikush tjetër vetëm sa e forcon besimin që kishte në të. Dikush tjetër bëhet nacionalist rigjid…, lloj-lloj kauzash, e gjithfarë orientimesh, ku secila në vete dhe të gjitha s’bashku janë kundër shtetit. Mospasja arsimim të mirëfilltë, mjekësi që shëron, politikë që krijon siguri, mirëqenie dhe që hap mundësi të reja etj., këto u japin hapësirë formave të ndryshme të organizimit shoqëror, të stërkequra normalisht, të cilat bëjnë partikularizimin e shoqërisë dhe vetëm sa na fusin në paqartësi. Mbase, kur humbet shpresa edhe kështu mendohet pastaj se: më mirë në një grup me besimtarë, sesa në një shtet të pasigurt. Uniteti karshi kauzave egoiste të tyre e zbeh direkt fuqinë e shtetit, që i bie se e sulmon direkt substratin social. Pra, tek ne është ngulitur ndjenja e pasigurisë dhe njerëzit kërkojnë shpëtim duke u arratisur nga vetja e tyre.
Të dalësh nga një situatë e tillë, ku korrupsioni, papërgjegjshmëria ka mbrritë deri në palcën e individit dhe të shoqërisë në përgjithësi, duket aq e pamundur saqë edhe të dekurajon që në start. Na duket se të inkurajosh sot dikë që ta luftojë këtë të keqe, duket sikur po i kërkon të nxjerrë dhjamë nga pleshti. Mbase, ka shpjegime të shumta se kah duhet ecur, por një është më e sigurta; s’pari të bëhemi të sinqertë me veten. T’i themi vetes atë që më së paku dëshirojmë të na e thonë të tjerët; se ishim ne ata që lejuam të korruptohemi. Ishim ne ata që filluam të moralizonim mbi të. Ishim ne që filluam të korruptojmë të tjerët. Jemi ne ata që vetë duhet të çlirohemi nga gjendja ku jemi futur. Secili, të gjithë ne, kush më pak e kush më shumë, jemi përgjegjës për humnerën ku kemi rënë dhe duhet ta kuptojmë njëherë e mirë se Superman-i ka kaluar mbi këtë hapësirë (1999), s’do të kalojë më. Pra, jemi ne ata që duhet të gjejmë kurajon ta mbysim frikën brenda nesh dhe kjo bëhet duke u ballafaquar me veten. E vërtetë se kjo është gjë e vështirë, por gjithsesi e mundshme. Të tjerët e kanë bërë edhe ne mundemi dhe duhet ta bëjmë. Përndryshe; sa më gjatë që i qëndrojmë pranë kësaj të keqeje, aq më shumë do të njëjtësohemi me të dhe shumë më lehtë pastaj do të arsyetojmë, sepse tanimë moralizojmë.