Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Guximi për të vërtetën i Milos Minic-it

Projekti «Serbia tjetër», i ideuar nga Admovere e i mbështetur nga KFOS, përmbledh qëndrimet e intelektualëve serbë që kundërshtuan shkeljet drastike të të drejtave të njeriut të shqiptarëve të Kosovës prej autoriteteve serbe, që nga shfuqizimi i autonomisë së Kosovës më 23 mars 1989, deri te hyrja e trupave të NATO-s më 12 qershor 1999, e madje edhe më vonë. Shkeljet e kësaj periudhe kulmuan në vitet 1998-1999 me krime lufte e krime kundër njerëzimit, vrasje të rreth 10 mijë shqiptarëve civilë, përdhunime të mijëra grave e vajzave, deportim të gati një milion shqiptarëve, djegie e shkatërrim të rreth 100 mijë shtëpive, si dhe me shumë dëme të tjera shpirtërore e materiale.

Këta intelektualë u frymëzuan nga socialdemokratët serbë si Dimitrije Tucovic, Kosta Novakovic, Dusan Popovic, Dragisa Lapcevic, Trisa Kaclerovic, e të tjerë që, gjatë viteve 1912-13, kur Serbia e pushtoi Kosovën, kundërshtuan krimet e llahtarshme të shtetit serb ndaj popullatës së pafajshme civile shqiptare në Kosovë. Për fat të keq, këto krime u përsëritën fill pas Luftës së Parë Botërore, më 1918-1919, pastaj gjatë periudhës mes dy luftërave botërore, në fund të Luftës së Dytë Botërore (1944-1945), pastaj gjatë viteve 1946-1966, e rishtazi edhe gjatë dekadës së fundit të shekullit të kaluar (1989-1999).

Në këtë publikim, i dyti me radhë i projektit, janë përmbledhur artikujt e Milos Minic-it [1914–2003]. Që në hyrje, Minic rendit me saktësi, qartësi e korrektësi, ngjarjet kryesore historike me ndikim në raportet mes shqiptarëve e serbëve, që nga luftërat ballkanike të viteve 1912-1913, për të vazhduar me periudhën ndërmjet dy luftërave botërore 1918-1941. Minić, që vetë ishte pjesëmarrës në luftën nacional-çlirimtare antifashiste në Serbi, thotë se pas Luftës së Dytë Botërore “njësitë ushtarake partizane dhe pushteti i ri i instaluar në Kosovë kryen akte të shumta dhune, të përcjella me mosdurim shovinist ndaj shqiptarëve të Kosovës”.

Duke qenë funksionar në organet republikane serbe e ato federative, Minic shton edhe se “në vitet 1955-1956 në ‘aksionin për grumbullimin e armëve’ në Kosovë, të realizuar nga shërbimi i sigurimit shtetëror (UDB), u keqtrajtuan dhjetëra mijëra shqiptarë të Kosovës”. Nuk ka dilemë se pas Luftës së Dytë Botërore kishte mosbesim ndaj shqiptarëve, i cili sipas Minic-it nxitej kryesisht nga UDB-ja për shkak të qëndrimit të ngulitur nacionalist dhe shovinist serb dhe pasqyrohej në mbizotërimin e kuadrove serbe e malazeze në krejt Kosovën. Pas “Plenumit të Brioneve” më 1966 nisën ndryshimet e rëndësishme në Kosovë, të cilat gjatë viteve 1970 kulmuan me autonomi të lartë të Kosovës në kuadër të Serbisë e të Jugosllavisë. Me zbutjen e klimës politike, kuadrot shqiptare depërtuan edhe në pozitat më të larta në Kosovë, në Serbi e në Jugosllavi.

Megjithatë, me ardhjen në pushtet të Slobodan Milosevic-it në fundin e viteve 1980, Serbia ia shfuqizoi autonominë Kosovës, vrau dhjetëra demonstrues shqiptarë, përjashtoi dhjetëra mijëra shqiptarë nga puna, ndëshkoi rëndë me burg intelektualë e aktivistë politikë shqiptarë. Minice sheh terrorin shtetëror serb kundër shqiptarëve në Kosovë si tiparin kryesor të regjimit dhe të politikës së Milosevic-it kundrejt Kosovës. Madje, përveçse e cilëson si regjim të represionit, të përndjekjeve policore dhe të terrorit shtetëror kundër shqiptarëve të Kosovës, e krahason edhe me politikën hegjemoniste të Pasic-it e të Karadjordjevic-ëve. Nga ana tjetër, lëvizjen nacionale të shqiptarëve të Kosovës dhe rezistencën paqësore joviolente kundër regjimit, e krahason me lëvizjen çlirimtare joviolente e antikoloniale të Gandit në Indi.

Pjesa më e madhe e artikujve të Minić-it trajtojnë vitet 1998-99 të Kosovës. Që në fillimin e vitit 1998, në një letër që Minic i dërgonte Slobodan Milosevic-it, asokohe President i RFJ-së, i kërkonte ta braktiste idenë e referendumit kundër përzierjes së bashkësisë ndërkombëtare në zgjidhjen e çështjes së Kosovës, ngaqë asnjë konflikt që kërcënon paqen dhe sigurinë e vendeve të tjera, nuk mundet me qenë çështje ekskluzive e brendshme. Në letër ai e paralajmëronte Milosevic-in edhe për ndërhyrjen e NATO-s, duke i thënë se do të detyrohej të pajtohej që Kosova të fitonte të paktën njëfarë “statusi special” në kuadër të federatës, të njëjtë me statusin e Serbisë dhe të Malit të Zi. Minic ishte i bindur se shqiptarët e Kosovës nuk do të pranonin asgjë më pak, sepse sundimi i paskrupullt dhjetëvjeçar i terrorit policor kishte lënë pasoja të rënda në gjendjen e tyre shpirtërore dhe në përcaktimet e tyre ndaj Serbisë e Jugosllavisë.

Pothuajse në të gjithë artikujt, Minic-i kërkon Milosevic-it me ndërmarrë hapa për me ndalë përshkallëzimin e situatës në Kosovë dhe me gjetë një zgjidhje politike duke negociuar me përfaqësuesit e shqiptarëve të Kosovës. Planet e Serbisë për zgjidhjen e çështjes së Kosovës ai i konsideron joserioze e të papërgjegjshme, simulime “dialogu” sa me bindë publikun botëror se janë përfaqësuesit e shqiptarëve të Kosovës ata që nuk e duan zgjidhjen e çështjes me “dialog”. Për të është joserioze dhe qesharake që shqiptarët e Kosovës të konsiderohen pakicë kombëtare duke iu referuar teorive juridike shterpe, prandaj propozon status special për Kosovën, të tipit republikë e tretë në kuadër të Jugosllavisë ose edhe pavarësi të plotë.

Minić-in e shqetëson fakti se kur është në pyetje Kosova, regjimit të Milosevic-it i bashkohet pothuajse krejt opozita, Kisha Ortodokse, Akademia e Shkencave dhe e Arteve, Shoqata e Shkrimtarëve, e të tjera me radhë. Duke pasë parasysh këtë, ai këmbëngul që forcat demokratike të Serbisë ta zgjidhin çështjen e Kosovës, sepse për katastrofën që po përjeton Serbia, përgjegjësinë nuk do ta bartë vetëm regjimi aktual që po e shpie Serbinë në theqafje, por edhe forcat demokratike, nëse nuk bashkohen për të ofruar zgjidhje krejt të kundërt për Kosovën, me gjithë akuzat e mundshme të regjimit për “tradhti nacionale të serbizmit”. Minic madje shkon aq larg sa thotë se përgjegjësia morale dhe politike në botë do të bjerë edhe mbi popullin serb nëse i jep mbulesë politikës së regjimit të Milosevic-it.

Pjesën më të jashtëzakontë të shkrimeve të Minic-it e përbën kundërshtimi i aksioneve mizore të forcave policore e ushtarake serbe e jugosllave në Kosovë, në të cilat pësuan kryesisht gra, fëmijë, të moshuar, e përgjithësisht popullatë e pafajshme civile shqiptare. Për Minic-in, Milosevic-i ishte dhe mbetej përgjegjës për gjithçka që, gjatë luftës, po ngjante në Kosovë: vrasjet, shkatërrimet, plaçkitjet dhe dëbimet brutale e masive të popullsisë civile shqiptare nga forcat policore e ushtarake serbe e jugosllave. Këto, pohon Minic, kishin për qëllim “t’i dëbonin të gjithë shqiptarët nga Kosova dhe ta shndërronin Kosovën në krahinë të pastër etnike serbe”. Ai madje e akuzon edhe bashkësinë ndërkombëtare për ndërhyrjen e vonuar në Kosovë, sikurse më parë në Bosnje, për t’i ndërprerë krimet.

Minic-i konstaton se Milosevic-i me politikën e vet e ka sjellë popullin serb në pozitë tragjike që të pësojë vuajtje çfarë nuk i mban mend në historinë më të re, kurse popujve fqinjë, me të cilët ka jetuar bashkë gati një shekull në bashkësinë e njëjtë shtetërore, u ka shkaktuar plagë, viktima, shkatërrime dhe fyerje të rënda e të paharrueshme. Prandaj, ai shtron një mori pyetjesh: Pse po na ndodh kjo tragjedi? Kush na futi në këto fatkeqësi? Kush e bart përgjegjësinë politike, historike dhe penale për katastrofën që po përjetojnë Serbia dhe populli serb? Pse e gjithë bota e zhvilluar në Perëndim është kundër Serbisë dhe popullit serb? Kur do ta kuptojë populli serb se po i bie rrugës së gabuar e të rrezikshme e t’i kthehet politikës për të cilën sot angazhohet pakica demokratike në Serbi, e cila shikon më larg dhe përpara me qëllim të realizimit dhe sigurimit të interesave vitalë të popullit serb?

Kulmin e kundërshtimit të krimeve Minic arrin me letrën e hapur publike që ia dërgon Presidentit Milosevic fill pas përfundimit të bombardimeve të NATO-s, më 23 qershor 1999, në të cilën shtron edhe tema të rëndësishme për marrëdhëniet serbo-shqiptare: kush ka dhënë urdhra që Kosova të spastrohet etnikisht nga shqiptarët e Kosovës përmes dëbimeve dhe ekzekutimeve masive? Kush ishin ata që i dëbonin nga shtëpitë familjet shqiptare të Kosovës, duke ua lënë nga dhjetë minuta sa t’i rrëmbenin më të domosdoshmet, që ua plaçkisnin pasuritë e shtëpitë, këto të fundit duke ua djegur në fshatra e qytete, që ua rrënonin e digjnin fshatrat e vendbanimet, ua asgjësonin dokumentet personale për të mos u kthyer më kurrë në Kosovë?

Projekti «Serbia tjetër» jo vetëm ofron modele të intelektualëve që kundërshtojnë padrejtësitë dhe krimet e udhëhequra prej ‘bashkëkombësve’, pavarësisht prej arsyetimeve të këtyre, por edhe e nderon intelektualin që kësisoj shpesh e vë jetën vetjake në rrezik, duke dëshmuar guxim manhitës që kurrsesi nuk duhet të kalojë pa mirënjohjen e merituar. Fatkeqësisht, këto personalitete populli serb i ka parë si tradhtarë dhe i ka paragjykuar, njollosur, anatemuar e sulmuar, ndërkaq populli shqiptar i ka parë kryesisht me mosbesim dhe prandaj i ka shpërfillë.

Nga ky publikim do të përfitojnë gazetarët, analistët politikë, dhe ata aktivistë të shoqërisë civile që merren me marrëdhëniet shqiptaro-serbe; politikanët e përfshirë në negociata që kanë për qëllim normalizimin e këtyre marrëdhënieve; studentët, akademikët, dhe publiku i gjerë, përfshi këtu gjeneratat e ardhshme në Kosovë, Serbi, Shqipëri, Ballkan, si dhe të interesuarit kudo në botë, pasi që publikimi ofrohet edhe online dhe në anglisht, përveçse në shqip e serbisht.

Kosova e pasluftës nuk e ka ndonjë rrugë me emrin «Serbia Tjetër», rrugicat e degëzuara prej të cilës do të mund të mbanin emrat e intelektualëve serbë që kundërshtuan okupimin e Kosovës, e madje ia mbështetën pavarësinë. Prandaj, këto publikime në kuadër të projektit «Serbia Tjetër», të botuara nga Admovere e të mbështetura nga KFOS, janë një mirënjohje modeste e kontributit të tyre për mbrojtjen e të drejtave të njeriut të shqiptarëve të Kosovës, si dhe e kontributit që dhanë drejt ndarjes paqësore e miqësore të shqiptarëve me serbët, por edhe bashkëjetesës së tyre mbi baza të tolerancës dhe të mirëkuptimit të ndërsjellë.

Kush ishte Milos Minic?

U lind më 1914 në fshatin Prelina në afërsi të qytetit të Çaçakut, ku edhe e kreu shkollimin fillor e të mesëm. Studimet për drejtësi i mbaroi në Universitetin e Beogradit. Që nga viti 1935 ishte anëtar i Lidhjes Komuniste të Rinisë së Jugosllavisë e më pas i Partisë Komuniste të Jugosllavisë. Gjatë luftës antifashiste nacional-çlirimtare, mbajti poste partiake e ushtarake. I udhëhoqi negociatat me Draza Mihailovic-in dhe bashkëluftëtarët e tij çetnikë, që t’i luftonin bashkërisht okupatorët nazifashistë. Pas çlirimit të Beogradit ishte shef i Departamentit për Mbrojtjen e Popullit për qytetin e Beogradit. Më pas shërbeu si prokuror publik në Serbi dhe si përfaqësues i prokurorisë ushtarake të Armatës Popullore të Jugosllavisë. Rasti më i madh legal i Minic-it ishte “Procesi i Beogradit”, i mbajtur më 1946, në të cilin u dënua me vdekje lideri i lëvizjes çetnike serbe, Draža Mihailovic, me disa prej bashkëpunëtorëve të ngushtë, prandaj ky rast njihet edhe si “Gjykimi i Draza Mihailovic-it”. Minic mbajti pozita të ndryshme në Qeverinë e Serbisë e të Jugosllavisë. Gjatë viteve 1970 ishte Ministër i Jashtëm i Jugosllavisë. Në këtë kohë nënshkroi Marrëveshjen e Osimos për demarkimin e kufijve ndërmjet Italisë dhe Jugosllavisë. Gjatë viteve 1990 ishte ndër kritikët e paktë të regjimit të Slobodan Milosevic-it, me theks të veçantë ndaj politikës së tij kriminale kundrejt shqiptarëve të Kosovës. Vdiq më 2003 në moshën 89-vjeçare në Beograd e u varros në Çaçak.

***

Find the English version here

Author

  • Shkëlzen Gashi

    Shkëlzen Gashi ka studiu Shkencat Politike në Universitetin e Prishtinës, kurse magjistraturën për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut në programin e përbashkët studimor të Universiteteve të Bolonjës dhe të Sarajevës. Është autor i shumë botimeve (librave dhe artikujve). Në vitin 2010 ka botuar biografinë e paautorizuar të Adem Demaçit, i cili ka kaluar 28 vjet nëpër burgjet jugosllave. Kohët e fundit, ka botu shumë artikuj brenda e jashtë vendit rreth historisë së Kosovës në tekstet mësimore të historisë në Kosovë dhe në vendet përreth Kosovës – Shqipëri, Sërbi, Mal të Zi dhe Maqedoni. Po ashtu, tani është duke shkruar biografinë e Ibrahim Rugovës, udhëheqësit të shqiptarëve të Kosovës 1989-2006.

Lexoni Gjithashtu

Analizë

Viti i parë i Qeverisë Kurti shënoi një start të vështirë në politikën e jashtme, shoqëruar me shumë gabime diplomatike dhe dështime të protokollit....

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Analizë

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Kosovo Dispatch

In the second episode of Kosovo Dispatch, we talk to Agon Maliqi, an independent analyst and the co-founder of Sbunker, about the legal and...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.