Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Hajde n’forum ta gjejë nji punë

Sot fola me një shoqe në Kosovë. Me tregoi se nuk po dinte se në çfarë programi të masterit të regjistrohet. Folëm e folëm në përpjekje për ta gjetë një drejtim që i përshtatet. Një që ka potencial për punë. Kur e pyeta se çka po vendosë, më tha që po i bashkohet filan partisë. U habita fort. Më dëshproi se e njoh për principe e dinjitet në studime. Gjatë tanë këtyre viteve i ka rezistu thirrjeve për servilizëm që shumë parti i ofrojnë në Kosovë. Nuk është që kësi rastesh s’kam dëgju më herët. Shumë të rinj që s’kanë hy në treg, po edhe shumë të tjerë që veçse punojnë, servilizmin e shohin si të vetmen formë me ardhë në profesion. Nuk po flas për ambicie politike që zhvillohen nëpërmjet pjesëmarrjes e zhvillimit politik por për antarësim instrumental e servil për t’arritë te punësimi.Tu e pasë në mendje shoqen, këtë shkrim ua dedikoj atyre që në këto kohë zgjedhjesh janë ftuar t’i bashkohen forumeve, atyre që servilizmin e shohin si të vetmen mënyrë të punësimit, dhe atyre që nuk dijnë si të arrijnë deri te punësimi.

Ta kesh të qartë që ky shkrim nuk është asi raporti i suksesit për punësim, është veç një tentativë me i nda disa praktika që i kam pa në vende të ndryshme. E di që kontekstet shoqërore, kulturore, dhe politike ndryshojnë nëpër vende. Mirëpo, përsëri, dikush mund të pyesë, a nuk ka  aspekte të cilat një i ri mundet t’i përmirësojë në vete? Pra, është fjala për përmirësime në raport me punësimin, edhe atëherë kur ambienti në të cilin jeton nuk është i favorshëm.

Megjithëse, unë po flas për të rinjtë, e di që ky rreth vicioz i anëtarësimit e mbajtjes peng në parti i mban gjallë shumë elektorate në Kosovë. Më kujtohet para disa viteve, Valentina Bunjaku, që tash është deputete në Kuvend të Kosovës, del me një lloj konference në Gjilan ku thotë se është krenare që ka arritë t’i punësojë disa gra. Ajo këtë e sheh si arritje të kauzës gjinore, aspak e vetëdijshme për nepotizmin që gërshetoi prezantimi i saj. Pra, ky servilizëm edhe është normalizu në diskursin tonë publik.

Sipas UNDP, papunësia e të rinjve në Kosovë mes moshës 15-24 vjet është 57.7 %. Kjo të duket pak kur e mendon se sa të rinj sheh pa punë. Prej rrethit të shoqërisë time të mëherëshme, shumë prej atyre që punojnë në institucione publike janë ata që kanë qenë në forumet rinore politike. Po flas për ata që shkojnë në forume me pjesëmarrje servile, sepse atyre që reagojnë ndaj padrejtësive shpejt u hapet dera e përjashtimit. Pas tanë këtyre viteve, shumicës prej shokëve e shoqeve ‘forumistë’ gati u ka ardhë rendi. Njëri është në komunë, tjetri në administratë, tjetra në qeveri, tjetri lidhje pas lidhje në sektor privat, mirëpo prapë nëpërmjet partisë. Kjo nuk është veç një ankesë e vjetrueme, po e vërtetë që demonstrohet çdo ditë.

Nuk ka më sfidë se të gjesh motivim në një shoqëri që nuk ka shpresë. E kam pa edhe vetë, për një vit sa isha në mes të Prishtinës e Gjilanit duke punuar me të rinj. Një rreth i pashpresë të afekton edhe ty, edhe pak ata vullnet që e ke, herëdokur. Sidoqoftë, qëllimi i këtij shkrimi është që t’ia gjejmë vetes vegzën e zhvillimit, edhe në vështirësi. Në fund të fundit, jemi vetë përgjegjës për rrethanat që i krijojmë apo si ju përgjigjemi atyre që nuk i kemi në kontroll. Ka mjaft resurse që nuk shfrytëzohen. Ka mjaft potencial për të krijuar resurse që nuk ekzistojnë në shumicën e qyteteve, në përjashtim me Prishtinën që ofron më shumë resurse për të rinj. Pra, qendra që u ndihmojnë të rinjve t’i zhvillojnë kapacitetet e tyre, jo vetëm profesionale, por edhe individualitetin e tyre. Këto resurse e qasje të zhvillimit individual po i ndaj në tri kategori: rutinë e organizuar, rrjetëzim e pjesëmarrje, dhe qytetari aktive. Këto i kam zbërthyer nga përvojat që i kam parë. Janë mundësi, por s’do të thotë që aplikohen në të gjitha rastet apo se vlejnë për të gjithë të rinjtë. Megjithatë, ia vlen të lexohen si për fillim.

Ditë e organizuar

Çdo ditë sjell potencial e mundësi për ata që dijnë ta shfrytëzojnë kohën. Nëse je student dhe nuk mëson të paktën për një 3 orësh në ditë, kjo tregon mungesë përkushtimi e keqmenaxhim të kohës. Kjo do të reflektohet herëdokur. Një student që nuk është i përkushtuar në mësime gjithmonë do ta ketë më të vështirë që të angazhohet në punë apo të krijojë vend pune për vete. Këtu po i anashkaloj parashutistët e forumeve për të cilët gjithmonë do të ketë punë, por punë të padinjitetshme. Nuk shkohet në shkollë për të mbytur monotoninë por për ta ndihmuar veten dhe përfundimisht shoqërinë me profesionin që keni zgjedhur. Pa organizim të kohës e një rutine strategjike të studimeve, është e vështirë të përmbushen synime të tilla. Nëse shumica e kohës gjatë ditës investohet duke humbur shpresë kafeve, gjasat janë që aty do të jetë e ardhmja.

Në anën tjetër, sa të rinj mbajnë praktikë gjatë studimeve? Pak, larg asaj sa do të duhej.  E shpeshherë praktikën e shohim si obligim që duhet të kryhet, e jo si mundësi strategjike për punësim. Ajo bëhet për të fituar sa më shumë përvojë e shkathtësi të cilat do të kërkohen thuajse në secilën punë që aplikojmë. Sa isha jashtë vendit gjatë studimeve në nivel bachelor por edhe ato më vonë, shumica e studentëve shfrytëzojnë pushimet sezonale për të bërë praktika në organizata e institucione të ndryshme. Sado që të pakta ishin ditët e pushimeve. Derisa të vijë koha e diplomimit, një student përfundon të paktën dy praktika si parapërgatitje për punësim. Përveç shkathtësive, praktika ndihmon të na rrjetëzojë me profesionistë e kërkesa të tregut në të cilin duam të angazhohemi.

Pastaj, për të shpresuar për punësim, kërkohet çdo ditë përpjekje e aplikim për të arritur aty. Realisht, të kërkosh punë në mënyre aktive është punë në vete. Kur erdha në Kanadë, në një qendër punësimi më sugjeruan se duhet t’i dërgoj rreth 70 aplikacione të targetuara për punëdhënësin që të shpresoj për tri intervista. Të aplikoj vetëm aty ku kam shkathësi dhe kualifikime, pra vetëm në pozita që ka probabilitet punësimi. Është fjala për një qytet në Kanadë që ka mjaft mundësi punësimi. Të njëjtin përkushtim, mos edhe më shumë do të duhej ta dyfishojmë me taktika lokale për t’u punësuar në qytetet tona në Kosovë. Organizimi, praktika, e kërkimi aktiv janë hapat fillestarë të punësimit, por rrjetëzimi e pjesëmarrja janë ato që na njoftojnë e informojnë më së miri rreth asaj se çfarë duam të bëjmë.

Jo me t’njofshëm, por rrjetëzim e planifikim

Gjatë adoleshencës e tutje, të rinjtë mundohen ta kuptojnë veten dhe rolin e tyne në shoqni. Kjo kuptohet duke qenë pjesë e grupeve, gjatë shkollës, shoqërisë, e familjës. Në shumë vende në botë të rinjtë fillojnë punë vullnetare, anëtarësohen me ndonjë klub që i përshtatet interesave, pra bëhen pjesë e një komunitet shoqëror ku mund ta gjejnë veten. Pa qenë pjesë e një grupi që ofron vlera për ty është vështirë ta zhvillohesh si karakter apo ta njohësh vetën në raport me të tjerët. Nuk e di se çfarë duhet të përmirësosh, e nuk e di se çfarë duhet të investosh më shumë. Është vështirë të krijosh parime personale kur asnjëherë nuk ke qenë pjesë e hapësirave që stimulojnë mendimin kritik. Pra, hapësirave ku shkëmbehen e reflektohen zhvillimet shoqërore e kulturore. Pa këto vende që ofrojnë kapital shoqëror është vështirë të njohësh individualitetin tënd, të sfidosh përtej vlerave të kaluara nga familja, e të krijosh një vizion autentik për të ardhmen tënde.

Fatmirësisht, Prishtina ka një numër komunitetesh në të cilat të rinjtë mund ta gjejnë veten. Po nisem me Termokissin, klubi ‘Bonu burr’, aktivitetet e S’bunkerit, koncerte, teatro, klube të leximit, vrapimit, e shumë të tjera që nuk është vështirë t’i gjesh. Në Prizren, kinemja “Lumbardhi” e “Dokufesti” i cili zhvillohet gjatë verës. Në Pejë “Anibari”, e në Gjakovë qendra “BoneVet” që po bëjnë punë të mrekullueshme me të rinj. Resurse më të pakta ka në qytetet tjera. Po flas për aq sa kam parë gjatë vitete të kaluara, sidomos në komunat më të vogla sikur Kamenica, Vitia, Gjilani e Besiana. Shpeshherë projektet qëndrore zhvillohen atje për kohë të cakutar, mirëpo shumica prej tyre nuk janë të qëndrueshme. E ato iniciativa të cilat lindin organikisht nga të rinjtë e këtyre vendeve, shuhen nga mungesa e fondeve apo aftësia për të konkurruar me OJQ-të e mëdha qendrore që mundohen t’i marrin të gjitha fondet.

Mungesa e komuniteteve të tilla në shumë vende tregon për nevojën e potencialin për t’i krijuar ato. E ato që janë duhet të forcohen e t’u shërbjenë të rinjve. Pra, po flas për aktivitete e komunitete me vlera në të cilat zhvillohen të rinjtë, e jo vetëm pjesëmarrje servile, ku për një pleskavic e koka kollë, u ofrohet mbështetje zaptuesve që bëjnë premtime të rrejshme apo organizatave që duan t’u marrin vetëm nënshkrimet. Pjesëmarrja shoqërore e kulturore është e mangët pa pjesëmarrje politike. E qytetaria aktive është ajo e cila e përmbush këtë mozaik.

Ankesa po, veçse konstruktive e në adresë të duhur

Sa herë që i kam inkurajuar shumë shokë e shoqe të punojnë vullnetarisht në ndonjë kauzë, jam ballafaquar me përqeshje e cinizëm për një sugjerim të tillë. Si ka mundësi që nuk i kuptojnë të mirat që mund t’i ofrohen një nisme, grupi apo komuniteti nëpërmjet punës vullnetare? Pra, të shfrytëzojmë mundësinë për të mësuar shkathësi të reja, për të krijuar kontakte të reja, e për ta zhvilluar veten. Një i ri i papunësuar, me kohë të mjaftueshme, çka tjetër mund të bëjë më mirë sesa të zhvillojë ndonjë shkathësi duke i ndihmuar të tjerëve e duke përvetësuar shkathësi që do t’i duhen në profesionin e tij. Për shembull, unë njoh shumë të rinj që nuk dijnë të punojnë me ‘excel’ e ‘ëord’, programe të cila thuajse janë bazike për secilën punë në ditët e sotme. Hezitojnë e u duket shaka që këto njohuri t’i marrin duke iu bashkuar ndonjë inciative vullnetare apo thjesht duke e krijuar një të tillë. Duke u përfshi në aktivitete të komuniteteve të cilave i takojmë, njohim njerëz, krijojmë kontakte, miqësi, e investime të tjera shoqërore që do të na hynë në funksion herëdokur në një formë apo tjetrën.

Është përgjegjësi të jesh qytetar apo banor i një vendi. Parregullsitë, padrejtësitë, shkeljet e rendit, si ato nga individët apo institucionet e ndryshme duhet të monitorohen e raportohen. Ne jemi vetë përgjegjës për çdo parregullsi në komunitetet në të cilat jetojmë, përderisa, nuk shprehim interesim në monitorimin apo ndërtimin e tyre. Është përgjegjësi ta çojmë zërin ndaj pandrejtësive e të parandalojmë shkeljet e tilla. Pastaj, përgjegjësi qytetare është të pranosh punë për të cilat je kompetent, të shkruash të dhëna të sakta në CV, të bashkëpunosh e të mos bëhesh sikurse individët të cilit i kritikon vazhdimisht. Ka shumë njerëz në Kosovë që më motivojnë me përkushtimin e tyre qytetar. Ditëve të fundit, në inicitivën për të mirën, gazetari Milot Hasimja mori një mirënjohe për përkushtimin e tij në organizimin e komunitetit. Ai gjithsesi e shfrytëzon fuqinë e tij mediale për t’i adresuar padrejtësitë e lagjes tij në Prishtinë. Organizimi i tij rreth ambientit të gjelbër si dhe temave të tjera, shpeshherë e sjell vëmendjen e institucioneve, pra bën pikërisht atë që të gjithë jemi të supozuar ta bëjmë.

Kur kujdesemi e interesohemi për vendin ku jemi, investojmë në një shoqëri të drejtë e përgjegjëse. Vetëm kështu shmangen padrejtësitë ndaj individëve, kushtimisht, edhe ty që je i preokupuar më punësimin tënd.

Për të përfunduar, nuk është e lehtë të ëndrrosh në vendin tonë, por të jesh i drejtë është gjithmonë zgjidhje. Ata të cilët përkushtohen, studiojnë e punojnë me dinjitet janë ata që i mbajnë shpresat në këtë vend. Pra, janë ata të cilët i kemi në mendje si krahasim i së mirës sa herë që kritikojmë dikë. Kur nepotizmi e servilizmi bëhen normalitet, vetëm qytetaria aktive, rrjetëzimi, dhe organizimi i duhur i përditshmërisë sonë mund t’i luftojnë ato. Kjo është fusha jonë e ndikimit, kjo është diçka që vërtet mund të bëjmë.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.