Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Hajt se veç vajzë osht

Foto nga Mikhail Nilov.

Kur ka lindë motra jeme, nji kojshike pat thanë pa pikë marre “Uuu! A prap çikë a?”. Se rastësisht urimet, për vajzë, sidomos nëse nji familje tashma e ka nji vajzë, janë komplet të paimagjinueshme. Ky muhabet tregohet ende në familjen tonë, me tregu sa paturpshëm mundet me qenë dikush i mbrapshtë. Në vazhdimësinë e anekdotave si kjo, motra jeme edhe unë e kemi nji mik të familjes shumë për qejf, të cilin e takojmë Bajram n’Bajram. Ai e ndjekë një ritual të njëjtë çdo herë, vjen, uron, i referohet vllaut tonë si Sulltan, e në tri vitet e kalueme që unë nuk kam qenë në shtëpi, ai nuk ka pritu hiç me u shprehë se unë dhe motra jeme jemi praktikisht njejtë e nuk ka lidhje cila jemi aty, ose a jemi të dyjat aty. Reduktimet e tilla të fëmijëve brenda një familjeje në bazë të gjinisë janë praktikë shumë e shpeshtë në shoqërinë tonë. Këto praktika, përveç që krijojnë anekdota për ilustrime të së mbrapshtës, kanë implikime shumë më të mëdha në vetë zhvillimin e fëmijëve e në mundësitë që kanë në jetë.

Shtegu drejt suksesit varet nga shumë faktorë, shumë nga të cilët janë të paravendosur për ne. Në vendet e zhvilluara, sidomos në ato ku qeveria është e vogël, ose pabarazia e madhe, i është kushtuar rëndësi lëvizshmërisë socio-ekonomike ndër breza, si tentativë për të parë ndikimin e këtyre faktorëve të paravendosur në pabarazinë shoqërore. Lëvizshmëria ndër breza matet me krahasimin e gjendjes socio-ekonomike të prindërve dhe fëmijëve të tyre – ku ngjashmëria më e madhe në statusin socio-ekonomik do të thotë lëvizshmëri më e vogël.

Një publikim rreth mobilitetit ndër gjenerata nga LSE, vlerëson se ky varet nga disa faktorë, të ndarë në individualë, shtëpiakë, dhe faktorët e jashtëm. Faktorët individualë janë ata gjenetikë, do të thotë predispozitat të cilat nuk janë të kontrollueshme, por edhe angazhimi i prindërve dhe aspiratat e tyre për fëmijët. Në faktorët shtëpiakë përfshihen investimet e familjes, si financiare, ashtu edhe investimet në kapitalin njerëzor – si shkollimi i fëmijëve. Faktorët e jashtëm, si ambienti kulturor dhe ekonomik në të cilën jetojnë familja. Këta faktorë të kombinuar determinojnë nivelin socio-ekonomik të individit, si në përgjithësi, ashtu edhe në krahasim me gjeneratat paraprake familjare.

Lufta e sotme kundër pabarazisë ka implikime shumë më të mëdha për të ardhmen. Predispozitat ekonomike në të cilat lindim kanë ndikim tejet të madh në gjendjen ekonomike, në të cilën do të jetojmë në të ardhmen. Mobiliteti ndër gjenerata, nga hulumtuesit më së shpeshti matet me elasticitetin e ndryshimit të statusit ekonomik (do të thotë të ardhurat) nga babai tek i birin. Një shoqëri me mobilitet perfekt ndër gjenerata – ku të ardhurat e të birit nuk varen aspak nga të ardhurat e babait – ka elasticitet 0, ndërsa një shoqëri rigjide, ka elasticitet 1, ku të ardhurat e të birit varen tërësisht nga të ardhurat e babait. Sipas vetë karakteristikave ekonomike e shoqërore, vendet në zhvillim zakonisht kanë elasticitet shumë më të ulët se ato të zhvilluara.

Implikimet e mobilitetit ndër gjenerata janë të shumta, duke filluar nga rrënjëzimi i pabarazisë, tek krijimi i një elite ekonomike e politike e cila bartet nga një gjeneratë në tjetrën, deri te ajo në të cilën ky artikull thellohet: pasojat gjinore të mungesës së mobilitetit ndër gjenerata.

Rrënjëzimi i pabarazisë është evident në shoqëritë me mobilitet të ulët ndër gjenerata, sidomos ato në të cilat varfëria, papunësia e dominojnë gjendjen socio-ekonomike, ndërsa nepotizmi dhe korrupsioni e dominojnë gjendjen ekonomiko-politike. Fëmijët e atyre që sot përfitojnë nga sistemi duke u pasuruar, në shoqëritë me mobilitet të ulët, do të mbesin ata të pasurit e së nesërmes, duke krijuar kështu një sistem kuazi-monarkik të transferit të statusit ekonomik. Duke qenë se elita politike dhe ajo ekonomike janë të lidhura ngushtë, e njëjta vlen për krijimin e elitës politike e cila bartet nga një gjeneratë në tjetrën. Sidoqoftë, këto problematika mbesin mbarë botërore, dhe kërkojnë trajtim hulumtues më të thellë se një postim blogu. Kjo, në anën tjetër, s’do të thotë që nuk duhet të eksplorohen së paku nga një këndvështrim.

Problematika e mobilitetit ndër gjenerata merr dimension tjetër në shoqëri patriarkale, ku ndikimi i të tre faktorëve të lartpërmendur ndryshon në bazë të seksit të fëmijëve. Fillimisht, tek faktorët individualë, ku përfshihen aspiratat e prindërve për fëmijët e tyre, fatkeqësisht dallojnë pritjet dhe planet që prindërit i kanë për djemtë dhe vajzat e tyre. Në rastet ekstreme, patriarkaliteti dikton qasjen se “vajzat janë për shpi të huaj” dhe si rezultat që nga fillimi janë qytetare të dorës së dytë në vetë familjen e tyre. Kështu, faktorët individualë, e vënë në disavantazh vajzën kundrejt djalit. Mobilitetit socio-ekonomik ndër gjenerata, nga prindërit në vajza dhe në djem është, si rezultat, i ndryshëm. Edhe nëse mobiliteti është 1, në një shoqëri ku pritjet për vajzat janë të ndryshme nga pritjet për djemtë, derisa djemtë qëndrojnë në nivel të njëjtë socio-ekonomik me prindërit, vajzat, në fakt pësojnë regres.

Kjo është tejet më e dukshme tek faktorët shtëpiakë. Vajzat, në shoqëri patriarkale ballafaqohen me probleme të investimit në to dhe aftësitë e tyre. Investimi, sidomos në edukim dhe karrierë, në vajza është dytësor ndaj investimit në djem. Në rastin më ekstrem, vajzat nuk vazhdojnë shkollimin, ndërsa djemtë po, e në raste tjera, djemve ju ofrohen mundësi shkollimi shumë më kualitative se vajzave. Në Kosovë, ekziston ende një mendësi se kapaciteti për sukses profesional varet nga gjinia, dhe si rezultat rrënjoset trajtimi preferencial i djemve karshi vajzave kur bëhet fjalë për shkollim e aftësim profesional. Investimi në arsimin, në aspektin financiar dallon në mes të shkollave publike dhe atyre private. Të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës tregojnë se derisa në shkollim publik numri i vajzave dhe i djemve është afërsisht i barabartë, në shkollat private 43% e studentëve janë vajza, do të thotë ka 14% më shumë djem. Edhe pse këto statistika nuk dëshmojnë dallim në investimin në kualitet të arsimit, ato dëshmojnë diskrepancë në investim financiar. Përveç kësaj, në zbërthimin e statistikave të raportit MICS, shihet rënia e përqindjes së pjesëmarrjes së vajzave në shkollë, me rritjen e nivelit të shkollimit, rënie që është më e ulët tek djemtë. Këto diskrepanca në investimin, si në pritje, ashtu edhe atë financiar, mes vajzave dhe djemve, krijon shteg të ndryshëm të suksesit me dallim gjinor. Si rezultat, vajzat, janë shumë më të prirura të kenë mobilitet regresiv, nëse e matim mobilitetin nga babai tek vajza.

Përveç aspektit të investimit në arsim, një faktor tejet i rëndësishëm është edhe ndarja e trashëgimisë mes fëmijëve. Me ndarjen e barabartë të trashëgimisë, prindërit i japin fëmijëve startin e njëjtë ekonomik në jetë, kështu, sipas praktikave të zakonshme, me mosndarjen e barabartë të trashëgimisë bëhet diskriminim ndaj fëmijëve. Në Kosovë, sipas një raporti të USAID shfaqen të dhëna brengosëse rreth trashëgimisë, të cilat nuk kanë bazë ligjore, por zakonore. Në këtë raport rreth 55% të grave të anketuara nuk e ushtrojnë të drejtën e tyre në trashëgimi, e prej tyre, rreth 68% e grave serbe e kërkojnë trashëgiminë, krahasuar me vetëm 30% të grave shqiptare. Në rastet kur trashëgimia ndahet ligjërisht, shumica e grave heqin dorë nga e drejta për trashëgimi në familje, duke i dhënë edhe hisen e tyre vëllezërve. Por, në anën tjetër, shpesh, vajzat as nuk arrijnë të heqin dorë nga trashëgimia, duke mos u ballafaquar me mundësinë që të trashëgojnë. Rreth 46% e grave japin si arsye zakonet dhe praktikat shoqërore për moskërkimin e trashëgimisë. Këto zakone janë të rrënjëzuara nga Kanuni i Lekë Dukagjinit, ku thuhet qartë se trashëgimia bëhet vetëm sipas linjës së gjakut nga ana e babait – do të thotë, fëmijëve që e trashëgojnë emrin e familjes. Si të tilla, këto praktika patriarkale, rezultojnë në diskriminim të vajzave ndaj djemve në të njëjtën familje, duke i dhënë bazë mobilitetit regresiv socio-ekonomik të vajzës. Kështu, pabarazia ekonomike është edhe më e thellë në baza gjinore.

Faktorët socialë, kulturorë, dhe ambienti ekonomik në të cilin jetojmë, ndërlidhen ngushtë me problemet e sipërpërmendura. 25 vite pas komenteve të fqinjës sonë për fatkeqësinë e lindjes së motrës time, u ballafaqova me një sfidë të madhe të vetëpërmbajtjes. Një floktar në Prishtinë po bisedonte me një kliente dhe argumentonte që është qesharak fakti që prindërit nuk tregojnë preferenca ndaj fëmijëve të tyre. Sipas tij, fëmija i parë është më i dashtun për prindërit se fëmijët tjerë, e ende më mirë kur prindërit kanë fatin që fëmija i parë të jetë djalë, se djem është më mirë me pasë. Shoqëria kosovare mbetet ende patriarkale e ambienti ekonomik është tejet më pranues dhe i favorshëm për burra se për gra. Diskriminimi përtej familjes, në trajtimin si student, në trajtimin si punëtor potencial, janë pjesë e përditshmërisë së vajzave dhe grave në Kosovë.

Analiza gjinore e faktorëve që ndikojnë në mobilitetin socio-ekonomik ndër gjenerata e jep një pasqyrë brengosëse për implikimet e pabarazisë ekonomike. Pabarazia, në vetvete, pa zbërthim gjinor, është problematikë e madhe ekonomike e sociale në Kosovë. Mirëpo, kur i shtojmë nivelin e analizës gjinore, problematika bëhet edhe më e madhe. Nëse në Kosovë, sipas natyrës së ekonomisë, mobiliteti ndër gjenerata është i ulët nga babai në djalë, ai ka potencial të jetë regresiv nga babai tek vajza. Ky problem do të ketë pasoja në të ardhmen, duke krijuar pabarazi edhe më të madhe, e sidomos pabarazi ekonomike në baza gjinore.

 

_________________________

Ky tekst është mbështetur nga United Nation Democracy Fund (UNDF) –  Am I equal in Kosovo society

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.