Ilustrimi: Big Eye
Këtë vit “Shkolla e Mendimit Kritik” truAktiv do të udhëtojë online në të gjitha rajonet e Kosovës. Për vitin e katërt të rinjtë e moshave 17 deri në 22 vjeç e kanë mundësinë që të bëhen pjesë e diskutimeve dhe punëtorive katërditore, të cilat e nxisin mendimin kritik rreth politikës, filozofisë, shoqërisë, të drejtave të njeriut, kulturës dhe rolit të secilit/ës për ndryshime në komunitet.
Çka ka me ndodhë më specifikisht n’truAktiv?
Krejt çka duhet me ndodhë në institucione arsimore në Kosovë e që fatkeqësisht nuk ndodh:
– Në ditën e parë prezantohemi, tregojmë kush jemi, shoqërohemi, këqyrim film e diskutojmë rreth tematikës së filmit. Veç na, pa ekspertë.
– Në ditën e dytë bashkë me Adem Behën, Ardian Golën dhe Bardhi Bakijën do ta çmontojmë identitetin, kombin, sekularizmin dhe filozofinë politike.
– Në ditën e tretë do të përballemi me të kaluarën, shëndetin mendor dhe gjininë dhe seksualitetin me Nora Ahmetaj, Mirishahe Syla dhe Natyra Agani.
– Në ditën e katërt bashkë me Visar Arifaj, Aurela Kadriu dhe Adelina Tërshani do të diskutojmë rreth metodave për angazhim qytetar, rolin e satirës në ndryshime shoqërore dhe politike dhe mënyrës se si mundet aktivizmi m’u angazhu përmes artit.
E me kaq kryhet a?
Jo! Pas përfundimit të shkollës të mendimit kritik pjesëmarrësit do të munden të:
– çertifikohen dhe bëjnë punë praktike 3-mujore në Sbunker dhe organizatat e tjera bashkëpunuese.
– marrin pjesë në samitin treditor të truAktiv në Prishtinë.
– marrin pjesë në modulet e strukturuara “Politika dhe Shoqëria”; “Produksioni Multimedial” dhe “Aktivizmi në komunitet”.
– mbështeten nga truAktiv për të implementuar idetë e tyre, të cilat kanë bazë ndryshime në komunitet.
– bëhen pjesë e komunitetit të truAktiv, i cili përbëhet nga ish pjesëmarrës dhe aktivistë të truAktiv.
– bëhen koordinatorë lokalë të truAktiv për të zhvilluar aktivitete në rajonet përkatëse.
Kur ka m’u mbajtë shkolla e mendimit kritik?
Programi zbarkon në Prishtinë për herë të dytë në datat 20 tetor – 23 tetor. Në ditën e parë ia fillojmë në ora 16:00 për me përfundu në ora 18:00. Ndërsa ditët e tjera fillojnë në ora 13:00 dhe përfundojnë në ora 17:30.
A mundem me apliku unë? Nëse po, qysh me apliku?
Nëse je i/e ri/e nga mosha 17 deri në 22 vjeç (nuk e këqyrim për pak) me vendbanim në rajonin e Prishtinës (përfshi komunën e Fushë Kosovës, Lipjanit, Podujevës, Drenasit, Obiliqit dhe Novobërdës), apliko në vegëzen e bashkangjitur këtu, më së largu deri më 17 tetor në ora 10:00.
Të gjitha pyetjet me * janë të obligueshme dhe duhet të plotësohen. Mos të harrojmë me theksu, për me qenë programi sa më gjithëpërfshirës dhe divers, i inkurajojmë me apliku të rinjtë nga zonat rurale, vajzat dhe gratë e reja, personat me aftësi të kufizuara, pjesëtarët e komuniteteve të margjinalizuara dhe komuniteteve etnike pakicë.
Diçka për fund?
Rreth aktiviteteve të truAktiv në të kaluarën vizitoni www.truaktiv.net ndërsa biografitë e ligjëruesve i gjeni më poshtë.
—-
Shkolla e Mendimit Kritik është mundësuar nga Ambasada e Mbretërisë së Holandës në Kosovë.
—–
Biografia? Nuk ka nevojë për fjalë. Flasin veprat.
Aurela Kadriu është diplomuar në Sociologji nga Universiteti i Prishtinës. Ajo është hulumtuese e cila vazhdimisht është përfshirë në kauza shoqërore që lidhen me çështjet gjinore dhe të drejtat e njeriut. Ka qenë e angazhuar si hulumtuese në Iniciativën Kosovare për Histori Gojore [Oral History Kosovo] një arkivë dixhitale e cila mbledh rrëfime jetësore të njerëzve të ndryshëm në lidhje me etapa të ndryshme të historisë. Përgjatë viteve të fundit, ka punuar si hulumtuese dhe pjesë e ekipit të produksionit të katër ekspozitave të cilat trajtonin tema të historisë bashkëkohore të Kosovës dhe gjinisë: Fushata e Pajtimit të Gjaqeve 1990-1991 (Prill, 2018); Data:Mars (Gusht, 2018); Përnjëherë e mjegullt dhe e pashmangshme:ëModernitetet 1945-1989 (Nëntor, 2018); Ballafaqimi me të harruarën (Shkurt, 2020). Ka punuar si asistente e regjisë në dokumentarin “Daullet e Rezistencës (2016), i cili flet për sistemin paralel të edukimit në Kosovë përgjatë viteve të ’90-ta. Aktualisht është e angazhuar si hulumtuese në dokumentarin “Çka e vrau arkitektin?” i cili flet për zhvillimin socio-urban të Prishtinës pas vitit 1999 (2019, vazhdon) si dhe në një dokumentar i cili flet për fenomenin e migrimit të personave LGBTIQ+ nga Kosova në vendet e Evropës Perëndimore (2019, vazhdon). Është e angazhuar me orar të plotë si koordinatore e projektit Kultura për Ndryshim, i cili menaxhohet e financohet nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, ndërsa implementohet nga Qendra Multimedia dhe Goethe Institut.
Ardian Gola ka doktoruar në Sociologji. Ai është profesor në Universitetin e Prishtinës dhe ligjëron temat që lidhen me arsimin, shkencën dhe teknologjinë, epistemologjinë, fenë dhe sekularizmin si dhe postmodernizmin. Ka qenë studiues vizitor në Universitetin e Illinois në Urbana-Champaign gjatë periudhës janar – maj 2010. Ka marrë pjesë në konferenca dhe seminare ndërkombëtare, që kanë të bëjnë me temat e tij kërkimore. Është, gjithashtu, autor i artikujve shkencorë të botuar në revista vendore dhe ndërkombëtare. Që nga viti 2008 ai u zgjodh në poste të ndryshme administrative, menaxheriale dhe këshilluese, siç janë: Sekretari i Departamentit dhe më pas Koordinator për Zhvillimin Akademik në Fakultetin Filozofik. Gjatë vitit 2014 ai ishte këshilltar i Rektorit të Universitetit të Prishtinës. Ai është i angazhuar në sferën publike si kritik social. Angazhimi i tij profesional dhe kritik shtrihet edhe në shoqërinë civile, përkatësisht sektorin e OJQ-ve, gjithashtu.
Bardhi Bakija ka studiuar në Bard College Berlin dhe në John Cabot University në Romë. Në dy vitet e fundit ka qenë menaxher projektesh në Jahjaga Foundation. Përkthimet e Bardhit botohen rregullisht në sbunker.net. Bardhi ka interes në studimin e mitologjisë e filozofisë së lashtë greke e romake, historisë së artit të Renesancës dhe Barokut, si dhe letërsisë moderniste të fillimshekullit 20.
Mirishahe Syla është aktiviste feministe dhe studijuese e qështjeve gjinore. Përqëndrimi i saj është në problematizimin e konceptit të gjinisë dhe ekzaminimin e ndikimit që ka në formësimin e normave sociale dhe krijimin e diskurseve në kontekstin lokal në Kosovë. Me interes të veçantë, ajo trajton problemin e Dhunës me Bazë Gjinore duke adresuar faktorët themelorë, përfshirë normat gjinore dhe pranueshmërinë e dhunës. Ajo ka përfunduar studimet master në Studime mbi Gratë dhe Gjinitë. Aktualisht punon si Këshilltare për Qështje Gjinore dhe Menaxhere e Programit për Hulumtime në organizatën SIT, poashtu është anëtare e Grupit për Këshillim në projektin e Kombeve të Bashkuara për të Rinjtë dhe Krijimin e Paqes në rajonin e Ballkanit, si dhe punon me organizata të tjera lokale dhe ndërkombëtare në fuqizimin e rolit të gruas, fuqizimin e të rolit të të rinjve në shoqëri, dhe përmirësimin e shërbimeve për të mbijetuarat e dhunës në familje, ndër to Fondacioni Jahjaga, Qendra për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve në Prishtinë, Shtëpia e Sigurt në Gjakovë, Anibar, etj. Prapavija e hulumtimeve të saj përfshinë qështje të epistemologjisë gjinore, rolin e të rinjve në parandalimin e dhunës, integrimin e ndërthurjes në programe ndërkombëtare për parandalimin e dhunës, si dhe qështje të tjera sociale. Fushat me interes për të janë nderthurja (intersectionality) në mendimin dhe veprimin feminist, ekofeminizmi, feminizmi transnacional, si dhe feminizmi rural.
Natyra Agani-Destani është ligjëruese në Departamentin e Psikologjisë në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe specialiste e Psikologjisë Klinike dhe Psikoterapisë. Ajo ka përfunduar studimet themelore të psikologjisë në UP, ndërkaq studimet e doktorratës në Universitetin e Clemsonit në SHBA. Intereset e saja hulumtuese përfshijnë fenomenin e dhunës në kontekstin e shkollës, ngacmimin në mes të bashkëmoshatarëve, migrimi, intervenimet në komunitet, dhe problemet e shëndetit mendor në mesin e adoleshentëve. Ajo është e martuar dhe nëna e Diellit
Nora Ahmetaj themeloi Qendrën për Hulumtim, Dokumentim dhe Publikim (CRDP) në vitin 2010, dhe deri në vitin 2016 shërbeu si drejtore e saj. Gjatë luftës në Kosovë, ajo zhvilloi hetimet për krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit për Qendrën për të Drejtën Humanitare. Ahmetaj ka specializuar gjatë gjithë karrierës së saj në të drejtat e njeriut, transformimin e paqes dhe konfliktit dhe drejtësinë tranzicionale. Para se të punonte në CRDP, Ahmetaj ishte këshilltare e Komisionit Evropian dhe punoi për një sërë organizatash ndërkombëtare të të drejtave të njeriut. Nga viti 2010 deri në 2012, ajo ishte anëtare e Këshillit Koordinues Rajonal të Koalicioneve për themelimin e Komisionit Rajonal të së Vërtetës (KOMRA). Ajo u trajnua për të drejtat e njeriut dhe marrëdhëniet ndërkombëtare në Qendrën Carr për Politikat e të Drejtave të Njeriut në Shkollën e Qeverisjes John F. Kennedy të Harvardit, në të cilën ajo mori pjesë në vitet 1999-2000.