Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Izolimi: armiku i virusit, aleat i dhunës

Në fund të muajit mars, Qeveria e Kosovës miratoi masat e para për parandalimin e përhapjes së virusit COVID-19. Me daljen në pah të një kërcënimi të padukshëm me shtrirje globale për të cilin dinim shumë pak, mënyra e vetme dhe më efikase për parandalimin e përhapjes së virusit ishte izolimi dhe distancimi social. Në një situatë emergjente, e cila kërkonte përgjigjje dhe reagime të shpejta nga institucionet shtetërore, fokusi kryesor ishte natyrisht tek masat të cilat do të ndikonin në mospërhapjen e virusit dhe parandalimi i ndjekjes së trendit të vendeve tjera, në të cilat lulëzonin rastet e infektimit dhe të vdekjeve, sepse e dinim që sistemi shëndetësor i Kosovës thjesht nuk do ta përballonte një kolaps të tillë.

Me vendosjen e vëmendjes tek parandalimi i virusit, në anën tjetër, në mënyrë goxha të përafërt nëse jo paralele, u rrit edhe numri i rasteve të dhunës në familje. Izolimi në shtëpi me një partner ose anëtarë të shtëpisë abuzues është një sfidë e shtuar gjatë situatës pandemike, të cilën jo vetëm se nuk ishim në gjendje ta luftonim, por as të përgatitur ta parandalonim. E këtë, përveç rritjes së rasteve të dhunës në familje gjatë izolimit, e dëshmoi edhe rasti i fundit ku në mënyrën më tragjike dhe çnjerëzore një grua u privua nga jeta pikërisht nga bashkëshorti i saj, si rezultat i mosmarrëveshjeve familjare. Statistikat e Policisë së Kosovës për rastet e dhunës në familje të raportuara nga marsi deri në korrik tregojnë se janë rreth 900 raste të paraqitura të dhunës në familje. Në muajin mars të këtij viti, kur edhe filluan përforcimet e masave, ka pasur 171 raste të raportuara të dhunës në familje në Kosovë (ngritje prej 22 rasteve nga muaji shkurt). Këto raportime mbërritën kulmin e tyre në korrik të këtij viti ku u regjistruan 185 raste të dhunës në familje. Rastet e shtuara bëhen më drastike kur krahasojmë këto të vitit 2020 me ato të vitit 2019. Gjithsej gjatë vitit 2020, prej muajit janar deri në muajin korrik ka pasur 1185 raste të raportuara të dhunës në familje, për dallim nga viti 2019 ku ka pasur gjithsej 1014 prej muajit janar deri në korrik.

Edhe pse rritja e rasteve të regjistruara gjatë periudhës së karantinës dhe izolimit është evidente, dhuna në familje ende mbetet e nënraportuar në krahasim me rrezikun real që paraqet dhe rastet e raportuara nuk duhet të merren asnjëherë si tërësi e rasteve të dhunës në familje.

Besueshmëria në institucionet e sigurisë dhe të drejtësisë jep gjithashtu një pasqyrë të rëndësishme lidhur me çështjen. Nuk është çudi që raporte të ndryshme shpesh paraqesin institucionet e drejtësisë duke gëzuar mosbesueshmëri nga ana e qytetarëve. Mungesa e besimit mund të shihet si mjaft e arsyeshme kur marrim parasysh dështimet e shumta të Policisë së Kosovës apo institucioneve të drejtësisë në parandalimin dhe luftimin e rasteve të dhunshme. Kur shohim rastet e mëhershme të dhunës në familje dhe eskalimin e tyre deri te vrasja e grave, mund të kuptojmë qartë hezitimin e viktimave të dhunës në familje për të raportuar rastet e dhunshme. Dështimet për reagime të shpejta në rastet serioze të dhunës pas disa raportimeve, dënimet disproporcionale në raport me krimin e kryer apo mosmbështetja institucionale ndaj viktimave të dhunës në familje, të gjitha këto kontribuojnë në forcimin e kulturës së mohimit për dhunën në familje. Një tjetër gjë që lë shumë për të dëshiruar është edhe mbulueshmëria mediatike në raportimin e rasteve të dhunshme. Në shumë artikuj që raportojnë rastet e dhunshme hasim diskrepancë dhe tituj tendenciozë duke u munduar ta përçojnë mesazhin që viktimë të dhunës në familje apo në baza gjinore nuk janë vetëm gratë, por edhe burrat. Kur autore të veprave janë gratë, këto të fundit shpesh etikohen me emra të ndryshëm, si për shembull “e dehur”. Tendenca për të barazuar krimet në një shoqëri patriarkale ku në të shumtën e rasteve janë gratë ato që përjetojnë forma të përsëritura të abuzimit, censurimi i informacioneve të cilat janë në favor të të akuzuarit, përmbajtjet e lajmeve që në mënyrë direkte apo të tërthortë fajësojnë viktimat, ndikojnë shumë në ndryshimin e paradigmës në diskursin publik për dhunën në familje apo në baza gjinore, të drejtat e grave etj.

Mënyra se si mbulohen lajmet për dhunën në baza gjinore e formëson tek masa nocionin se dhuna ndaj grave është problem social sistemik.

Duke e ditur se në kushte normale mosraportimi i dhunës në familje është një problem që duhet të preokupojë të gjithë shoqërinë sepse kështu nuk kemi asnjëherë pasqyrë të saktë të kërcënimit që paraqet, në kushte pandemie kjo çështje vështirësohet edhe më tepër. Jetërat e shumë grave në kushte normale janë të shoqëruara me frikë e ankth nga abuzimi fizik, psikologjik, seksual apo ekonomik – mirëpo tendenca që partnerët e tyre të ushtrojnë dhunë mbi to gjatë një pandemie globale e cila ka ngritur valë të reja të krizës ekonomike, problemeve mendore dhe abuzimit me alkool e substanca tjera – është shumë më e madhe. Izolimi dhe distancimi social i bëjnë viktimat të ndihen edhe më të bllokuar/a dhe pa rrugëdalje. Si rrjedhojë, është shumë e vështirë që viktimat e dhunës t’u qasen instancave raportuese dhe të arratisen nga një situatë abuzive. Pikërisht kjo, kërkon përgjigjje të shpejtë nga institucionet shtetërore në gjetjen e metodave efektive për identifikimin e rasteve të dhunës në familje në fazat e hershme të ciklit abuzues dhe vazhdimin me procedurat e tjera të nevojshme, të cilat garantojnë sigurinë e viktimave dhe dënimin e kryesve të veprave.

Trendi i rritjes së rasteve të dhunës në familje është shumë prevalent edhe në rajon. Sipas të dhënave të mbledhura nga OJQ-të e ndryshme, ka rritje të këtyre rasteve në Romani, Moldovë, Mal të Zi, Kroaci.

Në Rumani, ka rritje 2.3 përqind të rasteve të dhunës në familje për marsin e këtij viti, në krahasim me marsin e vitit të kaluar.

Në Moldavi, në tre muajt e parë të 2020 policia kishte regjistruar 267 raste te dhunës në familje.

Në Mal të Zi, sipas të dhënave të OJQ-së ‘Centre for Women’s Rights’, raportimet për dhunën në familje në qendër ishin ngritur 20 përqind në muajin mars në krahasim me muajin paraprak.

Në Kroaci, sipas të dhënave të mbledhura nga BIRN (Balkan Investigative Reporting Network), numrat e rasteve të dhunës në familje u ngritën nga 94 raste në mars të 2019 në 120 raste në mars të këtij vitit.

Kur flasim globalisht, statistikat anë e mbarë botës tregojnë një rritje të theksuar të rasteve të dhunës në familje. Natyrisht se çdo shtet qëndron ndryshe nga tjetri, varësisht nga qasja institucionale e shtetërore ndaj dhunës në familje dhe dhunës në bazë gjinore, mirëpo të gjitha këto ngritje të rasteve të lartpërmendura tregojnë natyrën universale të problemit të dhunës në familje gjatë pandemisë. COVID-19 ka ilustruar se problemi nuk është lokal.

Për më tepër, krijimi i një sistemi të besimit është esencial në eleminimin e këtij fenomeni. Roli dhe puna e institucioneve të sigurisë mund të jetë një mbështetje jashtëzakonisht e madhe për viktimat, duke ndëshkuar kryesit e veprave penale dhe duke parandaluar përfundimet fatale. Në anën tjetër, mospërfillja e rasteve dhe mosndëshkimi i dhunuesve, mund të prodhojë efektin e kundërt që është ngurrimi dhe heshtja e viktimave. Në luftën për barazi gjinore, institucionet e sigurisë kanë qenë shpeshherë pengues në arritjen e saj duke i marrë rastet me neglizhencë, pakujdesi e tolerancë. Kështu është krijuar normalizimi i dhunës, çështje kjo që është kultivuar qysh prej momentit kur viktimat pajtohen më idenë që dhuna është çështje private dhe si e tillë duhet të trajtohet brenda shtëpisë, e deri tek mosvënia e dhunuesve përpara përgjegjsisë.

Edhe pse sektori i sigurisë është ajo instancë që mund të ndihmojë më së shumti në tejkalimin e barrierave praktike të raportimit të dhunës, krijimi i një politike e cila nuk specifikon se cila derë është e duhur për të raportuar, (qoftë Policia, Shërbimi Shëndetësor, OJQ-të etj.), garanton më shumë siguri që viktimat e dhunës në familje të jenë të informuar/a për gamën e gjerë të shërbimeve që janë të disponueshme për ta.

Izolimi dhe distanca sociale ishin mjaft efektive në parandalimin e virusit, mirëpo nuk erdhën pa implikime negative socio-ekonomike dhe psikologjike. Tani me lehtësimin e masave dhe kthimin gradual në normalitet, mund të shpresojmë shumë që rritja e rasteve të dhunës në familje dhe dhunës ndaj grave e cila eskaloi edhe me vrasjen e një gruaje muajin e kaluar nuk do të jenë vetëm reagime euforike, të cilat harrohen brenda një periudhe të shkurtë. Mund të shpresojmë shumë që të paktën është arritur një lloj ndërgjegjësimi i njerëzve për situatat abuzive me të cilat përballen shumë gra në vendin tonë. Së fundmi, konsistenca është më e rëndësishmja kur flasim për këto shërbime thelbësore. Dhuna në familje dhe ndaj grave, si shkelja më e madhe e të drejtave të njeriut, kërkon qasje institucionale e shtetërore më serioze, përshtatje të shpejt të shërbimeve të raportimit online dhe këshillimit telefonik sepse ishte pikërisht pandemia COVID-19 e cila i ekspozoi të metat e shërbimeve sociale për trajnimin e dhunës në familje dhe tregoi sa shumë kemi për të bërë për të sjellë sado pak siguri në shoqërinë tonë.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.