Nga debati i kolegëve gjermanë e kuptova së kërkesa e ambasadores së Turqisë nuk ka të bëjë me perceptimin “shteti madh dirigjon shtetin e vogël”, por thjesht nga bindja e qeverisë turke se shteti duhet të kujdeset për veprimet e individëve, të cilët sulmojnë reputacionin e presidentit të një shteti tjetër (rasti Jan Böhmermann), dhe ato veprime përmes së cilave tentohet të kritikohet/ironizohet situata politike në një shtet tjetër (rasti Berat Buzhala).
Në të dy rastet qeveria turke e kishte bazuar kërkesën e saj në legjislacionin vendor të shteteve në fjalë.
Ja po e bëj një krahasim mes këtyre dy rasteve.
1. Rasti Jan Böhmermann: Në muajin mars të vitit 2016, Jan Böhmermann, një moderator i ZDF-së me anë të një vjershe satirike kishte ofenduar presidentin turk, Recep Tayip Erdogan. Pas disa ditësh, qeveria turke ka lëshuar një notë verbale duke kërkuar nga qeveria gjermane të hapet rasti kundër Böhmermann. Kancelarja gjermane Angela Merkel ishte munduar ta zbusë situatën duke kërkuar falje për vjershën e Jan Böhmermannit, veprimin e të cilit e quajti “një gabim”. Po kjo nuk mjaftoi, sepse qeveria turke këmbëngulte që ky rast të zgjidhet me ndjekje penale. Kërkesën për të filluar ndjekjen penale qeveria turke e kishte bazuar në Nenin 103 të Kodit Penal gjerman, i cili ndalon fyerjen e organeve apo përfaqësuesve të vendeve të huaja.
Mirëpo për të filluar një procedurë të tillë u nevojit një kërkesë nga pala e dëmtuar me të cilën shpreh personalisht pakënaqësinë e tij (kërkesë e presidentit Erdogan) si dhe autorizimi nga qeveria gjermane që të hapet rasti (hapja e rasteve të natyrës Böhmermann të ashtuquajturat raste Ermächtigungsdelik kërkojnë pëlqimin e qeverisë).
Pas një presioni të vazhdueshëm, më 15 prill 2016, Merkel njoftoi në një konferencë për shtyp se qeveria gjermane ka miratuar ndjekjen penale Böhmermann. Por në të njëjtën kohë ajo deklaroi se ky Nen do të shfuqizohej para vitit 2018, ngase nuk përkon me realitetin e sotëm.
Neni 103 i takon një praktike të vjetër që ishte prezente në diplomacinë evropiane. Në atë kohë shtetet e kishin për detyrë t’ua siguronin përfaqësuesve të huaj mbrojtjen nga ofendimet/denigrimet e mundshme. Kjo praktikë e ndalimit të denigrimit të përfaqësuesve të huaj ndalohet edhe në Zvicër, Danimarkë, Holandë, Norvegji, Itali e Poloni.
Sidoqoftë, sado që Neni 103 nuk i takon kohës moderne, ai prapëseprapë është ligj në fuqi dhe si i tillë shërben si bazë juridike për të filluar procedurën kundër Böhmermannit. Më 17 maj 2016, gjykata shtetërore në Hamburg ka nxjerrë një urdhër me të cilin urdhëron të censurohet vjersha, ku thuhet se “fragmentet që përmbajnë paragjykime racore dhe shpifje fetare si dhe zakonet seksuale, shkojnë përtej asaj që kërkuesi (Erdogani) mund të pritet të tolerojë.”
Gjykata vendosi se është tejkaluar vija në mes të kritikës satirike dhe abuzimit të pastër. Lidhur me vendimin e gjykatës, Böhmermanni u përgjigj se e gjithë kjo ishte thjesht një eksperiment i tij për të ilustruar kufirin mes kritikave të ligjshme dhe atyre të paligjshme/abuzive (sipas ligjit gjerman Schmähkritik).
Si pasojë e kësaj, një varg kritikash u lansuan kundër kancelares Merkel. Disa shkuan aq larg më spekulime duke komentuar se ky sulm i saj në lirinë e shprehjes dhe lirinë e artit vjen si pasojë e frikës nga ndonjë veprim i mundshëm i presidentit Erdogan, i cili mund të ndikojë negativisht në marrëveshjen e lidhur mes Gjermanisë dhe Turqisë për refugjatët. Në anën tjetër, rasti i Böhmermannit shërbeu si alarm për shtetin norvegjez dhe atë holandez që të shikojnë mundësinë e shfuqizimit të Nenit që ndalon degradimin e përfaqësuesve të shteteve të huaja.
2. Rasti Berat Buzhala: Pas tentim-puçit në Turqi më 15 korrik 2016, Berat Buzhala, gazetar i Gazetës Express, ka shkruar në Facebook një koment:“I ftoj qytetarët e Kosovës që po gjenden me pushime në Turqi të rreshtohen me ushtrinë”. Ky koment përfundon më shenjat emoticon, gjë që tregon së komenti nuk ishte serioz.
Një gjë e tillë nuk është mirëpritur nga ambasada turke e cila pakënaqësinë e saj e kishte shprehur me anë të një letre drejtuar qeverisë së Kosovës, nga e cila kërkoi që të marrë masa ndaj gazetarit Berat Buzhala, pasi që ai në Facebook ka mbështetur puçin kundër presidentit Erdogan në Turqi.
Jan Böhmermann dhe Berat Buzhala kanë diçka të përbashkët. Që të dy shfrytëzuan lirinë e shprehjes (Böhmermanni edhe atë të artit) për të shprehur mendimin e tyre. Mirëpo, përderisa Böhmermanni po ballafaqohet me një procedurë, Berat Buzhala për momentin nuk ka nevojë të sfidojë gjyqësinë e Kosovës. Them për momentin ngase nuk jam e sigurt së qeveria turke nuk do të vazhdojë me presione për të realizuar qëllimin e saj. Deri më sot kemi dy reagime, dhe atë të ministrit të punëve të jashtme Enver Hoxhaj dhe kryeprokurorit të shtetit Aleksandër Lumezi.
Pas disa ditë heshtjeje, ministri i punëve të jashtme i Kosovës, deklaroi se kjo çështje i takon gjyqësorit duke theksuar: “As Qeveria e Republikës së Kosovës dhe as dikush tjetër nuk mund të ndërhyjnë në gjyqësor dhe në çështjet e gjyqësisë”. Pastaj vazhdon: “Kosova respekton lirinë e shprehjes, lirinë e shtypit dhe të mendimit dhe e cilësoi shkrimin e gazetarit Berat Buzhala “me përmbajtje sarkastike dhe pa qëllime politike.” Edhe pse ministri Hoxhaj deklaron se komenti i z. Buzhala ka përmbajtje sarkastike dhe nuk ka qëllime politike, – e shikuar në tërësi deklarata e ministrit mund të interpretohet si hedhje e përgjegjësisë tek gjyqësori të cilit i mbetet të vendosë për këtë çështje.
Në anën tjetër, kryeprokurori i shtetit Aleksandër Lumezi del më një deklaratë të paqartë, duke deklaruar: “Ne do t’i marrim të gjitha veprimet në përputhje me legjislacionin vendor, dhe nëse e shohim se ka ndonjë element të ndonjë vepre penale me siguri se ne do të kyçemi. Por me sa e kam parë unë, nuk kemi të bëjmë me elemente të veprës penale, dhe kjo nuk është çështje e Prokurorisë së Shtetit që të merret me problemet të cilat janë shfaqur mes një gazetari dhe ambasadës turke në Kosovë”.
Po ta dekonstruktojmë këtë deklaratë të Kryeprokurorit të shtetit, nga fjalia e parë del se pas shqyrtimit dhe analizimit të çështjes, nuk përjashtohet mundësia e inicimit të një rasti nga ana e prokurorisë. Ndërsa fjalia e dytë lë të kuptohet së ky veprim i Buzhalës karshi ambasadës turke nuk është kompetencë e prokurorisë, meqë sipas të gjitha gjasave nuk kemi të bëjmë me elemente të veprës penale.
Po çka nëse qeveria turke vazhdon me presione dhe kërkon zbatimin e ligjit dhe në njëfarë mënyre organet e Kosovës detyrohen të hapin rastin kundër Buzhalës? Kancelarja Merkel nuk i rezistoi presioneve, u desh ta vërë në funksion ligjin ekzistues, kështu që mund të ndodhë që edhe përfaqësuesit tanë ta bëjnë të njëjtën.
Edhe pse ambasada nuk e ka specifikuar ligjin, na bën të kuptojmë së kërkesa e saj mbështetet në paragrafin 4 të Nenit 3 të Ligjit Nr. 05/L -002, i cili ka të bëjë me “Ndalimin e bashkimit në konflikte të armatosura jashtë territorit të vendit”.
Paragrafi 4 i Nenit 2 thotë: “Kushdo që në mënyrë publike, në tubim ose me anë të shkrimeve, xhirimeve audiovizuele, duke përfshirë dhe mos u kufizuar edhe në rrjetet sociale ose në çfarëdo forme tjetër të komunikimit, thërret ose nxit të tjerët për kryerjen e veprave penale të përcaktuara në paragrafët 1, 2 dhe 3 të këtij Neni, dënohet me burgim prej gjashtë (6) muaj deri në pesë (5) vite.”
Paragrafët 1, 2 e 3 të këtij ligji, sanksionojnë grumbullimin e mjeteve financiare për organizata të huaja, që qëllim kanë luftën në vende të huaja, organizime e mbështetje të tjera që për qëllim kanë luftën, konfliktin dhe dhunën.
Nuk dihet sesi do të rrjedhë puna. Mund të hapet rasti, por ekziston mundësia që e gjithë kjo zhurmë të harrohet.
Por nëse hapet rasti, gjyqtarët tanë do të ballafaqohen me një sfidë të madhe, thjesht do ju duhet të vendosin për një veprim i cili është i mbështjellë me lirinë e shprehjes. Pala, e cila pretendon se z. Buzhala ka kryer vepër penale me anë të një postimi në Facebook duhet ofruar fakte bindëse që tregojnë se ka pasur nxitje për të kryer një vepër penale, siç thuhet në paragrafin e lartcekur. Në këtë rast z. Buzhala thirret në lirinë e shprehjes, një gjë që ia garanton Kushtetuta e vendit si dhe standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.
Mirëpo është e nevojshme të ceket se liria e shprehjes mund të kufizohet në emër të asaj që quhet nxitje/shtytje për të kryer një vepër penale. Në këtë rast ekziston një lidhje e ngushtë midis shprehjes dhe një “rreziku të konsiderueshëm që sjell tek një e keqe.”
Në raste të tilla e drejta ndërkombëtare për të drejtat e njeriut kërkon të vihet një ekuilibër në mes të mbrojtjes së lirisë së shprehjes, në një anë, dhe kërkesës për të ndaluar aktet e nxitjes për ndonjë vepër penale në anën tjetër.
Janë tre faktorë që duhet të merren parasysh në rastin e Buzhalës.
Këta faktorë janë: qëllimi, përmbajtja dhe konteksti.
1. Qëllimi
Gjuha e përdorur në komentin e Buzhalës është një tregues i qëllimit . Kjo mund të tregojë nëse qëllimi kishte përmbajtje të nxisë masën. (Po kush është masa? Turistët që kanë shkuar për pushime në bregdetin e Turqisë? Çfarë ndikimi mund të këtë z. Buzhala tek kjo masë?)
2. Përmbajtja
Gjykatës do t’i duhej të përcaktojë qëllimin për të vërtetuar nëse komenti është thjesht fyes ose shqetësues ose ka pasur për qëllim të ndezë ose të nxisë dhunë. Toni i përdorur është gjithashtu një tregues. (A është toni i gjuhës së përdorur në komentin e z. Buzhala me të vërtetë satirik, i mbështjellë me ironi dhe sarkazëm?
3. Konteksti
Përcaktimi i qëllimit duhet të shikohet në raport më kontekstin. Çfarë efekti ka prodhuar tek masa? A është bërë ky koment/deklaratë në një situatë të paqëndrueshme (turbulente) dhe a ka pasë mundësi të ndikojë në përkeqësimin e situatës? Elementi i drejtpërdrejtë i nxitjes lidhet ngushtë me aspektin kulturor dhe me vetë përmbajtjen gjuhësore. Për shembull në një vend një deklaratë mund të perceptohet si “nxitje e drejtpërdrejtë” ndërsa në vendin tjetër jo, d.m.th. varësisht nga audienca. (Ambasada e Turqisë me siguri e ka kuptuar këtë koment të z. Buzhala nga prizmi i saj kulturor, emocional, politik por definitivisht kjo shikohet ndryshe nga ndjekësit e z. Buzhala).
Por sidoqoftë na mbetet të presim sesi do të përfundojë e gjithë kjo zhurmë, shkaktuar nga një koment i thënë në mënyre ironike.