Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Jeta në Ukrainën e pushtuar: represioni dhe dhomat e torturës

Që nga viti 2014, Ukraina është ndarë në territore të pushtuara nga Rusia dhe të kontrolluara nga Kievi. Në hartë është një vend i tërë por në realitet jeta nën okupim është si të shikosh nëpërmjet një pasqyre të errët.

Në shkurt të vitit 2014 sapo kishte përfunduar Revolucioni i Dinjitetit – Maidani – i cili e detyroi presidentin Viktor Jankukoviç të largohej nga vendi. Janukoviç ishte thjesht një kukull e Kremlinit, një njeri absolutisht i korruptuar. Ai hodhi poshtë integrimin e premtuar europian, andaj shoqëria ukrainase shpërtheu në protestën më të madhe – atë të Maidanit.

Putini urdhëroi shpejt trupat që ta rimerrnin Krimenë. Edhe pse pas rënies së BRSS-së Krimea u bë pjesë e Ukrainës së pavarur, sidoqoftë flota ruse e Detit të Zi kishte mbetur ende në Sevastopol.

Për të larguar vëmendjen e bashkësisë ndërkombëtare nga Krimea, Putini dërgoi trupat e tij në lindje të Ukrainës, në të ashtuquajturin rajon Donbas, ku në pranverën e vitit 2014 nisi një luftë të përgjakshme në zemër të Europës. Putini përfitoi nga dobësia e ushtrisë ukrainase dhe kaosi i përgjithshëm në Ukrainë, që në atë kohë nuk kishte as president.

Ukraina arriti të mbronte disa qytete – Odesa, Kharkiv, Sievierodonteesk, Sloviansk, Mariupol. Megjithatë, qytete të tilla të mëdha dhe të rëndësishme si Donetsku and Luhansku, së bashku me një pjesë të madhe të rajonit të Donbasit, ranë nën pushtim. Gjatë viteve të ardhshme, Donbasi u përdor si bazë ushtarake.

Edhe pse Krimea konsiderohet pjesë e Qarkut Federal Jugor të Rusisë, nuk kishte banka zyrtare ruse, zinxhirë hotelesh, dyqane e restorante, dhe as nuk funksiononin Visa, MasterCard, Apple Pay, Google Pay, etj. Kompanitë ishin syçelë ndaj sanksioneve ndërkombëtare dhe nisën të lulëzonin në Krime vetëm në vazhdën e pushtimit në shkallë të plotë më 2022, kur u vendosën sanksionet ndaj Rusisë.

Në Krime pasuan represionet. Objektivi kryesor ishin njerëzit indigjenë, tatarët e Krimesë dhe ukrainasit, që u larguan nga gadishulli nën kërcënimin me burgim. Shumë ukrainasve u është ndaluar hyrja në Krime dhe rreth 800 mijë rusë kanë zënë tashmë apartamentet e tyre. Putini ka përdorur një nga taktikat e preferuara të Stalinit: rivendosjen e rusëve në ato rajone ku është e nevojshme të “dobësohen” popujt e tjerë.

Tatarët u shtypën për shkak të potencialit të tyre për një kryengritje kombëtare. Andaj, kohëzgjatja totale e viktimave të persekutimit të motivuar politikisht në Krime gjatë pushtimit në shkallë të plotë ishte 699 vjet e 9 muaj. Së paku gjashtë të burgosur politikë të Krimesë u torturuan më 2022. Veç torturave, ata pësuan trajtim mizor dhe çnjerëzor. Në veçanti të burgosurve nuk u ofrohet kujdes adekuat mjekësor dhe, si rezultat i kësaj, dy të burgosur politikë të Krimesë, Konstantin Shiring dhe Dzhemil Gafarov, vdiqën në shkurt të vitit 2023.

Gjithashtu, më 28 shkurt, forcat ruse të sigurisë lëshuan një “paralajmërim” për tatarët e Krimesë në lidhje me ndalimin e pjesëmarrjes në “ngjarje masive të paautorizuara”. Situata në Donbas është shumë më e rëndë. Rusia ka krijuar dy kuazi-shtete – Republikat Popullore të Luhanskut dhe Donetskut (RPL dhe RPD). Është e tepërt të thuhet se këto “shtete” nuk janë as të popullit, as demokratike.

Qeveria e sapoinstaluar nuk përbëhet nga luftëtarë apo udhëheqës vendas, por nga individë të importuar nga Rusia. Luftërat e bandave kanë vazhduar që në vitet e para të pushtimit dhe krerët lokalë shpesh vriten mes vete – nga shpërthime në ashensorë, restorante, vetura dhe madje vende të punës. Jeta e të mbrojturve të Kremlinit ishte e rrezikshme dhe e shkurtër.

Megjithatë, këta faktorë kriminalë kanë terrorizuar pa mëshirë banorët disidentë, gjë që detyroi qindra-mijëra ukrainas të braktisin pushtimin.

Një shembull ilustrues është ai i 19-vjeçarit Vladislav Ovcharenko, me origjinë nga Luhansku, tifoz i Zoryas, që u persekutua për shkak të qëndrimit të tij qytetar. Më 10 tetor të vitit 2016 ai dhe njerëzit e tij dogjën flamurin e RPL-së. Më vonë ai u fotografua në qendër të qytetit të pushtuar me flamurin e Ukrainës pranë pllakës me mbishkrimin “Të dua, Luhansk”. Ai u kap dhe u dorëzua te “LNR MGB” (Ministria e Sigurimit të Shtetit). Një vit më vonë ai u dënua për spiunazh për Ukrainën dhe u dënua me 17 vjet burgim. Ovcharensko kaloi gati 15 muaj në robëri. Përfundimisht u shkëmbye më 2017 dhe pas vetes la këtë tregim pikëllues të kohës së tij në robëri:

“Më rrahën me ç’kishin në duar. Me karrige, me duar, ndoshta me kondakë automatiku, me çka jo. Nuk më torturuan me shok elektrik, por më kërcënonin se do të më prisnin gishtat, e kështu me radhë. Më rrahën fort. Shpinën, këmbët, krejt trupin e kisha të mavijosur. M’i ndukën thonjtë nga mishi – futën një teh nën thonj dhe m’i ndukën.”

Dikur qendër kulturore, burgu Izolyatsia u bë një dhomë torture. Aty u arrestuan dhe u torturuan qytetarë të zakonshëm pro-ukrainas, së bashku me ata që bashkëpunuan me shërbimet speciale të Ukrainës dhe anëtarët e vetë grupit DPR.

Fotografi dhe video të rreme nga Izolyatsia treguan që militantët e ISIS-it dyshohej se po luftonin krah Ukrainës së bashku me luftëtarët e Azovit. Një hetim i BBC-së, që përdori Wikimapian, përcaktoi vendndodhjen e të shtënave dhe kësisoj demaskoi materialet e rreme. Burra nga RPL/D u bënë viktimat e para të pushtimit rus në shkallë të gjerë.

Në shkurt të vitit 2022, burrat nga okupimi u kapën në rrugë dhe u shtynë drejt e në front. Kjo gjë çoi në një situatë ku rrugët e Donbasit të pushtuar janë praktikisht bosh për shkak se nuk ka frymë njeriu. Është e pamundur të dihet saktë numri i njerëzve që mbështesin kuazi-shtetet e reja, sepse në nëntë vjet pushtim secili disident ka përfunduar ose në arratisje, ose në robëri me tortura.  

Bota mbarë pa të gjitha tmerret e jetës nën pushtimin e ri kur rajoni i Kievit u çlirua në prill të vitit 2022. Përdhunime, vrasje të civilëve, tortura, plaçkitje në territoret e pushtuara nga Rusia: në Bucha, Irpin dhe Hostomel. Herë pas here, shërbimet ukrainase të zbatimit të ligjit kanë gjetur dhoma torturash dhe varre masive, rrëfime të civilëve të burgosur thjesht për shkak të refuzimit për të bashkëpunuar me “autoritetet” e reja. Edhe fëmijët ukrainas kanë përfunduar nën robërinë ruse.

Të paraburgosurit raportuan për rrahje, shokë elektrikë, ekzekutime të sajuara për t’u tallur dhe tortura në ujë, mes keqtrajtimeve të tjera. Ushtarët rusë i mbanin njerëzit në kushte çnjerëzore në bodrume, gropa, dhoma kaldajash e fabrika.

Që nga marsi i vitit 2023, Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Ukrainës dokumentoi 73 mijë e 779 krime lufte të kryera nga ushtria ruse. Të drejtat e lirisë së mendimit, shprehjes dhe tubimit paqësor janë kufizuar nën gjendjen e okupimit. Kanalet televizive dhe radiostacionet ukrainase janë shkëputur dhe janë zëvendësuar me kanale nga Federata Ruse ose “republikat” e vetëshpallura.

Në Krime, Rusia ka zbatuar legjislacionin që penalizon një gamë të gjerë fjalimesh që konsiderohen kritike dhe mësuesve u është bërë presion për ta miratuar pushtimin.

E gjithë e vërteta për jetën e ukrainasve nën okupim do të dihet vetëm pas çlirimit të të gjitha rajoneve. Ukrainasit që zgjedhin të qëndrojnë nën okupim detyrohen të harrojnë identitetin e tyre. Edhe gjuha ukrainase madje është armiqësore për Rusinë. Ata që flasin gjuhën ukrainase në publik dërgohen në dhomat e torturës dhe nganjëherë ekzekutohen publikisht.

Autoritetet ukrainase janë të vendosura për një ofensivë të re në kërkimin për të çliruar më shumë territore. Por, për fat të keq, me çlirimin do të dalin në dritë më shumë raste torturash, dhune dhe rrëmbimesh. 

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.