Gratë vriten, veç pse janë gra. Vriten pse janë gra, sepse si të tilla shihen si kategori e klasës së dytë në nji shoqni. Vriten në ato shoqni ku shihen si pronë e babës e bashkëshortit. Ato vrahen me grushta, ato vrahen edhe me fjalë.
Në shoqni të civilizueme, mësimdhanësit, prindërit, besa edhe zyrtarë të naltë që mbajnë nji karton në dorë me mbishkrime kundër dhunës, e kanë ba detyrë të veten me i mësue djemve, burrave, që nuk ban me i mëshue nji gruje, sepse kjo nuk asht burrnore. Gratë janë të dobëta, të brishta. Burrat nuk e matin forcën e tyne me të dobëtën, të brishtën.
Ma merr menja që kur kryesori i misionit të OSBE-së në Kosovë, ambasadori i Norvegjisë z. Jan Braathu ka lejue me u fotografu për fushatën kundër dhunës së grave me nji mbishkrim kur thuhet: “dhuna asht dobësi; bëhu burrë, mos mësho” nuk e ka pasë problem, sepse nuk e ka vu re çka asht gabim në atë porosi që ai mbanë në duer, sepse konceptin që ai e shet aty, ai personalisht nashta as nuk e njeh ma prej vendit të tij.
Por, megjithatë ai asht mjaft burrë, me menu që nëse ai del në atë fotografi si nji burrë i fortë, i suksesshëm, si nji burrë që nuk i mëshon nji grueje, ai mundet me shërbye si shembull i atij burrit që asht ba burrë.
Problemi i burrnimit nuk asht veç problem i joni. Por i joni asht shum ma shum, në dallim me vendet në rajon e veçanërisht me vendet e Evropës perëndimore, problemi i burrnimit te na hala vjen jo veç me fjalë por edhe me grushta. Grushta për të cilat nuk ndëshkohet kurrkush. E kur ndëshkohet, ndëshkimet janë qesharake, sikur që e kishim rastin e deputetit të filan komunës që rrahu çikën e fisit të tij. Gjakun e tij. A shtihet burri në burg për dhunë ndaj gjakut të vet? Jo, në këtë vend odash, jo.
E habitshme asht qyshdoqoftë, kur OSBE-ja kjo alamet organizatë, me gjithë ato fonde, shkon dhe e fillon nji fushatë kundër dhunës në familje, kundër dhunës ndaj grues, gati e gati veç për me na nënçmue, tue dëshmue ma së pari që ai alamet ekspert që e kanë angazhue (po supozoj) nuk e njeh fushën, nuk e njeh problematikën, e mbi të gjitha nuk e ka nji koncept të qartë se kujt po ia drejton mesazhin, dhe pse?
Në nji fotografi të kësaj fushate i sheh pesë porosi, katër prej tyne kontradiktore me njana tjetrën. E qajo e pesta rri e vetmueme dhe e izolume pa naj ide pse asht aty.
Shihet ambasadori Jan Braathu, tue e majtë nji letër në duer, ku shkruen:
„Dhuna asht e barabartë me dobësinë“ dhe „Banu burrë, mos mësho“. Në anën e djathtë të kësaj fotografije (ngjyrat dhe transparencën e shkronjave, s‘po e diskutoj) shkruen: „Dhuna në familje ndodh.“ dhe përfuni kësaj: „Mos e mshef! Raportoje!“
Në nji shoqni ku e kundërta me qenë burrë asht me qenë grue ose “peder”, me thonë “dhuna asht dobësi” e me e ndërlidhë këtë me “banu burrë e mos mësho” po m’duket sikur s’jena tue e kuptue mirë problemin e dhunës. Mesazhi po thotë: “banu burrë” pra, banu i fortë, mos ushtro dhunë, se dhuna asht dobësi e dobësia asht anti-burrnore. Nuk zgjidhen problemet tue i fry edhe ma shum stigmatizimeve që ekzistojnë për gjininë e “dobët” dhe tue u thanë burrave që dhuna asht e keqe pse asht “jo-burrnore se asht dobësi” jo pse asht krim a najsen. Çka tash, a po dojna me i marrë “me t’mirë” burrat që ushtrojnë dhunë a?!
Shihet Atifete Jahjaga, tue e majtë nji letër në duer, ku shkruen:
„Dhuna në familje asht e patolerushme, nuk asht çashtje private! Ajo na përket të gjithëve, dhe duhet me u dënue prej krejt neve“. Në anën e djathë në këtë fotografi shkruen: “Dhuna në familje ndodh” dhe përfuni kësaj: “mos e mshef! Raportoje!”
Porosia në fotografinë e znj. Jahjaga asht ma e pranueshme, por asht hipokrite jo ma pak, edhe përshkak se lexohet në duer të nji grueje e cila kur patë vendin e duhun jo që nuk bani kurrgjo përveç me i majtë do fjalime poshtë e nalt për barazinë gjinore, por asnjiherë nuk e përçoi asnji porosi të qartë, që dhuna në familje e cila ndodh, edhe pse na përket të gjithëve e duhet ta dënojmë të gjithë ne, NUK GUXON ME MBETË PA U DËNU prej aparatit të drejtësisë. Dhunuesit e kanë vendin në burg. Këtë porosi, ajo nuk e dha asnjiherë as si kryetare e nuk e jep as tash. Prej kah pra guximi me iu thanë grave „nuk jeni vetëm”. Na jena me juve. Dhuna ndaj jush nuk asht çashtje private, kur në fakt asht. Krejtësisht private.
Prandaj, edhe kjo porosi asht kurrgjo tjetër pos nji moralizim ma shum. Dhuna asht e të gjithëve, na përket krejtve, nuk tolerohet. Nuk tolerohet prej kujt? Çka ka lidhje a e toleroj unë nëse kojshia jem i hin dajak grues të tij, kur unë edhe pse e thirri policinë, grueja s’ka guxim me e denoncue, sepse tutet që ata që duhet me e dënue nuk e dënojnë. Dënimi jem moral nuk i mjafton asaj. E ajo tutet që del naj polic e i thotë, “nuk ta paska mëshue shum de”, ose/dhe “dhuna ndodh”.
Grueja kosovare ka nevojë me ni këtë që ligji për mbrojtjen e saj zbatohet, jo që “dhuna ndodh”. Sepse, porosia që dhuna ndodh, nuk i ndihmon asaj kurrgjo, sepse ajo po e ndjen çdo ditë që dhuna ndodh. Prandaj në nji fushatë kundër dhunës në familje, ma shum se racionalizimi që “dhuna ndodh” që nashta nënkupton në këtë fushatë “s’je e vetmja; mos t’vjen marre…”, grueja kosovare ka nevojë që shoqnia me e ni e me e ni fort që “dhuna asht krim”. Ajo s’ka nevojë për moralizime, sepse gjurmët e dhunës të cilat ajo i jeton çdo ditë, janë fakte. Janë fakte private, që vijnë në formë të plagëve që edhe kur nuk shihen, janë aty. Gjithashtu asht fakt, që po nuk pat ku me shkue gruaja që ushtrohet dhunë ndaj saj, eventualisht përfundon në strehimore për gra viktima të dhunës (për disa muej), ku nëse ankohet edhe për gjanë ma të vogël, e presin moralizime të tjera: “po ty mirë ta paska bo burri, po ti s’po dijshe me shujtë, veç tue u ankue.”
Shihet Adriatik Kelmendi, tue e majtë nji letër në duer, ku shkruen:
„Familja asht gjaja ma e çmueme që ke. Ruaje!“. Në anën e majtë të kësaj fotografije shkruen (prap): „Dhuna në familje ndodh.“ Dhe përfuni kësaj: „Mos e mshef. Raportoje!“
Ta zbërthejmë pak. Porosia kryesore këtu asht që dhuna në familje ndodh, dhe që nuk duhet me u mshefë por me u raportue. Dmth kjo fushatë i drejtohet grave. Kjo asht në rregull, çka s’asht në rregull asht kur kjo porosi që i përçohet grave, vajzave dhe të tjerëve që mund të jenë viktima të dhunës në familje, kombinohet me „familja asht ma e çmueshmja që ke. Ruaje!“. Hajt të nalemi pak qitu.
Numri ma i madh i grave, dhe jo veç në Kosovë, të cilat nuk e raportojnë dhunën, veprojnë kështu për shkak se dojnë me e mbrojtë familjen. Sepse, ose kanë frikë, ose e dijnë që pas atij raportimi ajo familje do të „prishet“. Nji numër i madh i këtyne grave edhe prej punëtorëve social, bile bile filan drejtorëve të filan qendrës për punë sociale, janë detyru me ni moralizime të tilla, që “familja asht e shenjtë, e duhet me u mundu insani me e pshtue, se asht lehtë me e prishë; por duhet me durue për me pshtue” etj. etj.! Pytja jem këtu asht, a po tutet OSBE-ja me folë shkurt e shqip, apo e ka marrë për ekspert, nji që nuk e ka idenë për dhunën në familje në Kosovë? Qysh munesh me iu thanë grave mos e mshef dhunën; raportoje; dhuna ndodh dmth s’je e vetmja, e në të njëjtën kohë me ia gjuejtë mbi ndërgjegjje mbrojtjen e familjes për të cilën ajo ka durue dhunën me shekuj në radhë të parë? Apo nashta përgjegjësia po i gjuhet burrit?
Ta analizojmë pra prej kësaj ane: kur jemi të mbrojtja e familjes, kur jemi te ajo se sa e çmueshme asht familja, grueja jo veç që e ka durue dhunën për shkak të këtij morali idiotik, por ajo ka hangër dajak në radhë të parë për shkak se e ka „rrezikue“ shkatrrimin e familjes së çmueshme, kësaj gjaje ma të ranësishme që kemi. Pra burri, tue e pa veten si zot me e mbrojtë familjen, ka ushtrue dhunë mi gruen, e besa edhe fëmijën për me e mbrojtë këtë familje.
Në nji vend ku individi nuk ka vlerë, familja si institucion nuk ka edhe ma hiç vlerë dhe asht veç nji fasadë tjetër e lumtunisë kolektive, ku dehemi të gjithë si të marrë tue e mashtrue veten që kemi vlera. E veçanërisht kështu, kur grueja si anëtare e kësaj familje mbetet gjak i huej.
Prandaj asht e ranësishme me thanë, që familja nuk asht gjaja ma e ranësishme që ke. Familja asht bashkësi individësh, liria dhe mirëqenia e secilit individ në këtë bashkësi asht ma e çmueshmja. Paramenone këtë: Je grue. Të ka rreh burri. Je tue e jetu këtë dhunë me muej. Ke vendos ma në fund me u nda. Ke fëmijë. Për shkak të fëmijëve, s’di as vetë qysh përzihet në muhabet qendra për punë sociale dhe të thirrë personalisht drejtori me folë me ty. E të thotë: “pse po ndahesh, duhesh me e falë, nuk ban me prishë familjen”. Ma vonë e merr vesh, që ish burri yt, e ka gjetë nji të njofshëm, që e ka nji të njofshëm…! Ndërkohë që jasht atyne zyreve, edhe pse ti i ke mledhë plaçkat e ke ikë prej shpisë të burrit, ti je e kërcnume. Ku me shkue? Në polici? Po nëse të del edhe atje nji drejtor me moral të idiotit me të kallxue sa e çmueshme asht familja, çka me ba, ku me shku tani? Na, na pra “ata të gjithë të tjerët, përfshi edhe zonjën Jahjaga, na të cilëve na përket dhuna dhe nuk e tolerojmë” na jemi në punët tona. Ky asht realitet. Mujna me dal me bo nji protestë për ty, po kjo zakonisht ndodh masi që ti je dërrmue e eventualisht s’je ma hiç. Ky asht realiteti kosovar.
Qysh munet nji fushatë e OSBE-së me ia lejue vetes me shitë moralizma të tilla që vrajnë po aq sa grushtat, në nji fushatë kundër dhunës së gruas, unë s’muj me e kuptue. Por po munohem. Maqo kulturë në kulminacion.
vazhdon…!