Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Kjo është koha më e rrezikshme për planetin tonë

Nuk mund të vazhdojmë të shpërfillim pabarazinë, sepse i kemi mjetet për të shkatërruar botën tonë, por jo për t’u arratisur nga ajo.

Artikulli origjinal i botuar në The Guardian

Si fizikan teorik me bazë në Kejmbrixh, unë e kam jetuar jetën time në një konak jashtëzakonisht të privilegjuar. Kejmbrixh është një qytet i pazakontë, i përqendruar rreth njërit prej universiteteve më të mëdha në botë. Brendapërbrenda atij qyteti, komuniteti shkencor, pjesë e të cilit u bëra në të njëzetat e mia, është rralluar edhe më.

Dhe së bashku me atë komunitet shkencor, një grup i vogël ndërkombëtar i fizikanëve teorikë me të cilët kam kaluar jetën duke punuar së bashku, mundet që ndonjëherë të joshen për të konsideruar veten në majë të këtij komuniteti. Veç kësaj, me popullaritetin që kanë sjellë librat e mi, dhe me izolimin që m’u imponua nga sëmundja, unë ndjehem sikur kulla ime prej fildishi po rritet.

Pra refuzimi i fundit i elitave si në Amerikë ashtu edhe në Britani, natyrisht se më është drejtuar mua, po aq shumë sa kujtdo tjetër. Çfarëdo që mund të mendojmë për vendimin e elektoratit britanik për të refuzuar anëtarësinë e Bashkimit Evropian dhe atë të publikut amerikan për të përqafuar Donald Trumpin si presidentin e tyre të ardhshëm, nuk ka dyshime në mendjet e komentatorëve se kjo qe një ulurimë e zemërimit nga njerëzit që u ndjenë se kishin qenë të braktisur nga udhëheqësit e tyre.

Ky qe momenti, duket se secili pajtohet,  kur të harruarit folën, duke gjetur zërat e tyre për të refuzuar këshillat dhe udhëzimet e ekspertëve dhe elitave kudo.

Unë nuk jam përjashtim nga ky rregull. Para votës Brexit, unë paralajmërova se ajo do ta dëmtonte hulumtimin shkencor në Britani, dhe se një votë për t’u larguar do të na kthente një hap mbrapa, dhe elektorati – ose të paktën një proporcion mjaftueshëm i rëndësishëm – nuk më vuri re as mua e as ndonjërin prej udhëheqësve të tjerë politikë, sindikalistëve, artistëve, shkencëtarëve, biznismenëve dhe njerëzve të famshëm të cilët që të gjithë dhanë pjesës tjetër të vendit, të njëjtën këshillë të pavënëre.

Ajo që është me rëndësi tani, shumë më shumë se sa zgjedhjet e bëra nga këto dy elektorate, është se si reagojnë elitat. A duhet që ne, nga ana e jonë, të refuzojmë këto vota si të ishin derdhje të një popullizmi të vrazhdë që dështon së marri parasysh faktet, dhe të përpiqemi që t’iu shmangemi apo t’i keqinterpretojmë zgjedhjet që ato përfaqësojnë? Unë do të thosha se kjo do të qe një gabim I tmerrshëm.

Brengat prapa këtyre votave lidhur me pasojat ekonomike të globalizimit dhe ndryshimit të përshpejtuar teknologjik janë plotësisht të kuptueshme. Automatizimi i fabrikave që tashmë ka asgjësuar vende të punës në prodhimtarinë tradicionale, si dhe ngritja e inteligjencës artificiale, ka gjasë që të zgjerojë këtë shkatërrim të vendeve të punës thellë te klasat e mesme, me vetëm rolet më të rëndësishme, kreative, apo mbikëqyrëse që do të mbesin.

Kjo nga ana e saj do të përshpejtojë pabarazinë ekonomike gjithnjë e në rritje përreth botës. Interneti dhe platformat të cilat i mundëson, bëjnë të mundur që një grup shumë i vogël individësh të kenë profit të pamasë përderisa që punësojnë shumë pak njerëz. Kjo është e pashmangshme, ky është progresi, por kjo është po ashtu socialisht shkatërruese.

Ne duhet ta vëmë këtë pranë shembjes financiare, që iu dha njerëzve të kuptojnë se një numër shumë i vogël individësh që punojnë në sektorin financiar mund të marrin shpërblime të bujshme dhe që ne të tjerët e pranojmë këtë sukses dhe e marrim përsipër faturën kur babëzia e tyre na çon në qorrsokak. Duke marrë parasysh të gjithën, ne jemi duke jetuar në një botë të zgjerimit, e jo zvogëlimit, të pabarazisë financiare, në të cilën shumë njerëz e shohin jo vetëm standardin e tyre të jetesës, por edhe vet aftësinë e tyre për të fituar jetesën, që zhduket. Nuk është për t’u befasuar, pra, që ata janë në kërkim të një marrëveshjeje të re, të cilën Trump dhe Brexit do të jetë dukur se e kanë përfaqësuar.

Gjithashtu është një fakt që një tjetër pasojë e paqëllimtë e shtrirjes globale të internetit dhe medias sociale është se natyra e zymtë e këtyre pabarazive është shumë herë më e dukshme se sa që ka qenë në të kaluarën. Për mua, aftësia për të përdorur teknologjinë për të komunikuar ka qenë një përvojë çliruese dhe pozitive. Pa të, unë nuk do të kisha qenë në gjendje të vazhdoj punën në tërë këto vite që kaluan.

Por kjo gjithashtu do të thotë se jetët e njerëzve më të pasur në pjesët më prosperuese të botës janë pikëllueshëm të dukshme për këdo, sado i varfër, që ka qasje në telefon. E meqë sot në Afrikën nënsahariane ka më shumë njerëz me telefon sesa me qasje në ujë të pijshëm, kjo së shpejti do të thotë që gati asnjëri në planetin tonë gjithnjë e më të populluar nuk do të jetë në gjendje t’i shmanget pabarazisë.

Pasojat janë të pastra si loti: të varfrit ruralë i sulen qyteteve, të shtyrë nga shpresa. E shpesh pastaj, duke parë që nirvana e Instagramit nuk është e arritshme aty, ata e kërkojnë atë përtej detit, duke iu bashkuar numrit në rritje të migrantëve ekonomikë në kërkim të një jete më të mirë. Nga ana e tyre, këta migrantë vendosin kërkesa të reja mbi infrastrukturat dhe ekonomitë e vendeve ku ata arrijnë, duke minuar tolerancën dhe duke i fryrë zjarrit të popullizmit politik.

Për mua, aspekti më brengosës i kësaj është se tash, më shumë se sa në asnjë kohë tjetër në historinë tonë, lloji ynë duhet të punojë së bashku. Ne ballafaqohemi me sfida të jashtëzakonshme ambientale: ndryshimi klimatik, prodhimi i ushqimit, mbipopullimi, shpopullimi i llojeve të tjerë, sëmundjet epidemike, apo acidifikimi i oqeaneve.

Së bashku, ato na përkujtojnë që ne jemi në momentin më të rrezikshëm kur bëhet fjalë për zhvillimin e njerëzimit. Ne tash kemi në dispozicion teknologjinë për të shkatërruar planetin në të cilin jetojmë, por nuk e kemi zhvilluar ende aftësinë për t’u arratisur nga ky planet. Mbase pas disa qindra vjetësh, ne do të kemi vendosur koloni njerëzish mes yjeve, por tash për tash ne kemi vetëm një planet, dhe duhet që të punojmë së bashku për ta mbrojtur.

Që ta bëjmë këtë, ne duhet të rrëzojmë, e jo të ngrisim, pengesa brendapërbrenda dhe mes kombeve. Për të pasur shansin që ta bëjmë këtë, udhëheqësit e botës duhet të pranojnë se e kanë lënë pas dore, dhe po vazhdojnë ta lënë shumicën pas dore. Me resurset gjithnjë e më të koncentruara në duart e disave, ne do të duhet të mësojmë që të shpërndajmë pasurinë shumë më mirë se sa në të tashmen.

Duke parë jo vetëm vende të punës, por industri të tëra që zhduken, ne duhet t’iu ndihmojmë njerëzve që të përgatiten për një botë të re dhe t’i mbështesim ata financiarisht gjatë kësaj kohe. Nëse komunitetet dhe ekonomitë nuk mund të përballojnë nivelet e tashme të migrimit, ne duhet të bëjmë më shumë për të inkurajuar zhvillimin global, meqë kjo është e vetmja mënyrë që do t’i bindte miliona migrantë që të kërkojnë të ardhmen e tyre në vendet e tyre.

Ne mund t’ia dalim, jam optimist i madh për llojin tim; por do të duhet që elitat, prej Londrës në Harvard, prej Kejmbrixhit në Hollivud, të mësojnë mësimet e vitit të kaluar. Mbi të gjitha, të mësojnë pak përulësi.

________

Përktheu: Bardhi Bakija

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.