Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Kryeparlamentari shqiptar i Parlamentit të Maqedonisë

Stereotipet e votimit në baza etnike në Maqedoni u rrënuan në këto zgjedhje. LSDM-ja e Zoran Zaevit ka pësuar një rritje të jashtëzakonshme jo vetëm në komunat me popullatë të përzier etnike, por edhe ato të pastra shqiptare. Me konceptin e qytetarisë, por edhe popullizmit, Zaev arriti që të barazohet me vota me Gruevskin e VMRO-së, ndërsa shqiptarët me dorën e tyre i dhanë 4 mandate të deputetëve.  Mirëpo, a është kjo humbje për shqiptarët në këtë situatë?

Për të mos u rrëmbyer nga emocione nacionaliste, do të mundohem që me anë të numrave, së paku ato që dihen deri tash të jap një analizë për skenarët e mundshëm dhe konsekuencat e këtyre skenarëve më poshtë.

Befasia, nëse mund të quhet si e tillë, në anën e shqiptarëve ishte lëvizja Besa. BESA doli e dyta duke u rreshtuar pas BDI-së së Ali Ahmetit, ndërsa me mbështetjen tani më të konfirmuar të PDSH-së, humbësit më të madh në këto zgjedhje, del me vetëm 3 deputetë pas BDI-së. Shqiptarët edhe pse në total kanë rreth 10 deputetë më pak në Parlament, nëse shikojmë krahasimisht me rezultatin mes LSDM-së dhe VMRO-së, një bashkim historik i forcave politike shqiptare do të ndikonte në ndryshimin radikal të pozitës së shqiptarëve. Pritet të shihet në ditët në vijim nëse një gjë e tillë do të ndodh.

Ne kampin e partive maqedonase u rikonfirmua fuqia e dy partive më të mëdha – VMRO dhe LSDM. Edhe pse me një margjinë jashtëzakonisht të ngushtë në rezultat krahasuar me social demokratët e Zoran Zaevit, Gruevski prapë se prapë përkundër të gjitha parashikimeve, i fitoi këto zgjedhje dhe me këtë mbetet sipas Kushtetutës së Maqedonisë dhe Ligjit për Zgjedhjet mandatar për formimin e Qeverisë.

A paraqet kjo një mision i pamundur për Gruevskin?

VMRO-DPMNE me 51 deputetë së bashku me BDI-në me 10 deputetë mund që teorikisht të formojë qeverinë. E kanë shumicën prej 61 deputetëve. Mirëpo, pa mbështetjen e PDSH-së dhe Aleancës për Shqiptarët që së bashku i kanë 5 ulëse në Parlament, ky koalicion hipotetik nuk duket se do të ketë jetëgjatësi e aq më pak stabilitet politik për të çuar procese të rëndësishme përpara.

Nëse në anën tjetër Zoran Zaev që ka fituar 49 mandate në Parlament, është e pamundur që të krijojë qeverinë pa e pasur BDI-në në krah. Me Lëvizjen BESA, PDSH dhe Aleancën, nuk arrijnë që t’i bëjnë votat për Qeveri të re.

Në këtë situatë të rezultateve, partitë shqiptare me bashkimin e tyre të mundshëm kanë mundësi që të rrisin pazarin e tyre politik – për të kërkuar shumë më tepër ndikim në Qeverinë e re.

Rreshtimi kah njëri apo tjetri bllok do të varet eksluzivisht nga ofertat që liderët e partive më të mëdha maqedonase do t’i japin. Këtu është momenti kur partitë e shqiptarëve (përjashto BDI-në që deri tani nuk ka qenë ndonjë zë signifikant në përfaqësimin e interesit të shqiptarëve – mirëpo gjithsesi shpresojmë se kjo do të ndryshojë) do të kenë asin në duart e tyre për të vendosur për të ardhmen e shqiptarëve në Maqedoni. Në të kaluarën, një pozitë kaq e fuqishme negociuese nuk është shfrytëzuar aspak.

Mbetet prapë të shihet nëse liderët e partive që kishin gojën plot reforma e ndryshime do të jenë në gjendje të shtojnë presionin ndaj partive maqedonase apo negociatat do të mbesin vetëm në trajtën e ofertave për pozita e rehatime politike.

E kur flasim për ofertat, Zoran Zaev zor se do t’i ofrojë dikujt tjetër përpos vetes postin e Kryeministrit. Pazar politik me postin e Presidentit nuk mund të bëhet pasi që në Maqedoni presidenti zgjidhet me zgjedhje të drejtpërdrejta. Pozita e Kryeparlamentarit si dhe ajo e Ministrit të Punëve të Jashtme apo të Brendshme janë mjaft tërheqëse – mirëpo kujt do t’i jepen ato? LSDM mund të ketë dëshirë t’i kontrollojë vet ato, apo për herë të parë në histori do të kemi një kryeparlamentar shqiptar. Pse jo edhe Ministër të Punëve të Brendshme apo të Jashtme.

Nga ana tjetër, Gruevski tashmë ka shërbyer për kohë rekord të gjatë si Kryeministër i vendit. Për t’i ikur ndonjë aktakuze të mundshme të stilit të Ivo Sanader, vetëm për të mbetur partia e tij në pushtet, ai mbase është brenda zonës së komforit për, duke u shprehur në gjuhën e lojës së pokerit, të hyrë “all in” duke ofruar edhe pozitën e shefit të Qeverisë. Kjo po që do ta trazonte opozitën “e bashkuar”. Mund ta paramendoni Ali Ahmetin apo Artan Grubin si shef të Qeverisë së Maqedonisë?

Skenari që ka gjasat më të mëdha të ndodh – është vështirë të thuhet. Marrë parasysh të kaluarën e partive politike në Maqedoni, posaçërisht atyre shqiptare, duke hyrë në koalicione të panatyrshme për qeverisje, mund të priten befasi.

Mirëpo, basti im shkon te një koalicion LSDM-BDI, duke përfshirë këtu edhe Aleancën për Shqiptarët. Kjo do të ishte një Qeveri me shumicë të brishtë – por gjithsesi në raste me përkrahje të heshtur edhe nga BESA. Për këtë, topi tani është te BDI – nëse do të tregojnë se kanë ndryshuar apo do t’ia vazhdojnë jetën atij që revolucioni i larmë në Maqedoni e quajti si “diktatori i vogël”.

Një gjë është e sigurt – këto zgjedhje në Maqedoni prodhuan një momentum të rëndësishëm për shqiptarët. Andaj duhet të ndalojmë së qari për 10 mandatet e humbura dhe për votat që ia dhamë Zaevit. Ajo që duhet bërë tani është të nxjerrim më të shumtën nga situata e krijuar. Me fillimin e vitit 2017, do të fillojnë edhe negociatat për formimin e qeverisë. Apo, edhe ndoshta fillimin e një procesi të ri zgjedhor – kush e di?

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.