Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Kujt i përkasin kishat në Malin e Zi

Paj, është rrëfimi tipik ballkanik…

Nëse diçka e tillë sikur Ligji për Lirinë Fetare në Mal të Zi do të ishte miratuar në dhjetorin e vitit 2019 për ta përcaktuar, siç e quajnë adhuruesit e së kaluarës — ata që realisht e urrëjnë të ardhmen, dhe për të cilët e kaluara e përsëritur është e vetmja e ardhje që u intereson — “kontekstin e gjerë politik,” atëherë ishim dashur të kthehemi disa shekuj më parë.

Nevoja e njerëzve në këtë pjesë të botës për ta arsyetuar secilin hap — sidomos hapat e shkujdesur — si të ardhur prej traditës dhe historisë kombëtare është krejt e neveritshme. Por, ajo përfaqëson vetëm njërën prej shumë arsyeve përse njerëzit këtu janë të padurueshëm në përjgithësi, dhe njërën prej arsyeve përse mizantropia këndej është prodhim i një rritjeje të mirëfilltë, arsimimi themelor, dhe mësimi i sjelljeve minimale etike që duhen për t’iu shmangur të qenit sociopat. Nëse ekziston një grup njerëzisht që qëllim që duan ta shpien përmes procedurave demokratike të politikës — çfarë legjitimiteti tjetër u duhet për ta përmbushur atë vullnet? Apo duhet ta paraqesim këtë vullnet kundrejt vullnetit të të vdekurve, të cilët — mbas gjasash — i kanë avokatët dhe përfaqësuesit e tyre politikë? Ky është në të vërtetë vullneti i njerëzve të gjallë që janë të gatshëm t’u marrin diçka të tjerëve, të pretendojnë se flasin me të vdekurit, dhe të argumentojnë se janë avokatë të drejtë të traditës.

Doli se pyetja “kujt i takojnë kishat në Malin e Zi” ka njëfarë lidhjeje — së paku — me turqit, armiqtë tanë të parapëlqyer nga e kaluara.

Vetëm disa ditë para miratimit të Ligjit, këshilltari i Presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiq, Nikolla Selakoviq, na njoftoi se “Mali i Zi është shtet serb,” gjë e cila është interpretim kreativ i Kushtetutës së Malit të Zi, që shpall atë shtet tipik civil.

Pastaj u paraqit Vuçiqi, i cili i kërkoi Malit të Zi me mirësjelle — sipas tij — dhe përmes lotësh, ta hedhin poshtë Ligjin. Qeveria malazeze e falënderoi për këshillat dhe deklaroi ligjet do t’i miratojnë sipas vullnetit të tyre. Kjo e fyejti Vuçiqin aq shumë sa reaguan edhe historianët e tij oborrtarë, Aleksandër Rakoviqi dhe Predrag Markoviqi.

Së pari, Rakoviqi shprehu frikën se Mali i Zi do ta marrë Manastirin e Cetinjes nga Serbia. Rakoviqi beson se ky manastir gjendet në “territorin e armikut.” Sa keq që Manastiri i Cetinjes në është në Shabac — në një ambient miqësor — por në Cetinje, i rrethuar prej malaziasve armiqësorë që e ndërtuan dhe i dhanë kuptim atij manastiri. Tjetri, Markoviqi, tha se Millo Gjukanoviqi është “ustash më i madh se Paveliqi” me “bole më të mëdha se Haradinaj.” Markoviqi vazhdoi punën aty ky pushoi Patriarku serb, i cili prentendoi që “serbët në Malin e Zi trajtohen më keq sesa në Shtetin e Pavarur të Kroacisë gjatë Luftës së Dytë Botërore”.

U rikthye edhe Irineji. Ai risolli në lojë turqit, duke thënë se Gjukanoviqi është dëshmi që “një i konvertuar është më i keq sesa një turk”.

Kjo na thotë që Irinej Gavriloviqi është dëshmi e gjallë që nuk ekziston vetëm Sindroma e Stokholmit, por edhe Sindroma e Stambollit. E para është afria psikologjike që robi krijon ndaj kapësit. E funda manifestohet përmes halucinacionesh pamore dhe çorientimit hapësinor dhe kohor. Le të themi kështu — është viti 2019, je duke ndenjur në Patrikanën e Beogradit duke shikuar televizorin dhe del një raport i djeshëm nga Mali i Zi, dhe në vend të presidentit malazias sheh “i konvertuari është më i keq se vetë turku”. Personat që vuajnë nga Sindroma e Stambollit shohin turqit shekuj pasi që kanë ikur, dhe i shohin ata në vende ku turqin s’kanë ekzistuar kurrë. 

Irineji pretendon se “Kisha serbe e ka krijuar Malin e Zi”. Po — po aq sa e ka krijuar Francën dhe Gjermaninë. Ai po ashtu pretendon se pa këtë kishë “nuk do të ekzistonte kurrë Mali i Zi. Mos të ishte për kishën Serbe, ata do ta kishin pësuar të njëjtin fat sikur fqinjët në Prizren që e pranuan islamin dhe humbën të gjitha lidhjet me popullin serb”.

Është e vërtetë, megjithatë, që Kisha Ortodokse Serbe nuk ia doli ta mbrojë nga turiqt as Serbinë, as Malin e Zi, ku kjo kishë nuk ka ekzistuar deri në vitin 1920. Është e vërtetë që kisha në Malin e Zi është quajtur Kisha Ortodokse Malazeze. Është e vërtetë që Kushtetuta — në vitin 1905 — ka shpallur “Kishën Autoqefale Malazeze”. 

E vërtetë është po ashtu se kjo kishë është shfuqizuar në qershor të vitit 1929 prej Aleksandër Karagjorgjeviqi. Vendimi i tij “shfuqizoi autoqefalinë në Malin e Zi dhe themeloi Kishën e Bashkuar Ortodokse të Mbretërisë së Serbëve, Kroatëve dhe Sllovenëve”.

E vërteta është që Kisha Ortodokse Serbe u bë pronarja e të gjitha ndërtesave fetare pas vendimit të Aleskandrit.

Pa shihni: ne vetëm sa filluam ta “vëmë në pyetje të kaluarën”, pak nga pak, dhe tashmë gjithçka është e qartë. Secili komb dhe shtet në këtë rajon ka të vërtetën e vet historike, madje edhe shkencën e vet historike. Pluralizmi i të vërtetëve etnike është i njëmendtë — për dallim nga pluralizmi politik, i cili është zakonisht i sajuar dhe kozmetik.

Prandaj, është më mirë të kthehemi në të tashmen, ose së paku në të kaluarën e afërt.

Kuvendi i Malit të Zi miratoi Ligjin për Lirinë Fetare gjatë ditëve të fundit të vitit 2019.

Natën para se të miratohel ligji, një aeroplan i qeverisë së Serbisë mbërriti në Podgoricë. I mori me vete çetnikun Andrija Mandiq — si Betmenin — dhe ndihmësin e tij Milan Knezheviqin. Aeroplani i çoi në Beograd. Atje biseduan me Patriarkun serb Irinej, i cili ua dha bekimin që të vdesin para se ta lejojnë miratimin e Ligjit.

***

Nuk arritën të bëjnë shumë. Pak para votimit në Kuvendin e Malit të Zi, deputetët e Ballit Demokratik i prishën disa mikrofonë, hodhën një shishe për ta lënduar deputetin Ranko Krivokapiq, tentuan të hedhin gaz lotsjellës —por nuk qenë mjaftë të mençur për ta hapur bombolën si duhet — dhe u futën në një automjet të policisë për t’u dërguar në mbajtje.

Par se ta urdhëronte sulmin — e pasukseshëm — dhe ta pengonte seancën parlamentare, Mandiqi publikoi një deklaratë në mediat sociale prej kuvendit. Ai i ftoi mbështetësit për Luftë të Shenjtë: “Jini luftëtarë të Krishtit dhe rrini gati”.

Nëse një deputet mysliman në ndonjë kuvend evropian do t’i thërriste vëllezërit — ngjashëm si Mandiqi — “që të jenë luftëtarë të Allahut dhe të rrijnë gati”, mediat evropiane do të çoheshin peshë për ta dënuar këtë ftesë për xhihad. Por ky është muhabet tjetër.

Ditëve dhe netëve të radhës, mbështetësit e Mandiqit dolën t’i bllokojnë rrugët. Herë pas herë hodhën edhe gurë.

Më pas, disa në Beograd dhe Moskë — natyrisht — arritën te përfundimi që duhet të ndryshohet strategjia: në vend të Luftës së Shenjtë, kortezhet fetare të drejtuara nga priftërinjtë e Kishës Ortodokse Serbe do të përdoreshin për t’i bërë trysni qeverisë.

Para se të miratohej Ligji, Balli Demokratik i ngriti tensionet politike: ata kërcënuan me armët e fshehta — derdhjen e gjakut, djegien e kuvendit, sulmet vetëvrasëse, pas të cilave dikush do të bëhej shenjt, kërcënimin e boshnjakëve, shqiptarëve, kroatëve, dhe pretenduan se do ta parandalojnë miratimin e Ligjit fizikisht…

Kryepeshkopi i Kishës Ortodokse Serbe, Amfilohije, ka luajtur letrën e tij më të fuqishme: ai organizoi një protestë me ç’rast edhe u vendosën relikte të Shën Vasil Ostroshkit. Kur kjo u paralajmërua, gjithësecili që ka kujtesë pakëz më të mirë se një troftë u ngjeth — e njëjta gjë është bërë në “trojet serbe” kur u paralajmëruan luftrat e viteve të 90-ta. Siç na e kujtoi shkrimtari Millorad Popoviq: “Amfilohije ka përdorur reliktet e Shën Vasilit në vitin 1990 për ta rritur armiqësinë e hercegovinasve ortodoksë ndaj fqinjëve, dhe një herë tjetër më 1996, kur reliktet u dërguan në Bosnjë dhe Hercegovinë për ta shprehur respektin ndaj Radovan Karaxhiqit, komandantit të ushtrisë që kreu gjenocidin në Srebrenicë dhe që përdori snajperët për të vrarë më se 1600 fëmijë në Sarajevë”.

Për më shumë, Amfilohije shpalli luftën civile në Malin e Zi në nëntor gjatë një deklarate për Televizionin Federativ të Bosnjës.

Kortezhet fetare kanë ruajtur natyrën e protestave paqësore kundër Ligjit, pavarësisht tensioneve etnike, fetare dhe politike që janë shkaktuar, dhe kjo është njëfarë lehtësimi.

Ku jemi sot? Kemi një Ligj që nuk do të nisë të zbatohet pas një viti. Ligji është miratuar nga Komisioni i Venedikut. Ligji është pranuar nga komuniteti mysliman, Kisha Katolike e Malit të Zi dhe Kishës Ortodokse Malazeze. Por, jo edhe nga institucioni më i fuqishëm fetar në shtet — Kisha Ortodokse Serbe. Edhe pse Ligji nuk e përmend një gjë të tillë, Kisha Ortodokse Serbe pretendon se Mali i Zi “do t’ia marrë manastiret” dhe “t’i shndërrojë në hotele dhe restorante”. Kisha po ashtu refuzon të regjistrohet në Malin e Zi, sepse Kryepeshkopi Amfilohie insiston që kisha e tij është jashtëterritoriale dhe se ligjet malazeze nuk të detyrueshme ndaj saj.

Konflikti rreth Ligjit është shndërruar në konflikt për pozitën kushtetuese të Malit të Zi: a do të mbetet shtet civil dhe laik — siç këmbëngul qeveria — apo teokraci serbe ku jetojnë edhe kombet e tjera (por jo malaziasit, ekzistenca e të cilëve nuk njihet prej Kishës Ortodokse Serbe, e cila i quan serbë), siç këmbëngul Amfilohije.

Trysnia e Amfilohijes ndaj qeverisë është shumë serioze. Edhe pse ende s’janë mbledhur “qindra njerëz nëpër rrugë”, siç kanë raportuar mediat e Beogradit — në fakt janë vetëm dhjetra — Amfilohije ia ka dalë të organizojë protestat më masive në historinë e Malit të Zi.

Prandaj, një demokraci e shëndoshë kërkon një zgjidhje të qartë: negociata mes qeverisë dhe kishës, të cilat kanë nisur në ndërkohë. Sidoqoftë, u bë e qartë se Ligji ishte vetëm shkas për protestë, dhe se qëllimet e Amfilohijes janë në fakt qëllime politike në Beograd, ndërrimi i qeverisë dhe kushtetutës së vendit, gjë e cila e zvogëloi hapësirën për kompromis. 

Kriza e paqëndrueshmërisë në Malin e Zi do të mbetet ku është — së paku deri në zgjedhjet e ardhshme parlamentare në tetor të këtij viti. Këto zgjedhje nuk do të nënkuptojnë një përfundim të krizës — sepse në qoftë se koalicioni i tanishëm fiton sërish (gjë që po pritet), protestat mund të nisin prap, por kësaj here me akuzime për vjedhje të votave.

Po ia shtove kësaj idenë e bojkotimit të zgjedhjeve, i cili shihet si mundësi nga opozita proserbe, do ta kesh një ekuacion edhe më të ndërlikuar politik që çon te një përpjekje jashtinstitucionale, jodemokratike dhe të kundërligjshme për ta zgjidhur krizën — një thirrje ndaj njerëzve për t’i pushtuar ndërtesat e Kuvendit Kombëtar dhe televizionit shtetëror, për shembull.

Një hap i madh për ta shtendosur situatën në Malin e Zi do të ishte ndalja e bombardimeve mediatike (përfshirë lajmet e rreme) nga Serbia dhe Republika Serbe në Bosnjë e Hercegovinë.

Ekipi i Bashkimi Evropian për Komunikim Strategjik (StratKom) ka publikuar më se 35,000 raporte mediatike për Ligjin dhe krizën e shkaktuar pas miratimit, 20,000 prej tyre kanë ardhur prej Serbisë dhe 9,000 prej Bosnjës e Hercegovinës. Vetëm 6,000 kanë ardhur prej “zemrës së krizës”, Malit të Zi.

—–

Në muajt në vijim, bashkëpunimi në mes të platformave online Remarker dhe Sbunker do të sjellë një seri analizash që kanë për qëllim nxitjen e debatit të hapur e kritik mbi situatën aktuale në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Pas qëndrimeve të fundit nga Franca, një ndër shtetet anëtare me më së shumti ndikim në BE, rajoni po përballet me një ndër sfidat më të vështira të tri dekadave të fundit, prej kur shtetet e Ballkanit Perëndimor filluan rrugën e tyre të vështirë, fillimisht duke kaluar nëpër konflikte dhe pastaj në procesin e demokratizimit dhe integrimit evropian.

Qëllimi i Remarker dhe Sbunker është të krijojë njohje më të mirë të çështjeve aktuale në vendet e Ballkanit Perëndimor, dhe rritjen e vetëdijes mbi proceset e integrimit evropian, atë të demokratizimit dhe sundimit të ligjit, si kushtet kryesore për arritjen e paqes afatgjatë dhe stabilitetit në rajon.

—–

Shkrimin në gjuhën malazeze mund ta gjeni këtu, ndërsa në gjuhën angleze këtu.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.