Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Kujtesa kolektive dhe pushteti politik

Ajo çka ne kujtojmë nga e kaluara, na bën ata që jemi, qoftë si persona individualë apo edhe si shoqëri. Prandaj, përvojat e së kaluarës janë tejet të rëndësishme në formësimin e kujtesës kolektive dhe rrjedhimisht në formimin e identitetit dhe bindjeve politike. Në shoqëritë e pasluftës, politika e kujtesës krijon mundësinë dhe paraqet mjetin efektiv përmes së cilës elitat politike, synojnë pushtetin dhe sajojnë legjitimitetin e nevojshëm politik. Veçanërisht kujtesa apo përkujtimi i luftës, përmes rrëfimeve (narracionit), përkujtimit të sakrificave dhe të heroizmit është i pranishëm në betejën politike për pushtet, si në rastin e Kosovës së pasluftës. Nëpërmjet artikulimit e përkujtimit të luftës, autoritetet politike ndikojnë dukshëm edhe në bindjet politike dhe përkatësinë partiake të grupeve të caktuara. Prandaj është me rëndësi të analizohet lidhja mes pushtetit politik dhe kujtimit të luftës, duke shqyrtuar mënyrën sesi ato janë krijuar dhe sesi janë transmetuar në shoqërinë kosovare. Kështu, kujtimet e luftës dhe përvojat traumatike të shoqëruara me humbje – si të  anëtarëve të familjes, dëshmitë e krimeve si dhe deportimet e dhunshme, vazhdojnë të luajnë një rol të konsiderueshëm, si në raportet ndëretnike ashtu edhe në zhvillimet politike në Kosovën e pasluftës.

Kujtesa kolektive, ndër të tjera, ka edhe funksionin e përkujtimit të viktimave, por edhe për të mësuar brezat e sotëm dhe të ardhshëm për të kaluarën. Kështu që kujtimi për ngjarjet dhe përvojat e luftës, nuk është vetëm përkujtues i së kaluarës, por bëhet edhe mjet kyç i formimit të identitetit kombëtar. Përvojat e së kaluarës nga regjimi i Millosheviqit, veçanërisht përvojat e luftës së fundit, janë qenësore në formimin e kujtesës kolektive dhe në ndërtimin e identitetit në Kosovë. Në këtë kontekst, qëndrimet dhe sjellja politike e shoqërisë janë të bazuara në masë të madhe në kujtimet e ngjarjeve të kaluara, pavarësisht nga fakti nëse individët vërtet i kanë përjetuar apo jo ato ngjarje. Identiteti kolektiv dhe qëndrimet politike të shoqërisë kosovare, janë ndikuar jashtëzakonisht shumë nëpërmjet paraqitjes së kujtimit për luftën duke nxitur rrëfimin e viktimizimit në njërën anë, dhe duke e lartësuar e përkujtuar heroizmin në anën tjetër.

Kujtimi i luftës është interpretuar dhe transmetuar nga rrëfimet zyrtare dhe gjysmëzyrtare mbi këtë të kaluar, monumentet e ndryshme, mbledhjet përkujtimore dhe historiografia. Të gjitha këto më qëllim të krijimit të legjitimitetit dhe konsolidimit të pushtetit politik, të nxitura nga grupet e caktuara për të dominuar. Siç e sqarojnë edhe studiuesit Ashplant, Dawon dhe Roper, autorë të librit editues mbi politikën e kujtimit të luftës (The Politics of War-Memory and Commemoration), studimi i kujtesës së luftës ka të bëjë me orkestrimin zyrtar dhe përcaktimin në përkujtues fizik dhe ceremonial, si dhe me modelet e përfshirjes dhe përjashtimit që caktojnë, se cilat aspekte të përvojave individuale dhe kolektive janë të pranueshme të kujtohen dhe për publik.Me fjalë tjera, kush dhe pse vendos se çka dhe si duhet të kujtohet në një shoqëri, përcaktohet për nga raporti i forcave dhe pushtetit në atë vend. Sipas historianit gjerman Wolfgang Hoepken, në procesin e formimit të shteteve, kujtimi i luftës bëhet, ‘gramatika e nacionalizmit’ në diskurset politike dhe rrëfimet thelbësore në atë publike. Lidhja midis kujtesës kolektive dhe pushtetit politik përbëhet zakonisht përmes legjitimitetit. Kjo mund të arrihet duke evokuar të kaluarën dhe promovuar e manifestuar kuptimin e caktuar ideologjik të saj, për qëllime apo përfitime politike. Në rastin e kujtimit të luftës, këto kujtime zakonisht janë diametralisht të kundërta dhe të kontestuara mes palëve që ishin në konflikt, por ndonjëherë edhe brenda vetë një grupi. Thënë ndryshe, kujtimi i luftës është betejë e vazhdueshme e grupeve të ndryshme etnike apo dhe politike për (ri)krijimin e një versioni të caktuar të së kaluarës, me qëllimin për të arritur pranimin sa më të gjerë  publik mbi bazën e se cilës synohet të krijohet legjitimiteti politik. Në këtë kontekst, ngjarjet e luftës në Kosovë ishin dhe mbesin pjesë e rëndësishme e rrëfimeve, si në sferën private (pra në rrethin familjar, në mesin e shoqërisë etj.) ashtu edhe në sferën publike (mediat, sistemi arsimor, diskurse politike). Këto rrëfime, të kombinuara me përmendoret publike, simbolet dhe ritualet përkujtimore, kanë për qëllim krijimin e kohezionin social dhe për të fuqizuar ndjenjën e përkatësisë në mesin e shoqërisë. Sidomos në procesin e shtetndërtimit, aktorët e rëndësishëm politikë dhe socialë janë të përfshirë në (ri)ndërtimin e së kaluarës dhe në artikulimin e kujtesës së luftës, në atë mënyrë që është e dobishme për qëllime politike. Kështu, autoritetet shtetërore kanë rol të rëndësishëm dhe thelbësor në transmetimin e kujtimit të luftës. Përmendoret e monumentet publike dhe rrëfimet rreth luftës në Kosovë, janë të përqendruara kryesisht në heroizmin e ushtarëve të rënë për liri dhe sakrificës së shumtë në luftën çlirimtare.

Kjo politikë e kujtesës është manifestuar në mbledhje të ndryshme dhe të vazhdueshme komemorative, pastaj me emërtimin e hapësirave publike (rrugëve, shkollave dhe institucioneve tjera), si dhe me anë të simboleve dhe ceremonive të tjera të përkujtimit të luftës. Në këtë kuptim, kujtesa kolektive për luftën shërben edhe si themel ideologjik dhe komponent kyç i legjitimitetit politik për formimin e shtetit. Në rastin e Kosovës, simbolikisht i titulluar NEWBORN, pra i porsalindur, ekspozuar përmes monumentit emblematik në qendër të Prishtinës ditën që Kosova shpalli pavarësinë e saj. Theksimi i heroizmit, i glorifikimit të ngjarjeve epike, i vendeve dhe i vlerave të ‘luftës çlirimtare’ përbëjnë pjesë e atribute të rëndësishme në formimin e legjitimitetit politik, duke e konvertuar këtë version në luftën historike të popullit për liri dhe pavarësi të shtetit. Nëpërmjet këtyre nderimeve simbolike, pothuajse të gjithë monumentet e të kaluarës komuniste jugosllave dhe të regjimit serb në hapësirën publike janë zëvendësuar me ato në përkujtim të luftëtarëve të UÇK-së dhe figura të tjera kombëtare shqiptare. Po ashtu shumica nga rrugët kryesore, sheshet dhe shkollat janë emëruar në nder të ushtarëve të rënë.

Në krahasim me këtë peizazh kulturor të hapësirës publike, në vendbanimet dhe komunat e populluara kryesisht me serbët e Kosovës, monumentet dhe emrat e rrugëve janë në përkujtim të figurave kombëtare serbe, si për shembull me ngritjen e monumentit në Graçanicë të Milosh Obiliqit dhe së voni në veri të Mitrovicës përurimi i statujës disa metrash të lartë të car Lazarit. Gjithashtu rrëfimi serb për luftën, është në kundërthënie të plotë me atë që e kultivojnë shumica në Kosovë. Duke e kujtuar luftën kryesisht si viktima të saj dhe pak e hiç si pjesëmarrës e në mjaft raste edhe abuzues të saj. Kështu këto dallime dhe kontradikta rreth kujtesës së luftës ndikojnë ende në ndasi të madhe politike dhe në distancën etnike mes tyre, në kuptimin që kjo vë në pah jo vetëm dallimet substanciale dhe simbolike, por edhe në ndarje territoriale mes tyre në të ashtuquajtura enklava. Praktika dhe simbolet e deritanishme të kujtesës kolektive në Kosovë, paraqesin sfida të vështira për drejtësinë tranzicionale dhe për ballafaqimin e mirëfilltë me të kaluarën, sidomos aspektet që kanë të bëjnë me krime të luftës dhe akte të tjera të dhunshme gjatë dhe pas luftës.

Për të ilustruar ndikimin e këtij lloj përkujtimit të luftës mbi baza etnike, partiake dhe të instrumentalizuar në zhvillimet shoqërore e politike, vlen të analizohet debati antagonist në politikën dhe opinionit publik, në lidhje me ndjekjet penale dhe gjykimet e krimeve të luftës në Kosovë. Polemika e ashpër deri në kërcënime rreth përgjegjësisë për krimet e luftës të çon në mohimin e krimeve të luftës nga pjesëtarët e një grupi dhe akuza për ato krime të kryera vetëm nga pjesëtarët e grupit tjetër etnik apo politik. Hulumtimet e opinionit publik, të kryera në periudhat 2007 dhe 2012 nga UNDP rreth perceptimit të drejtësisë tranzicionale në Kosovë, demonstrojnë se kanë mbërritur në përfundimin e një viktimizimi të lartë dhe mohimi kategorik i të bërit eventual të krimeve të luftës nga pjesëtarët e grupit të vet. Kjo situatë dhe ky lloj trajtimi i politizuar i së kaluarës, jo vetëm që e thellon ndarjen etnike dhe sforcon nacionalizmin në mesin e shoqërisë, por i mban edhe elitat e papërgjegjshme në pushtet, duke u siguruar kështu legjitimitet dhe pushtet politik të mëtejshëm. Prandaj mediet, sistemi edukativ, qarqet akademike ashtu edhe historiografia duhet të mbështeten në të dhëna e fakte të besueshme dhe të vlefshme për të kaluarën në mënyrë që kujtesa kolektive të marrë kuptimin e duhur dhe jo të jetë në shërbim të pushtetet dhe për interesa të tyre.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.