Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

‘Kurva’ është konstrukt shoqëror

‘Kurva’ nuk ekziston. Ky epitet e ka vendin në listën e gjërave që nuk ekzistojnë, bashkë me zanat e malit, minotaurët, apo dragonjtë. Kështu i siguron Laura Bates adoleshentet në librin e saj për vajza Girl Up. Bates shpjegon se ky term është vetëm qëndrim i projektuar për vajzat dhe gratë nga shoqëria seksiste që tronditet kur ato kanë guxim të flasin për seksin dhe të marrin në kontroll jetën e tyre personale dhe të mos ia ‘dhurojnë’ atë një burri tjetër.

Paranojë kolektive përjetohet sa herë që diskutohet rreth degjenerimit të shoqërisë. Këtë degjenerim së pari e lidhim me degjenerimin e gruas (‘Çikat janë tranu!” “Gratë s’po na dëgjojnë!”), e degjenerimin e gruas e lidhim me prishjen e familjen dhe humbjen e nderit të shtëpisë. Në ambiente shoqërore dhe institucionale, në artikuj gazetaresk, përfshirë shpesh edhe reagime nga ‘autorë seriozë’, fjala ‘kurvë’ dhe ‘kurvëri’ përdoret për ta përshkruar dhe barazuar dikë apo diçka me nivelin më të ulët, më të padenjë, më të shëmtuar dhe më të shfrenuar. Nuk ngopen dot. Duket se vetëm kjo fjalë i ndihmon të lirojnë mllefin mizogjen të kultivuar brez pas brezi. Atë e bëjnë autorë shkrimesh e poetëgazetarë e politikanë. Por sigurisht që injoranca e dhunshme e burrave shqiptarë (e grave po ashtu) është e kuptueshme që buron jo vetëm nga të parët tanë, por edhe nga historia botërore e evolucionit të qenieve njerëzore.

Sipas Christopher Ryan dhe Cacilda Jetha në librin e tyre Sex at Dawn, pavarësisht se sa gjenial ka qenë Charles Darwin, ai na ka mësuar se “nënat i kemi kurva.” Kjo për shkak se përmes narratives standarde të evolucionit seksual të qenieve njerëzore, ‘kurvëria’ është prezantuar si tipar inherent dhe i pashmangshëm tek gratë. Narrativa shkon kështu: Djali takohet me vajzën. Djali dhe vajza e vlerësojnë njëri tjetrin në bazë të agjendave dhe kapaciteteve të ndryshme riprodhuese. Ai kërkon shenja të rinisë, fertilitetit, shëndetit të mirë, mungesës së përvojave të kaluara seksuale, dhe të besnikërisë seksuale në të ardhmen. Ajo kërkon shenja të pasurisë, statusit shoqëror, shëndetit fizik, dhe mundësinë që ai nuk do ta braktisë atë (dhe fëmijët) materialisht. Pra kjo narrativë e redukton interaksionin heteroseksual në prostitucion; pra gratë i shkëmbejnë shërbimet seksuale për qasje në resurse dhe siguri nga burrat.

Sigmund Freud ka paraqitur gratë si inferiore në aspektin seksual, dhe për shumë bashkë-mendimtarë të tij, për gratë është thënë që nuk kanë libido (dëshirë seksuale) fare. Ata kanë prezantuar marrëdhënien seksuale si kënaqësi e burrit, por detyrë bashkëshortore dhe obligim riprodhues i grave. Nuk është çudi pse lirinë seksuale të grave që kanë devijuar nga kjo normë i kanë kategorizuar si të shfrenuara. Epoka e muzikës Jazz në Amerikë në 1920-at karakterizohet pikërisht me panikun rreth ‘degjenerimit të shoqërisë’. Degjenerimi i referohet një kulture të re të grave e njohura si ‘flappers’ dhe të portretizuara nga Scott Fizgerald në librat e tij sikurse The Great Gatsby dhe This Side of Paradise. Me marrjen hov të kësaj kulture, gratë u dhanë shkelm normave viktoriane të grave tradicionale me muzikë, vallëzim, modë, seks, dhe alkool. Shokuese, apo jo?

Baker Brown, një gjinekolog britanez, diku rreth vitit 1858 ka argumentuar që masturbimi tek gratë ka efekte fatale anësore, diku filluar nga histeria dhe epilepsia e deri tek mania dhe vdekja. Ai ka sugjeruar largimin e klitorisit si zgjidhje. Pas kryerjes se disa ndërhyrjeve të tilla, Brown është përjashtuar nga Shoqëria Obstetrike e Londrës dhe qarqet mjekësore britaneze e kanë diskredituar heqjen e klitorisit. Por, praktika barbare e heqjes se klitorisit është ende praktikë e rregullt në shumë shtete afrikane, me qëllimin e vetëm ruajtjen e nderit dhe shmangien e ‘kurvërisë’. Për shkak të këtij parimi brutal shumë vajza të vogla vdesin nga gjakderdhja e brendshme e gratë në lindje, ndërsa ato që mbijetojnë përballen me vështirësi gjatë ciklit menstrual, lindjes, dhe disa prej tyre nuk arrijnë të ndjejnë më kurrë kënaqësi seksuale.

Ryan & Jetha thonë se para luftës kundër drogës, terrorit, apo luftës kundër kancerit, ka pasur luftë kundër dëshirës seksuale femërore. Dhe kjo luftë vazhdon në shoqëri të dhunshme patriarkale. Ato gra që guxojnë të heqin dorë nga ‘turpi femëror’ pështyhen, fyhen, i divorcojnë dhe i ndajnë nga fëmijët, digjen si shtriga, patolizohen si histerike, varrosen deri në qafë në rërën e shkretëtirave, dhe gjuhen me gurë deri në vdekje. Dhe jo vetëm ato, por edhe fëmijët e tyre janë të nëmur: “ata – të bijtë dhe bijat e kudrës” sakrifikohen para zotëve perversë dhe konfliktuoz të injorancës, turpit dhe frikës.” – thonë autorët.

Bën të jesh seksi por jo seksuale, pra të jesh objekt por jo subjekt seksual. Të qenit seksuale apo subjekt seksual në një rreth e ambient konservator mbetet mallkim. Kjo normë e pakuptimtë është arsyeja pse shumë gra të reja në Kosovë në mënyrë që të jenë të pranueshme për martesë i ekspozohen himenoplastikës, ndërhyrje për operimin e cipës virgjërore, ndërhyrje kjo që realizohet në dhoma joligjore spitalore, në rrethana të rrezikshme dhe pa mbikëqyrje profesionale. Ky fenomen jo vetëm që nuk është pjesë e debatit strategjik institucional për mbrojtjen e shëndetit të vajzave dhe grave dhe ngritjen e vetëdijes së përgjithshme, por diskutohet prej perspektivës përçmuese për gratë e reja që e bëjnë një ‘trik’ të tillë manipulues, që mashtrojnë burrat dhe e fshehin ‘turpin’ e tyre. E kush vendos t’i hyjë një praktike të pasigurt e të dhimbshme pa pasur arsye që ndërlidhen drejtpërdrejtë me të ardhmen dhe jetën e tyre, si rrjedhojë e të qenit seksualisht aktive në një rreth të tillë kërcënues?

Shumë studime kanë pohuar se sharjet, poshtërimi dhe etiketimi me ‘kurvëri’, (që në gjuhën angleze njihet si ‘slut-shaming’) ndikon shumë në mirëqenien dhe vetëvlerësimin e grave në përgjithësi, por në veçanti të vajzave, të cilat përballen me konflikt identitar gjatë periudhës së adoleshencës. Jo vetëm një trajtim i tillë, por vetëm një frymë ku një diskurs i tillë dominon ndikon në shëndetin e tyre (tonë) mendor, në mënyrën se si ato e shohin dhe e trajtojnë veten, në kufizimet që i vendosin për të tjerët dhe sa janë në gjendje ta zotërojnë plotësisht trupin e tyre.

Por emancipimi seksual është proces i vështirë. Duhet të ketë hapësirë të sigurt dhe tekste revolucionare në shtëpi e shkollë që të flitet rehatshëm për tema të ‘parehatshme’, dhe politika strikte të kodit të sjelljes dhe ngacmimit seksual në institucione që të çrrënjoset ‘kurvëria’ si koncept nga mendja dhe goja. E pakta që mund të bëjmë është të mos e reduktojmë asnjë grua përmes epiteteve përçmuese, qoftë ajo vajza apo motra jote, Kallashi apo Morena Taraku. E assesi të mos e pranojmë si pjesë të zakonshme në medie tona, edhe atëherë kur mendojmë se po përdoret vetëm si simbolikë dhe jo epitet per se. Përkufizime konstruktive për të shprehur mos-miratim ka sa të duash. Por ato vijnë sapo të kemi kuptuar rrënjët e pabarazisë dhe rrethanat nga të cilat marrin hov fenomene apo karakteristika të caktuara.

“‘Kurva’ është konstrukt shoqëror” po thonë gratë gjithandej globit në marshe e protesta, në libra dhe medie feministe. Ajo është shpikur nga burrat dhe ende mirëmbahet nga po ata bashkë me grupe grash të painformuara nga po ky sistem patriarkal që përforcon seksizmin e brendshëm dhe na kthen kundër njëra tjetrës. Por në ju pëlqeftë apo jo, emancipimi seksual i grave po ndodh. Për dallim nga gjyshet dhe nënat tona, sot po përpiqemi ta rikthejmë vëmendjen tek trupat tonë dhe të njihemi me pushtetin që kemi mbi to, po kemi më shumë mundësi të zgjedhim, po kërkojmë siguri që të jetojmë jetën që e duam, po e zbërthejmë kompleksitetin e pseudo vlerave patriarkale të ‘çiltërsisë femërore’ dhe raporteve të korruptuara gjinore.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.