Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Lajmet e Rreme si Fenomen Socio-teknik

Koncepti i lajmeve të rreme

Në vitin 1782, Benjamin Franklin në një botim tëf rremë të gazetës Boston, fabrikon një ngjarje makabre ku përshkruhen mizoritë e britanezëve me aleatët e tyre indian, në mënyrë që të influencojë opinionin publik në favor të Revolucionit Amerikan [3]. Për një kohë të gjatë, kjo ngjarje është konsideruar si e vërtetë dhe është botuar në shumë gazeta të njohura në Amerikë.

Në përgjithësi, njerëzit kanë qenë gjithmonë të prirur ta shtrembërojnë realitetin për motive të ndryshme, ku më kryesoret rezultojnë të jenë përfitimet materiale dhe promovimi i agjendave të caktuara ideologjike e politike [4,5,6]. Studimet tregojnë se këto motive jane aq të arritshme dhe reale sa që në vitin 2016, në SHBA, qarkullimi masiv dhe besueshmëria në lajmet e rreme kanë pasur ndikim në fituesin e zgjedhjeve, Donald Trump [7]. Përndryshe ky i fundit e ka bërë të njohur termin “lajme të rreme” duke e përdorur atë në forma të ndryshme për të sulmuar kundërshtarët.

Sa i përket definicionit, lajme të rreme quhen artikujt me përmbajtje tërësisht ose pjesërisht të pasaktë, të cilët krijohen me qëllim të caktuar për të mashtruar publikun [8]. Duke qenë se përmbajtja e lajmeve të rreme është e fabrikuar, ajo mund të stilizohet asisoji që të bëhet sa më tërheqëse për lexuesin. Në fund të fundit, ideja është që lajmi të merr sa më shume klikime e jo të dëshmojë përpikmëri e profesionalizëm.  Në përgjithësi, fjalori i përdorur nga lajmet e rreme është më i thjeshtë/jozyrtar dhe i varfër në detaje shkencore [9]. Këtë thjeshtësi, lajmet e rreme/teoritë konspirative e plotësojnë me mesazhe impresive e tituj intrigues që ngjallin emocion te publiku [10].  Kesisoji ngjarja bëhet jo vetëm më interesante por edhe më bindëse.

Mediat sociale dhe lajmet e rreme

Edhe pse lajmet e rreme nuk janë të reja si fenomen, kohët e fundit karakterizohen nga një shpërthim i qarkullimit të tyre anekënd botës. Kjo dukuri lidhet ngusht me ardhjen në skenë të mediave sociale dhe informimit masiv [11]. Kjo ndërlidhje tregon se kemi të bëjmë me një fenomen socio-teknik, i cili i ka rrënjët thellë në sjelljen njerëzore mirëpo bazohet në infrastrukturën dhe shërbimet teknike për përhapje [31]. Fakti që në media sociale mund të shprehë mendim çdokush dhe vërtetësia e posteve në parim nuk verifikohet [12], i ka shndërruar ato në makina të rrezikshme të dezinformimit të popullatës. Në fakt disa studime tregojnë se laikët që nuk kanë kurrfarë njohurie në një lëmi të caktuar, kanë më shumë ndikim në përhapjen e informatave sesa burimet tradicionale profesionale [13]. Mos të flasim pastaj për të ashtuquajturit influencera të cilët, si përdorues të mediave sociale me shumë ndjekës, fuqinë e ndikimit e marrin pikërisht nga numri i ndjekësve e jo nga vlera e përmbajtjes që postojnë. Kësisoji, koha në të cilën po jetojmë është jashtzakonisht problematike sa i përket diferencimit të së vërtetes nga e pavërteta.Vitet e fundit karakterizojnë “rritjen e një shoqërie të keqinformuar” ose fillimin e epokës “post-vërtetë” [6] e cila si term i ri në fjalorin e Oksfordit paraqet “rrethanat ku e vërteta objektive ka më pak ndikim në krijimin e opinionit publik se sa artikujt me përmbajtje emocionale që përputhen me bindjet tona personale”. Në këtë mënyrë, deri sa diktatorët e kohëve të shkuara është dashur të investojnë shumë mund në fshehjen e së vërtetës, ne-njerëzit e lirë të kohëve moderne kemi zgjedhur vetë të jetojmë në mjegullën e një bote plot gënjeshtra, e cila na lejon “të shtiremi pa e ndier veten të pasinqertë” [15].

Deri tani është e qartë se mediat sociale janë veglat kryesore për shpërndarjen e lajmeve të rreme. Problemi është se të njëjtat platforma përdoren edhe për plasimin e lajmeve të vërteta e të besueshme. Analizat e fundit tregojnë se mediumet tradicionale gjithnjë e më shumë po bazohen në rrjete sociale për shpërndarjen e informatave [6]. Më konkretisht, Facebook konsiderohet si një ndër burimet më të preferuara të informacionit, sidomos për gjeneratën e re [1]. Ky fakt i jep Facebook-ut fuqi të jashtzakonshme në kontrollimin e mediumeve botërore të informimit në lidhje me atë se çka publikojnë dhe mënyrën e monetizimit të publikimeve [14]. E keqja është se ky kontroll kryesisht udhëhiqet nga përfitimet financiare me shumë pak konsideratë për parimet tjera siç janë vërtetësia e lajmit apo vlerat morale e etike të shoqërisë. Në këto kushte, mediumet profesionale, që gjenerojnë lajme të vërteta, janë të disfavorizuar në botën digjitale për shkak se përmbajtjet e tyre nuk shkruhen për të tërhequr klikime por për ta informuar drejt opinionin publik. Zakonisht kjo mënyrë e informimit nuk përmbanë asgjë senzacionale, rrjedhimisht ka shumë më pak gjasa të bëhet virale në internet.

Efekti i dhomave të ekos

Marrëdhënia në mes të lajmeve të rreme dhe mediave sociale është shumë me rëndësi nëse marrim parasysh edhe faktorët e identitetit dhe ideologjive që besojmë, të cilat pastaj kanë ndikim të madh në modalitetet e ndërveprimit me këto platforma. Zakonisht në media sociale krijojmë shoqëri me mendësi përafërsisht të njejtë dhe me ta shkëmbejmë informata që në njëfare mënyre përcaktojnë vlerat tona sociale, politike dhe ekonomike [18]. Përveç kesaj, vetë platformat e mediave sociale (Facebook dhe Twitter) përdorin algoritme që përcaktojnë përmbajtjen që do të na paraqitet në vitrinën e lajmeve (news feed) në bazë të pëlqimeve dhe kërkimeve te mëhershme [1]. Ky ekspozim në lajme dhe artikuj të njëanshëm, i vendosë përdoruesit e mediave sociale në të ashtuquajturat “dhoma të ekos” ose “fluska filtri” ku qarkullon një mendësi e caktuar dhe përforcohen bindjet individuale, qofshin ato të vërteta apo të gabuara. Në këto dhoma mungon prezenca e mendimit ndryshe dhe kësisoji krijohen kushtet ideale për vërshim nga lajmet e rreme.

Për shembull, dikush që në Twitter ka kërkuar dhe ka pëlqyer artikuj apo video që bëjnë ndërlidhjen e teknologjisë 5G me virusin korona, do të bombardohet nga artikuj të ngjajshëm të cilët do ta rrisin edhe më tutje skepticizmin e tij në lidhje me këtë teknologji. Në anën tjetër, qasja në artikuj shkencorë që i demantojnë këto teori konspirative ka pak gjasa të ndodhë (për shkak të algoritmeve që përdorë Twitter). Kjo mënyrë selektive e paraqitjes së informatave është e rrezikshme sidomos kur kemi të bëjmë me lajme të rreme sepse mund t’i nxisë viktimat e dezinformatave të ndërmarrin veprime të pamatura [20]. Si shembull konkret mund të merret djegja e të paktën 20 antenave të telefonisë mobile ne Angli në prill të vitit të kaluar, në emër të kundërshtimit të teknologjisë 5G.

Efekti i krizave shoqërore në përhapjen e lajmeve të rreme

Sipas literaturës, thashethemet dhe teoritë konspirative lulëzojnë në kohën e krizave shoqërore [21]. E tillë është edhe sëmundja COVID19 e cila për shkak të përmasave të gjëra të shtrirjes gjeografike, në mars të vitit 2020 zyrtarisht deklarohet si pandemi globale. Organizata botërore e shendetit (OBSH) i referohet COVID19 si  “infodemi – e karakterizuar nga dezinformatat që kanë qarkulluar e vazhdojnë të qarkullojnë gjithandej botës më shpejt se vetë virusi korona” [30].

Duke qenë se virusi SARS-CoV-2 i cili e shkakton sëmundjen COVID19 është virus i ri [22], shpjegimet shkencore për të sidomos në fillim të paraqitjes, kanë qenë të mangta dhe në përgjithësi ka pasur mungesë të konsenzusit shkencor për shumë çështje të ndërlidhura. Për shembull edhepse konsiderohet se prejardhja e COVID19 është nga qyteti Wuhan i Kinës, ende nuk dihet se cila është saktësisht kafsha që e ka transmetuar atë tek i ashtuquajturi “pacienti 0” – njeriu i parë në botë që e ka kontraktur këtë lloj të virusit [2223]. Gjasat janë që kjo të mbetet enigmë edhe për një kohë të gjatë. Pastaj është dashur shumë kohë të arrihet deri te konkludimet shkencore për mënyrat e përhapjes së virusit, metodat mbrojtëse dhe protokolet e trajtimit të pacientëve mvarësisht prej simptomave, gjendjes shëndetësore, moshës etj. Shpesh këto metoda kanë ndryshuar dhe vazhdojnë të ndryshojnë në hap me zbulimet e reja shkencore, të cilat janë të ngadalshme dhe kërkojnë durim.

Në këto kushte konfuziteti kur njeriu befasisht përballet me një situatë krejtësisht të re e me plot pikëpyetje, mirepo qasja ose besimi në informacione zyrtare është i ulët, vijnë në shprehje lajmet e rreme e teoritë konspirative [21].

Ana psikologjike e besimit në teori konspirative

Ekzistojnë tre faktorë kryesorë të cilët i nxisin njerëzit të besojnë në lajme të rreme e teori konspirative në kohën e krizave shoqërore e ato janë: motivet epistemike, motivet ekzistenciale dhe motivet sociale  [24].

Te motivet epistemike vie në shprehje nevoja e njeriut për të kuptuar se çfarë po ndodhë dhe për t’ia dhënë një shpjegim të panjohurës. Sa më të mëdha përmasat e një dukurie të panjohur, aq më e madhe nevoja për një shpjegim me përmasa të mëdha [25], gjë që krijon kushte të favorshme për vërshimin e masave me teori konspirative senzacionale. Si shembull konkret mund të përmendet teoria e rreme se COVID19 është shpikje e elitave botërore si Bill Gates dhe George Soros (në bashkëpunim me industrinë farmaceutike) dhe ideja është që përmes vaksinimit të detyrueshëm të mbarë popullatës, të instalohen në trup çipa gjurmues, të cilët pastaj do të aktivizoheshin përmes teknologjisë 5G.

Motivet ekzistenciale paraqesin nevojën për t’u ndier i sigurtë, për ta mbajtuar situatën nën kontroll. Kjo autonomi pothuajse zhduket gjatë krizave shoqërore dhe rrjedhimisht njerëzit ndihen të shqetësuar dhe të pafuqishëm perballë realitetit. Edhe në këtë rast, shumë prej tyre shpëtimin e gjejnë te teoritë konspirative të cilat iu japin një sens të rrejshëm të autonomisë personale [27]. Si shembull konkret mund të merren me qindra teori pa kurrfarë baze shkencore se virusi korona mund të parandalohet ose shërohet me produkte të ndryshme, qofshin ato me prejardhje natyrore apo artificiale. Fatkeqësisht me qindra njerëz kanë humbur jetën si pasojë e konsumimit të tyre, ku ndër më fatalet kanë rezultuar te jenë produktet e pastrimit me bazë alkooli apo metanoli [26].

Për fund, motivet sociale theksojnë nevojën njerëzore për t’u ndier mirë dhe superior ndaj të tjerëve. Në këtë aspekt shpërfaqen për shembull teoritë konspirative që kanë për qëllim kompromentimin e institucioneve të fuqishme botërore siç janë industria farmaceutike, industria e telekomunikacionit etj., me ç’rast ata jane armiku i popullit kurse ne, në anën tjetër (aleatët e teorive konspirative), jemi luftëtarët e së keqes. Kjo na bën të ndihemi mirë sepse po “luftojmë” për një kauzë me përmasa botërore dhe superiorë sepse posedojmë “informata” që pak njerëz i kanë në dispozicion.

Sipas literaturës njerëzit që bijnë pre e këtyre konspiracioneve kanë në përgjithësi paragjykime ndaj grupacioneve të fuqishme ose atyre që i konsiderojnë armiq [24]. Për shembull kush i konsideron kinezët armiq është më i prirur t’u besojë teorive konspirative se COVID19a është krijuar qëllimisht në Institutin e virologjisë në Wuhan, si armë biologjike për sundimin e botës.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.