E dashtuna gru e re provinciale me komplekse katuni, ti që garant për shkak t’rinisë hala të quejnë vajzë, bile nashta shpesh herë të thojnë “oj ti çikë”, e kanë me të thonë qashtu derisa të martohesh sipas gjitha gjasave, më duhet me t’kallxu sinqerisht që bota asht komplekse, me shum ngjyra. Ti je e re dhe je tue dashtë me luftu për barazi gjinore? Bujrum. Ke dalë prej katunit tand. Urime. Po t’nihet zani në shehrin e madh. Suksese.
Mirësevjen në klub. Un jam Ardiana. Krejt prej katunit kena dalë në nji kohë a tjetër. Kështu që, mirësevjen motër. Mos t’vjen marre. Rrugës ke me taku plot si vetja. Do ma të mençme, do jo qaq, do ma të zashme do ma të heshtuna, do ma të vjetra do ma të reja, do qaq të vjetra sa kishin mujtë me konë nana jote, a gjyshja. Po, po, mos u habit, feminizmi ekziston para se me lind ti. Kjo s’do me thanë që ti s’munesh me bo rrugën tande, por dije që rruga jote ka me prekë aty ktu, në rrugë moti të shkeluna, prej të cilave, para se me çu gishtin me piskatë “ku ishit ju kur un…” si me konë naj “veteran” tepricë uçëkëje, munesh me vendos me mësu najsen, si për shembull që nashta ato/ata ishin por kanë harru me të thirrë me t’kallxu. Mësimi këtu asht: mos të rritet menja me menu që me nji bagazh statusa fejsbukian në histori njerse për barazi gjinore, dikush t’ka borxh sqarime ty. Sabër. Tjetër çka asht nëse po don me shkalllavitë rahatllëkun patetik të kohës. Urdhno. Ka sa duesh. A je e sigurtë që po don me hy anej? Se në shkallavitje të tilla nuk çohet gishti, aty hyhet me krejt krytë. Po, po, krytë e tand. Po, po, munesh me metë pa frymë. Por hej, për me u ba frymë duhesh me dhanë shum frymë. Sepse, beso, çdo herë dikush ishte, para se të ishe ti.
Mos u brengos, asht luftë e gjatë kjo e barazisë, hala as nuk ia ka nisë bash mirë, ke me e pasë edhe ti momentin tand me konë para se me konë najkush tjetër para teje. Ke me taku rrugës gjithçka. Burra e gra që kanë provu me të shkelë e me të shfrytëzu. Ke me taku gra që bajnë hile e hypin shkallëve me hile. Por mos u verbo para atyne që hypin shkallëve me treqin mijë plagë. Hypin dhe jo se u ndihmuen kuotat, jo se i ndihmuen baballarët, por se kanë diçka në kry, dhe e merituen. E di, e di, në këtë vend të duket e pabesueshme kjo. Nën gjykim të rrethanatve, a pak a?
Nëse don me folë veç për ato që bajnë hile, se qaty e ki gajlen, e atëherë kujdes shum kujdes kur t’ja u shkrujsh emnat nji kah nji. Se fundi i fundit çka dijnë burrat me bo fort mirë, dijnë edhe gratë. Për shembull me ngjitë shkallë karriere tue e shitë shpirtin e emnin. Un jam për barazi gjinore. E jo budallicë. Pra shoh. Na krejt shohim, nëse dojna. Ama motër, ma shum se me u tutë me ia përmend emnin nji idioti kur e kritikon, mësohu me u tutë me i thanë idiot nji anmiku imagjinar. Fundi i fundit asht energji e humbun me luftu kundër anmiqve që s’ekzistojnë përnime, kur ke aq shum që ekzistojnë në këtë luftë për barazi gjinore dhe emancipim e demokraci e qeshtu me radhë. Përveç nëse e ke për efekt dramatik. Atëherë ti e din. Por a e din përnime?
N’daç beso, n’daç jo, historia asht plot gra që kanë mrri shum në kurriz të vetin. Me meritë. Ka pasë kohë kur kuota as nuk ka ekzistu si fjalë. Tash historitë e këtyne grave nuk i kena shkru damarëtve që po i ecim, ama ato s’janë ma pak të vërteta. Fundi i fundit nuk asht kurrë vonë me i shkrujtë. E tash që po menohna, qe nji rrugë ku kishe mujtë me konë e para, para se me konë najkush tjetër.
Sot jetojmë në nji botë konfuze, ku gjithçka po shkon ja tue u rritë në ekstrem, ja tue u imtësue në nanometër për me na e ba jetën kishe ma të lehtë. Dhe mes këtyne dy ekstremeve e kuptoj qysh vetja njeriut mundet najherë mos me iu dokë boll, ose me iu dokë tepër. Por e dashtun, mos harro, kurrkush s’po pret prej teje me shnoshë krejt botën. Ti ec rrugës tande, që preket me të tjerat dashte a s’dashte ti, dhe vendos ku lakon ku jo. Por vendos edhe pse. Rrugë me shum kthesa asht kjo luftë. E n’daç beso, n’daç jo, krejt përfundojnë në nji pikë. Në pikën e rrajve. Shiko, për me i ndryshu rrajtë, duhet me i njoftë rrajtë, e kur i njeh rrajtë, e mëson që ky kazan ku po të zihet krytë përditshëm tue u mundu me kuptu botën, asht kazan me ngjyra. Çka do me thanë kjo? Kjo do me thanë që problemet s’janë bardh e zi, as ato të barazisë gjinore e as ato të kompleksit tand inferior si gru e re prej province që ka mrri në shehrin e madh dhe po e ninë zanin e vet tue jehu rrugicatve, e në vend se me u gëzu, krejt energjinë e fokuson në luftimin e nji “mentaliteti t’katunit” që i ri virë si zemër fantom. S’asht aty, por ti e ninë tue të rreh. “Mentalitet katuni. Mentalitet katuni. Mentalitet katuni.” Ah kjo frikë e madhe provinciale ndaj katunit. Motër, nuk ekziston nji mentalitet katuni. Çdo katun e ka nji t’vetin. Çdo mahallë nji tjetër. Çdo shpi nji, gjithashtu. Por krejt bashkë, jena nji katun i madh.
Ngo knej të lutem: mos me konë bardh e zi diçka, s’do me thonë që kanë me mungu e bardha e e zeza. Do sene kanë me vazhdu me konë qaq të thjeshta. Se fundi i fundit edhe bardh e zi ngjyra janë. Për shembull, do gra kanë me mrri shum pa ecë hiç. Falë njoftësisë, a mëshirës, a a a. Do kanë me mrri pak e me ecë shum. Falë qëllimit. Do kanë me dalë prej zarfit. Do kanë me hy në zarf. Do kanë me e meritu ku janë. Do kanë me e fitu shansën gratis, për me meritu ose jo ma vonë najsen. Do kanë me dalë prej katunit. Do kanë me u kthy në katun. Do kanë me marrë katunin me vete. Do kanë me i ikë tanë jetën. Por, te tana pa dallim, ja kanë me pasë sukses krejt bashkë, ja asnjona hiç. A e din pse? Se qëllimi ktu asht ma i madh se ato krejt bashkë.
Ke me taku rrugës njerëz jo të sinqertë në këtë luftë. I dallon prej krenarisë. Herojt që krenohen luftatve, zakonisht s’kanë luftu shum për me e dijtë dhimtën kështu që kanë me kompensu me shum zhurmë e gjoksrrahje. Por s’ka lidhje, me m’ngu mu ti nuk e ban gabimin me çu gishtin kah ta e me pvet “ku ishe ti kur un reagova…”? Jo, jo e dashtun. S’ke nevojë për komplekse të tilla. Mjafton nëse reagon ti. Sa herë do me pvet pse nuk reagoi dikush, ruje qat za për me reagu vet. Oh, dhe nëse rrugës takon njerëz që të thojnë që s’ke nevojë për leksione, thuju, jo falemnerës, kam nevojë. Sepse, ke me mësu ashtu kështu, dhe veç mvaret a me të lexume a me t’jetume, që në nji botë ku pjesëmarrja e grave në politikë duhet me u rregullu me kuota (dhe jo barabartë) e tragjedia ma e madhe asht fakti që në fund merita e çdo gruje ka me u reduktu në qat kuotë, problemi kryesor i grave në luftë për barazi gjinore nuk asht kuota ose jo kuota, por dija ose mosdija. A e din pse? Sepse, kur s’di, badihava nëse ta japin nji karrige. Sepse, kur s’di, por je në pozitë me marrë në qafë nji popull, pak ka lidhje a je nji burrë a nji grue që po e merr në qafë nji popull. Sepse, kur s’di, s’di moj motër. Por edhe kjo s’asht qekaq e thjeshtë.
Ndodh që me konë kundër kuotës çohen qata luftëtarët e zhurmshëm e t’thojnë je kundër barazisë gjinore. A e din pse? Sepse, ata dojnë me konë ma shum se ti, çkado që je ti, sepse lufta e vërtetë nuk asht barazia gjinore, por kompleksi inferior mos me u pa mjaft në këtë shehër të madh. Dhe si thikë me dy teha, qe ku na gjuhet para kamëve krejt katuni që menojshim që i kena ikë.
Un jam për shum arsye kundër kuotave, e nji prej tyne asht arsyeja që tutna që kompleksi yt inferior shndërrohet në ambicie politike, sepse ti s’tutesh prej kurrgjo ma shum se prej katunit tand dhe ndodh që e sheh si shans me ja qitë guhën katunit tand nji herë e përgjithmonë nësë bahesh “dikushi” në nji shehër të madh. Dhe pikërisht nën dritat e shehrit të madh, ku katuni asht nji prej shum ngjyrave që na e përqafojna moti, se asht kush jena fundi i fundit, vetëm se ishim pak para teje, ti e gjen skenën tande ku derdhë inferioritetin tand mbi ne tue sha katunin, e kte un bija e nji katunari s’muj me të toleru me e ba.
Pra motër, çka po du me të thanë asht, n’daç vend në shehrin tem, merre lirisht katunin me veti. Sepse, n’daç besom, n’daç jo, ti munesh me dalë prej katunit tand, por për me dalë katuni prej teje, duhesh mos me iu tutë botës plotngjyrëshe në shehrin e madh, ku katunin ke me e taku shpesh herë në rrajtë ma të thella të tij. Sepse, qeky shehër i madh, i mirë i keq, i madh u ba tue pranu njerëz e jo tue i përjashtu.