Pse marrëdhëniet Turqi-Izrael vazhduan të zhvillohen në një atmosferë të ftohtë edhe në vitet 80’? Përkundër ftohtësisë cilat ishin pikat ku u ndërmorën iniciativa të përbashkëta? Pse vitet 90’ për marrëdhëniet mes dy shteteve në fjalë ishin një periudhë e rigjallërimit dhe raporteve të afërta? Në cilat dimensione u zhvilluan këto marrëdhënie dhe pse me fillimin e mileniumit të ri filloi një ngadalësim? Përgjigjet për këto pyetje dhe çështje të tjera që përfshijnë periudhën 1980-2001 do të trajtohen shkurtimisht në rreshtat e mëposhtëm.
Vitet 80’
Vitet 80’ për marrëdhëniet mes dy shteteve ishin vazhdimësi e ftohtësisë së viteve 70’ dhe kjo për dy arsye kryesore: veprimet e njëanshme të Izraelit në rajon dhe simpatia e opinionit publik turk ndaj Organizatës së Çlirimit të Palestinës (OÇP) dhe Intifadës së Parë të vitit 1987. Veprimet e njëanshme të Izraelit, si aneksimi i Jerusalemit Lindor dhe Lartësive të Golanit dhe vendosja e kolonëve hebrenj në Sherian Perëndimore, të cilësuara si ilegale edhe nga OKB-ja, e kishin shqetësuar Ankaranë zyrtare. Për këtë shkak, Ankaraja kishte mbyllur konsullatën në Jerusalem dhe kishte degraduar nivelin e përfaqësimit në Ambasadën në Tel-Aviv në sekretarin e dytë të charge d’affaires-it.
Edhe në pushtimin e Izraelit ndaj Libanit të vitit 1982 Turqia i kishte dënuar fuqishëm veprimet dhe masakrat e Izraelit karshi kampeve të refugjatëve në Sahra dhe Shatilla. Por, po në këtë ngjarje diçka e papritur kishte ndodhur. Organizatat terroriste si Ushtria Sekrete për Çlirimin e Armenisë dhe Komandot e Drejtësisë për Gjenocidin Armen kishin ngritur kampet e trajnimit në Liban. Izraeli i kishte ftuar zyrtarët turk për “pastrimin” e këtyre militantëve. Turqia kishte pranuan dhe kishte realizuar operacione të fshehta për shkatërrimin e këtyre kampeve. Në vitet 80’ ky operacion i bashkëkoordinuar është prej rasteve të pakta të bashkëpunimit të afërt.
Pas tërheqjes nga Libani, OÇP-ja kishte thirrur njerëzit në mosdëgjim qytetar të përgjithshëm në territoret e okupuara të Gazës dhe Sherias Perëndimore në vitin 1987, e cila njihet si Intifada e Parë. Një vit më pas më 15 nëntor Këshilli Kombëtar Palestinez kishte shpallur pavarësinë e Palestinës e cila u njoh menjëherë nga Turqia. Kjo nënkuptonte që Turqia po e vazhdonte politikën pro-arabe në regjion dhe se marrëdhëniet me Izraelin po vazhdonin të ishin me frekuencë të ulët. Megjithatë, raportet nuk u prenë dhe kishte bashkëpunim të herëpashershëm.
Vitet 90’
Përfundimi i Luftës së Ftohtë nënkuptonte se edhe tensioni konstant me karakter ideologjik mes dy kampeve kishte përfunduar. Kampi i Kaltër kapitalist në krye me ShBA-të kishte fituar kundër Kampit të Kuq komunist në krye me BRSS-në, teoricientë si Fukuyama kishin shpallur Fundin e Historisë dhe sistemi ndërkombëtar nga një bipolaritet armiqësor, me shpërbërjen e BRSS-së, kishte kaluar në unipolaritetin e ShBA-ve.
Tashmë bota po ballafaqohej me një valë të re të demokratizimit, kryesisht prezente në Europën Lindore. Në këtë kontekst, Turqia si një aleate e hershme e ShBA-ve kishte hyrë në një proces reformues me qëllim të hapjes së ekonomisë për botën, reforma këto të cilësuara si neoliberale. Izraeli, në anën tjetër, kishte hyrë në një proces paqeje me përfaqësuesit e palestinezëve dhe, kështu, ishte krijuar një frymë e bashkëpunimit edhe me vendet e tjera.
Vitet 90’ për dy shtetet ishin vite të bashkëpunimit dhe rigjallërimit të marrëdhënieve. Sipas studiuesit Cağrı Erhan mundë të gjinden pesë arsye kryesore për këtë rigjallërim. E para, procesi i dialogut të paqes mes Palestinës dhe Izraelit i kishte rritur shpresat e paqes në rajon. E dyta, presidenti Özal në vazhdën e përpjekjes për t’i ngritur marrëdhëniet me ShBA-të në nivelin më të lartë ishte munduar ta siguronte mbështetjen e lobit hebre në ShBA dhe, rrjedhimisht, Izraelit. E treta, bashkëpunimi mes Partisë Kurde të Punëtorëve (PKK) dhe qeverive të shteteve arabe e kishte shtyrë Turqinë në bashkëpunim me Izraelin.
E katërta, forcimi i forcave politike-partiake me prapavijë myslimane shihej si rrezik për idenë e laicizmit republikan turk dhe kjo e kishte shty Turqinë të gjej një model të bashkëpunimit në rajon që e balancon këtë forcë. Ky bashkëpunëtor ishte Izraeli. E fundit por më e rëndësishmja, ShBA-të, në përpjekjen e tyre për ndërtimin e një rendi të ri botëror, kishin nevojë që në rajonin e Lindjes së Mesme të kishin partnerë dhe aleatë që i përfaqësojnë të njëjtat vlera dhe që kanë bashkëpunim mes veti. Pa dyshim se këto kritere në rajon i plotësonte vetëm Turqia dhe Izraeli.
Ky gjallërim i marrëdhënieve kishte përfshirë shumë sektorë dhe kishte filluar me vizitat zyrtare të krerëve më të lartë të dy shteteve. Mund të thuhet se në dy dimensione kishte bashkëpunim më intensiv: në dimensionin ushtarak dhe ekonomik. Marrëveshjet që i hapën rrugë këtij bashkëpunimit të ngjeshur ishin Marrëveshja Kornizë për Edukim dhe Bashkëpunim në Fushën Ushtarake e vitit 1996 dhe Marrëveshja për Tregti të Lirë (MTL) e të njëjtit vit.
Duke u bazuar në marrëveshjen e parë u nënshkruan edhe marrëveshje të tjera, Turqia e hapi hapësirën ajrore për qëllime të edukimit ushtarak për Izraelin, u organizuan ushtrime të përbashkëta ushtarake dhe u shkëmbyen student e mësimdhënës të akademive ushtarake. Prej pikave më në zë të këtij bashkëpunimi ishte modernizimi i 54 aeroplanëve ushtarak turk F-4 në vlerë rreth 632.5 milion dollarë dhe 48 aeroplanëve F-5 në vlerë 75 milion dollarë nga Industria e Aeroplanëve të Izraelit. Edhe Turqia i kishte shitur izraelit 40 automjete luftarake në vlerë 12 milion dollarë. Për më tepër, u organizuan edhe ushtrime ushtarake të përbashkëta si “Sirena e Besueshme” në detin Mesdhe në vitin 1996 dhe ushtrime të tjera më të vogla në Egje dhe Marmara në vitin 1999. Poashtu u zhvilluan edhe vizita të ndërsjella mes zyrtarëve më të lartë ushtarak dhe politik.
Intensiv ishte edhe bashkëpunimi ekonomik që filloi me marrëveshjen ekonomike të lartëpërmendur, nënshkrimi i të cilës ishte obligim për Turqinë për shkak që ajo ishte bërë pjesë e Unionit Doganor të BE-së, pjesë e së cilës ishte edhe Izraeli. MTL-ja kishte paraparë që tarifat doganore mes dy shteteve deri në vitin 2000 të hiqeshin fare. Kështu shkëmbimi tregtar mes dy shteteve që në vitin 1989 ishte 91 milion dollarë, në vitin 1998 kishte arritur në 800 milion dollarë. Tanimë, Izraeli eksportonte mall në vlerë 300 milion dollarë në Turqi dhe importonte nga kjo mall në vlerë 580 milion dollarë në vitin 1999. Përpos tregtisë, kompanitë e dy shteteve kishin investuar në shtetet e njëri-tjetrit, numri i turistëve ishte rritur dhe bashkëpunimi kishte kaluar edhe në dimensione kulturore dhe sportive.
I gjithë ky bashkëpunim nuk mbeti pa u vënë re nga shtetet arabe dhe akterët e brendshëm në Turqi. Ky afrim i madh me Izraelin ishte kritikuar për shkak që ishte një devijim nga politika e jashtme e balancuar e Turqisë sa i përket rajonit. Ishte kundërshtuar, si zakonisht, nga vendet arabe dhe ishte kritikuar ashpër nga elementet myslimane brenda Turqisë. Sidoqoftë, ky bashkëpunim kishte vazhduar deri në vitet 2000 ku filloi një ngadalësim. Studiuesi Kürkçüoğlu përmend tre arsye për këtë ngadalësim.
E para, Turqia kishte filluar të kthehej në politikën e jashtme të balancuar sa i përket rajonit duke iu kthyer bashkëpunimit me vendet arabe. E dyta, bashkëpunimi ushtarak mes dy vendeve kishte filluar të zëvendësohet prej Turqisë me bashkëpunim me ShBA-të. E treta, Intifada e dytë e filluar në tokat e pushtuara nga Izraeli ishte kthyer në një tmerr të përgjakshëm dhe Turqia, edhe pse në fillim ishte munduar të ndërmjetësonte, në fund kishte kritikuar ashpërsisht veprimet e Izraelit. Edhe pse Turqia ishte kthyer në politikën e saj të balancuar, vizita e kryeministrit izraelit Ariel Sharon, i cilësuar nga vendet arabe si “Millosheviqi i Lindjes së Mesme” në vitin 2001 në Ankara, ishte kundërshtuar ashpër nga vendet arabe. Përkundër kundërshtimit, kjo vizitë nënkuptonte që Ankaraja ishte e interesuar të vazhdonte bashkëpunimin me Izraelin por në një formë më të balancuar.
Vitet më interesante, ndoshta, për marrëdhëniet mes dy vendeve janë pas vitit 2001 e deri më sot. Bashkëpunim dhe përplasje, ftohje dhe ngrohje, tension dhe koordinim, rënie dhe ngritje do të jenë fjalët kyçe për ti shpjeguar dhe kuptuar marrëdhëniet mes Izraelit dhe Turqisë në këtë periudhë. Marrëdhëniet prej vitit 2001 e deri më sot, si dhe një vlerësim i përgjithshëm do të jenë nëntemat e shkrimit të radhës dhe të fundit për këtë seri.