Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Marrëveshja e Europës me Kinën: Si mos të punohet me administratën e Biden-it

Vetë prospekti i aleancës së përforcuar BE-SHBA e detyroi Pekinin të bëjë lëshime ndaj Brukselit në dhjetor – një mësim mbi fuqinë e ndërtimit të koalicioneve globale, të cilin Europa dështoi ta bënte.

Menjëherë pas Krishtlindjes, Bashkimi Europian arriti një marrëveshje politike rreth Marrëveshjes Gjithpërfshirëse për Investime (CAI) me Kinën. Kjo ka nxitur furi kritash në Europë dhe nga partnerët kryesorë të BE-së. Këto kritika i drejtohen më pak vetë marrëveshjes, e cila konsiderohet relativisht më e favorshme se marrëveshja tregtare Phase One SHBA-Kinë dhe Partneriteti Ekonomik Rajonal Gjithëpërfshirës (RCEP), dhe më shumë kontekstit politik të marrëveshjes. Kjo gjithsesi se është jashtë hapit me sentimentin publik gjithnjë e më dyshues ndaj Kinës në Europë, dhe vjen pas një qëndrimi jashtëzakonisht agresiv dhe shtypës të Kinës rreth çështjeve si Hong Kongu, Xinjiangu dhe shtrëngimi ekonomik i Australisë. Ç’është më e rëndësishme, që nga Uashingtoni te Nju Delhi, marrëveshja duket më pak si akt autonomie strategjike, e më shumë si formë e improvizimit të lirë. BE-ja përfitoi nga një sens i porsalindur i presionit kolektiv me të cilin u përball Pekini, dhe vullneti i madh i Kinës që të pengojë përpjekjet e administratës së re amerikane për ndërtimin e koalicioneve, që me t’iu dhënë rasti, të sigurojë ujdinë dypalëshe. Prapëseprapë, ndonëse ky episod shton frikën e kahershme të partnerëve të Europës rreth qasjes së saj ndaj Kinës, ai shënon në shumë mënyra fundin e një epoke. Në vend se një shëmbëlltyrë e mosbesueshmërisë europiane, kjo duhet të shihet si përpjekja e fundit për finalizimin e një modeli të marrëdhënieve BE-Kinë, që nuk tërheq më ndonjë përkrahje të gjerë.

Argumenti për vetë CAI-në është i arsyeshëm: marrëveshja po negociohej për shtatë vite; BE-ja caktoi vitin 2020 si afat të fundit për arritjen e marrëveshjes; në fund, Kina pranoi kërkesat e Europës. CAI nuk qe asnjëherë mjet përmes të cilit do të arrihej çdo objektiv dypalësh me Kinën, dhe gjithmonë është konsideruar e kufizuar për nga natyra. Marrëveshja përbën përparim të vogël në çështje te interesit të përbashkët – që prej subvencioneve industriale, deri te zhvillimi i qëndrueshem – ndërkaq, zotimet e Kinës për qasje në treg i bëjnë mirë të gjithëve, jo vetëm Europës. BE-ja po fuqizon instrumente të tjera për të ndjekur subvencionet kineze dhe për të sanksionuar shkelësit e të drejtave të njeriut. Këto janë pyetje rreth gatishmërisë kineze për t’u pajtuar me rregullat e marrëveshjes, por ende është më e lehtë që të bëhet presion mbi Kinën që të përmbushë premtimet sesa të obligohet që të ndërmarrë hapa për të cilat nuk është pajtuar që në fillim. Ndërkohë që ekziston debati i drejtë rreth asaj sesi të arrihet ribalancimi i zinxhirëve të furnizimit dhe i formave të tjera të varësisë ekonomike nga Kina, Europa do të vazhdojë të mbajë lidhje të rëndësishme tregtare me tregun e stërmadh të Kinës, dhe kjo është e preferueshme të bëhet në masa më pak kufizuese dhe me mbrojtje formale më të fuqishme.

Ndonëse shumë prej këtyre pikave mund të hidhen poshtë, thelbi i argumentit është bindës: marrëveshja është përparim modest, dhe në vetë modestinë e saj nuk është lojë shumë e rrezikshme me Kinën, apo pengesë për të punuar së bashku në një varg çështjesh të përbashkëta që kanë të bëjnë me Kinën. Por në kontekstin më të gjerë strategjik, gjendja duket krejt tjetër.

Edhe një CAI e nënshkruar në shtator 2020 – afati i fundit i përcaktuar në samitin e Lajpcigut – mund të ishte perceptuar si vendim i kuptueshëm nga ana e BE-së për të siguruar përfitime të krahasueshme me marrëveshjen e SHBA-së, në mes të paqartësisë rreth zgjedhjeve presidenciale të nëntorit. Por pikërisht fakti se Kina nuk ndërmori hapat për të arritur marrëveshje në këto data të mëhershme është problematik për Shtetet e Bashkuara dhe të tjerët: në dhjetor nuk kishte më paqartësi. Joe Biden po vinte në pushtet me një ofertë të hapur për të krijuar qasje të re ndaj Kinës, në konsultime të ngushta me partnerët dhe aleatët, për të cilën ai deklaroi se do të jetë prioriteti kryesor që në javët e para të qeverisjes së tij. Prandaj, Pekini deshi t’i shkatërronte këto përpjekje.

Ende nuk është bërë i qartë tregimi i plotë i makinacioneve të atij muaji. Është e qartë se gjatë periudhës në të cilën ekipit të Biden-it iu desh të kufizonte kontaktet me të huajt, Kina – me përfshirjen personale të Xi-së – bëri lëshimet e duhura që i mundësoi arritjen e marrëveshjes me BE-në, pas përfshirjes personale të Angela Merkel-it në bisedimet përfundimtare dhe në tejkalimin e proceseve të BE-së, përkundër një sërë kundërshtimesh. Nuk kishte iluzione rreth qëllimeve të Kinës. Fakti se qeveria kineze donte arritjen e marrëveshjes para ardhjes së administratës së re, u përshkrua nga një studim i BE-së si “një mundësi” që nuk duhej çuar dëm. Dhe në rast se nuk ishte krejt e qartë se çfarë mendonte administrata e Biden-it, kështilltari për siguri kombëtare i SHBA-së Jake Sullivan, bëri një ndërhyrje publike delikate, e të pazakontë me një kërkesë të thjeshtë: prisni, le të flasim njëherë. Kjo kërkesë u hodh poshtë.

Ideja se BE-ja duhet të këshillohet me Uashingtonin, apo këdo tjetër, para se të arrijë një marrëveshje investimesh me Kinën, ende ndjell zemërim në disa qarqe të Europës. Përtej protestave rreth sovranitetit europian, ekziston një dyshim i përgjithshëm nga palët tregtuese se administrata e Biden-it do të sjellë ndryshime thelbësore në mënyrën sesi trajtohen këto çështje. E gjithë kjo për shkak se administrata e Trump-it kurrë nuk e pa të udhës që të ndajë me BE-në tekstet e negociatave të Kinës, apo të krahasojë shënimet e bisedimeve të saj dypalëshe, ndërsa administrata e Obama-s nuk ishte gjithashtu e gatshme që të ndajë tekstet e Partneritetit Trans-Pacifik, përkundër shkëmbimeve politike rreth asaj sesi të “angazhohemi në Azi së bashku”. Ndjesia është se, po të kishte qenë Uashingtoni në pozitë të ngjashme, nuk do të kishte hamendur po të kishte në tavolinë një marrëveshje të mirë për firmat amerikane.

Ky pesimizëm është i tepruar. Në Uashington ka pasur një rivlerësim të thellë rreth vlerës së një qasjeje të SHBA-së si e vetme, pasi gjatë katër viteve të fundit, pushteti i njëanshëm amerikan ndaj Kinës u testua deri në kufijtë e saj. Për më tepër, pas një viti sjelljesh skandaloze diplomatike, ekonomike e ushtarake të Kinës, vlera e vendosjes së një fronti të përbashkët bindës ndaj Kinës, shtrihet përtej çështjeve tregtare. Dështimi për t’i besuar administratës dashamirëse të SHBA-së për shkak të një marrëveshjeje jo edhe aq të favorshme me Pekinin nuk është shpalosje e kokëfortësisë. Përkundrazi, kjo është sakrifikim i qëllimeve më të gjera të Europës për qëllime mjaft më të ngushta. Për me tëpër, vetë CAI tregon se ndërtimi i koalicionit me Kinën nuk është tërësisht i pashpresë. Nuk është vetëm fuqia europiane që solli lëshimet kineze. Duke marrë parasysh që Pekini ishte tashmë mjaft i brengosur sa për të bërë ofertat të cilat i bëri, mund të nxirrej shumë më tepër, po qe se përpjekjeve për ndërtimin e koalicionit do t’u ishte dhënë mundësi më e madhe. Prandaj, vendimi i CAI e dobëson këtë pozicion dhe e fuqizon perceptimin në Kinë se partnerët e koalicionit mund të blihen, me çmim të lirë madje.

Adresimi i këtyre çështjeve kërkon punë të madhe, megjithatë disa faktorë mund të jenë lehtësues. Me largimin e Merkel-it në shtator, konstelacioni politik në Europë që solli këtë marrëveshje po venitet. Trendet në Europë vazhdojnë të lëvizin në të njëjtin drejtim: rënia e madhe në sondazhe e reputacionit të Kinës, ngritja e madhe e mbikëqyrjes dhe e kritikës nga mediat dhe parlamentet europiane, dhe analiza gjithnjë e më kritike e Kinës nga grupet europiane të biznesit, shumë prej të cilave nuk janë të bindura për meritat e vetë CAI. Përderisa i tërë ky episod tregon se modeli i vjetër i marrëdhënies BE-Kinë nuk do të dorëzohet pa luftë, ajo se çfarë do të ndodhë në vazhdim është zgjedhje politike. Reagimet e ashpra ndaj CAI mund të sjellin disa lëvizje kompensuese, si në frontin e bashkëpunimit transatlantik, apo në shtyrjen përpara nga BE-ja të çështjeve të tjera që kanë të bëjnë me Kinën. Me të finalizuar CAI, ka arsye të forta për t’i përqendruar përpjekjet në mprehjen e elementeve garuese dhe rivalizuese të marrëdhënies. Sigurisht se CAI qe moment i dëmshëm. Por do të jetë edhe më i dëmshëm, nëse kjo çështje do të dominojë këtë vit kritik të përcaktimit sesi do të duket politika europiane mbi Kinën pas epokës së Merkel-it, dhe punës kritike të ndërtimit të koalicionit për të cilën ka nevojë vetë Europa.

***

Artikulli origjinal në European Council on Foreign Relations

***

Image

 

Ky artikull mbështetet nga “Sbunker” përmes projektit të financuar nga Ambasada Amerikane. Mendimet e shprehura këtu janë të autorit dhe jo medoemos pasqyrojnë qëndrimet e Departamentit të Shtetit.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.