Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Masivizimi i Universitetit të Prishtinës – Iluzioni i dy dekadave

Ilustrimi nga: BigEye

Hapja e Universitetit të Prishtinës në vitin 1970 ka përbërë një ngjarje të rëndësishme jo ekskluzivisht për fushën e arsimit në Kosovë, por si një moment unik politik; ndërkaq UP-ja e pasluftës është tregim tjetër.  Historia e shkurtër e arsimit të lartë në Kosovë, si dhe shfrytëzimi i tij për qëllime të vazhdueshme politike, ka krijuar probleme jo të vogla sa i përket cilësisë dhe prodhimit të dijes të cilin një universitet ka për detyrë. Problem i konceptit të arsimit të lartë si metodë për rikonstruktim është kur nuk ndodh i njëjti zhvillim në fusha tjera të shoqërisë, një realitet i njohur për të gjithë ne të cilët e kemi përjetuar jetën studentore dhe më pas dëshpërimin e thellë pas përfundimit të studimeve.  

Historia e Universitetit të Prishtinës shënjon rezistencë. Përpjekja e vazhdueshme për ta mbajtur gjallë këtë të fundit ka bërë që cilësia e arsimit të mos jetë gjithmonë në qendër të vëmendjes. Trazirat e vazhdueshme në Kosovë e kanë thelluar këtë problem. Edhe pas vitit 1999, kur mundësitë ishin deri diku më të mëdha për ta krijuar një sistem arsimor të përshtatshëm për kontekstin kosovar, ishim të nxituar në importimin e strategjive dhe reformave arsimore të cilat nuk buronin nga ne, duke e vështirësuar edhe më tej zhvillimin e UP-së. Komuniteti  ndërkombëtar ndërkaq ka derdhur një sasi të madhe të mjeteve financiare për ta konsoliduar sistemin arsimor në Kosovë, duke përfshirë Universitetin e Prishtinës, megjithatë pas njëzet vjetësh mund të themi prapë se situata mbetet e pakënaqshme, me nivel të lartë të korrupsionit, nepotizmit, staf të pakualifikuar e kushte infrastrukturore të mangëta. Nga ana tjetër, hapja e institucioneve arsimore private ka përkeqësuar gjendjen më tutje. Duke filluar nga fakti që janë hapur pa menduar dhe pastaj kjo gjë ka krijuar mundësinë që institucionet publike të mos punojnë në përmirësimin e degëve të cilat institucionet private kanë përfshirë në programet e tyre.

Ideja se universiteti ka kapacitetin për të prodhuar profesionistët dhe qytetarët e së nesërmes ka pasur problemet e veta në kontekstin tonë. Siç u përmend më herët, arsimi si mënyrë për ta rikonstruktuar shoqërinë është provuar të jetë një mision pothuajse i dështuar në Kosovë për disa arsye. Masivizimi i Universitetit të Prishtinës duke u stërmbushur fizikisht ka prodhuar një sërë pasojash, e para në këtë listë është bollëku i profesionistëve në fusha të caktuara. Siç dihet botërisht te ne, këtë problem më së shumti e kanë Fakulteti Ekonomik dhe ai Juridik. Kjo vjen si rezultat i krijimit të idesë që nga këto dy degë mund të pritet ndonjë leverdi e madhe ekonomike për studentët. Ndërkaq tejpopullimi i këtyre degëve e ka përmbysur po atë ide.

Në mungesë industrie dhe të mbështeturit tek ekonomia e shërbimeve, natyrisht që do të kuptimësohet interesimi i madh në fakultete të caktuara brenda Universitetit të Prishtinës.  Zhvillimi i pabarabartë i një universiteti është sigurisht i natyrshëm, jo secila degë mund të jetë pasqyrë identike e një dege tjetër, veçse duhet synuar vazhdimisht të krijohet një ngjashmëri në cilësi, së paku të ketë një bazë të fortë. Këtë synim nuk është se e ka ndihmuar hapja e universiteteve të tjera publike në qytetet e ndryshme të Kosovës, duke pasur parasysh se nuk ka shumëllojshmëri të degëve që janë themeluar anembanë vendit. Hapja e degëve të njëjta, ndonëse ka mundësuar qasje më të lehtë të studentëve në aspektin gjeografik, ka bërë që ato degë ta humbin rëndësinë e tyre.

Masizivimi i universiteteve në përgjithësi në botën perëndimore (ndër transformime të tjera në strukturën ekonomike/politike) ka krijuar një tjetër fenomen: atë të zhvlerësimit të diplomave ‘Bachelor’. Për shkak se tani ka shumë të diplomuar në nivelin e parë universitar, ka prodhuar kërkesën për marrjen e kredencialeve të mëtutjeshme, atë të nivelit ‘Master’. Kjo natyrisht nuk është fenomen vetëm në Kosovë, por është fenomen që e ka prekur thellë Kosovën për disa arsye: përfundimi i studimeve Master vazhdon të mos jetë garancion i punësimit dhe studentët që janë të fokusuar në një numër të vogël të degëve brenda universitetit janë pjesë e një grupi të madh të njerëzve që presin në rend për vende pune të cilat i kanë mbyllur dyert kohë më parë.

Ndonëse kjo nuk është asgjë e re: në mungesë strategjie nga shteti i Kosovës, Universitetit të Prishtinës i humbet fuqia. Në mungesë zhvillimi në fushat e tjera të shoqërisë, nuk mund të zhvillohet universiteti. Është e pamundur ta forcosh arsimin e lartë pa korniza të qarta. Një shtet, në këtë rast Kosova, duhet ta ndihmojë Universitetin të prodhojë  dije pa ndikuar përmbajtjen. Mungesa e resurseve financiare dhe njerëzore ka krijuar probleme të mëdha për Universitetin e Prishtinës, si dhe rreziku nga ndryshimet legjislative që mund të lejojnë pushtetet të përfshihen ngushtë me Universitetin rrezikon që ky i fundit të humbasë një nga aspektet thelbësore të një institucioni të arsimit të lartë: autonominë.  Autonomia e Universitetit të Prishtinës mbetet një shtyllë e funksionimit të tij: UP-ja duhet të punojë shumë për t’u larguar nga ndikimi i jashtëm, sidomos kur bëhet fjalë për mirëmbajtjen e marrëdhënieve specifike mes akterëve të cilët synojnë të çojnë përpara agjendat e tyre personale e politike. Universiteti para së gjithash duhet të ketë mundësinë të prodhojë dije, për këtë arsye duhet t’i kapërcejë nevojat ‘urgjente’ të përditshmërisë, në mënyrë që kjo dije të mund të prodhohet.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.