Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Mbajtja në jetë e sistemit arsimor: Si po zhvillohet mësimi online në kohë pandemie

Pandemia COVID-19 ka sfiduar sistemet arsimore kudo në botë duke larguar 91% të nxënësve nga objektet e tyre shkollore. Me sfidë të ngjashme Kosova ishte përballur gjatë viteve të nëntëdhjeta, kur organizoi mësimin paralel, një shembull unik i mobilizimit qytetar për të mbajtur sistemin arsimor gjallë në kohë të konfliktit dhe luftës.

Në kohë paqeje, për shkak të Pandemisë COVID-19, mësimi po organizohet online në forma të ndryshme. Me një mobilizim nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), e-mësimi i regjistruar për klasat 1-9 po shfaqet në RTK dhe Youtube. Në nivelin universitar si dhe në shkollimin parauniversitar privat, mësimi po organizohet përmes platformave moodle, google classroom, google meet, zoom dhe webeex. Vështirësi të theksuar patën shkollat fillore dhe te mesme publike, për shkak të mungesës së digjitalizimit duke përdorur aplikacionet viber, whatsapp e facebook për dorëzimin e detyrave.

Në Kosovë penetrimi iinternetit është vazhdimisht në rritje dhe mbi 90% për të gjitha grupmoshat dhe pa dallim nga vendet urbane dhe rurale (Kantar, 2019). Sipas Kantar (2019), 97% e popullatës kanë qasje në telefoni mobile, 37% kanë Smart TV, 30% kanë tablet, 39% kanë kompjuter dhe 48% kanë llaptop. Kosovarët qasen në internet më së shumti përmes telefonave mobil (74%), kurse arsyet kryesore të qasjes janë: komunikimi (93%), dëgjimi i muzikës (37%), leximi (35%), dëgjimi i lajmeve (22%), studimi dhe kërkimi (18%). Platformat më të përdorura janë viber (85%), facebook (67%), dhe instagram (51%). Rrjedhimisht, mund të konstatohet që teknologjia në shumicën e rasteve përdoret për komunikim dhe media sociale duke treguar një përdorim të ulët për qëllime arsimore.

Në diskutim u potencua se Kosova si dhe shtetet tjera kanë kaluar online pa pasur udhëzime për një organzim të tillë dhe se bota ka qenë e papërgatitur për një situatë të tillë, sidomos në nivelin e arsimit parauniversitar. Megjithatë, duke pasur parasysh emergjencën, si dhe pasigurinë se sa do të zgjasë pandemia apo nëse  do të ketë valë të dytë të pandemisë dhe mirëmbajtje të distancës sociale në muajt në vijim, potenciali teknologjik mund të përdoret për qëllime edukimi dhe të ndikoj në përshpejtimin e digjitalizimit. Me këtë rast, duhet të mendohet për grupet e margjinalizuara që përbëjnë rreth 15% të nxënësve të cilët mund të mos kenë qasje në pajisje ose internet dhe janë të papërfshirë në procesin mësimor.

Folësit u pajtuan që mësimi online, sidomos në mënyrën se si po organizohet, nuk është efektiv për shkak të emergjencës me të cilën u ballafaquan institucionet, duke pasur mungesë të theksuar të ndërveprimit në mes të shkollave, mësimdhënësve dhe nxënësve. Gjatë diskutimit u sugjerua që shkollat të shfrytëzojnë udhëzimet dhe autonominë për të organizuar këtë komunikim dhe ndërveprim, kurse platformat dhe e-mësimi të shfrytëzohen si ndihmesë në këtë organizim. Për këtë arsye u kërkua angazhim më i madh i autoriteteve komunale dhe shkollave si komunitet i nxënësve, mësimdhënësve dhe prindërve. Nga ana tjetër, u theksua që shkolla pikësëpari është institucion arsimor që duhet të ketë në qendër nxënësin dhe të organizoj një program që është në përputhje me kurikulën, por në kushte të tjera. Nxënësit nuk bën të tejngarkohen, por ata duhet të përkrahen që t’a tejkalojnë këtë krizë. Për sa i përket vlerësimit, u theksua se janë disa skenarë prej organizimit të mësimit shtesë gjatë verës, shtyrjes së vlerësimeve, anulimit të disa vlerësimeve si dhe përshtatje me situatën. Në lidhje me këtë,  njëri nga folësit sugjeroi që duhet të bëhen përpjekjet maksimale që mësimi të mos dështoj, dhe rrjedhimisht mos të anulohet viti shkollor, por që të gjinden mekanizma të cilat do të jenë të përshtatshme për kushtet e pandemisë.

Pyetjet e shumta dhe kritika që u parashtruan për përdorimin e platformave, theksonin vështirësitë për qasje në këto platforma nga grupet e margjinalizuara dhe mungesa apo mospërfshirja e të gjithë nxënësve dhe mësimdhënësve në mënyrë dhe nivel të njëjtë. Çështja më e diskutueshme ishte cilësia e materialeve në e-mësim dhe niveli  i përfshirjes së shkollave dhe mësimdhënësve në proces duke theksuar problemet e organizimit. U debatua mënyra e dorëzimit të detyrave, leximit dhe angazhimit të nxënësve, zbatimi i mundësisë së shkollimit nga shtëpia i cili parashihet me ligj, por në të njëjtën kohë vështirësia e njohjes së mësimit për shkak të mungesës së përvojës dhe mekanizmave të mbikëqyrjes dhe verifikimit në këtë drejtim. Me gjithë admirimin kundrejt mësimdhënësve dhe organizatave që realizojnë regjistrimin e e-mësimeve, u theksua qe gabimet nuk mund të evitohen për shkak të shpejtësisë së realizimit dhe mungesës së niveleve të ndryshme të kontrollit të cilësisë së materialeve. Pasi që MASHTI nuk mund të sugjeroj vetëm një platformë, shkollat mund të përdorin atë që është me e përshtatshme për ta.

Pjesëmarrësit në diskutim u pajtuan që mësimi online ka qenë zgjidhje emergjente, prandaj fokusi në fazën tjetër është që të zhvillohen udhëzimet tjera, duke përfshirë ato për vlerësim, si dhe të ngritet niveli i kontrollit të cilësisë për mësimin e regjistruar. Po ashtu pati konsensus të gjerë që teknologjia nuk përdoret mjaftueshëm për qëllime arsimore dhe që shkollat duhet të rregullojnë infrastrukturën dhe sistemet komunikuese. Në këtë situatë, duhet të shfrytëzohen të gjitha mekanizmat që të organizohet mësimi, t’u ofrohet mësimi grupeve të margjinalizuara si dhe të organizohen alternativat për vlerësimet e jashtme.

Si përfundim, edhe pse mësimi mund të mos jetë plotësisht efektiv, duhet të bëhen të gjitha përpjekjet që mësimi të mos anulohet dhe të organizohet mësimi shtesë, përfshirja e grupeve të margjinalizuara dhe aktivizimi i të gjithë mësimdhënësve në procesin mësimor. Menjëherë me normalizimin e situatës, shkollat duhet të fuqizohen dhe të funksionalizojnë sistemin e komunikimit me nxënës dhe prindër në nxitjen dhe mbikëqyrjen e mësimit jo vetëm për këtë pandemi por edhe situatave tjera në të ardhmen. Të përfundohet viti shkollor, me çdo kusht,  duke bërë angazhime shtesë, duke përdorur  kritere të cilat kanë parasysh planin mësimor dhe kushtet në të cilin është organizuar mësimi. Në nivel të politikave, MASHTI të zhvilloj politikat e një digjitalizimi intensiv në bashkëpunim me komunat.

—–

Sallonet e së martës janë një nismë javore e Institutit Demokraci për Zhvillim (D4D). Salloni ka format gjysmë-formal  sipas rregullës Chatham House dhe pa prani të mediave. Diskutimi mbledh rreth vetes ekspertë e analistë, politikanë e publicistë për të reflektuar dhe kërkuar konsensus mbi temat e përzgjedhura.

Për shkak të situatës së ballafaqimit me pandeminë COVID-19 në të cilën gjendemi, ky sallon është zhvilluar përmes platformës online.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.