Shkrimi im “Pasojat e taksës së re të tokës” i ka ngjallur dy reagime miqësore në Sbunker. Jam i lumtur që Sbunkeri po e promovon frymën e diskutimit të lirë dhe shtjellimit të çështjeve me rëndësi, natyrisht gjithmonë në kërkim të së vërtetës.
Reagimi i parë ka qenë i bashkë-kolumnistit Krenar Gashi. Për të mos e parafrazuar reagimin e tij gabimisht, po e ofroj hiperlidhjen që lexuesi vet të shohë përmbajtjen.
Përveç që reagimi i Krenarit përbën shembull se si duhet të replikohet, pajtohem me shumicën dërrmuese të gjërave që janë thënë aty. Për shembull, pajtohem që një numër i madh i kriminelëve e kanë deponuar kapitalin e pistë në toka, që ata duhet të ndiqen penalisht, apo që konteksti i Kosovës duhet të merret parasysh kur ndërtohen politikat ekonomike.
Megjithatë, thënë të gjitha këto, nuk jam i bindur që taksa e tokës është mjet i drejtë për ta arritur këtë qëllim të mirë. Kjo për dy arsye.
Së pari, taksa e tokës thjesht nënkupton që pronari duhet të paguajë taksë, por nuk e sqaron prejardhjen e asaj pasurie apo nuk e detyron pronarin e vërtetë të paraqitet. Për shembull, nëse një kriminel e ka tokën e përvetësuar jashtëligjshëm në pronësi të dikujt tjetër (ta zëmë një të afërmit), ai thjeshtë ia jep këtij të dytit paratë për ta paguar taksën, pa pasur nevojë të zbulohet identiteti i tij.
Krenari shkruan që “…përmes taksimit të tokës, do të dekurajohet shpërlaja e parasë përmes shitblerjes së saj…”. Por taksa e tokës nuk vilet për çdo shitblerje, por në baza kohore. Pra, nuk është në proporcion me frekuencën e ndryshimit të titujve pronësorë dhe rrjedhimisht nuk do ta dekurajonte shpëlarjen e parasë si e tillë.
Në Kosovë veç ekziston një detyrim në nivel komunash për të paguar taksë kur blihen pronat (si përqindje e vlerës së pronës), por ky detyrim ka bërë pak për ta dekurajuar shpëlarjen e parasë.
Së dyti, edhe nëse themi për hir të argumentit që taksa e tokës e dekurajon shpëlarjen e parasë, është joetike dhe kundërthënëse që në emër të drejtësisë të bëhet padrejtësi ndaj atyre që e kanë blerë apo trashëguar tokën në mënyrë të ligjshme. Nuk është e drejtë të dënohet shumica për krimet e një pakice.
Në përgjithësi e vërej këtë tendencë në Kosovë që veprimet krejtësisht etike dhe të ligjshme t’i nënshtrohen sanksioneve të shtetit vetëm për shkak se një grup i kriminelëve i keqpërdorë ato. Se sa i brishtë është argumenti për taksën e tokës dëshmohet nga fakti që ajo duhet të mbrohet me argumente ligjore e jo fiskale.
Reagimi i dytë i një natyre më ndryshe ka qenë nga Shkumbin Asllani. Shkumbini së pari ka shkruar që për rastin tim duhet të përdoret termi “tatim”, jo “taksë”, por për çudi nuk e ka shpjeguar dallimin. Në Kosovë ekziston një dallim në mes këtyre dy termeve të cilat në fjalorin e gjuhës shqipe dhe në Shqipëri trajtohen si sinonime. Sipas Administratës Tatimore të Kosovës, tatimi është një pagesë e detyrueshme dhe e pakthyeshme ndaj shtetit për të cilën nuk merret një shërbim drejtpërdrejtë, kurse taksa është “kontribut” për të cilën merret një shërbim drejtpërdrejtë. P.sh. taksa për marrjen e çertifikatës së lindjes.
Sipas praktikës në Kosovë, Shkumbini ka plotësisht të drejtë që shkrimi im duhej titulluar tatimi i tokës, jo taksa. Sipas fjalorit të gjuhës shqipe nuk ka të drejtë. Kurse sipas analizës ekonomike nuk përbën dallim fare.
Shkumbini, i cili beson fuqishëm në vendosjen e një takse mbi tokën, shkruan që atij duhet t’i paraprijë draftimi i ligjit për llojet e pronave. Pra vet e pranon që, së paku për momentin, implementimi i një takse mbi tokën është i pamundur.
Ai pastaj shkruan që të hyrat nga tatimi duhet të destinohen për përmirësimin e infrastrukturës, sidomos asaj bujqësore. Por se si duhet të përdoren të hyrat nga taksat është një debat krejtësisht tjetër, i cili nuk lidhet me pasojat e tatimeve, që ka qenë subjekti i shkrimit tim.
Shkumbini shkruan që investimet në infrastrukturë përkthehen në rritje të prodhimtarisë dhe rritje të bruto produktit të brendshëm. Por kjo vlen vetëm për investimet private, jo ato publike. “Investimet” publike (që në fakt janë shpenzime sepse nga to nuk pritet profiti si kthim) e tkurrin prodhimin privat. Kur shteti i përdorë taksat për të shpenzuar në infrastrukturë, ai e tërheqë kapitalin, fuqinë punëtore dhe lëndën e parë nga përdorimi i sektorit privat. Një shpenzim diku nënkupton humbje diku tjetër. Kur shteti shpenzon në infrastrukturë, ne e shohim vetëm atë që po ndërtohet, por nuk e shohim atë që nuk do të ekzistojë asnjëherë si rezultat i devijimit të kapitalit nga sektori privat në atë publik.
Për më tepër, sektori privat është mekanizëm më efikas se shteti për përdorimin e parasë sepse pronarët privatë përkujdesën më mirë për përdorimin e saj se sa burokratet e politikanët. Rrjedhimisht, llogaritet se për çdo shpenzim publik në infrastrukturë, kosto është mesatarisht dyfish më e madhe se nën menaxhimin privat. Cilësia është gjithashtu, siç jemi vetë dëshmitarë, më e dobët. Por prapë, ky është një debat tjetër të cilin mund ta zhvillojmë, por që nuk lidhet doemos me temën e shkrimit tim.
Shkumbini e konteston gjithashtu vlerësimin tim që Kosova nuk i ka tatimet aq të ulëta duke iu referuar faktit që normat janë më të ulëta se vendet tjera Evropiane. Por ky është pikërisht ai keqkuptim për të cilin kam shkruar. Barra tatimore nuk duhet të llogaritet nominalisht por në mënyrë relative, pra, në proporcion me të ardhurat e tatimpaguesve. Është e vërtetë që, për shembull, norma 10% e tatimit progresiv në paga në Kosovë është me e ulët se në ndonjë vend tjetër të Evropës. Por tatimpaguesit e Kosovës janë gjithashtu më të varfërit në Evropë.
Rrjedhimisht, një tatim i tillë nuk mund të krahasohet me një tatim të normës së njëjtë në një vend më të zhvilluar, si për shembull Gjermania. Kjo sepse, sa më i varfër të jetë një vend, aq më i madh do të jetë proporcioni i të ardhurave që përdoren për shpenzime bazike dhe aq më e vogël do të jetë vlera e të ardhurave të kursyera. Me fjalë tjera, tek ne ndryshimet në dhjetëra euro e bëjnë dallimin që në Gjermani e bëjnë qindrat. Natyrisht, këtë e them me dijen e plotë që shumë vende në Evropë, si për shembull në shtetet Skandinave, barra tatimore është jashtëzakonisht më e madhe se sa në Kosovë.
Në paragrafin 7, Shkumbini e ngatërron barrën me bazën tatimore. Barra është rëndesa e normës tatimore kundrejt të ardhurave, kurse baza është tërësia e të ardhurave apo aseteve që mund të tatohen.
Shkumbini gjithashtu shkruan që ne e kemi TVSh-në më të ulët në Evropë, që është faktualisht e gabuar, sepse përveç Zvicrës për të cilën kam shkruar edhe herën e fundit, Lihtenshtajni ka TVSh dukshëm më të ulët (3.6%-7.6%). Si përfundim, pajtohem me të që TVSh-ja duhet të kategorizohet, por jo që disa produkte të tatohen më shumë por që të lirohen nga barra e tatimit krejtësisht. Në përgjithësi jam i lumtur që këto çështje të rëndësisë ekonomike po diskutohen dhe që Sbunkeri po shërben si një platformë e mirë për ta bërë këtë.