Kur të gëzohemi për Majlindën mos të harrojmë që: qysh ke ajo? “Pas çdo grueje të suksesshme qëndron nji burrë i fortë”. Hajgare po baj!
Në rastin e Majlinda Kelmendit, jo që s’ka merita trajneri i saj, por, atyne meritave ka kush me iu referue e kurrkush nuk mundet me e ba ma mirë se vetë Majlinda, në këtë rast. Kështu së paku po mendoj unë.
Mirënjohjet për trajnerin, përderisa nuk më pengojnë në parim, ma vrasin synin kur gruen e quejnë femën e trajnerit i japin meritën e „marimit“ qysh Jeta Xharra e formuloi falënderimin e saj për trajnerin e Majlindës kur tha: „flm që po maron femra kaq luftarake…“ (citim prej facebook-ut).
Sipas mendimit tem, për shum arsye, shumçka asht dallash me këtë koment, e ndër to: Kur fitojnë burrat, rrallë kush merret me trajnerat e tyne, e lene ma me i quejtë ata “marues” të fituesve. Kur fitojnë burrat, vëmendja asht te ata e veç te ata; kur fitojnë gratë në anën tjetër mundohemi me e kuptue kush asht burri që e ka “marue”, e me “marue” këtu nënkuptohet kishe trajnimi. Mendoj që ia vlen me e diskutue përdorimin e gjuhës në sport sidomos kur fitojnë gratë. Sepse, për fat të keq, asht fenomen e jo vetëm (eventualisht) nji rrëshqitje, sikur që unë po mendoj se asht rasti në komentin e naltpërmendun.
Historia jo shum e largët e grave në Lojnat Olimpike ka qenë goxha diskriminuese e përçmuese për gratë, kështu që ia vlen me e përmendë që në ditën kur Majlinda shkroi histori si kosovare me medaljen e parë të arit për Kosovën, ajo gjithashtu, si grue shtoi nji tullë mbi historinë botnore të Lojnave Olimpike e sportit në përgjithësi, tue e vu edhe nji dëshmi ma shum që grueja nuk asht veç nji shtyllë e fortë që mban shpinën e burrave të suksesshëm, por asht aq ambicioze sa me kërkue e me synue suksesin për vete. Dhe jo veç me e synue, por me e mbërri.
Paragjykimet që i bahen grave në konsideratë të aftësive të tyne, janë sot e kësaj dite evidente dhe dallimet që ushqehen në mënyrën qysh vlerësohen gratë e vajzat medaliste në krahasim me burrat e djemtë po i lexojmë edhe sivjet. Për nji grue, nuk raportohet natyrshëm që ajo ishte ma e shpejta, ma e forta, ma e zoja, ma e talentuemja. Këto fjalë përdoren kur raportohet për burrat që fitojnë medalje. Për gratë fjalët që përzgjedhin ngjajnë ma shum me të zakonshmet: fatlumja; me shami a pa shami; nanë ose jo nanë; e vjetër ose e re; e veshun bukur ose jo bukur; e martueme ose e pamartueme; grueja e filanit…!
Sipas nji hulumtimi të Cambridge University Press, që ka analizue mbi 160 milion fjalë të gazetave, shkrimeve akademike, komentimeve në tweeter dhe blogje të ndryshme, konkludimi asht që në kontekst të ndonji lajmi sporti burrat përmenden tre herë ma shum se gratë, përderisa gratë në anën tjetër kur përmenden, në dallim prej burrave përshkruhen në bazë të statusit martesor, moshës ose pamjes fizike.
Vendngjarja e njëjtë, garat e njëjta, por gjuha e sportit hala sot diskriminon gratë. Ato fitojnë medalje ari, dhe në fund neve na intereson ma shum se qysh e mbajnë lëkurën aq të njomë e çka përdorin për shkëlqimin e flokëve. Nuk asht çudi natyrisht, që edhe presim me na buzëqeshë para kamerave. Burrat në të kundërtën, mujnë me ia tregue baballarëve të tyne gishtin e mesëm si ritual para garës dhe shpallen thjesht: “cool”.
Natyrisht gjuha dalluese që përdoret në sport reflekton në fund të fundit kurrgja ma shum se botëkuptimet e shoqnisë në përgjithësi, e na tregon që botnisht hala jemi shum larg prej emancipimit. Dhe jo veç në sport.
Hillary asht kandidatja grue për presidente. Trumpi, nuk asht kandidati burrë për president, asht kandidat lopë, ama asht thjesht kandidat për president. Grueja e Trumpit asht temë në këtë garë natyrisht ma shum se burri i Hillary dhe pyetja kryesore që shtrohet asht: A asht grue mjaft e mirë me qenë zoja e parë? E kjo pytje ngjanë gati edhe si ma e randësishme se ajo se asht Trumpi burrë mjaft i mirë për me u ba president. “Burrë i mirë” nuk ekziston as si nocion në katalogun e fjalëve me përshkrue karakteristikat e nji burri që pretendon me u ba president. Fjalët që ekzistojnë për te, kanë të bajn me agresivitetin, forcën, mungesën e mëshirës, guximin etj.
Zoja e parë në anën tjetër duhet me qenë: e mençme, e bukur, e aftë, e urtë, e artikulueme, me buzëqeshë, me folë kur i kërkohet, me shuejtë kur të folë burri, mundësisht edhe me i ndejtë burrit përskej edhe nëse ai e tradhton brenda shpisë së bardhë dhe e rren para botës, tani kërkon falje (jo asaj, botës) që ka tradhtue e që ka rrejtë, dhe vetëkuptueshëm gatishmënia e shoqnisë me ia falë krejt këto (shkelje morali) matet në shtyllën që ia mban shpinën: gruen.
Vlerësimi se, a e meriton ai faljen, varet prej përgjigjes se a asht grueja e tij mjaft e mençme me u ballafaque me këtë muhabet ashtu qysh i ka hije nji grueje, e cila para krejt tjerave e ka detyrë me e ruejtë harmoninë e familjes/kombit (mbrojtja e moralit). Në reagimin e saj, i cili natyrisht duhet me qenë simpatik; empatik; gjeneroz; e altruist, vlerësimin meritor tani e merr burri. Falet, sepse asht i falshëm.
Krejt këto virtyte presidenti (d.m.th. presidenti burrë) s’ka nevojë me i përmbushë. Ai mundet me qenë nji kandidat injorant racist, por shansa asht ma e madhe që nëse humbë garën ma përpara ka me e humbë për shkak se gruen nuk e ka “mjaft të mençme” sesa që vetë asht idiot.
Në sport, ky fjalor e ky përqendrim që dallon mes gjinive nuk asht hiç ndryshe, bile në Lojnat Olimpike kur deri vonë gratë kanë pasë kufizime të mëdha në pjesëmarrje, për shkak se burrat patën vendosë që ato s’janë të zojat me ngá 800 metra, ky fjalor sot e kësaj dite asht evident dhe nënvlerëson gratë.
Që ky, nuk asht veç problem sporti e dimë që s’asht, e kemi në Hollivud ashtu si në politikë, e kemi edhe në shkencë. Por në sport, dallimet janë (jashtë kuptueshmënisë teme) ma të tolerueme. Sikur me qenë ma pak të randësishme. Por, s’janë.
Miliarda dollar të tatimpagueesve investohen në sporte të ndryshme, p.sh. për stadiume për garat e futbollit të burrave. Miliarda që i takojnë popullit, i cili ka edhe gra. Investimet në sport për garat sportive të ekipeve të grave apo vajzave, janë shum ma modeste.
Sot e kësaj dite na çaraveshemi mbas futbollit të burrave, gratë bahen kampione e nuk i njeh kurrkush. Faqet e sportit nëpër mediume të ndryshme janë plot suksese të sportistave burra. Gratë komentohen nën rubrikat që mbajnë emna idiotike si “Femnat” dhe aty shërbejnë si instrument matës për lëkura të shkëlqyeshme e të buta (kryesisht të bardha, ndojherë edhe të zeza), vija të trupit seksi dhe buzëqeshje që shpalosin dhambët e bardhë e kuptohet, të drejtë. Natyrisht veçohen ato gra që pesë javë mbasi kanë lindë nji fëmijë, nuk u shihet asnji gjurmë e barkut dikur të frymë si balonë. Pagesave që marrin burrat dhe ekipet e burrave sportistë, gratë s’mujnë me iu afrue as deri te gjysma.
Përderisa krejt bota perëndimore i rrotullon sytë qysh në Arabinë Saudite gratë s’lejohen me vozitë, kurrkujt nuk i intereson me e diskutue pse ne sportet e kerreve (qysh i quej unë) në këtë botë perëndimore, gratë nuk lejohen me vozitë të njëjtat rrugë e me garue me burrat.
Përderisa në disa sporte e kuptoj (me dyshime të paqarta) që gratë e burrat kanë ekipe të ndame, nuk e kuptoj pse në Formula 1 nuk ka gra. Aftësia fizike në kerre që gjysmën e punës e bajnë vetë sot, nuk guxon as me u përmendë si argument. Prandaj, argumentet e sotit janë që s’po ka gra që po janë aq të mira sa me u konsiderue. Këtë unë e dyshoj, por edhe nëse kjo asht e “vërtetë” arsyet pse gratë ndoshta nuk ia mësyjnë Formula 1-shit asht se nuk përkrahen e nuk investohet në mundin e tyne njëlloj. As mos të flas për edukimin, e pedagogjitë e shkollave ku djemtë luejnë futboll, çikat llastik. Por, ama a e dini ku ka gra? Në Formula 1 ka gra që edhe në shi e borë radhiten si kukulla të veshuna sa ma deshë (jo që kam najsen kundër deshjes, por kam diçka kundër nji abuzimi të tillë ku gratë duhet me mërdhi që me u dukë sa ma “hot”) me i duertrokitë heronjve burra të Formula 1-shit, kur këta ecin shtegun e fitores drejt shkallëve të naltësimit.
Këto ishin veç do arsye, të paraqituna shkurt, shum shkurt, por janë disa arsye ma shum, pse ama bash hiç nuk asht në rregull me folë për burrin që e ka “marue” Majlindën tonë. Së paku jo me e quejt “marues”. Sepse, përveç që fjala “marue” asht nji përzgjedhje e varfën në këtë rast (se marue për marue, e ka marue baba e nana) asht gjithashtu nji fjalë që përforcon krejt atë çka s’asht në rregull në botë kur asht fjala për qasjen e kësaj bote ndaj forcës e vlerës së grues.
DHE, për aq sa vlen, të lutem thuej grue, jo femën. E ata që duen me thanë naj fjalë të madhe për dukatin tonë Majlindën që na gëzoi kaq shum këto ditë; që na dha nji gëzim që na kujtoi lotët e asaj ndjenjës kur njeriu e kupton që asht gjallë, ju lutem mos i thueni burrneshë. “Burrnesha“ asht medalje në vete, asht medalje që e randon qafën e grues, medalje që nuk na vyen.
p.s. Faleminderit Majlinda. Nji përqafim të ngrohtë për ty dhe për krejt ekipin olimpik Kosovar në Rio. E kam fjalën për ekipin e sportistave, jo për ministrrat e klyetalat që kanë ardhë me ju aty. Që mos të keqkuptohet pahiri. Dashni!