Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Mësime nga Zululandi

Thonë që të mençurit mësojnë nga gabimet e veta; ndërsa të urtët mësojnë nga gabimet e të tjerëve. Si shtet i ri dhe në zhvillim e sipër, kemi shumë vende në botë nga të cilët mund të mësojmë. Edhe pse rreth 11,000 kilometra distancë na ndajë, shkretëtirat dhe xhunglat më të mëdha në botë na ndajnë gjeografikisht, dhe mbi të gjitha shumë dallime na ndajnë kulturalisht, çuditërisht ka shumë gjëra të ngjashme që Afrika e Jugut dhe Kosova ndajnë ndërmjet vete. Gjatë rreshtave në vijim do të tentojë të fokusohem në ngjashmëritë në fushën e energjisë, apo më saktë të energjisë elektrike, dhe mësimet që Kosova mund të marrë nga gabimet e Afrikës së Jugut.

Thonë që Kosova ka rezervën e pestë më të madhe të linjitit në botë, disa tjerë thonë të pestën në Europë, e disa tjerë thonë te pestën të provuar (të vërtetuar) në Europë. Nuk ka shumë rëndësi; rëndësi ka që kemi tepër shumë linjit, sa që me këtë ritëm na duhen edhe 2,000 vjet t’i shtjerrim këto rezerva. Ngjashëm, Afrika e Jugut ka në pronësi rezervën e nëntë më të madhe në botë të qymyrit që mund të nxirret dhe përdoret, apo rreth 95% të të gjithë rezervave të Afrikës. Si rrjedhojë të dy vendet e prodhojnë shumicën dërmuese të elektricitetit përmes djegies së qymyrit apo linjitit, konkretisht mbi 90% në Afrikë të Jugut dhe rreth 98% në Kosovë. Përkundër gjithë këtyre rezervave të qymyrit, të dy vendet po kalojnë në një krizë energjetike dhe të dy vendet aplikojnë reduktime të rrymës.

Historia modernë e energjisë së Afrikës së Jugut fillon në periudhën e aparteidit – sistemit të ndarjes së popullsisë në bazë të racës – ku të bardhët kontrollonin të gjithë pushtetin. Ideja ishte që të ndërtohen kapacitete energjetike që të furnizohet sektori industrial dhe ai amvisërisë së bardhë, por pjesët e populluara nga raca e zezë nuk ishin të elektrifikuaka. Për shkak të sanksioneve që e gjithë bota i kishte vënë regjimit të bardhë të Afrikës së Jugut për shkak të sistemit diskriminues racor, kjo e fundit u izolua shumë. Si rrjedhojë edhe investimet në energjetike u drejtuan në sigurinë e furnizimit dhe  vet-mbështetje. Në vitet e 1980-ta, Afrika e Jugut investoi jashtëzakonisht shumë në kapacitete energjetike. Në fakt, investoi aq shumë sa që kishte kapacitete të tepërta. Në 1998 qeveria e Afrikës së Jugut parashihte që kërkesa për energji të e kalonte këto kapacitete në vitin 2007. Pra, aq shumë kishte kapacitete gjeneruese sa që për gati 10 vite, Afrika e Jugut nuk kishte nevojë për shtim signifikant të kapaciteteve të reja.

Por pikërisht në 2007 filluan reduktimet e para. Arsyeja? Mungesa e kapaciteteve për të mbuluar të gjithë kërkesën për energji. Edhe pse një gjë e tillë ishe parashikuar shumë kohë më parë, qeveria e Afrikës së Jugut kishte neglizhuar shtimin e kapaciteteve të energjisë. Kjo krizë energjetike jo vetëm që ishte e bezdisshme për qytetaret, por shkaktoi edhe kosto të mëdha ekonomike sidomos për minierat, një ndër sektorët kyç.

Situata disi u përmirësua në vitin 2010. Kjo nuk ishte fort rezultat i përmirësimit të sistemit energjetik, sa ishte presion politik për paraqitje sa më të mirë të Afrikës së Jugut gjatë mbajtjes së kampionatit botëror të futbollit. Në vend se të shtojnë më shumë kapacitete të reja, Afrika e Jugut i ngarkoi edhe më shumë kapacitetet ekzistuese për mbërritjen e kërkesës për energji. Kjo normalisht që rezultoi në prishje më të shpeshta dhe kosto më të lartë të mirëmbajtjes. Për shembull, në vitin 2014 problemi eskaloi kur një termocentral kyç, në Majuba, me kapacitet 4,110 MW pësoi prishje. Kjo prishje e riktheu krizën energjetike. Reduktimet u rikthyen. Termocentralet tjera gjithashtu ishin vjetruar, ndërsa kapacitetet e reja gjendeshin vetëm në letër dhe retorike të politikanëve.

Sot në Afrike të Jugut qytetaret kur zgjohen në mëngjes, nxjerrin telefonat e mençur apo shohin televizorin, dhe bashkë me motin kontrollojnë edhe sa janë gjasat që nuk do të kenë rryme gjatë ditës. Në fakt, aq e madhe dhe sistemike është bërë kriza, saqë ka shumë aplikacione që mund të shkarkohen në telefon për parashikimin e reduktimeve të rrymës. Ndërsa për biznese, kjo krizë ka rritur kostot në mënyrë signifikante. Shumë prej bizneseve detyrohen të kenë agregate/gjeneratorë të vetë. Sektori i prodhimit dhe ai i minierave janë duke u bërë secilën herë e më pak konkurrues në tregjet ndërkombëtare si rezultat i jostabilitetit të rrymës dhe kostove ekstra për prodhimin e rrymës në godinat e tyre. Shumë ekonomistë, analistë, dhe zyrtar në Afrikë të Jugut shohin pak shpresë në përmirësimin e gjendjes ekonomike në një periudhe afatmesme, dhe një pjesë të madhe të këtij pesimizmi ja atribuojnë krizës energjetike. Një pjesë e tyre ja atribuojnë krizës energjetike edhe ngadalësimin e rritjes ekonomike që Afrika e Jugut po e përjeton në tri-katër vitet e fundit.

Gabimet dhe mësimet

Ka shumë mësime që Kosova mund të marre nga Afrika e Jugut. E para, edhe pse kemi shumë rezerva të linjitit – apo çfarëdo potenciale tjera të energjisë –  Afrika e Jugut na mëson që vetëm rezervat nuk mjaftojnë. Duhet ndërtimi i kapaciteteve të reja, planifikimi, menaxhimi i mirë, e shumë gjëra tjera. E dyta, mungesa e energjisë elektrike dhe jostabiliteti në furnizim është një pengese shumë e madhe për biznese, sidomos për ato të prodhimit dhe minierave. Në aspektin e tërheqjes së investitorëve, është shumë me e vështirë të tërheqim investime të huaja me furnizim jostabil të energjisë elektrike – dhe këtë vetëm se e kemi përjetuar deri me tani.

Por mbi të gjitha, mësimi kryesor është që vetëm planifikimi nuk mjafton. Duhet punë dhe vepra! Afrika e Jugut e dinte qysh në vitin 1998 që në vitin 2007 kërkesa do të rritet aq sa të mbulojë kapacitetet ekzistente. Megjithatë, ajo nuk ndërmori asgjë – së paku jo me kohë – për një krizë që e dinte mbi më shumë se 10 vite më parë që do të ndodhte. Kur vendosi të merrte vendim, ajo u bë shumë lakmitare. Kështu vendosi të ndërtonte dy termocentrale super të mëdha, atë të Medupit dhe Kusiles, që së bashku kanë kapacitet prej 9,564 MW, kapacitete këto që do të mbulonin pothuajse ¼ e kërkesës për energji. Me fjalë tjera i futi të gjitha vetë në një kosh, pa e diversifikuar riskun. Kështu u mendua që do të zgjidhej problemi energjetik. Por ndërtimet e kapaciteteve kaq të mëdha marrin kohë dhe mjete të mëdha. Pikë së pari, qeveria vendosi që njëri nga këta termocentrale të vet-financohet, përmes tarifave të energjisë. Si rrjedhojë, nga viti 2009 tarifat u rritem mbi 300%! Por më e keqja është duke ndodhur tani, pasi që për shkak të problemeve të paparapara, përfundimi i ndërtimit të të dy termocentraleve është shtyrë për 4 vite. Pra, njëri termocentral ishte planifikuar të përfundonte së ndërtuari në 2013 ndërsa tjetri në 2014, por të dyte nuk do të përfundojnë së ndërtuari deri në vitin 2018. Kjo përkthehet edhe në së paku edhe tri vite tjera krize energjetike.

Analiza tjera thonë që edhe pas përfundimit të këtyre termocentraleve, nuk do të zgjidhet problemi energjetik. Kjo vjen pasi që deri atëherë, shumë termocentrale tjera do të duhen të ndalen së punuari për shkak të vjetërsisë. Pra kapacitetet e reja vetëm sa zëvendësojnë ato të vjetrat, por jo edhe të shtojnë kapacitet të reja. Për këtë arsye, qeveria e Afrikës së Jugut është duke kërkuar partneritet me Rusinë për ndërtimin e një centrali bërthamor. Ky central bërthamor jo vetëm që do t’i kushtojë shumë në aspektin financiar, por do t’i kushtojë shumë në kapitalin e saj politik pasi që pas tragjedisë së Fukoshimes e gjithë bota është duke lëvizur larg energjisë nukleare, dhe e rritë rrezikun e katastrofave nga defektet e mundshme.

Edhe pse vendimi për ndërtimin e centrali bërthamor mund të jetë kontrovers, si duket qeveria e Afrikës së Jugut së paku ka marrë mësim nga gabimet e veta dhe po mundohet që të evitojë kriza energjetike në të ardhmen. Nuk është duke punuar vetëm në aspektin e qymyrit dhe nukleares, por edhe atë të burimeve të ripërtrishme. Tek e fundit, në një vend si Afrika e Jugut do të ishte mëkat të mos shfrytëzohet më shumë energjia diellore.

Përkundër vullnetit të mirë për rritjen e kapaciteteve energjetike, qeveria e Afrikës së Jugut ka dështuar për të luftuar vjedhjen e energjisë dhe rregullimin e disa politikave tjera sociale. Vjedhja e energjisë, apo siç e quajmë në Kosove humbjet komerciale, kanë qenë gjithmonë problem në Afrikë të Jugut si rezultat i pabarazisë së madhe ekonomike, nivelit të lartë të krimit, dhe diskriminimit sistematik të qytetareve në bazë racore. Gjithashtu, pas përfundimit të sistemit të aparteidit, qeveria ndërmori iniciativën për elektrifikimin e të gjithë qytetareve të saj. Në vitin 1994 kur edhe përfundoi sistemi i aparteidit vetëm 34% e qytetareve të Afrikës së Jugut kishin qasje në elektricitet, ndërsa sot kanë qasje më shumë se 90%. Meqë një pjese e madhe e popullsisë së Afrikës së Jugut jetojnë në varfëri, qeveria vendosi që shumë familje të kenë energji falas. Kjo politike ishte më shumë populliste sesa mirë e menduar. Politikat sociale janë të mirëseardhura, por të japësh energji falas pa limit inkurajon konsum joefiçient. Por tërheqja e kësaj politike kërkon vullnet të madh politik, të cilin partia në pushtet nuk e ka pasi që secilën herë e më shumë po e humb popullaritetin. Pra, për popullaritet dhe pushtet, partia në pushtet po toleron vjedhjet dhe po vazhdon me politika tejet joefikase, ndërsa në të njëjtën kohë vendi po kalon në një krizë energjetike.

Rasti i Kosovës

Për ata që njohin gjendjen energjetike të Kosovës, situata e Afrikës së Jugut me siguri që iu duket shumë e ngjashme. Ngjashëm si në Afrikë të Jugut, sistemi energjetik në Kosove u ndërtua për të mbështetur industritë e reja dhe kryesisht për ‘eksport’. Edhe për me vonë e gjithë Kosova u elektrifikua, një pjese e madhe e energjisë që prodhohej në Kosove ‘eksportohej’ në pjesët tjera të ish-Jugosllavisë. Gjithashtu në Kosovë deri në fillim vitet e 1980-ta u ndërtuan shumë me shumë kapacitete energjetike se që i duheshin Kosovës. Në fakt ndërtuam aq shumë, sa që ende bazohemi vetëm në ato kapacitete.

Sa i përket krizës energjetike në Kosovë, të gjithë e kishin parashikuar. Për dallim prej fushave tjera, si në ekonomi apo sociologji, në energjetikë mund të bëhen parashikime relativisht të sakta. Mund të parashikohet sa do të ketë kërkesë dhe sa do të jetë furnizimi. Në Kosovë këto parashikime kanë ekzistuar gjithmonë, por njëjte si qeveria e Afrikës së Jugut, Kosova dështoi të ndërmerr masa për ndërtimin e kapaciteteve të reja. Për ndërtimin e Kosovës së Re është duke u folur që më shumë se 10 vite, por ndërtimi i saj është ende vetëm në letër. Në anën tjetër, Kosova e Re do të duhej të zëvendëson dinozaurin energjetik, Kosovën A, në vitin 2015, por në mungesë të kapaciteteve të reja, sipas të gjitha gjasave Kosova A do të vazhdojë së ndoturi së paku edhe 4-5 vite tjera.

Një tjetër pikë, Kosova është duke funksionuar pothuajse pa rezerva energjetike. Hiç me larg se para një muaji, njëri ndër dy njësitet e Kosovës B nuk funksionoi ashtu siç pritej, dhe menjëherë si pasoje patëm reduktime të rrymës. Le te kujtojmë që gushti është muaj ku ka relativisht kërkesë të vogël për energji. Po sikur të ndodhte një gjë e tille në dimër kur kërkesa është shumë më e madhe? Reduktimet me siguri që do të ishin me të ashpra, apo importi i asaj energjie shumë më i shtrenjtë. Gjithashtu, meqë nuk pritet të ketë kapacitete të reja të mëdha në të ardhmen afatshkurtër, ky problem pritet te jetë edhe më akut dukë marrë parasysh rritjen e kërkesës së energjisë.

Pothuajse si qeveria e Afrikës se Jugut që u mundua të zgjidhë problemin energjetik me dy super termocentrale, edhe qeveria e Kosovës po mundohet që të zgjidhë të gjithë çështjen energjetike me Kosovën e Re. Në ndër kohë, shumë pak është bërë në fushën e energjisë së ripërtrishme dhe efiçencës së energjisë. Kosova nuk ka burime marramendëse të energjisë alternative, mirëpo kjo nuk do të thotë që nuk do të duhemi të investojmë në ato që i kemi. Llogaritet që Kosova ka rreth 300 MW kapacitet të erës, por deri me tash i kemi vetëm tre mullinj të erës në kodrën e Goleshit, me kapacitet hiç më shumë se 1.75 MW që i kemi instaluar. Panelet diellore ende janë relativisht të huaja në Kosovë. Ndërsa në aspektin e efiçiencës së energjisë, mjafton të shohësh nga dritarja përderisa udhëton nga qyteti në qytet: sipas një hulumtimi, rreth 70% e shtëpive nuk i kanë muret e izoluara, ndërsa më shumë se gjysma nuk kanë dritare dyshtresore.

Mbi të gjitha, Kosova është treguar e paaftë për të ndalur humbjet e mëdha të energjisë. Për humbjet teknike, që sillen rreth 16%, institucionet përgjegjëse edhe mund të arsyetohen disi, duke pasur parasysh që për uljen e tyre duhen investime të mëdha në rrjetin e shpërndarjes. Por humbjet komerciale janë absolutisht të papranueshme. Kosova ka politika sociale për klasat e varfra. Ajo aplikon bllok tarifën, e cila do të duhej të i ndihmonte të varfërve; deri vonë, sistemi energjetik ka qenë rendë i subvencionuar, gjë e cila ka ulur tarifat; ndërsa për rastet sociale qeveria edhe paguan për një pjese të energjisë elektrike. Humbjet komerciale, që sillen rreth 20%,  nuk janë politikë sociale; ato janë blerje e mbështetjes për partitë në pushtet me para të publikut, apo të njerëzve të ndershëm që paguajnë rrymën rregullisht.

Si përfundim, të gjithë faktorët sinjalizojnë që Kosova është në rrugë të njëjtë si Afrika e Jugut. Koha po kalon, kërkesa për energji po shtohet, ndërsa kapacitetet energjetike kane stagnuar. Me këtë ritëm, krizën energjetike e kemi të sigurt edhe nuk duhet shumë të imagjinojmë së çfarë efekte ekonomike dhe sociale do të ketë. Por ne gjithashtu e kemi rastin të mësojmë nga gabimet e tjerëve. Edhe pse për shumë gjera jemi vonë, ka prapë kohë për ndryshim. Tek e fundit nuk kemi rrugë tjetër përpos të ndryshojmë; Afrika e Jugut, që aq shumë i ngjajmë, nuk do të duhej të jetë opsion për ne.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.