Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Metodat e luftimit të lajmeve të rreme

Para ardhjes në skenë të internetit dhe rrjeteve sociale, lajmet në përgjithësi kanë kaluar nëpër disa mekanizma kontrollues, siç janë editorët profesionalë, para se t’i servohen publikut. Sot, kur përdoruesit e internetit nga modi pasiv i konsumimit të informatave marrin pjesë aktive në krijimin e kontentit, një qasje e tillë është praktikisht e pamundur. Si rezultat, në internet qarkullojnë pafund lajme të rreme e teori konspirative të cilat fatkeqësisht, marrin më shumë vëmendje se lajmet e vërteta. Kjo situatë ka alarmuar qarqet ndërkombëtare për nevojën urgjente që të ndërmerren masa për adresimin dhe zbutjen e këtij problemi.

1. PROCESI I VERIFIKIMIT TË FAKTEVE

Një ndër qasjet më të drejtpërdrejta në drejtim të luftimit të lajmeve të rreme është shtimi i kapaciteteve në fushën e verifikimit të saktësisë së lajmeve. Në këtë aspekt, vijnë në shprehje dy metoda kryesore:

1. Metodat që bazohen në intervenime njerëzore

2. Metodat automatike të bazuara në algoritme. [10]

1.1 Intervenimet njerëzore

Në këtë kategori, procesin e verifikimit të lajmeve e bëjnë vetë njerëzit, si pjesë e insiticioneve të veçanta që njihen me emërtimin “fact checkers” (verifikues të fakteve). Në këtë proces, rol të rëndësishëm mund të luajnë edhe vetë përdoruesit e rrjeteve sociale, duke i raportuar postet ose faqet me përmbajtje të dyshimtë. Analizimi i sinjaleve të dërguara nga përdoruesit është një praktikë e re e disa rrjeteve sociale, pas presionit të vazhdueshëm publik për ndërmarrjen e masave kundër lajmeve të rreme. Në këtë mënyrë Facebook, në partneritet me Rrjetin Ndërkombëtar të Verifikimit të Fakteve (IFCN), postet e raportuara nga përdoruesit, i përcjell për verifikim tek palët e treta, sic jane Washington Post, Snopes.com etj. [32] Si rezultat i këtij procesi kontrollues, postet me përmbajtje jo të saktë bëhen më pak të dukshëm në platformë dhe përdoruesve u tërhiqet vërejtja para se të bëjnë shpërndarjen e tyre, ngjajshëm si në figurën më poshtë.

Image

Figura 1. Mesazhi që i informon përdoruesit e Facebook në SHBA se kanë të bëjnë me lajm të rremë.

Ky opsion, edhepse çdo ditë po përfshinë gjithnjë e më shumë shtete nën ombrellën e vet, ende nuk është i disponueshëm për përdoruesit e Facebook në Kosovë.

Në një metodologji të ngjajshme, bazohet edhe qasja e gazetës së njohur franceze “Le Monde”. Njësia e saj për luftimin e lajmeve të rreme “The Decoders” kanë zhvilluar web ekstenzionin e ashtuquajtur “Dekodex”, i cili fillimisht ndërlidhet me një databazë ku bëhet klasifikimi i web faqeve në: “të vërteta”,” të rreme” dhe “satirike”. [31] Me instalimin e këtij ekstenzioni në browser, lexuesi francez informohet me pop-up nëse faqja që ka hapur në internet cilësohet si e rreme apo e zhanrit satirik. Kjo zgjidhje nuk është perfekte për shkak të njëanshmërisë që mund të reflektohet nga personat që bëjnë vlerësimin e web faqeve e që në rastin konkret janë staf i një gazete të qendrës së majtë; sidoqoftë është një vegël e mirë e cila iu ndihmon lexuesve të interesuar të vetëdijësohen për fenomenin e lajmeve të rreme gjatë lundrimit në internet.

1.2 Përdorimi i algoritmeve:

Edhepse algoritmet bartin një pjesë të barrës së fajit në domenin e përhapjes së lajmeve të rreme, shumë studjues janë të mendimit se të njejtat mund të përdoren edhe për luftimin e tyre. [32] Në botë gjenerohen përafërsisht një trilion poste në sekond, kryesisht nëpërmes platformave online si Facebook dhe Twitter, [2] prandaj është më se e qartë se përpjekjet për verifikimin e këtij oqeani pafund të informatave nuk mund të bazohen vetëm në resurse njerëzore. Ekzistojnë një serë hulumtimesh shkencore që analizojnë mundësitë e ndryshme të detektimit automatik të lajmeve të rreme duke u bazuar në algoritme. Varësisht prej karakteristikave që analizojnë, këto algoritme ndahen në dy grupe:  algoritmet e bazuar në përmbajtje dhe  algoritmet e bazuar në rrjet ose dinamikën e përhapjes. [34]

a. Nga vetë emërtimi po nënkuptohet se ky grup i algoritmeve fokusohet në përmbajtjen specifike të lajmeve të rreme siç janë: titujt senzacionalë me tone emocionale, diskrepanca mes titullit dhe tekstit, gjuha e përdorur, verifikimi i burimit të lajmit dhe krahasimi i tij me burimet tjera etj.

b. Algoritmet e bazuar në përmbajtje nuk japin rezultate të mira kur lajmi që duhet analizuar përmbanë shumë pak tekst. [40] Në këto raste kanë përparësi algoritmet e bazuar në rrjet të cilët shkojnë përtej analizës së lajmit në vetvete, duke u fokusuar më shumë në mënyrën e përhapjes së tij. Në këtë kontekst është vërejtur se lajmet e rreme karakterizohen nga trungje specifike të përhapjes dhe se ato shkojnë shumë më larg se lajmet e vërteta, duke nxitur shumë përdorues në përhapjen e tyre.

Metodat automatike për detektimin e lajmeve të rreme janë në përgjithësi në fazën fillestare të aplikimit në praktikë. Kështu për shembull, në fund të vitit 2019, përmes sistemit algoritmik “Deep Entity Classification”, Facebook ka arritur të bllokojë me miliarda llogari të rrejshme në platformën e vet, duke e zvogëluar kështu në 5% raportin e tyre me përdoruesit mujorë aktivë. [54] Ky sistem algoritmesh të sofistikuara e analizon sjelljen e secilës llogari në nivel të rrjetit  (jo në mënyrë te izoluar), duke qenë se kjo pasqyrë e përdoruesve është vështirë të manipulohet. [55]

Përveç bllokimit të llogarive të rrejshme, algoritmet po përdoren edhe për identifikimin e duplikateve të storieve që janë markuar një herë si të rrejshme nga rrjeti IFCN. Si shembull mund të përmendet rasti i një lajmi të markuar si i rremë nga verifikuesit e fakteve në Francë, i cili është detektuar automatikisht edhe në 20 domene dhe 1400 vegëza tjera që pohonin të njejtën gjë në përmbajtje. [51] Kjo qasje parandalon angazhimin shtesë për çështje të përmbyllura dhe rrit dukshëm efikasitetin e shfrytëzimit të burimeve njerëzore.

Një tjetër rezultat konkret i rrjeteve sociale në luftimin e lajmeve të rreme konsiderohet edhe mënyra e trajtimit të një lajmi të rremë për Hunter Biden (djalin e presidentit aktual të SHBA-ve) gjatë kampanjës zgjedhore të vitit 2020. Brenda një kohe të shkurtër pas publikimit të tij në gazetën amerikane “New York Post”, Facebook e kufizon përhapjen e tij në platformë deri sa “factcheckers” merren me verifikimin e lajmit, ndërsa Twitter merr masa më radikale, me ç’rast jo vetëm që e largon artikullin nga platforma e vet por edhe i bllokon përdoruesit që kanë marrë pjesë në shpërndarjen e tij.

[50] Të dyja qasjet marrin kritika të ashpra nga kampi i republikanëve si metoda fashiste të censurimit të fjalës së lirë dhe favorizimit të demokratëve. Këto deklarata edhepse të tepruara, përmbajnë në vete diçka të vërtetë. Facebook/Twitter me këtë veprim në njëfarë mënyre e kanë dëshmuar se kur duan, mund të ndërmarrin masa konkrete në luftimin e lajmeve të rreme dhe se në disa raste tjera të ngjajshjme, ky vullnet iu mungon. Kjo situatë ka krijuar kushte për operimin e disa trupave të pavarur ndërkombëtarë, të cilët po kërkojnë më shumë llogari dhe transparencë nga platformat e mediave sociale në aspektin e përpjekjeve që po bëjnë në rrafshin e luftimit të lajmeve të rreme. Në këtë kontekst, bashkepunimi me IFCN dhe publikimi i raporteve mujore po konsiderohet si hap pozitiv në këtë drejtim. [52]

1.3 Procesi i verifikimit të fakteve në Kosovë

Në shtetet shqiptare ekzistojnë dy organizata të çertifikuara që merren me verifikimin e fakteve, e ato janë “Krypometri” në Kosovë dhe “Faktoje” në Shqipëri. Procesi i çertifikimit në IFCN kërkon plotësimin e një serë standardesh: përveç raportimit të drejtë, të bazuar në fakte dhe të pandikuar politikisht, IFCN kërkon edhe bërjen publike të të gjitha informatave rreth organizatës, punëtoreve dhe mënyrës së financimit. Krypometri si pjesë e platformës së lajmeve “Kallxo.com”, bën verifikimin e saktësisë së deklaratave të figurave publike lidhur me çështjet me rëndësi të madhe lokale, qendrore apo ndërkombëtare. [42] Kjo veprimtari luan rol të rëndësishëm në rritjen e llogaridhënies për deklaratat publike, mirëpo adreson vetëm një pjesë të ekosistemit kompleks të lajmeve të rreme.

Në këto kushte, përveç zgjerimit të fushëveprimit nga “factcheckers” ekzistues e pse jo edhe rritjes së numrit të organizatave që merren me këtë punë, në luftën kundër lajmeve të rreme është mirë të angazhohen edhe studentë e ekspertë të shkencave kompjuterike. Bashkëpunimi i verifikuesve të fakteve me ekspertë të programimit (e që fatmirësisht në Kosovë kemi mjaft) do të mund t’iu lehtesonte dhe përshpejtonte atyre punën në shumë aspekte.

2. TRAJTIMI I LAJMEVE TË RREME NË KUADËR TË KORNIZËS LIGJORE

Rritja e numrit të kanaleve televizive, radio stacioneve dhe portaleve të lajmeve në internet, iu ka dhënë njerëzve mundësinë e zgjedhjes, kur është në pyetje mënyra e informimit. Studimet tregojnë se në këto kushte të reja me shumë opsione, njerëzit i nënshtrohen “ekspozimit selektiv”, me ç’rast shumica vendosin t’i anashkalojne burimet e pavaruara e profesionale dhe të informohen nga mediumet me mendësi të njejtë. [46]  Edhe në Kosovë, kemi shumë portale që japin një pasqyrë selektive të realitetit dhe nuk i kursejnë lajmet e rreme per t’i sulmuar kundërshtarët, mirëpo njerëzit i pëlqejnë për shkak se iu përforcojnë bindjet individuale. Ky realitet e perçan domenin e informimit në dhoma të izoluara (echo chambers) ku jehon vetëm njëra anë e argumentit dhe njerëzit bijnë lehtësisht pre e dezinformatave. Kjo situatë i kontribuon edhe më tutje polarizimit të skajshëm të shoqerisë dhe paraqet rrezik serioz për demokracinë. [19]

Disa shtete në botë kanë tentuar ta adresojnë këtë problem përmes rrugëve ligjore, me ç’rast është kërkuar që pronarët e portaleve të marrin pergjegjësi për përmbajtjet që i publikojnë në internet [32]. Në disa raste ekstreme, shpifjet ndodhë të cilësohen si vepra të dënueshme me para ose edhe si vepra penale. Sidoqoftë, kjo qasje ka hasur në kritika të shumta nga aktivistët e të drejtave të njeriut, sepse krijon hapësirë për keqpërdorim ndërsa prodhon shumë pak efekt në luftimin e vërtetë të problemit. Kështu për shembull në Turqi, Kinë, Rusi e Egjipt, kemi shumë raste të burgosjes së gazetarëve apo aktivistëve të të drejtave të njeriut në emër të luftimit të lajmeve të rreme.

[43] Natyra komplekse e lajmeve të rreme lë hapësirë për definicione ambiguoze të cilat mund të keqpërdoren gjatë interpretimit të ligjeve. Për këtë arsëye, përfaqësuesit e lirisë së mediave janë të mendimit se çeshtjet e ndërlidhura me aktivitet në rrjete sociale duhet të adresohen me vetë-rregullim dhe edukim të shoqerisë e jo me metoda ekstreme që e përkeqësojnë edhe më tutje situatën. [44]

​3. EDUKIMI NË SHKOLLA DHE SENSIBILIZIMI I OPINIONI PUBLIK

Në vazhdën e përpjekjeve për luftimin e lajmeve të rreme, senatori Bill Dod në Kaliforni ka propozuar që njohuritë për nxjerrjen dhe konsumimin e informatave në botën digjitale të përfshihen në kurrikulën shkollore përmes mekanizmave shtetërorë. [32] Kjo është një ide shumë e mirë për faktin se viktima të lajmeve të rreme nuk bijnë vetëm të moshuarit por edhe njohësit e mirë të teknologjisë, siç janë gjeneratat e reja.

[36] Tek ne, kjo çështje mund të adresohet nga Ministria e Arsimit, e cila për arritjen e kompetencës së të menduarit kritik, është mirë të përfshijë në kurrikulë metodat e hulumtimit dhe njohuritë e fundit për leximin e informatave në botën digjitale (media literacy). Kësaj objektive mund t’i shërbejë në masë të madhe edhe organizimi i debateve me tematika të ndryshme, ku nxënësit/studentët mësojnë rëndësinë e përballjes së argumenteve në formulimin e një qëndrimi.

Në anën tjetër e kemi fuqinë ndikuese të influencerave dhe figurave publike, të cilën mund ta shndërrojmë në vegël për arritjen e shtresave të caktuara të popullatës, me të cilat mund të jetë e veshtirë të vendosim kontakt në forma tjera. Në bashkëpunim me ta, mund të krijohen kampanja mediatike me karakter edukues, të cilat kanë për qëllim ngritjen e vetëdijes së shoqërisë në lidhje me problematikën e lajmeve të rreme dhe edukimin e saj. [43] Në këtë aspekt, mund të japin kontributin e vet edhe mediumet profesionale të lajmeve, qofshin ata kanale televizive, radio stacione apo gazeta, duke i bërë tema diskutimi lajmet e rreme dhe metodat e luftimit të tyre.

4. PËRPJEKJET INDIVIDUALE TË BAZUARA NË MENDIM KRITIK

Për fund, edhepse nuk është e lehtë, identifikimin e lajmeve të rreme mund ta bazojmë në disa përpjekje vetanake. Kështu për shembull, titujt senzacionalë me tone emocionale duhet t’i marrim me rezervë. Gjithmonë duhet të tregohemi të vëmendshëm ndaj burimit që e ka publikuar lajmin. Agjencitë e lajmeve të rreme shpesh përdorin emra të ngjajshëm me mediat e njohura tradicionale. Kështu për shembull, gjatë zgjedhjeve presidenciale në SHBA, në emër të faqeve të maskuara si gazetari serioze: USAToday.com.co dhe WashingtonPost.com.co (ngjajshëm me faqet origjinale USAToday.com dhe WashingtonPost.com) kanë qarkulluar shumë lajme të rreme pro-Trump dhe anti-Clinton.

[7] Kjo strategji e maskimit përdoret edhe në Kosovë prandaj është mirë ta inspektojmë në detaje burimin. Këtë proces do ta lehtësonte zhvillimi i një ekstenzioni të browser-it i cili ngjajshëm me zgjidhjen e gazetës franceze, Le Monde, do të bënte kategorizimin e faqeve në “të vërteta”, “të rreme” dhe “satirike”. Përndryshe, si portale satirike konsiderohen ata që e shtrembërojnë realitetin për qëllime humoristike, por që shpesh merren seriozisht nga lexuesit, si pasojë e shprehisë së tyre që në media sociale të lexojnë vetëm titujt. [31]

Sipas një studimi, rreth 60% e përdoruesve të Twitter, i shpërndajnë artikujt pa i lexuar fare. [45] Kjo sjellje vjen si pasojë e mënyrës heuristike të procesimit të informatave, me ç’rast vendimet merren me shpejtësi, duke u bazuar në përdorimin e rrugëve periferike mentale, si për shembull besimit se informata duhet të jetë e vërtetë pasi ajo na bën të ndihemi mirë. [2] Këtu pjesërisht luajnë rol edhe motivet që i nxisin njerëzit të shpërndajnë lajme në rrjete sociale e që janë kërkimi i vëmendjes e popullaritetit dhe jo e vërteta apo saktësia e lajmit. [53] Rrjedhimisht, në Twitter lajmet e rreme qarkullojne gjashtë herë më shumë se lajmet e vërteta. [47] Situata është po kaq shqetësuese edhe në platforma tjera.

Në anën tjetër, përdorimi i rrjeteve sociale në përgjithësi na jep një sens të urgjencës, duke marrë parasysh numrin e madh të informatave që na dalin vazhdimisht përpara dhe kjo vetvetiu na fut në kurthin e metodës heuristike të të menduarit. Ne kemi dëshirë ta portretizojmë veten si qenie racionale mirëpo e vërteta është se shumë vendime i marrim duke u bazuar në emocione. Në raste të caktuara, emocionet mund të na shpiejnë në rrugën e duhur mirëpo në rastin e përdorimit të rrjeteve sociale, mbështëtja në to na bën shpesh pre të lajmeve të rreme.

Mënyra më e mire e tejkalimit të kësaj dobësie të natyrës njerëzore gjatë shfletimit të lajmeve në internet, është të ndalemi dhe të mendojmë në mënyrë racionale. Disa pyetje që duhet t’ia bëjmë vetes në këtë rast është: kush e ka publikuar artikullin? A kemi të bëjmë me një medium profesional të lajmeve apo ndonjë llogari të dyshimtë që shpesh publikon lajme senzacionale dhe shpifje? A është marrë parasysh edhe qëndrimi i palës tjetër apo lajmi duket i njëanshëm dhe tendencioz? Gjithashtu është mirë të bëjmë krahasimin e lajmit edhe me burime tjera, qofshin ata autoritete zyrtare apo mediume lajmesh me reputacion vendor apo ndërkombëtar.

Në këtë kontekst, duhet pasur kujdes gjatë verifikimit të lajmit gjatë kërkimeve në Google. Rezultatet në Google përveç tjerash rangohen sipas popullaritetit dhe fjalëve kyçe të kërkimit e jo saktësisë së lajmit dhe aty në princip mund të gjejmë artikuj që aprovojnë çfarëdo teorije të rreme qe na bie ndërmend ta hulumtojmë. [56] Përveç asaj, keqbërësit i manipulojnë artikujt e vet duke i stërpërdorur disa fjalë kyçe qe u interesojnë njerëzve ashtu që të paraqiten sa më lart në rezultatet e kërkimit. Për këtë arsye, nëse na intereson diçka në internet, është mirë të fokusohemi në burime e jo të nxjerrim konkluzione në bazë të artikullit të parë që na paraqitet në rezultatet e kërkimit. Platformat online në përgjithësi i japin prioritet artikujve që kanë më shumë qarkullim [53] prandaj deri sa të ndryshohet ky model i biznesit të tyre, arma më e fortë që posedojmë ne si individë për luftimin e lajmeve të rreme, është të menduarit kritik dhe kontrollimi i emocioneve.

Në këtë krizë globale të informimit, është me rëndësi jetike të bëhemi aleatë të së vërtetës, e jo tifozë të verbuar të grupacioneve të caktuara apo ushtarë të kampanjave denigruese që përhapin urrejtje në internet. Le t’i thejmë barierat e dhomave të ekos dhe të nxisim debate konstruktive në shoqëri, por jo përballje brutale si në fushë gladiatoresh, ku njëra palë duhet të vdesë. E vërteta në shumicën e rasteve është shumë komplekse dhe zbërthimi i saj kërkon një qasje kritike, që i merr parasysh të gjitha anët e argumentit. Për ta arritur këtë nivel të të menduarit ne si shoqeri, duhet shumë punë; megjithatë secili hap, sado i vogel, që merret në këtë drejtim ia vlen sepse një shoqëri e informuar mire është vitale për funksionimin e demokracisë dhe mirëqenien kolektive.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.