Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Mini-Shengeni – çfarë tjetër duhet përveç parimit të heqjes së kufijve?

Kur jeton në realitetin ballkanik, të mbushur me urrejtjen e paarsyeshme që dikur shkaktoi ndër shkeljet më të rënda të të drejtave të njeriut (pa drejtësi për viktimat), nuk mund që thjesht ta refuzosh idenë e propozuar si “Mini-Shengen”. Nuk mund të jesh kundër përpjekjeve të Serbisë dhe Shqipërisë për ta krijuar një treg të përbashkët të punës dhe për ta avancuar lirinë e lëvizjes së mallrave dhe qytetarëve, kur këto vende kanë komunikuar vetëm kur ishte e nevojshme. Maqedonia e Veriut ishte njëra prej tri vendeve që nisën këtë projekt, dhe është shumë e mundshme që edhe Mali i Zi të bashkëngjitet. Nëse Kosova dhe Bosnja e Hercegovina po ashtu bashkohen (edhe pse kanë më së shumti rezerva tash për tash), nuk mund të jesh i pakënaqur. Është e ngjashme me nismën për t’i hequr të gjitha shpenzimet e romingut në Ballkanin Perëndimor. Edhe pse jo të gjitha vendet e rajonit janë përfshirë në këtë nismë, dhe procesi ende s’është kryer, është vështirë ta kritikosh një situatë ku të gjithë qytetarët e rajonit mund të komunikojnë “si në shtëpi”. Çdo nismë e re shtetërore është më se e nevojshme në një rajon ku bashkëpunimi i sinqertë dhe i barabartë pa paragjykime ndodh vetëm në ambiente të organizatave joqeveritare. Duke marrë parasysh se nismat e këtilla shtetërore janë zakonisht të paqena, “Mini-Shengeni” do të duhej ta kishte mbështetjen tonë pa dilema.

Vetë fakti se presidentët e tri (tash katër) vendeve në rajon po takohen një herë në muaj duket fort inkurajuese. Kjo situatë mund të krahasohet me një nismë të qiraxhinjve të tri ndërtesave në një mëhallë me gjashtë sosh, për t’i lyer godinat me bojë. Duket e thjeshtë në shikim të parë, por nëse raportet mes fqinjve janë të këqija për arsye shumë serioze, lyerja e ndërtesave nuk do të bëjë ndonjë ndryshim të madh. Për ta zvogëluar rëndësinë e kufijve mesh këtyre shteteve, apo për t’i hequr ato plotësisht, duhet të zgjidhen tri grupe problemesh që përfaqësuesit e Shqipërisë, Maqedonisë, dhe Serbisë i kanë shpërfillur (me ose pa qëllim).

Së pari, suksesi i çfarëdo nisme në rajon kërkon që të gjithë pjesëmarrësit të trajtohen barabar dhe se e kaluara nuk duhet ta përcaktojë të ardhmen. Konkretisht, kjo nënkupton se Serbia e Bosnja duhet ta njohin Kosovën pa vonesa dhe të ndërtojnë marrëdhënie të mira fqinjësore me Kosovën ashtu si me shtetet e tjera të rajonit. Njëkohësisht, Serbia s’duhet ta shohë më Republikën Serbe (Republika Srpska) si shtet, dhe ta braktisë idenë e “mbrojtjes së serbëve kudo që jetojnë”. Më tej, të gjitha shtetet e rajonit duhet të merren me të kaluarën përmes proceseve të sinqerta, ku kriminelët nuk lartësohen si heronj dhe kanë mbështetje nga liderët politikë. Kanë kaluar 20 vjet pas përfundimit të konflikteve të armatosura në ish-Jugosllavi, dhe drejtësia për viktimat nuk duhet të shihet më si ideal i paarritshëm, a si kërcënim ndaj grupeve tana etnike. Përveç gjykimeve për krime lufte, nisma RECOM është zgjidhje e shkëlqyeshme e propozuar nga vetë qytetarët e rajonit, por mbetet pa mbështetje politike. Arrestimi i qytetarëve të shteteve të tjera të dyshuar për krime lufte po ashtu paraqet shenjë të qartë se e kaluara nuk mund të injorohet në të mirë të lirisë së lëvizjes.

Problem tjetër që duhet të adresohet është sundimi i ligjit, zbatimi efikas i ligjeve, trajtimi njësoj i të gjithëve para ligjit, dhe çdo gjë tjetër që është e nevojshme për t’i implemetuar standardet ndërkombëtare të mbrojtjes të të drejtave të njeriut në vendet e rajonit. Pa këtë, nuk do të ekzistonte as “Shengeni i Madh” apo gjërat e tjera që përbëjnë BE-në. Nëse mbrojtja prej diskriminimit nuk ka kuptimin e njëjtë si në Suedi, ashtu edhe në Spanjë, dhe nëse nuk ka garancë se ky standard mund të implementohet njëjtë në Berlin dhë në Romë, liria e lëvizjes së fuqisë punëtore po ashtu nuk ka fort kuptim. Nuk qëndron vetëm te ajo se a mund dikush nga Tirana ose Prishtina ta marrë një leje pune dhe të shkojë në Beograd për punësim, por ai person duhet ta ketë garancën se do të trajtohet pa diskriminim dhe të ketë qasje adekuate në sistemin e drejtësisë nëse diskriminimi ndodh. A është e arsyeshme të besohet kjo në një shoqëri ku diskriminimi është problem i përhershëm, dhe reagimi i shpejtë ndaj shkeljeve të të drejtave të njeriut është më fort përjashtim sesa rregull? Sa e arsyeshme është kjo në një shoqëri ku distanca etnike me shtetet e tjera në rajon është më se 80%? Nuk do të thotë se secili vend në rajon të mbyllet brenda kufijve të tij, por se sundimi i ligjit, barazia, dhe i gjithë korpusi i të drejtave të njeriut duhet të shkojnë krahas kësaj nisme. Kjo s’mund të bëhet në nivelin rajonal, por duhet ta bëjë secili shtet veçmas. Për fat të keq, pavarësisht mbështetjes së fuqishme nga BE-ja, ShBA-ja, dhe vendet e tjera të Perëndimit, duket se respektimi i standardeve varet prej vullnetit politik, dhe është e qartë se ashtu do të jetë edhe në të ardhmen. Fakti se të gjitha standardet e Këshillit të Evropës janë të zbatueshme në rajon dhe se Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut jep sqarime të hollësishme në jurisdiksionin e saj nuk na ka ndihmuar shumë në këtë fushë.

Problemi i tretë lidhet me krimin dhe korrupsionin në rajon. Pavarësisht që zgjedhjet në rajon zakonisht fitohen përmes premtimeve “për ta zhdukur krimin dhe korrupsionin”, të gjitha hulumtimet e pavarura dhe jeta e përditshme vërteton se jemi larg asaj që quhet “nivel i pranueshëm i korrupsionit”. Nëse “Mini-Shengeni” përmirëson bashkëpunimin, është e rëndësishme të bashkëpunohet për ta adresuar krimin dhe korrupsionin në rajon. Fatkeqësisht, një fluturim komercial drejt Marsit është më i mundshëm sesa përparimet në këtë fushë.

Përpos këtyre tri problemeve themelore, është e nevojshme të barktisen të gjitha “përleshjet verbale” në rajon, dhe nevoja për “Amerikën” t’ua tregojë qejfin “ATYRE”, apo të përdoren mundësitë e tilla për populizëm dhe përfitime politike. Për shkak të politikës së Serbisë të viteve të 90-ta, nacionalizmit që është ende i gjallë sot, por dhe për faktin se presidenti i saj është një ndër nismëtarët e “Mini-Shengenit”, ajo duhet të jetë e para që ndërpren këtë praktikë. Truqet e vjetra ku liderët rajonalë fotografohen në mëngjes në Bruksel dhe japin deklarata populiste në mbrëmje nuk janë më interestante. Serbia duhet ta lë idenë e dominimit të rajonit, duke ua mohuar identitetin dhe interesat e të gjitha komuniteteve joserbe në rajon.

Njëri ndër argumentet kundër “Mini-Shengenit” është dëshira se një ide e tillë nuk zëvendëson anëtarësimin në Bashkimin Evropian, gjë drejt së cilës lëvizin të gjitha shtetet e rajonit. Sidoqoftë, kur ky process analizohet më thellësisht, është e qartë se është i ngrirë në këto gjatë shtete. Kur kjo diskutohet me vendimmarrësit në Burksel, ata do të thonë se shtegu i Kosovës dhe Serbisë drejt BE-së varet nga “marrëveshja e tyre ligjërisht e obligueshme”. Liberalizimi i vizave për Kosovën tani varet vetëm nga vullneti politik i anëtarëve të BE-së, kurse i njëjti vullnet ka bërë që të hapet vetëm një kapitull çdo gjashtë muaj me Serbinë. Për më tepër, është e mundshme që hapja e kapitujve të ndërpritet i gjithi nëse nuk ka përparime rreth sundimit të ligjit dhe negociatave me Kosovën. Kjo është e qartë se nuk do të ndodhë deri në fund të ciklit të zgjedhjeve në maj dhe formimit të qeverisë së re; pra, ndryshimet e mundshme pozitive mund të vijnë vetëm në gjysmën e dytë të këtij viti. Sa i përket Bosnjës e Hercegovinës, e vetmja gjë e qartë është se BE-ja tani e kupton plotësisht seriozitetin e situatës, por Burkseli s’ka ide se si BE-ja mund të ofrojë ndihmë. Mali i Zi mbase është rasti më interesant këtu sepse ka hapur 32 pre 33 kapitujve të anëtarësimit, dhe i vetmi kapitull i mbetur është mbi konkurrencën. Sidoqoftë, prej kapitujve të hapur, vetëm tri janë mbyllur. Përfaqësuesit e qeverisë malazeze zakonisht lëvdojnë vetveten si liderë rajonalë sa i përket integrimit evropian. Sidoqoftë, Komisioni Evropian është i frustruar, duke pasur parasysh se Mali i Zi nuk ka “pyetje të hapura”, por është shumë i ngadalshëm në implementimin e reformave të premtuara dhe çështjet e pranuara në Bruksel, gjëra që tregojnë për numrin e vogël e kapitujve të mbyllur.

Rastet e Maqedonisë dhe Shqipërisë njihen gjerësisht, por veç faktit se Franca bllokoi hapjen e negociatave, dhe qarkullimit e teorive konspirative lidhur me këtë, mediat nuk kanë publikuar fort hollësi faktike. Franca nuk ishte i vetmi shtet që doli kundër negociatave për anëtarësim. Ishte edhe Holanda, e cila mbante qëndrim të ngjashëm edhe në të kaluarën për arsye të qarta lidhur me sundimin e ligjit. Në anën tjetër, raportimet rreth asaj se Franca propozon reforma për procesin e anëtarësimit ishin kryesisht të bazuara në faktin se shtetet do të duhej të kishin qasje në fonde strukturore të BE-së para anëtarësimit, përderisa shumë nuk i dhanë rëndësi parimit të kthyeshmërisë që përmban reforma e propozuar. Për fat të keq, pritet që marrëveshjet mes anëtarëve të BE-së nuk do të ndodhin para samitit të majit në Zagreb, që ju jep shteteve arsye për të qenë joaktivë për disa muaj.

Përveç procesit të zgjerimit, të cilin shumica tashmë e quan mit, dhe se do të jetë e vështirë të arritet për shkak të arsyeve politike lidhur me anëtarët e BE-së, ide shumë e përhapur është se asgjë në rajon nuk mund të bëhet pa përfshirjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Rusisë. Sipas kësaj përralle me shumë admirues, është e panevojshme të veprohet në sundimin e ligjit, ndërtimin e institucioneve, lirisë së medias, dhe të drejtat e njeriut, sepse çdo gjë do të jetë reultat i marrëveshjeve mes ShBA-së dhe Rusisë, me të cilat do të pajtohet BE-ja dhe i gjithë rajoni “do të ecë përpara”. Ky paragjykim fort i rrënjosur është mbase më i rrezikshmi, sepse u jep arsye për papërgjegjësi të gjitha qeverive në rajon, por edhe për partitë opozitare, dhe të gjithë ata që do të zgjidhen në të ardhmen.

—-

Në muajt në vijim, bashkëpunimi në mes të platformave online Remarker dhe Sbunker do të sjellë një seri analizash që kanë për qëllim nxitjen e debatit të hapur e kritik mbi situatën aktuale në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Pas qëndrimeve të fundit nga Franca, një ndër shtetet anëtare me më së shumti ndikim në BE, rajoni po përballet me një ndër sfidat më të vështira të tri dekadave të fundit, prej kur shtetet e Ballkanit Perëndimor filluan rrugën e tyre të vështirë, fillimisht duke kaluar nëpër konflikte dhe pastaj në procesin e demokratizimit dhe integrimit evropian.

Qëllimi i Remarker dhe Sbunker është të krijojë njohje më të mirë të çështjeve aktuale në vendet e Ballkanit Perëndimor, dhe rritjen e vetëdijes mbi proceset e integrimit evropian, atë të demokratizimit dhe sundimit të ligjit, si kushtet kryesore për arritjen e paqes afatgjatë dhe stabilitetit në rajon. 

—–

Shkrimin në gjuhën serbe mund ta gjeni këtu, ndërsa në gjuhën angleze këtu.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.