Dialogu me Serbinë vazhdon të jetë sfida më e madhe diplomatike e Kosovës dhe procesi më i rëndësishëm në politikën e jashtme, duke ndikuar paralelisht edhe në funksionimin e brendshëm të shtetit. Edhe pse ky dialog synon normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve, shtatë vite pas fillimit të këtij procesi dhe dhjetë vite pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë mbeten shumë larg normales. Në sytë e qytetarëve të Kosovës dialogu me Serbinë po dështon në përmbushjen e qëllimeve kryesore. Për më tepër, qytetarët shprehën se ky dialog nuk po shërben si mjet për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, por më shumë po u shërben politikave të Serbisë në Kosovë, duke e konsideruar kështu Serbinë fituese të këtij dialogu.
Strategjia e BE-së për zgjerim në Ballkanin Perëndimor parasheh një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të detyrueshme midis Serbisë dhe Kosovës. Marrëveshja do të obligonte të dyja palët e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve dhe konsiderohet si e domosdoshme për përparimin e këtyre dy shteteve në rrugët e tyre evropiane. Shefja e Politikës së Jashtme e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, deklaroi se faza e re (e fundit) e dialogut Kosovë-Serbi është thelbësore për të dy vendet dhe se do të shpjerë drejt normalizimit të raporteve. Mirëpo, një vit para datës së mbylljes së dialogut, ende mbetet e paqartë se çka do të ngërthejë në vete ky normalizim dhe çfarë epilogu “historik” do të ketë.
Është e padiskutueshme se rezultati i fundit nga marrëveshja e normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi duhet të përcillet me njohjen e Kosovës nga Serbia. Megjithatë, edhe pse në fillim të dialogut kishte përshtypje se ky proces do të përfundonte me njohje, qasja e vazhdueshme armiqësore e Serbisë lë të kuptohet se mund të ketë edhe forma tjera të ‘normalizimit’- diçka të pranueshme për të dy palët- përveç njohjes.
Kompleksiteti i diplomacisë bashkëkohore mundëson ekzistimin e marrëdhënieve bilateriale në mes të dy shteteve që nuk e njohin njëri-tjetrin. Mirëpo, në rastin e Kosovës dhe Serbisë, çdo marrëveshje që nuk përfshin njohjen e Kosovës si rezultat i këtij dialogu, përfshirë këtu edhe ndonjë marrëveshje si ajo e fusnotës, paraqet rrezik ekzistencial për Kosovën. Kjo ndodh për shkak të orientimit fondamental të politikës së jashtme të Serbisë, që në thelb organizohet rreth mohimit dhe refuzimit aktiv të shtetësisë së Kosovës. Për të komplikuar më shumë situatën, dialogu mes Kosovës dhe Serbisë në politikën globale del të jetë tejet i rëndësishëm për njohjet ndërkombëtare të Kosovës, anëtarësimin në mekanizma ndërkombëtarë, procese këto që Serbia, përmes të njëjtit dialog, tenton t’i bllokojë.
Përderisa elita politike nga fillimi i këtij dialogu vazhdimisht thekson se Kosova po përfiton nga ky dialog, për qytetarët normalizimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi dhe progresi i Kosovës në procesin e integrimeve evropiane mbetet një ëndërr e largët dhe një premtim bosh.
Paqartësitë lidhur me agjendën, kohështrirjen, formatin dhe mungesa e vazhdueshme e transparencës kanë bërë që qytetarët të zhgënjehen nga ky proces, duke e parë veten totalisht të shpërfillur nga ky dialog. Qasja e tillë ka vazhduar ta rrisë edhe më shumë skepticizmin dhe mendimin negativ të qytetarëve rreth këtij dialogu. Kjo ka rezonuar edhe në rezultatet e matjeve të ndryshme të opinionit publik në Kosovë siç është Barometri Kosovar i Sigurisë.
BE vazhdimisht ka theksuar normalizimin si synim kyç të dialogut Kosovë-Serbi. Megjithëkëtë, rreth 58 për qind e të anketuarve janë shprehur se marrëveshjet e arritura në Bruksel nuk kanë fare ndikim në normalizimin e marrëdhënieve, rrjedhimisht nuk po ndikojnë në përmirësimin e situatës. Faktori kyç, i përmendur nga të anketuarit, që ka ndikuar në rritje të pakënaqësisë nga viti i kaluar ishte stagnimi i këtij procesi për një periudhë të gjatë. Viti 2017 i gjeti Kosovën dhe Serbinë me fokus të lartë në problemet e tyre të brendshme që çuan deri tek ndërprerja e dialogut. Kosova u gjet në një vakuum politik i përcjellë me vonesë të formimit të qeverisë së re, e zvarritje në emërimin e një personi përgjegjës për dialogun.
Në anën tjetër Serbia merrej me zgjedhjet presidenciale dhe rehatimin e akterëve të pushtetshëm në linjat formale të pushtetit. Ishin pikërisht këto zgjedhje presidenciale që i dhanë përparësi kandidatëve me retorikë nacionaliste, të cilat krijuan hutí tek qytetarët, së bashku me kohën e gjatë që po merr procesi dhe me sjelljen e pandryshueshme të Serbisë karshi Kosovës.
Për më tepër, incidentet si ai me trenin, me simbole kombëtare serbe e mbishkrime ‘Kosova është Serbi’ si dhe arrestimi i ish liderit të opozitës – tash kryeministrit Haradinaj – apo muri i betonit i vendosur nga autoritetet serbe në Mitrovicë, e vulosën mendimin e qytetarëve se dialogu ka dështuar në normalizimin e marrëdhënieve.
Duke pasur parasysh që Barometri mat edhe perceptimet e qytetarëve serbë, vlen të theksohet se përshtypja është e njëjtë. Rreth 61 përqind të serbëve deklaruan se dialogu nuk e ka ndryshuar situatën. Edhe pse janë përmendur e ndoshta edhe “përdorur” nga të dy palët, asnjëra palë nuk ka treguar se si do të integrohet popullsia serbe që jeton në veri të vendit, duke ngritur kështu, tek serbët e Kosovës, mosbesimin në procesin e dialogut.
Rreth 36 përqind të respondentëve besojnë se dialogu ka sjellë normalizim, deri diku, e ky perceptim vjen duke u bazuar kryesisht në marrëveshjen për lëvizje të lirë. Në mesin e marrëveshjeve që kanë qenë pjesë e dialogut, ajo e themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe ishte ajo që ngjalli më së shumti diskutime në mes të pushtetit dhe opozitës duke çuar në ngërç politik, por edhe duke rritur pakënaqësinë tek qytetarët.
Sa i përket temës më të debatuar në kuadër të këtij dialogu, Asociacioni i komunave me shumicë serbe, duke u ngjasuar qytetarëve me sistemin federal në Bosnje e Hercegovinë, ka shtuar frikën për rritjen e ndikimit të Serbisë në punët e brendshme të Kosovës. Kësisoj, 73 përqind e të anketuarve e shohin marrëveshjen e Asociacionit si tejet të dëmshme me ndikim domethënës në funksionimin e brendshëm të Kosovës. Ndryshe nga shqiptarët, rezultatet e Barometrit tregojnë se qytetarët serbë në Kosovë, të përdorur politikisht nga Beogradi, kanë pritshmëri të lartë për Asociacionin. Gjysma e të anketuarve serbë kanë qasje pozitive ndaj këtij Asociacioni, duke e parë si një instrument për të përmirësuar jetën e tyre në Kosovë.
Sipas Barometrit, shqiptarët dhe serbët e shohin njëri-tjetrin si fitues nga dialogu. Padyshim se në një dialog si ky me mungesë të transparencës, qytetarët krijojnë perceptime në mungesë të informacionit të mjaftueshëm. Krahas kësaj, 48 përqind e të anketuarve shqiptarë u shprehën se Serbia po përfiton nga dialogu, ndërsa shumica e respondentëve serbë thanë se përfituese është Kosova.
Qeveria e Kosovës asnjëherë nuk reshti së predikuari se Kosova është ajo që po përfiton nga ky dialog. Mirëpo, vetëm 9 përqind e të anketuarve shqiptarë mendojnë kështu. Ky perceptim tek këta 9 përqind të respondentëve lidhet me Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, që nga shumë qytetarë u pa si derë magjike për anëtarësimin e Kosovës në BE. Megjithatë, rënia prej 6 pikëve të përqindjes (15 në vitin 2016) tregon se besimi që Kosova po fiton më shumë se Serbia po zbehet çdo ditë e më shumë tek qytetarët.
Dialogu është një prej arsyeve kyçe se pse trajektorja e marrëdhënieve bilaterale dhe multilaterale e Kosovës mbetet ende komplekse edhe 10 vite pas shpalljes se pavarësisë, duke ndikuar paralelisht edhe në stabilitetin dhe sigurinë e brendshme të Kosovës. Gjetjet e Barometrit tregojnë se perceptimet e qytetarëve janë definitivisht reflektim i gjendjes aktuale në terren. Padyshim se një dialog pa rezultate të qarta edhe pas shtatë viteve në sytë e qytetarëve rezonon me një dialog të dështuar. Këto perceptime bëjnë thirrje për një konsensus të brendshëm politik, të paktën në këtë fazë të fundit të dialogut, i cili do të reflektonte në një pozicionim të Kosovës si palë e barabartë në sferën ndërkombëtare, por edhe do të përmirësonte sigurinë dhe jetesën në vend.