Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Narrativat e rreme ruse për Ukrainën dhe shtrirja e tyre në Ballkanin Perëndimor

*Përgatiti: Fitim Gashi

Rusia nuk e ka ndalur propogandën dhe lajmet e rreme për luftën në Ukrainë, krahas sulmeve ajrore dhe tokësore që i nisi prej 24 shkurtit të vitit 2022. Megjithë angazhimin e madh të organizatave jo qeveritare dhe mediave për demaskimin e propagandës dhe dezinformatave ruse, ato vazhdojnë të kenë ndikim tek një pjesë e shoqërisë ukrainase. Këtë e konfirmuan edhe verifikues të fakteve gjatë shkëmbimit të përvojave me një grup gazetarësh nga Ballkani Perëndimor, Lindja e Mesme e Azia. Në disa raste vërehen edhe ngjashmëri mes narrativave të cilat presidenti rus Vladimir Putin dhe vartësit e tij tentojnë t’i shpërndajnë në Ukrainë dhe vendet e Ballkanit Perëndimor.

Si për Ukrainën ashtu edhe për Ballkanin Perëndimor, këto narrativa synojnë krijimin e frikës duke e portretizuar këtë si luftë mes SHBA-së dhe Rusisë, e cila potencialisht mund të përshkallëzoj në një luftë bërthamore.

Qëndrimet ndaj ideologjisë neo-naziste

As qëndrimet ndaj ideologjisë neo-naziste nuk janë zbehur plotësisht në Ukrainë, konfirmon studimi me titull- “Aftësia e ukrainasve për t’i kuptuar mesazhet e propagandës ruse”.

Shumica e të anketuarve pajtohen me mesazhet pro-ukrainase dhe nuk pajtohen me ato pro-ruse. Megjithatë, kur analizuan çdo narracon studiuesit vunë re disa flamuj të kuq. Për shembull, rezultoi se 43% e të anketuarve në Ukrainë dhe 36% e ukrainasve jashtë vendit nuk u pajtuan me deklaratën se ideologjia naziste ose neo-naziste nuk është e përhapur në Ukrainë”, thotë Svitlana Slipchenko, menaxhere e projektit “VoxCheck”.

Sipas saj, ky është një nga shembujt e narrativave të rreme që Rusia ka përhapur për të paktën 9 vjet. Po ashtu ka deklarata të vazhdueshme që u atribuojnë të gjitha format e nazizmit ukrainasve, duke justifikuar të ashtuquajturin operacion special me pretendimin mbi ‘Denazifikimin’ e Ukrainës. Arsyeja që narrativa propagandistike është kaq e përhapur qëndron në perceptimin se është ngulitur thellë në fluskën e informacionit ukrainas.

Veç kësaj, qeveria ukrainase heshti, duke e lënë këtë veprim të kalonte pa reagim, përgënjeshtrim apo shpjegim, të koordinuar në të gjitha nivelet nëntë vjet më parë, ndryshe nga narrativat moderne false që po mohohen në fazën e hershme të përhapjes së tyre”, shprehet Slipchenko.

Ndërkaq agjencia e lajmeve “Internews-Ukraina” ka identifikuar 10 narrativat më të shpeshta të propagandës ruse, që nga fillimi i luftës. Mes tyre janë- “Ukraina nuk ka ekzistuar”, “Rusia po e mbron Ukrainën”, “Gjithçka po shkon sipas planit- Rusia fiton, Ukraina humb”, “Ushtria e NATO-s po i afrohet kufijve tanë”.

Image

Referuar kësaj, Putini është thellësisht i përfshirë në përhapjen e narrativave të rreme rreth luftës, duke kërkuar të portretizojë “operacionin ushtarak special” të Rusisë si një mision pan-sllav për të bashkuar ukrainasit me “Nënën Rusi”.

Pretendimet e rrejshme për mercenarët nga Ballkani

Zgjatimin e propagandës dhe narrativave dezinformimuese ruse në rajonin e Ballkanit Perëndimor i ka identifikuar edhe rrjeti i verifikuesve të fakteve nga gjashtë shtetet e rajonit, pjesë e të cilit është edhe Sbunkeri.

Procesi i monitorimit të mediave në Maqedoninë e Veriut, Shqipëri, Kosovë, Serbi, Malin të Zi dhe Bosnje e Hercegovinë në kuadër të të Iniciativës Rajonale të Ballkanit Perëndimor kundër dezinformimit – “Qendra kundër dezinformatave në Ballkanin Perëndimor: ekspozimi i ndikimeve keqdashëse përmes gazetarisë mbikëqyrëse”, vë në dukje se tema më e shpeshtë e dezinformatave ishte “Lufta ruse në Ukrainë”. Rrëfimet ndërtohen në atë mënyrë ku tentohet të paraqitet një pamje negative e Ukrainës si një shtet neonazist. Narracioni tjetër më i shpeshtë ishte se ai se kinse- “Perëndimi është përgjegjës për luftën”, që do të thotë “Lufta është në të vërtetë midis SHBA-së dhe Rusisë”, krahas narrativës se “zgjerimi i NATO-s është fajtor për agresionin e Rusisë”.

Ekzistojnë shembuj të ndryshëm që dëshmojnë ngjashmëritë mes narracioneve dhe dezinformatave që kanë hasur verifikuesit e fakteve në Ukrainë dhe Ballkan.

Në Kiev, një ndër ekipet kryesore të verifikuesve të fakteve është “VoxCheck” që ka monitoruar 93 media të njohura në gjashtë vende të Evropës- Gjermani, Itali, Republikën e Çekisë, Sllovaki, Poloni e Ukrainë. Sipas tyre, lajmet më të shumta janë ato që ndërlidhen me pretendimet për mercenarët e huaj në luftën e Ukrainës.

Por lista e shteteve të prekura nga kjo narrativë është më e gjatë. Kjo narrativë burimin e ka në ministrinë e jashtme të Rusisë e cila krahas shteteve tjera në listë kishte përfshirë edhe Kosovën e Shqipërinë. Edhe pse qasja në mediat ruse për publikun kosovar është e ndaluar, kjo listë pati nxitur reagime zyrtare nga Kosova.

Zyrtarë të qeverisë patën deklaruar se asnjë shtetas kosovar nuk është duke luftuar në Ukrainë dhe se këto janë pretendime të Rusisë për të arsyetuar luftën në Ukrainë. Njësoj ëshë deklaruar dhe kryeministri i Shqipërisë Edi Rama gjatë një vizite në Kosovë, duke thënë se “kur bëhet fjalë për luftëtarët në Ukrainë, Putini dhe Lavrovi gjithmonë e përmendin Shqipërinë dhe Kosovën”.

Analogjitë e paqëndrueshme të Putinit

Përveç pretendimeve për mercenarët, në Ukrainë janë shpërndarë edhe artikuj përmes të cilëve tërhiqen analogji mes luftës në Kosovë në vitin 1999 dhe asaj në Ukrainë. Në njërin prej tyre, kritika ndaj pushtimit të një shteti tjetër nga Rusia është cilësuar si hipokrite, meqë sipas tyre, të njëjtën gjë e kishte bërë edhe NATO-ja kur bombardoi ish-Jugosllavinë.

Megjithëkëtë organizata kredibile në Ukrainë e kanë të qartë se rasti i Kosovës në vitin 1999 dhe ajo çfarë po ndodh tash në Ukrainë, janë dy situata krejtësisht të ndryshme.

Për t’i ndalur dezinformatat dhe propagandën ruse, institucionet e Kosovës rritën kujdesin në fushën e sigurisë dhe vendosën sanksione ndaj Rusisë të cilat prekën pjesërisht edhe sferën e informimit, me bllokimin e përkohshëm të disa kanaleve ruse.

Përveç Ukrainës, Rusia nuk i ka ndalur përpjekjet që të hapë një vatër tjetër të konfliktit në Ballkanin Perëndimor. Rikthimi kohë pas kohe i tensioneve në veriun e populluar me shumicë serbe ka bërë që Kosova të konsiderohet vend me potencial destabilizimi për shkak të raporteve jo të mira fqinjësore me Serbinë.

Në Serbi ka forca gjithnjë e më të rrezikshme që mbështesin Putinin, i cili është i interesuar ta shpërndajë konfliktin edhe në rajonin e Ballkanit.

Referuar zhvillimeve aktuale, në Ukrainë ekziston bindja që nëse lufta vazhdon edhe për një kohë të gjatë, do të shohim më shumë tendenca për të dezinformuar opinionin publik dhe për të krijuar situata me qëllim të shpërndarjes së konfliktit edhe hapësira të tjera, siç është Ballkani Perëndimor.

*Ky artikull publikohet në kuadër të Iniciativës Rajonale të Ballkanit Perëndimor kundër dezinformimit. “Qendra kundër dezinformatave në Ballkanin Perëndimor: ekspozimi i ndikimeve keqdashëse përmes gazetarisë mbikëqyrëse.”

Lexoni Gjithashtu

Analizë

Katër ditë para Vitit të Ri, më 27 dhjetor 2023, Qeveria e Kosovës miratoi në heshtje Projektligjin për Komisionin e Pavarur për Media, i...

Analizë

Viti i parë i Qeverisë Kurti shënoi një start të vështirë në politikën e jashtme, shoqëruar me shumë gabime diplomatike dhe dështime të protokollit....

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Analizë

Në epokën me hovin më të madh teknologjik, shtetet u kushtojnë rëndësi të veçantë prezencës së tyre digjitale në rrjetet sociale, si dhe kualitetit...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.