Sa do të ishit të kënaqur si qytetarë? Sa do të ishte interneti efikas, i shpejtë, apo stabil?
Unë do të isha i tmerruar për faktin e thjeshtë se komunat e Kosovës kanë dëshmuar vazhdimisht se janë të paafta për të ofruar edhe shërbimet më minimale për qytetarët e tyre.
E nëse edhe ju ndjeheni kështu, atëherë ndoshta duhet ta rishqyrtojmë thelbësisht idenë e ofrimit të shërbimeve nga komuna. Ndoshta këto shërbime munden dhe duhen të ofrohen nga kompanitë private në konkurrencë me njëra tjetrën, ashtu siç ofrohet interneti privat me kushte pakrahasim më të mira sesa interneti hipotetik i komunës.
Fundi-fundit, çfarë i dallon shërbimet e tjera komunale nga interneti që ato të mos ofrohen privatisht? Disa ekonomistë janë munduar ta gjejnë një dallim. Ata kanë argumentuar që një lloj i shërbimeve që njihen si “mallra publike” (ang. public goods) mund të ofrohen vetëm nga shteti apo komunat sepse janë “jorivale” dhe “të papërjashtueshme”.
Çfarë do të thonë këta terma? Me jorivalitet nënkuptohet që përdorimi apo konsumi i shërbimit nga një individ nuk e zvogëlon sasinë për të tjerët. Për shembull pa marrë parasysh sa dëgjohet një radio, valët e saj nuk shterin për të tjerët.
Kurse me papërjashtueshmëri nënkuptohet që individët nuk mund të përjashtohen veç-e-veç nga përdorimi i shërbimit. Për shembull nëse një pajisje e pastron ajrin e qytetit, nuk është e mundur që disa qytetarë të përjashtohen nga dobia e ajrit të pastër apo që ai ajër t’u ofrohet vetëm disave. Brenga është që nëse nuk mund të përjashtohen ata që nuk paguajnë për shërbimin dhe rrjedhimisht e shijojnë atë falas (ang. free ride), atëherë as të tjerët nuk do të kenë më motiv të paguajnë. E kur askush nuk paguan, do të ketë më pak leverdi për prodhimin e pajisjeve të tilla.
Ekziston një literaturë e gjerë ekonomike që e kritikon ashpër të gjithë konceptin e “mallrave publike”, por për këtë temë mjafton të thuhet që asnjëri shërbim i komunës nuk e përmbush asnjërin nga këto dy kritere për t’u cilësuar i tillë.
Merrni shembull cilindo shërbim. Për shembull pastrimin. Është e qartë që ata që nuk paguajnë lehtësisht mund të përjashtohen nga shërbimi i pastrimit. Nëse në një rrugë vetëm disa banorë paguajnë, është e mundur që vetëm atyre t’u pastrohet rruga. E njëjta vlen edhe për shërbimet e tjera, si për shembull menaxhimin e ujërave të zeza. Nëse nuk paguan, nuk të kyçin fare në rrjet.
Është po ashtu e qartë që të gjitha shërbimet komunale janë rivale, për faktin se përdorimi i tyre detyrimisht e zvogëlon sasinë që mund të përdoret (konsumohet) nga dikush tjetër. Për shembull, kur komuna i nxjerr në rrugë kamionët e pastrimit në një lagje, meqë sasia e tyre është fikse dhe ata nuk mund të ekzistojnë në dy vende në të njëjtën kohë, një lagje tjetër mbetet detyrimisht më pak e shërbyer. E njëjta vlen edhe për ujin: kur një individ konsumon ujë, ai detyrimisht e zvogëlon sasinë e disponueshme, veçse kjo vërehet vetëm kur kërkesa totale është më e madhe se sasia totale.
Pra, nuk ka asgjë të veçantë për shërbimet komunale që ato të ofrohen vetëm nga komunat e jo nga kompanitë private në konkurrencë me njëra tjetrën. Kompanitë private janë më efektive dhe efikase për faktin se (ndryshe nga komuna) të ardhurat nuk i kanë të garantuara nga taksapaguesit, por duhet t’i fitojnë duke i bindur konsumatorët me produkte dhe shërbime të mira.
Ato kompani që dështojnë të ofrojnë shërbim të mirë përballen me humbje dhe eventualisht falimentim, kurse ato që i shërbejnë mirë konsumatorit shpërblehen me fitime. Ky mekanizëm i konkurrencës së tregut i nxit kompanitë private të ofrojnë shërbime më të mira me çmime më të lira sesa komunat.
Edhe shërbimet që tradicionalisht janë ofruar nga komunat, si nxjerrja e dokumenteve të ndryshme personale, mund të ofrohen nga kompani private të licencuara që punojnë vetëm me materiale dhe të dhëna që i autorizon qeveria. Nëse një zyrtar komunal i paaftë nuk mund ta shtypë Ctrl+P për printim, stafi i kualifikuar i kompanive private s’do ta ketë problem.
Por komunat nuk ofrojnë vetëm shërbime. Ato janë të ngarkuara gjithashtu edhe me çështje si zhvillimi ekonomik lokal, planifikimi urban dhe rural, zbatimi i rregulloreve të ndërtimit dhe i standardeve për kontrollimin e tij, shëndetësia publike, etj. E nëse shuhen, kush do t’i kryejë këto funksione?
Këto funksione mund të kryhen lehtësisht nga qeveria qendrore. Komunat nuk kanë dëshmuar ndonjë përparësi ndaj qeverisë në kryerjen e këtyre funksioneve nga aspekti organizativ apo i performancës.
Komunat janë krijuar mbi parimin e lokalizmit (që vendimet të merren sa më afër atyre që preken nga to) dhe të konkurrencës politike (që të konkurrojnë në ofrimin e një ambienti më të mirë për të tërhequr qytetarët).
Por përvoja e pasluftës ka treguar që këto dy parime nuk kanë bërë që komunat të shkëlqejnë në përmbushjen e funksioneve të tyre. Ato kanë qenë vazhdimisht ose të paafta ose të korruptuara në çështjet e infrastrukturës publike, planifikimit urban, apo lejeve të ndërtimit. Dhe qytetarët kanë bërë pak për ta ndryshuar këtë sepse i kanë votuar thuajse vazhdimisht të njëjtit kryetarë e parti.
Shuarja e komunave dhe ofrimi i shërbimeve nga tregu do ta rriste dukshëm cilësinë e tyre dhe do t’i zvogëlonte kostot. Qytetarët do të kurseheshin nga taksat komunale kurse buxheti do kursehej nga zgjedhjet lokale dhe një pjesë e madhe e stafit lokal. Bartja e funksioneve dhe përgjegjësive ligjore tek qeveria qendrore nuk do të rezultonte domosdo në ndonjë rritje të performancës, por as në një dobësim të saj.
Ndoshta qeveria do të ishte më e aftë në kryerjen e këtyre funksioneve pa u përballur me konflikte të kompetencave (për shembull zhvillimin ekonomik) në 38 komuna. Qasja e zhvillimit të vendit do të ishte gjithashtu më e kalibruar, për dallim nga asimetria aktuale që ka lënë shumicën e rajoneve të pazhvilluara dhe i ka detyruar thuajse të gjithë të vijnë të jetojnë dhe punojnë në Prishtinë.