Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

“Nga Shqiptarisma në Neo-shqiptarismë”: vizioni i Branko Merxhanit

Edhe pas tetëdhjetë vjet të shuarjes së veprimtarisë së tij intelektuale në Shqipëri dhe nëntëdhjetë vjet pas propozimit të doktrinës së tij ideologjiko-politike të “neoshqiptarismës”, idetë e Branko Merxhanit meritojë vëmendje të veçantë dhe studim serioz. Doktrina e “neoshqiptarismës” mbetet intriguese dhe brumë për mendim e mbase edhe për frymëzim në situatat e reja të kombit, por me problemet e vjetra të tij.

Një nga intelektualët e shquar të kombit, i angazhuar në periudhën e pasur me diskutime të gjalla intelektuale politiko-kulturore në Shqipërinë mes dy luftërave botërore, është edhe Branko Merxhani. Lindë e rritë në Turqi, dhe shkollu në Stamboll e Gjermani, ai ishte i familjarizuar edhe me problemet e debatet mbi drejtimet intelektuale dhe programet politike e kulturore në prag të themelimit të Turqisë postperandorake, si edhe me arritjet bashkëkohore filozofike e sociologjike në Perëndim. Veprimtaria publicistike dhe kuazi-shkencore e Merxhanit duhet të shihet si angazhim në debatet intelektuale të kohës në Shqipërinë e fundviteve të njëzeta dhe tridhjeta të shekullit të shkuar, kur si alternativa politike po propozoheshin monarkizmi absolut, fashizmi, bolshevizmi, oksidentalizmi në kuptimin kapitalizëm dhe kristianizëm (Branko Merxhani, Vepra: 13).

Për fat të keq, regjimi enversit qëllimisht e kishte lënë në harresë atë, për arsye ideologjike. Merxhani nuk ka qenë gjerësisht i njohur as te ne në Kosovë, me përjashtim për lexuesin e specializuar që ka mundur ta njohë atë përmes një diskutimi kritik nga sociologu Gani Bobi në një pjesë të librit të tij Paradoks kulturor (Rilindja, 1986 dhe Dukagjini, 1997). Vetëm me ribotimin në Prishtinë të një përmbledhjeje të mëhershme në Tiranë të shkrimeve të tij të titulluar “Formula të neo-shqiptarismës” të vitit 1996, Merxhani bëhet i njohur edhe për lexuesit e gjerë kosovarë. Në vitin 2003 në Tiranë, një botim i titulluar “Vepra” përmbledh shkrimet e tij të botuara në shtypin e kohës “Demokratia”, “Illyria”, “Minerva” dhe “Përpjekja shqiptare” (në vijim e referuar si B. M. Vepra).

“U bëmë Shtet para se të mrrijmë të plotsojmë formimin t’onë si Shoqëri” – “Neoshqiptarisma” si alternativë

Merxhani veproi në një periudhë pas konsolidimit të shtetit shqiptar, shoqëria e të cilit vuante nga probleme të mëdha ekonomike, politike, sociale e kulturore dhe kishte ngecur në rrugën e zhvillimit në të gjitha sferat. Projekti i Merxhanit përbënte një angazhim mendor për adresimin e këtyre problemeve dhe kishte për synim ta bënte shoqërinë moderne shqiptare në rrethana të reja politike e kulturore të shtetit kombëtar si demokraci e re në themele të reja “duke hedhur poshtë kalbërisën e trashëguar…” (B. M. “Problemi i shqiptarismës dhe Sociologjia”, 1936). Projekti i Merxhanit për modernizim të shoqërisë shqiptare nuk i shihte si të përshtatshme pikëmbështetjet tradicionale të “të Vjetërve”, siç ishte sistemi i vjetër feudal, ai Osman, por as pikëmbështetjet e reja të shekullit, si ato fashiste që ishte propozuar nga qarqet pro-italiane të Shkodrës dhe ato bolshevike, të propozuar nga intelektualët e majtë në Korçë. Merxhani kishte refuzuar këto doktrina, “as fashistë, as bolshevikë, as liberal e as absolutist, por demokratë…” (B. M. Vepra: 409).

Alternativa e propozuar nga ai dhe bashkëpunëtori i tij, Vangjel Koço, ishte një program modernizues oksidental sipas modelit të qytetërimit modern perëndimor si pikëmbështetje, por gjithnjë duke ruajtur elementet e kulturës shqiptare. Këtë alternativë ai e kishte emërtuar “neoshqiptarisma”. Ajo ishte thirrje për një kuptim të ri të kombit. Ideatori i saj besonte se shqiptarët kishin nevojë për riedukim, ndërsa Shqipëria për riorganizim të sistemit arsimor. Më tutje, ai besonte se arritjet filozofike dhe njohuritë sociologjike do të ndihmonin në bërjen e shoqërisë moderne shqiptare të cilën e aspironte ai. Në këtë kuptim, Merxhani shprehej “feneri i Shkencës sociologjike” do të ndihmojë në “gjurmimin dhe zbulimin e shkaqeve të thella të prishjes s’onë shoqërore që na la si trashëgim e shkuara” (B. M. “Problemi i shqiptarismës dhe Sociologjia”, 1936). Kështu, ai solli një frymë të re në debatet kulturore shqiptare, pasi që ishte ndër intelektualët e hershëm që në mjedisin intelektual shqiptar prezantoi Sociologjinë dhe disa nga sociologët më të njohur të kohës, por edhe popullarizoi në shqip filozofë e psikologë europianë, si Bergsonin, Descartesin, Freudin, e të tjerë.

“NGA PERËNDIMI! – Ja sgjidhja e ÇLIRIMIT MENDOR të popullit t’onë” – “kultura” dhe “qytetërimi”

Për Merxhaninin, përfshirja në Qytetërimin Oksidental nuk kishte alternativë. Por, me këtë ai nuk nënkuponte shkrirjen e kulturës kombëtare në këtë qytetërim. Ai bënte dallim midis nocioneve “qytetërim” dhe “kulturë” duke e lidhë kulturën me kombin, domethënë me “jetën fetare, morale, ligjore, esthetike, gjuhësore, ekonomike dhe shkencore të një populli”, ndërsa “qytetërimi do të thotë socialitet i shtazavet shoqërore të shumë popujve, që janë të një bote.” (B. M. Vepra: 140). Me fjalë të tjera, Merxhani e sheh Qytetërimin Oksidental si një bashkësi të kulturave të popujve perëndimorë. Ndërsa kultura nuk është rezultat i vullnetit të qëllimshëm, qytetërimi është një krijesë artificiale, pra e qëllimshme. Kultura duhet të zhvillohet që të mos përpihet nga qytetërimi, pasi që “shvillimi i nxituar i një Qytetërimi e dërmon Kulturën Kombëtare dhe i dërmon Kombet (B. M. Vepra: 142).

Në një shkrim të mëhershëm, Enis Sulstarova ka vërejtur se mendimi i Merxhanit ishte ndikuar me të madhe nga ai i sociologut dhe ideologut të kombit turk, Ziya Gokalp. Për Gokalpin, kultura ka të bëjë me kombin, domethënë me sferat morale, ligjore, fetare, intelektuale, estetike, ekonomike e teknologjike kombëtare, ndërsa qytetërimi është ndërkombëtar ose shuma e institucioneve që i kanë të përbashkët disa kombe që kanë arritur të njëjtin nivel zhvillimi. Qytetërimi është një prodhim racional i veprimeve të ndërgjegjshme të njerëzve, kurse elementet kulturore janë produkt i shoqërisë (Enis Sulstarova, “Jetë paralele: Idetë e Zija Gëkalpit dhe Branko Merxhanit mbi kombin dhe modernizmin”, Përpjekja, Viti XII, nr.24, 2007: 117).

Vizioni i Merxhanit ishte se kultura kombëtare shqiptare duhet “të shartohet” (B. M. Vepra: 141) me qytetërimin oksidentat, sepse “që të zhvillohet jeta kombëtare, kemi nevojë për një bashkëveprim të ngushtë të kulturës me qytetërimin” (B. M. Vepra: 144), “NGA PERËNDIMI! – Ja sgjidhja e ÇLIRIMIT MENDOR të popullit t’onë. Kjo është vepra KRIJONJËSE,  që pret punëtorët e saj trima dhe të devotuar. Djemtë t’onë të mësuar e kanë për detyrë të gjyrmojnë dhe të çfaqin  KULTURËN KOMBËTARE, që gjëndet vetëm brënda në shpirtin e popullit, dhe T’A SHARTOJMË ME QYTETËRIMIN OKSIDENTAL TË TËRË E TË GJALLË!” (B. M. Vepra: 143).

“(Shteti) ësht vepra e njerëzve të veprimit, (Shoqërija=Kultura) ësht vepra e njerëzve të mendimit” –  “politika” dhe “kultura”

Në një nga numrat e parë të revistës “Përpjekja shqiptare”, Merxhani, si drejtues i saj, kishte paralajmëruar se temat bosht që do të rriheshin në të do të ishin kulturore dhe jo politike… (B. M. Vepra: 395). Duke e dalluar nocionin e kulturës nga atë të politikës, ai do të theksonte nevojën që shoqëria e re e aspiruar shqiptare të shtrojë temat për shqyrtim sipas një metodologjie shkencore nën rigorozitetin e mendimit kritik me qëllim të gjetjes së të vërtetave, pavarësisht preokupimit me pushtetin ose praktikën politike se kush duhet të sundojë, si të arrihet pusheti, si të veprohet e çfarë politikash të ndiqen pasi të arrihet ai, e nënkuptime të ngjashme të nocionit të politikës.

Në këtë kuptim, Merxhani shprehej: “Çdo shoqëri çfaq dy fare vullnete sociale, e para është Kultura e dyta është Politika. Kultura përmbledh të gjitha përpjekjet theorike dhe përshtypjet spiritualiste ose materialiste të një shoqërie. Kurse politika përmban dhe përmbledh të gjithë mundimet praktike që bën një grup shoqëror brënda rrokullimeve të historis së vet. Puna e Kulturës, në parim, është një punë mendimi, që ecën kryesisht drejtë zbulimit të së Vërtetës. Politika, në parim, edhe kjo një punë mendimi, por një punë që nuk ka si qëllim kryesor të gjejë të vërtetën: Politika ecën drejt për drejtë për në Fuqi dhe për në Pushtet. Roli i njeriut të Kulturës kufizohet në gjurmimin dhe në përhapjen e të Vërtetës” (B. M. Vepra: 141-2). Mirëpo, mendimtarët, “artistët, moralistët dhe filosofët”, duke qenë të zhveshur nga autoriteti politik, nuk mbështeten në “bajonetën e xhandarit” për të imponu idetë e tyre. “Këta [vetëm] i propozojnë popullit ndjenjat dhe mendimet e tyre. (B. M. Vepra:  397-8).

Merxhani këtu propozon një veprimtari intelektuale të lirë nga kufizimet politike e të pushtetit, por edhe të pandihmuar nga mekanizmat detyrues të pushtetit për imponim të mendimit tek qytetarët. Një praktikë që do të privilegjonte një mendim në dëm të të tjerëve do të pengonte zhvillimin e lirë të mendimit dhe do ta cenonte “sheshin e lirisë”, në të cilin zhvillohet mendimi e prodhohet kultura. Ai ndjente nevojën e garantimit të mendimit të lirë dhe të prodhimit të kulturës nga të gjitha anët e qarqet e kohës. Vetëm në rrethana ku politika nuk e skllavëron kulturën, duke ndërhyrë për të privilegjuar mendimin dhe kulturën që e parapëlqen dhe për të shtypur të tjerat, gjendja politike dhe kulturore e kombit do të mund të përparonte drejt qytetërimit. “Kombet që dijnë mirë të ndajnë njërën nga tjetra, këto dy farë veprimtarie shoqërore, përparojnë […] Përkundrazi, kur këto dy gjëra trazohen midis tyre, atje kultura bëhet skllav i politikës dhe humbet kuptimin e qënies së vet; dhe nga ana tjatër edhe politika fshin dhe ç’vleftëson çdo lloj përpjekjeje që ka si qëllim të ndihmojë shoqërinë në ecjen e sajë drejt përparimit dhe qytetërimit. Dhe kështu shkatërohen dhe degjenerohen të gjitha. Politikani mbetet pa dritë. Intelektuali bëhet dallkauk” (B. M. Vepra: 400).

Drejt një “pikë-mbështetjeje të shëndoshë” për një “Shqipëri morale” – Përfundim

Natyrisht, “neoshqiptarisma” është një utopi e parealizuar. Vizioni i Branko Merxhanit u shua me pushtimin italian të Shqipërisë për të mos arritur as të sqarohej mirë në mendje, e as të jetësohej në praktikë. Merxhani u kthye në Stamboll, dhe la pas Shqipërinë bashkë me problemet e saj. Por, gjithsesi, doktrina e “neoshqiptarismës” mbetet intriguese dhe brumë për mendim e mbase edhe për frymëzim në situatat e reja të kombit, por me problemet e vjetra të tij. A nuk mund të thirret edhe sot, siç e thërriste nëntëdhjetë vjet më parë Merxhani: “Jeta e jonë shoqërore nuk ka fituar ende një pikë-mbështetje të shëndoshë. Shqipëria morale nuk është krijuar ende.” (B. M. Vepra: 396).

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.