Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Nga Zagrebi në Zagreb: Njëzet vjet amullie për reforma politike

Më 6 maj, njëzet vjet pas samitit të parë, udhëheqësit e BE-së dhe të shteteve të Ballkanit Perëndimor, të ashtuquajturave ‘WB6’, u rimblodhën në Samitin e dytë të Zagrebit që u mbajt në internet për shkak të pandemisë. Në vitin 2000, BE u kishte ofruar atyre procesin e Stabilizim-Asociimit (pSA), të përbërë nga Marrëveshjet e Stabilizim-Asociimit (MSA-të) dhe negociatat e anëtarësimit si hapa drejt këtij të fundit. Përderisa Kroacia është anëtarësuar në vitin 2013, ambicia e pathënë ishte që deri tash WB6 të ishin anëtarësuar, ose së paku të ishin në rrugë të sigurt drejt tij, pritshmëri kjo e bazuar në faktin se shtetet ish-komuniste që janë anëtarësuar në vitin 2004 e kanë arritur këtë për pesëmbëdhjetë vjet.

Pas dy dekadash, të gjitha vendet WB6 nuk kanë mbërritur as në gjysmën e rrugës drejt anëtarësimit. Prej atëherë e deri më sot ata janë duke zbatuar MSA-të e tyre ose duke negociuar shumë ngadalë. Por, reformat domethënëse politike që kërkohen nga kriteret politike në masë të madhe kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë në gjendje amullie. Parlamente të brishtë e të përçarë e qeveri jetëshkurtra si institucione demokratike; zgjedhje pamjaftueshmërisht të lira e të drejta; kërcënime ndaj lirisë së shprehjes dhe lirisë së mediave; shkelje të të drejtave të njeriut; administrata publike të paefektshme; mungesë serioze të sundimit të ligjit, përkeqësuar nga korrupsioni, krimi dhe gjyqësorë të dobët; si dhe probleme bilaterale që shkojnë deri te mohimi i vet ekzistencës së një shteti fqinj. Lista është e gjatë, gjë që thjesht tregon se reformat politike janë, në rastin më të mirë, në amulli, e në më të keqin, në regres, duke e rënduar kështu një vazhdimësi varshmërie që manifestohet nga nevoja për ndërhyrje ndërkombëtare për të zgjidhur bllokada të pafundme për shkak të interesave të ngushta, të papërfillshme, të akterëve politikë dhe individëve të pushtetshëm.

Ka kontraste të jashtëzakonshme që janë simptoma tipikë të amullisë së reformave politike. Njëri prej tyre janë barrierat politike dhe burokratike ndaj pjesëmarrjes gjithëpërfshirëse në nismat rajonale të sponsorizuara nga BE, në kontekstin e përhapjes së shpejtë të tyre. Një tjetër është minimi i hapur i shtetësisë së një fqinji në arenën botërore, krahas një zotimi formal ndaj një dialogu që medoemos çon te njohja e saj. Një tjetër është fushata agresive për çnjohje, ndërkombëtarisht, të folurit hapur për vendosje kufijsh përgjatë vijave etnike dhe shkelje të heshtura të marrëveshjeve për tregti të lirë që nxisin kundërmasa hakmarrëse, në kontekstin e një zotimi formal për marrëdhënie të mira fqinjësore dhe tregti të lirë. Gjithashtu ka mohim të hapur të shkeljeve të të drejtave të njeriut që kanë ndodhur në të kaluarën, në kontekstin e marrëdhënieve ndërshtetërore, dhe neglizhim të shkeljeve të tanishme brenda vendeve, krahas një zotimi formal para BE-së ndaj standardeve më të larta të të drejtave të njeriut. Këto dhe shumë të tjera ka penguar dhe vazhdojnë të pengojnë seriozisht çfarëdo reformash politike që do të tregonin përkushtim të njëmendtë për integrimin rajonal ose në BE. Mesazhi që i jepet BE-së është një problem serioz besueshmërie në raport me misionin për të kultivuar dhe respektuar vlerat dhe parimet evropiane, një problem serioz besueshmërie për shoqëri që zgjedhin udhëheqës të cilët janë shumë më të zellshëm për të manipuluar rregullat e lojës në njësitë e tyre politike demokratike sesa për reforma politike të cilat i premtojnë, me aq mburrësi kinse të përulur, para BE-së dhe qytetarëve të tyre.

Marrë parasysh këtë sfond amullie politike, samiti i sivjetshëm shërbeu si rast për t’i miratuar formalisht ndryshimet në politikën e zgjerimit të BE-së që do të shpallen nga Komisioni Evropian në Strategjinë e Zgjerimit, në qershor. Këto risi të kësaj politike janë kryesisht në aspektin e zbatimit të saj, jo në përmbajtje. Pas dy dekadash, BE edhe më tej u ofron ‘partnerëve’ të WB6 diçka aq të vagullt sa një ‘perspektivë evropiane’, një status që u është dhënë shteteve post-sovjetike, përmes Partneritetit Lindor, një lloj kornize marrëdhëniesh pa qëllim anëtarësimin e plotë. Dikush këtu mund të shohë rrezik se politika e zgjerimit po rrëshqet duke u larguar nga pSA, një kornizë kjo marrëdhëniesh e cila shprehimisht ka për qëllim anëtarësimin. Për më tepër, duke mënjanuar çfarëdolloj përmendje të një kornize kohore për anëtarësim, BE bën hapa mbrapa nga qasja e shpallur në vitin 2018 për të bërë pjesë të saj rajonin në tri rrathë: Mali i Zi dhe Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, dhe Bosnja e Hercegovina dhe Kosova. Në vend të kësaj, falë trysnive të brendshme ndaj zgjerimit të BE-së që çuan në ‘metodologjinë e re’ të propozuar nga Presidenti francez Macron, këto ndryshime e privojnë politikën e zgjerimit nga kufizimet kohore që në të kaluarën kanë stimuluar në masë të madhe reformat në vendet aderuese.

Për më tepër, përveç që zbatimi i MSA-ve dhe negociatat e anëtarësimit do të ecin pak a shumë paralelisht, një ndryshim tjetër është përfshirja e gjerë dhe e drejtpërdrejtë e Shteteve Anëtare në procesin e reformave dhe roli i tyre i zgjeruar në vendimmarrje. Marrë parasysh se duhet respektuar rregulli i unanimitetit, të arrish që të 27 anëtarët të bien dakord për një gamë të pafundme çështjesh në të gjitha fushat sigurisht se do ta bëjë punën e anëtarësimit në BE shumë më të rënduar dhe të stërzgjatur në kohë. Kjo gjithashtu do ta rrezikojë politizim të mëtutjeshëm të vendimmarrjes duke ua hapur derën Shteteve Anëtare të marrin vendime bazuar në interesat e tyre më të ngushta të brendshme dhe dinamika e ndjeshmëri të tilla, madje edhe në ciklet zgjedhore. Shto kësaj edhe rolin e dobësuar të Komisionit Evropian si shtytësi më profesional, objektiv dhe neutral i politikës së zgjerimit, dhe ka fort mundësi që rezultati të jetë që anëtarësimi i plotë në BE të bëhet më i paparashikueshëm dhe i pasigurt për secilin WB6.

‘Zagrebi 2020’ do të duhej të shënonte një njëzetvjetor hapash të mëdhenj historikë të bërë që nga ‘Zagrebi 2000’, i cili – duke bërë një orvatje që të shkruante historinë e Ballkanit Perëndimor paraprakisht, siç ka bërë BE e tanishme gjatë rritës së vet përmes politikës së saj të samiteve – kishte vënë si ambicie një kapërcim epokal nga kombet e qeverisura prej shtetesh të brishta e të papërfunduara drejt ‘postkombeve’. Marrë parasysh të kaluarat e ndara përgjatë vijave etnike, të kaluara këto edhe rivalizuese – dhe në mungesë të një hapësire publike politike e vlerash rajonale, e lëre më evropiane – është detyrë frikshëm e paarritshme të formësosh një të ardhme politike të përbashkët në BE për Ballkanin Perëndimor. Aq frikshëm e paarritshme sa që rrezikon të perceptohet si zgjedhje fort e pasigurt ndërmjet ndryshimeve fundamentale që frymëzojnë emancipim të pakthyeshëm politik dhe amullisë rraskapitëse me ngjyra të karremit të nacionalizmit që mund të na çojë edhe në disa dekada të tjera jostabiliteti që na ngjajnë me kujtimet e të kaluarave të errëta shkatërrimesh nga luftërat. Tekembramja, në sytë e shumicës së shqiptarëve, boshnjakëve, kosovarëve, malazezëve, maqedonasve dhe serbëve, hendeku ndërmjet të së mundshmes së kësaj detyre dhe asaj që është e arritshme drejt jetësimit të saj nuk ka qenë ndonjëherë më i gjerë e më i thellë. Mbase një pyetje më e rëndësishme është edhe për sa kohë do të mbesim oborr pas shtëpie i BE-së, ose edhe më keq, arenë gare për ndikim ekonomik e politik ndërmjet fuqish të tjera globale në një botë gjithnjë e më multipolare në një epokë populizmi.

Pas dy dekadash, a jemi të dënuar që të vazhdojmë ‘së udhëtuari vetëm brenda Zagrebit’?

*Pikëpamjet e shprehura janë vetëm të autorit.

—-

Në muajt në vijim, bashkëpunimi në mes të platformave online Remarker dhe Sbunker do të sjellë një seri analizash që kanë për qëllim nxitjen e debatit të hapur e kritik mbi situatën aktuale në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Pas qëndrimeve të fundit nga Franca, një ndër shtetet anëtare me më së shumti ndikim në BE, rajoni po përballet me një ndër sfidat më të vështira të tri dekadave të fundit, prej kur shtetet e Ballkanit Perëndimor filluan rrugën e tyre të vështirë, fillimisht duke kaluar nëpër konflikte dhe pastaj në procesin e demokratizimit dhe integrimit evropian.

Qëllimi i Remarker dhe Sbunker është të krijojë njohje më të mirë të çështjeve aktuale në vendet e Ballkanit Perëndimor, dhe rritjen e vetëdijes mbi proceset e integrimit evropian, atë të demokratizimit dhe sundimit të ligjit, si kushtet kryesore për arritjen e paqes afatgjatë dhe stabilitetit në rajon. 

—–

Shkrimin në gjuhën serbe mund ta gjeni këtu, ndërsa në gjuhën angleze këtu.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.