Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Një lidhje e re me politikën

Televizori

Përgjatë dy dekadave të fundit, shoqëria kosovare e lidhi ekzistencën e saj për televizori. Përftoi kështu karakter skajshëm pasiv dhe mbeti në një vend, duke shikuar lajme dhe emisione politike. Në këtë shkrim do të mundohem të tregoj për rëndësinë e paisjes në fjalë në të kuptuarit e politikës; krijimin e pritshmërive jokonkrete dhe dembelinë e papërgjegjësinë që rrjedhuan nga kjo.

Televizori është ende (koha e Facebook-ut dhe gazetarisë online) pajisja që e fabrikon të vërtetën me anë të dhjetëra ‘hapësirave elitare’ (emisione politike). Por jo vetëm. Ato madje shërbejnë edhe si ‘mami’ që e ndihmojnë lindjen e liderëve të rinj, politikanëve tjerë përcjellës dhe analistëve. Televizori shërben edhe si vegël matëse për peshën publike të dikujt. Qe një shembull: kur një përdorues Facebook-u merr pjesë në ndonjë emision televiziv, ai e qet foton në profilin e tij që ia dokumenton atë pjesëmarrje. Në shumicën e rasteve duket emri i tij dhe logoja e televizionit bashkë me fytyrën [1]. Pra, kështu ndodh dalja nga anonimiteti.

Duke qenë tepër të rëndësishme, ‘hapësirat elitare’ që ndodhen përbrenda televizorit, e kanë shkëputur qytetarin e rëndomtë nga rrethana e tij individuale. Me apo pa dashje, diskursivisht, ia kanë vjedhur realitetin dhe lirinë. I kanë dhënë idenë se është fund e krye i varur nga zhvillimet politike të cilat i fliste e përfliste pambarim pa nxjerrë diçka të re. Qytetari i rëndomtë kosovar e njeh shumë mirë atë që ndodh e do të ndodh, atë që thuhet e do të thuhet në skenën politike. I njeh mirë politikanët dhe analistët. Por, ai është i paaftë të rezonojë e të veprojë për lagjen apo katundin ku bën pjesë. Krejtësisht i paaftë të inspektojë tenderët në vendbanimin e tij, të shoh sesi po kryhen punët për një projekt të caktuar, të jetë në komunikim me mësuesit në shkollën ku i mësojnë fëmijët, të jetë i angazhuar në ruajtje të ambientit etj.

Televizori e bëri shoqërinë tonë iluzorisht politike. Si rrjedhë e debateve të pafrytshme, kaotike, pa logjikë e kuptim, qytetari ndërtoi pritje të mëdha për politikën, por pa i konkretizuar ato. Pret, por pa ditur se çka. Dhe sidomos, pa e pasur idenë më të vogël për metodologjinë e realizimit të pritshmërive. Kjo në një anë i mbajti ata të pakënaqur, e në tjetrën, i bëri politikanët të papërgjegjshëm. Rreth njëqind mijë njerëz ikën nga Kosova kur u arrit Koalicioni paszgjedhor PDK-LDK në fund të 2014-ës. Kushedi çka prisnin. “Duam më mirë” nuk është pritje. As “duam ndryshim”. Këto janë fjalë të papërcaktuara që shprehin thjesht pakënaqësi. E pakënaqësia e këtillë është krejt e pabazuar.

Të ndihmuar nga këto hapësira vizive elitare, por natyrisht edhe si pasojë e mbetjeve komuniste e totalitare, shoqëria jonë harroi se po jetonte brenda një sistemi me liri ekonomike e politike. Brenda një terreni përpjekjesh e lufte ku asgjë nuk vjen e gatshme. Në vend se të ishte një aktiviste shumë më e gjallë ekonomike, ajo u gozhdua në pozicionin ulur, para televizorit ose nëpër kafene. Në Kosovë nuk u krijua një rrjetë interesash ekonomike e sociale, që do t’i jepnin kuptim ‘planprogrameve politike’. Përfshirja në politikë nuk bëhet duke njohur dhe kuptuar rrethanën individuale, dmth interesat konkrete individuale, por bëhet duke e avokuar ‘të mirën e përbashkët’ e cila i përngjan në papërcaktueshmërinë e saj ‘parajsës’ së feve abrahamike. Shumica dërrmuese e kosovarëve nuk ka vend në skemën e prodhimit. Edhe nëse kanë punë dhe marrin rrogë, ata praktikisht nuk bëjnë asgjë. Dmth, nuk prodhojnë asgjë. Të tillë veç të papunëve, janë edhe shumica e profesorëve të Universiteteve (publike e private), shumica e gazetarëve (që aktivitet e kanë “copy-paste”-in), shumica e njerëzve në administratë publike, pensionerët, politikanët etj.

Në mungesë të një perspektive ose këndshikimi të qartë individual, qytetarët bëhen të mashtrueshëm e të nënshtrueshëm. Dhe natyrshëm, begatohet terreni për populizëm e retorikë boshe.

Çka mund të bëj Vetëvendosje me papunësinë nëse vjen në pushtet? Asgjë sepse kjo është përtej pushtetit të saj. Zhvillimi ekonomik në kapitalizëm varet tepër shumë nga bizneset dhe ndërmarrësit. Nga prodhimi. Tregu. Nga vetëorganizimi i sektorit privat. Nga një jetë matanë televizorit dhe politikës. Vetëvendosje, (në fakt asnjë parti tjetër), nuk mund të bëj asgjë pa një lidhje më të fortë të qytetarëve me interesat e tyre. Prandaj, askush nuk mund të ofrojë shpëtim nga zhgënjimi e dëshpërimi nëse pritshmëritë nuk e kanë një bazë konkrete. I vetmi shpëtim i mundshëm, bëhet përmes një pajisjeje tjetër: digitronit (telekomandës). Qytetari duhet të mësohet t’i ndërrojë kanallet ose ta fikë televizorin. Duhet të mësohet të dalë jashtë dhe të bëhet pjesë e asaj që ndodh. Lidhjet me politikën nuk duhet të kalojnë kah televizori, por kah vetë shtëpia e tij, shkolla apo dyqani.

Më të çmueshëm për zhvillimin ekonomik të një vendi janë të korruptuarit sesa pësorët. Nuk ka vend për moralin as në politikë, e as në ekonomi. Apo për dashamirësinë e atdhedashurinë. Ka vend për aktivitet dhe luftë. Për interesa. Albin Kurti, duke e sulmuar një kompani private, tha se Kosovës i duheshin biznesmenë si Bill Gates e Steve Jobs, dmth inovatorë. E vërteta është se, zhvillimi ekonomik i ShBA-ve i detyrohet shumë më shumë biznesmenëve dallaverxhinj e monopolizues që nuk bënë ndonjë inovacion, si Carnegie e Rockefeller. Si një inkuizitor Kurti e përjashtoi ‘interesin’ nga biznesi, duke e reduktuar gjithë veprimtarinë biznesore në inovacion e art.

Klientelizmi

Dëshpërimi i mbledhur nga pritshmëritë ishte tepër i madh. Gati nëntëdhjet përqind e njerëzve ishin të pakënaqur me punën e Qeverisë. Diskursi nacionalist e theu keq diskursin liberal e progresist, ashtu siç kisha thënë disa muaj më parë. PDK-ja ishte e paaftë të përligjte atë diskurs me të cilin kishte operuar që nga shpallja e Pavarësisë. Kjo parti e humbi çdo debat në të cilin mori pjesë. U thye. Qe një tjetër përfigurim: në përgjimet “Pronto” vërehet një paranojë shumë e madhe e zyrtarëve të PDK-së për debatet. Ata ia bëjnë rrafsh njëri-tjetrit, por është evidente se e nuhasin humbjen.

Kadri Veseli, kryetari i ri i PDK-së, ka qenë në një flirtim dëshpërimtar e të pakuptueshëm me opozitën qe një vit. Diskursi i tij e braktisi diskursin e PDK-së së Thaçit. Ai pranoi në radhët e partisë së tij edhe elementë radikalisht anti-PDK, praktikisht duke iu dhënë të drejtë. Arbana Xharra si shembull. Më tej: i dha postin e kandidatit për kryeministër, Ramush Haradinajt, një njeriu që kishte qenë edhe më i ashpër se Kurti në kundërshtimin e marrëveshjeve të Qeverisë. PDK-ja u zhduk si formacion politik e ideologjik dhe mbeti si një formacion biznesor në shërbim të diskursit opozitar.

Vetëvendosjes iu dha pushteti në pjatë. Dihej që do t’i kishte të paktën 20 përqind qysh para zgjedhjeve. Pamundësia e plotë e PDK-së për të mbrojtur atë që po bënte, pamundësia e plotë bile edhe për të kuptuar atë që po bënte, bëri që mos të kishte fare luftë politike. Pati vetëm dërrmim dhe debakël nëpër debate. Madje, situata ishte aq qesharake sa kur e votuan Gjykatën Speciale, disa deputetë të PDK-së krejt në konfuzion, e pranonin haptas se ajo nuk duhej votuar, duke i dhënë të drejtë kështu Vetëvendosjes. AAK e kishte votuar ratifikimin e marrëveshjes për Asociacionin në vitin 2013, por ndërroi radikalisht pozicion kur u bashkua në opozitë me Vetëvendosjen.

Nuk ka shumë rëndësi qysh do të quhet kryeministri i ri i Kosovës, Ramush apo Albin. Koalicioni i “krahut të luftës” nuk mund të bëj asgjë pa parë se çka mendon Vetëvendosje për çështje të caktuara.

Tash për tash, në Kosovë ekzistojnë vetëm dy subjekte politike: Vetëvendosje dhe LDK. PDK dhe AAK duke mos pasur njerëz të aftë të formulojnë dhe artikulojnë bindje të caktuara për çështje të caktuara, u tjetërsuan dhe u bënë vegla të diskursit të Vetëvendosjes. LDK ndërkohë, është e vetmja që ofron tjetër rrugë për të ecur.

Klientelizëm. Kështu quhej pushtetimi i PDK-së. Punësime e favorizime në këmbim të votave dhe pushtetit. Por, rrjeta e klientelës së PDK-së në krahasim me elektoratin është shumë e vogël. Dhe madje, me humbjen e pushtetit ajo do të shthurret gati krejtësisht. PDK, duke qenë e paaftë të ndërtonte diskurs, vetëm nëpërmes klientelizmit, i bëri votuesit e saj jolojal ose interesxhinj. Pse e mbështet dikush PDK-në pa pasur interes? Zor të thuhet. (Më shumë për klientelizmin nga Besnik Pula)

Këta ‘klientë’ të PDK-së do ta braktisin, do të rreshtohen andej kah po fryen era. Tash, era po fryen kah Vetëvendosja dhe PDK-së nuk do t’i ikin vetëm votues, por edhe biznesmenë (siç ishte rasti i Devollit) dhe politikanë. Klientelizmi të qet në gropë. Dhe, gropa e PDK-së duket e thellë.

Pra, as ky lloj klientelizmi  nuk bën si një formë alternative e marrëdhënjes së njerëzve me politikën. I korrupton, iu krijon sindromin e mashtruesit, dhe komunikon me ta vetëm përmes interesash.

Është e qartë se pushteti i Vetëvendosjes është larg më i fuqishëm se ai i PDK-së. Ajo ka pushtuar me vargonjtë e ideve. Bashkimi kombëtar. Flamuri kuq-e-zi. Drejtësia sociale. Janë gjëra interesante.

Megjithatë, qytetarët vijojnë të jenë krejtësisht amorfë dhe anonimë. Votuesi kosovar nuk është aspak më i dijshëm se në vitin 2014. Është më interesxhi, ndoshta më pak i lidhur me televizorin, dhe më i dëshpëruar. Ai është i gatshëm të hidhet në një dëshpërim të ri, t’ia therrë përsëri për në Gjermani e Zvicërr. Por, është i pagatshëm të zë një vend në skemën e prodhimit, të kualifikohet, të merret profesionalisht me diçka.

Aktivitetet artistike në Kosovë janë tepër të varfra. Organizimi i sportit është mosvet i dobët. Shkenca është mjerane. Jeta matanë politikës është tepër e shkretë. Njerëzit sillen kafeneve pa ditur se çka të bëjnë. Politika është i vetmi art, i vetmi sport dhe e vetmja shkencë e vërtetë e kosovarit të rëndomtë.

Prandaj, nëse disi nuk krijohet një marrëdhënje e re dhe më konkrete me politikën, nëse nuk fillohet një angazhim nga poshtë-lartë, asgjë nuk do të ndryshojë. Në demokraci, politika është e varur nga qytetari dhe nga angazhimi e përpjekja e tij.

______________________

[1] Në një mënyrë a tjetrën, të gjithë ne duam të jemi më të rëndësishëm. Prandaj, ky ilustrim nuk duhet të shërbejë si një përqeshje për njerëzit në fjalë. Qëllimi është të tregohet rëndësia që shoqëria jonë i jep kësaj pajisjeje.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.